Spiunazhi industrial

Përpjekjet për vjedhjen e sekreteve tregëtare nga kompanitë amerikane vazhdojnë me një ritëm të lartë dhe po vënë në shënjestër objektiva të reja, pavarësisht nga përpjekjet për të frenuar një spinuazh të tillë industrial. Vjedhja e sekreteve tregëtare dëmton ekonominë pasi shkurajon investimet për punën kërkimore që janë kritike për rritjen ekonomike. Disa element të rinj janë përfshirë në këtë aktivitet dhe goditjet e tyre kanë vënë në shënjestër shumë biznese që nga ato të teknologjisë së lartë e deri tek ato të modës.

Teknologjia e prodhimit të një avioni luftarak është një objektiv i kuptueshëm i spiunazhit, por ekspertët thonë tani se spiunazhi industrial po vë në shënjestër edhe stilistët e famshëm dhe prodhuesit e lojrave të fëmijëvë, prodhuesit e objekteve të çelikut, kompanitë e ushqimit dhe pijeve, fushën e studimeve për energji të pastër dhe prodhuesit e turbinave me erë. Spiunazhi tregëtar po kërkon gjithashtu informacion për praktikat menaxhuese që përdoren nga bizneset e suksesshme.

Ekspertja e sigurisë për korporatën Mandient, Laura Galante thotë se një numër kompanish në rritje mendojnë se shkeljet e sigurisë po bëhen të pashmangshme.

“2013 ishte një pikë kthese për kërcënimet kibernetike dhe industrinë tonë, atë të sigurisë kibernetike, sepse kaq shumë lloje të reja kompanish ishin të interesuara të kuptonin se nga do të vinte rreziku i ardhshëm”.

Ajo thotë se disa lojtarë të rinj kanë goditur kompani perëndimore mediash dhe banka. Sulmet kibernetike ndaj objektivave ekonomikë mesa duket kanë si synim të çojnë përpara interesat politike të forcave në Siri dhe Iran.

Një ish-prokuror federal, që ka drejtuar shumë çështje kundër spiunazhit industrial dhe ekonomik në sallat e gjyqit, thotë se Kina po bën përpjekjet më të shumta për të vjedhur sekrete të kompanive. Por Peter Toren i firmës juridike Weisbrod Matteis & Copley thotë se shumë vende janë aktive në këtë drejtim.

“Mendoj se të gjitha vendet e Evropës Perëndimore e bëjnë një gjë të tillë, ashtu si edhe Rusia dhe Izraeli”.

Profesori i biznesit në Universitetin e New Haven, George Haley thotë se agjentët francezë kërkuan objektiva të reja në fund të Luftës së Ftohtë.

“Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ata i kishin zhvendosur përpjekjet e spiunazhit nga ai kryesisht politik tek spiunazhi industrial, në mënyrë që të përfitonin kompanitë franceze. Pra Franca pa dyshim është një prej tyre”.

Ekspertët thonë se kompanitë mund të shpenzojnë miliona dollarë dhe vite të tëra pune për të krijuar një program më të mirë kompjuterik, një produkt më të lehtë ose më të fortë çelik. Nëse një kompani tjetër i vjedh këto studime, atëherë ajo është në gjendje të krijojë një produkt konkurrues, me një kosto shumë më të ulët dhe të fitojë kështu një avantazh në treg.

Autori i librit “Restoring Our American Dream” Michael Farr, thotë se spiunazhi industrial shkatërron gjithashtu besimin dhe dëmton ekonominë. Michael Farr është një këshilltar për investimet dhe thotë se nëse nuk ekziston besimi, bizneset nuk do të rrezikojnë dhe nuk do të investojnë aty ku ka nevojë për rritjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Nëse palët nuk i zënë besë njera tjetërs, edhe pse mund të kishin një mundësi të shkëlqyer përpara, ato do të tërhiqeshin për shkak të mungesës së besimit.”

Peter Toren thotë se kompanitë mund të mbrohen duke ia bërë të qartë punonjësve që suksesi i kompanisë dhe puna e tyre varet nga avantazhi i tyre teknologjik.

Ai thotë se ndër masat mbrojtëse janë trajnimet për të përballuar kërcënimet dhe një kulturë biznesi që i sheh seriozisht çështjet e rrezikut kibernetik dhe rreziqeve të tjera të sigurisë./voa

Artikulli paraprakHalalTrip – Turizmi Hallall: Hotele dhe udhëtime për muslimanët
Artikulli tjetërKompanitë e huaja bëjnë shpëlarjen e parave