Ballina Edukim Si mund të arrijmë t’i edukojmë fëmijët tanë që të jenë të...

Si mund të arrijmë t’i edukojmë fëmijët tanë që të jenë të devotshëm dhe të qëndrueshëm në rrugën e Allahut, në një kohë kur interneti ka hapur shumë dyer për haram?

Si ta edukoj fëmijën tim?

Hoxha i njohur, dr. Nasir ibn Sulejman El Umeri është pyetur se si mund t’i edukojmë në mënyrë të duhur fëmijët tanë në kohën e internetit, ku mundësia për të bërë harame të ndryshme është shumë e madhe. Pra, si të arrihet ky qëllim fisnik, në mënyrë që fëmijët tanë të bëhen të devotshëm, të virtytshëm, përmirësues dhe sakrifikues në rrugën e Allahut?

Hoxha është përgjigjur:

Lavdet janë për Allahun, Zotin e botëve. Paqja dhe përshëndetjet qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (sal-lallahu alejhi ue selem!) familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij…

Më pas:

Allahun e Madhërishëm e lus që t’i bekojë fëmijët tanë dhe t’i bëjë prehje për sytë tanë, nga devotshmëria e tyre. Ndër gjërat më të rëndësishme që ndihmojnë në edukimin e mirëfilltë të fëmijëve janë këto:

  1. Devotshmëria ndaj Allahut në fshehtësi dhe sheshazi.
  2. Gruaja e sinqertë, e cila të ndihmon për ta arritur këtë qëllim.
  3. Shtëpia e ngritur mbi devotshmëri, e pastër nga ndalesat, e në veçanti nga instrumentet muzikore.
  4. Shoqëria e mirë, e cila i ndihmon fëmijët t’i shmangen rrugës së keqe.
  5. Përzgjedhja e shkollave (kopshteve) të përshtatshme, për ta dërguar fëmijën tënd në to, mëngjes e mbrëmje.
  6. Ngrënia e pasurisë së lejuar (hallall) dhe largimi nga të ndaluarat.
  7. Angazhimi i fëmijës në gjëra që i bëjnë dobi, si dhe ruajtja e tij nga shoqëria e keqe dhe koha e lirë.
  8. Shoqërimi me fëmijën tënd dhe lidhja e fortë me të dhe ndjesia e tij se ti je në dijeni për gjendjen e tij, si dhe inkurajimi në gjërat që i bëjnë dobi.
  9. T’i dhurosh nga pasura jote, aq sa ka nevojë, pa e tepruar dhe pa ia lënë mangët.
  10. Përmirësimi i gabimeve të tij me urtësi, durim, dashamirësi, vendosmëri dhe butësi.
  11. Duaja dhe istigfari i shumtë (kërkimi i faljes nga Allahu), siç përmendet në Kuran: “Edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga ngratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”” [Kurani: 25:74]

Për fund, lus Allahun të na japë sukses dhe të na i përmirësojë shtëpitë dhe familjet tona!

Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë, Muhamedin (alejhis salatu ues selam), mbi familjen dhe shokët e tij!

 

Përktheu:

Bekim Kokollari / https://shembulli.com/

Artikulli paraprakShtatë ligjet më të njohura në botë
Artikulli tjetërEdhe sasia e vogël e alkoolit e dëmton zemrën