Shqipëria vend me “borxhe kritike” – reagojnë ekspertët

Shqipëria sipas një analize të dy organizatave gjermane konsiderohet vend i rrezikuar me “borxhe kritike”.

Reagimi i ekspertëve shiptarë: rregullimet institucionale për menaxhimin e borxhit publik duhet të forcohen.

Raporti global mbi borxhet që u publikua së fundmi nga dy organizatat gjermane Misereor dhe Erlassjahr.de ka shkaktuar diskutime në rradhët e ekspertëve dhe analistëve shqiptarë të ekonomisë.

Panaroma e raportit ishte e zymtë duke vlerësuar edhe se borxhet shtetërore kundrejt donatorëve të jashtëm në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion janë në rritje prej vitesh dhe kanë arritur ndërkohë një shumë të përgjithsme prej rreth 5,4 bilion bilionë dollarë, rritje e cila përshkruhet si pesë herë më e madhe se para 25 vjetësh.
Referuar raportit, 108 shtete konsiderohen si “me borxhe kritike”. Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri. Këtyre u shtohen edhe vende si Gambia, Gana dhe Mauritania në Afrikë, India e Pakistani si dhe Libani e Jordania në Lindjen e Mesme.
Qeveria të vendosë rregulla strikte për kufirin e borxhit publik
Dr. Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Biznesit, në Institutin Kanadez të Teknologjisë thotë se shqetësimi i ngritur në raportin e Misereor dhe Erlassjahr.de është i njohur dhe diskutuar prej kohësh në ambientet e brendshme akademike dhe kërkimore, duke e konsideruar atë si një nga rreziqet serioze me të cilat vendi mund të përballet në të ardhmen. Sipas tij, një arsye është se edhe në nivelet më modeste te borxhit publik, nën 60% të PBB-së, kostoja e shërbimit të borxhit ka qendruar në nivele 3.4-3.8% të PBB-së, një shumë kjo e konsiderueshme, pothuaj sa 60% e totalit të investimeve publike të vendit.
“Duke qenë se, pesha e borxhit aktualisht e ka kaluar 72% të PBB-së; kushtet e financimit të borxhit janë kushtet e tregut, në dallim nga kushtet e borxhit të trashëguar nga fillimi i tranzicionit që ishte borxh jotregtar; struktura e borxhit është zhvendosur drejt borxhit të huaj në saj të huamarrjes së shtuar në tregjet e huaja kapitale, duke shtuar përveç normës së interesit edhe rrezikun e kursit të këmbimit – pra, të gjithë këto faktorë e rëndojnë edhe më shumë problematikën e menaxhimit të borxhit publik në të ardhmen. Për këtë arsye, prej kohësh ekspertë vendas i kanë kërkuar dhe rekomanduar qeverisë që të vendosë rregulla strikte në kufirin e borxhit publik dhe të kryejë rregullime institucionale për të kufizuar diskrecionin e qeverisë”- thotë për Deutsche Welle-n dr. Xhepa.
Ai kujton se FMN-ja e ka ngritur gjithashtu këtë problem, por deri më tani nuk ka pasur një adresim konkret të tij. Programi trevjeçar i ardhshëm i qeverisë ka vendosur disa objektiva që e vënë huamarrjen publike në trajektoren rënëse të tij, por sërish mendoj se rregullimet institucionale duhet të jenë më të forta dhe më angazhuese për të penguar shkeljen e tyre nga autoritetet, vëren eksperti Xhepa.
Borxh i ri për të shlyer borxhin e vjetër
Për drejtorin e Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonimike, dr. Zef Preçi, problem për borxhin publik të Shqipërisë nuk është vetëm niveli i lartë i tij, gjë që vijon të mbetet një kërcenim në vijimësi për ekonominë vendase. Në një bisedë me Deutsche Welle-n ai shprehet se po kaq problem mbetet edhe mungesa e vizionit të qeverisë në ndërmarrjen e politikave publike pro zhvillimit dhe rritjes ekonomike, pro rritjes së prodhimit vendas, pro eksportit. Vendi ka tre vjet në stanjacion dhe janë të gjitha gjasat që kjo situatë të vazhdojë edhe për dy-tri vitet e ardhshme, thotë dr. Preçi.
“Ndërkohë qeveria aktuale e ka konsumuar mekanizmin e njohur të marrjes së borxhit të ri për të shlyer borxhin e vjetër, ndërsa huatë bankare me kushte favorizuese të siguruara nga Banka Botërore po ndeshen me kapacitetet e kufizuara absorubuese të ekonomisë dhe mungesën e ekspertizës në administratën publike, si dhe për fat të keq, një pjesë e këtyre huave nuk po përdoren për investime në konceptin klasik të kësaj fjale, por për punime në infrastrukturën publike si qendrat e qyteteve, etj., të cilat nuk kanë asnjë lidhje as me nevojën e ngutshme për të krijuar vende të reja pune, e aq më pak me rritjen e aftësisë ripaguese të ekonomisë në tërësi.

Për më tepër që edhe raportimet në lidhje me borxhin publik të marrë në bankat e vendit nuk përfshijnë shuma të mëdha borxhesh pa garanci sovrane të qeverisë të disa shoqërive publike -kryesisht utilitetet publike, si ujësjellësat, sektori i prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike, etj- gjë që do të thotë se niveli real i borxhit është dukshëm më i lartë nga të dhënat e raportuara zyrtarisht nga qeveria në parlament”.
Në këtë këndvështrim, sipas dr. Preçit, fantazma e krizës greke të lidhur me keqmenaxhimin e borxhit publik, qendron si “Shpata e Damokelut” mbi ekonominë e brishtë shqiptare.
“Struktura e ekonomisë shqiptare, me eksporte të bazuara kryesisht në lëndët e para të papërpunuara, tipike për vendet koloniale, nuk premton një rimëkëmbje të shpejtë p.sh., një rritje ekonomike mbi 6% që të mund të zbusë papunësinë e lartë ndër të rinjtë dhe sidomos pjesën më të shkolluar të tyre.

Për rrjedhojë qytetarët po humbasin shpresën dhe janë shtuar tentativat e shumë familjeve për të braktisur përgjithmonë vendin”. Në analizën e tij për Deutsche Welle-n, drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonimike, dr. Zef Preçi, përmend edhe faktin se përveç familjeve në kushtet e varfërisë ekstreme, vihet re një rritje e largimeve drejt BE-së dhe posaçërisht drejt Gjermanisë edhe e familjeve që disponojne një minimum kursimesh apo mundësish për të jetuar në Shqiperi.

“E kjo humbje e shpresës së qytetarëve shqiptarë për një jetesë më të mirë brenda vendit e vështirëson edhe më shumë mundësinë e ripagimit të borxhit publik në dekadat që vijnë.”
Reformat, rruga e vetme për konsolidimin e ekonomisë
Inxhinieri Kolë Gjoka ka dy dekada që jeton dhe punon në Gjermani dhe prej kohësh është përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës në Hamburg dhe Schleswig-Holstein. Pasi u njoh me raportin e publikuar së fundmi nga Misereor dhe Erlassjahr.de ai shprehet se kriza ekonomike disa vende i ka gjetur të papërgatitura dhe më shqetësuese akoma kur disa prej këtyre qeverive nuk kanë ende të përpiluar ndonjë strategji të qartë dhe afatgjatë për të dalë nga kriza. Kjo i shtyn ato drejt marrjes së borxheve, e cila është relativisht e lehtë, por shlyerja e tyre shumë e vështirë dhe kështu këto ekonomi futen në vorbullën e “ciklonit” krizë, thotë Gjoka për Deustche Welle-n.
“Një nga çështjet e diskutueshme, sipas mendimit tim është arsyeja e marrjes së borxheve për të paguar administratën apo për investime direkte. Edhe afrimi i investitorëve potencialë në një vend me përqindje të lartë borxhi është shumë i vështirë.

Në vështrimin tim, bashkëfajtor të kësaj gjendjeje janë edhe FMN-ja, Banka Qendrore Europiane dhe donatorët e tjerë. Vendet me një ekonomi të brishtë janë shumë të pambrojtura përballë politikave financiare të viteve të fundit të ndjekura nga Banka Qendrore Europiane. Asistenca e kësaj banke duhet të jetë në një standard tjetër”.
Rruga e vetme për konsolidimin e ekonomisë, sipas Gjokës, janë reformat e shpejta, të cilat i japin frymëmarrje sipërmarrjes. “Por këto reforma duhen bërë në bashkëpunim me biznesin dhe me përfaqësuesit e tij, siç janë Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”.

Artikulli paraprakKosova do të përfitojë 61 milionë nga shteti hungarez
Artikulli tjetërThaçi: Sipërmarrja dhe prona private janë themel i zhvillimit të Kosovës