Shkolla e parë në botë, e printuar në 3D, po merr formë në Madagaskar

Printimi 3D ndërton objekte të forta, shtresë pas shtrese, duke krijuar më pak mbetje krahasuar me metodat e prodhimit tradicional

 

Një projekt i ri në Madagaskar po ndryshon blloqet e ndërtesave të arsimit, duke përdorur printimin 3D për të krijuar shkolla të reja. Organizata jofitimprurëse Thinking Huts, në bashkëpunim me agjencinë e projektimit arkitektonik Studio Mortazavi, po krijon shkollën e parë në botë të printuar në 3D në kampusin e një universiteti në Fianarantsoa, Madagaskar. Projekti synon të zgjidhë mungesën e infrastrukturave arsimore, që në shumë vende zvogëlon numrin e fëmijëve që arsimohen.

Nëpërmjet teknologjisë së zhvilluar nga kompania finlandeze Hyperion Robotics, shkolla do të ndërtohet me mure të printuar në 3D dhe materiale lokale për dyert, çatinë dhe dritaret. Pjesëtarëve të komunitetit lokal do t’u mësohet se si të zbatojnë procesin për të ndërtuar shkolla në të ardhmen.

Në këtë mënyrë, një shkollë e re mund të ndërtohet në më pak se një javë, me më pak kosto mjedisore krahasuar me ndërtimin tradicional me beton. Ndërtesat e printuara në 3D përdorin më pak beton se metoda të tjera dhe përzierja e çimentos 3D emeton edhe më pak dioksid karboni krahasuar me betonin tradicional – thotë Thinking Huts.

 

Zgjerimi i aksesit në arsim

Mungesa e ndërtesave për arsimin është një pengesë e madhe në shumë vende, veçanërisht në zona ku nuk ka fuqi punëtore dhe burime për ndërtim. Duke përdorur teknologjinë për të ndërtuar shkolla, Thinking Huts synon të zgjerojë aksesin në arsim – diçka që do të bëhet veçanërisht e rëndësishme pas pandemisë. UNICEF dhe organizata të tjera kanë paralajmëruar për një krizë në arsim që do të përkeqësohet nga pandemia, me 1.6 miliardë fëmijë në të gjithë botën që rrezikojnë të mbeten prapa në mësime, për shkak të mbylljes së shkollave për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19.

Kthimi i fëmijëve në klasa sa më shpejt të bëhet e mundur do të jetë jetik për vazhdimin e shkollimit të tyre, veçanërisht ata me akses të kufizuar në internet dhe pajisje personale për të mësuar.

 

 

Printim i së ardhmes?

Procesi i printimit 3D, i cili njihet edhe si një prodhim shtesë, përdor një dokument dixhital për të ndërtuar objekte të forta, shtresë pas shtrese – me më pak humbje krahasuar me metodat tradicionale. Printimi 3D ka revolucionarizuar proceset e prodhimit, duke bërë të mundur realizimin masiv, duke krijuar forma të reja vizuale dhe mundësi të reja për të rritur qarkullimin e produkteve.

Në fushën e arsimit, projektet në 3D mund të përdoren për t’u dhënë jetë koncepteve didaktike dhe për të ndihmuar në ndërtimin e aftësive praktike, siç është kodimi.

Në Meksikë është përdorur për të ndërtuar një lagje me shtëpi 46 metra katrorë në Tabasco. Shtëpitë kanë një kuzhinë, një dhomë ndenjjeje, një banjë dhe dy dhoma gjumi. Ato do të vihen në dispozicion të disa prej familjeve më të varfra në vend, shumë prej të cilave fitojnë vetëm 3 dollarë në ditë. Transporti i thjeshtë dhe kostoja e ulët e teknologjisë kanë qenë jetike në dhënien e ndihmës gjatë disa katastrofave. Kur Nepali u godit nga një tërmet në vitin 2015, një printer 3D i transportuar me një Land Rover, u përdor për të riparuar tubat e ujit të pijshëm – raportoi The Guardian.

Printimi 3D ka qenë gjithashtu i suksesshëm në fushën e mjekësisë. Në Itali, start-up Issinova printoi në 3D valvulat e ventilatorëve për pacientët e prekur me COVID-19, kur një spitali të rajonit të Lombardisë, i goditur keq, i mbaruan furnizimet. Printimi 3D mund të rezultojë i paçmuar në realizimin e implanteve dhe pajisjeve të personalizuara për pacientët.

Burimi: World Economic Forum

Artikulli paraprakKartelat bankare – paraja elektronike
Artikulli tjetër5 koncepte që do t’ju vijnë në ndihmë në menaxhim strategjik