Si mund të vazhdoj të bëj diçka të caktuar?

Kjo ndodh vetëm sipas një mënyre, që është “ndryshimi gradual”:

Kur bën ndryshim gradual në një gjë të caktuar, kjo sjell që ti të bësh ndryshime në bindjen tënde personale. Ka dallim mes besimit në aftësi dhe besimit në mundësi, sepse aftësitë janë ato që na i ka dhënë Zoti, e këto ne nuk mund t’i kontrollojmë sepse ato janë nga Zoti… ndërsa mundësitë janë ato që ti i fiton me punë, si përshembull gjuhët e huaja dhe studimet. Këto ti mund t’i kontrollosh siç dëshiron, dhe përdor aftësitë e tua që t’i shfrytëzosh të gjitha mundësitë e tua që i ke. Për këtë arsye, duhet t’i zhvillosh gjithmonë mundësitë e tua!

Që të mund të bësh ndryshim në veten tënde, duhet të mbështetesh te Zoti, dhe të kesh më shumë besim edhe në vetvete: “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, pa e ndryshuar vetë ata më parë, çfarë kanë në veten e tyre.” [Kurani].

Që të mund t’i shfrytëzosh aftësitë e tua, ti duhet ta përmirësosh veten tënde në fillim, duke mbajtur nën kontroll nervat e tua, dhe kjo arrihet duke lexuar, për shembull, dhe duke mësuar se si ta mbash nën kontroll veten tënde, ose të shkosh te një person specialist, që të ndihmon për këtë. Nëse ke dëshirë të fortë për të bërë diçka, ti do tagjesh mënyrën se si t’ia arrish, e nëse nuk ke dëshirë të fortë për këtë, do të gjesh justifikimin, dhe si rrjedhojë nuk do të përparosh.

Dhe që të bësh ndryshim, duhet që ciklin mendor ta bësh të veprojë në mënyrë pozitive, por kjo pasi të jesh mbështetur te Zoti. Ky cikël mendor ka këto hapa:

-Biseda me veten në mënyrë pozitive, me qetësi dhe me besim në Zotin.

-Besimi, dhe ajo që të çon te besimi është biseda me veten tënde me bindje se do të mund ta ndryshosh veten, dhe besimi në veten tënde dhe në aftësitë e tua, të cilat t’i ka dhënë Zoti.

-Këndvështrimi yt ndaj gjërave duhet të jetë pozitiv, gjë të cilën ti e arrin nëpërmjet besimit.

-Ndjesitë (që janë karburanti i njeriut), dhe marrja nën kontroll e tyre, e kthimi i tyre në pozitive.

-Dhe në fund, pas ndjesive pozitive vjen sjellja pozitive, e cila të mundëson rezultatet që ti i dëshiron.

Që këtu, ti mund ta ndryshosh veten tënde dhe t’i ndryshosh mendimet e tua për më mirë, t’i përmirësosh mendimet e tua dhe ta përmirësosh mënyrën e sjelljes me njerëzit. Dhe kjo është ajo që ndodh në muajin ramazan, ku vëmë re se shumë njerëz ndryshojnë në këtë muaj të bekuar.

Në shërbimin ndaj klientit, ti duhet ta lidhësh këtë shërbim me parimet e tua të larta! Si bëhet kjo?

Kjo arrihet duke e programuar veten me mendimin se çdo njeri që të vjen, është një dhuratë e Zotit për ty, dhe nëpërmjet sjelljes së mirë me të dhe shërbimit ndaj tij, ti mund të fitosh kënaqësinë e Zotit dhe shpërblimin prej Tij. Dhe që ti të arrish të fitosh shpërblimin e Zotit nëpërmjet këtij personi, ti duhet të bësh këto që vijojnë:

-Të buzëqeshësh përballë tij, sepse buzëqeshja përballë tjetrit, është mirësi e shpërblyer nga Zoti, siç e ka thënë i Dërguari i Tij.

-Ta dëgjosh me vëmendje atë, dhe të interesohesh për të!

– Ta ndihmosh atë, duke menduar për zgjidhjen e problemit të tij, sepse kështu ti i zgjidh atij një hall, dhe kush i zgjidh një hall një njeriu në këtë botë, Zoti ia zgjidh atij një nga hallet e veta, në Ditën e Kiametit.

– Të jesh i sinqertë me klientin. Klientin mund ta mashtrosh vetëm një herë, ai jo që nuk vije më por ndikon që edhe shumë klient potencial të tjerë të mos vijnë te ti.

Kështu, nëpërmjet këtyre pikave, ti do të fitosh shpërblimin dhe kënaqësinë e Zotit, e gjithashtu në të njëjtën kohë, do të jesh i mirë në punën tënde, dhe do të bësh përparim në të.

Këta hapa duhet t’i ndjekësh në çdo gjë e në çdo punë që ti bën, dhe jo vetëm në punën tënde në shërbimin ndaj klientëve.

Dr. Ibrahim el-Fekij

Artikulli paraprakRënie drastike e shkarkimeve të aplikacioneve në Kinë
Artikulli tjetërMë të lumtur ata që kanë para apo kohë?