SADAKAJA ALUDON NË BESIM TË SINQERTË DHE BINDJE TË FUQISHME DHE MENDIM TË MIRË PËR ALLAHUN

Pasuria e bën që zemra të largohet prej Allahut. Shpirti është krijuar që ta dojë pasurinë dhe të bëhet koprrac për të, e kur shpirti pajtohet për ta nxjerrë sadakanë dhe për të shpenzuar në gjërat që e kënaqin Allahun, kjo është argument i besimit të drejtë të njeriut dhe i besimit të tij në atë që e premtoi Allahu dhe aludon në dashurinë e madhe që e ndien robi ndaj Allahut, duke i dhënë përparësi kënaqësisë dhe dashurisë së Allahut para dashurisë së tij ndaj pasurisë që e ka të mbjellë në shpirt.

Në këtë aludon edhe fjala e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Sadakaja është dëshmi ”; e që nënkupton se është dëshmi për besimin e atij që e vepron. Hipokriti privohet prej saj, sepse ai nuk beson në të, kurse sadakadhënësi nëpërmjet sadakasë së tij dëshmon për sinqeritetin e imanit të tij.

Imam El-Munavij, Allahu e mëshiroftë, thotë:

“(Sadakaja është dëshmi) është argument i qartë që aludon për imanin e sadakadhënësit apo se ai është në rrugë të drejtë dhe shpëtim apo aludon në atë se sadakaja e shpëton njeriun gjatë llogarisë ashtu siç e shpëton argumenti gjatë gjykimit.”

Imam El-Kazvinij, Allahu e mëshiroftë, tha:

“Sadakaja është dëshmi e prerë për sadakadhënësin se ai beson në ekzistimin e ahiretit dhe në atë që përfshihet prej llogarisë dhe shpërblimeve në ahiret, sepse pasuria është e dashur për shpirtin, i cili përshkruhet me veçori të natyrshme dhe shpirti nuk mund ta japë pasurinë përderisa nuk beson se pasuria do t’i sjellë dobi më vonë dhe do t’i sjellë kompensim dhe do ta ruajë nga dëmet që priten t’i vijnë për shkak të veprave që e meritojnë ndëshkimin.”

Sadakaja që jepet me zemërgjerësi mbjell në zemër ëmbëlsinë e imanit dhe ia mundëson robit ta shijojë atë dhe t’ia thellojë bindjen në Allahun dhe mbështetja në Allahun t’i bëhet më e sinqertë dhe e detyron besimin në Allahun dhe mendimin e mirë për Të. Atij që i ndriçohet gjoksi dhe e kupton bujarinë dhe pasurinë e Zotit të tij, shpresat i shtohen dhe dynjaja në sytë e tij i zvogëlohet, shpenzon dhe nuk frikohet nga pakësimi. Vërtetësinë e këtyre ijalëve e dëshmon i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, që i tha Bilalit, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur largoi diçka anash nga hurmat për ditë të tjera:

“Jep, o Bilal, dhe mos iu frikëso pakësimit. ”

Imam El-Kurtubij, Allahu e mëshiroftë, pasi e qartësoi se mosshpenzimi dhe braktisja e sadakasë nga frika e pakësimit është mendim i keq për Allahun, tha:

“Nëse robi ka mendim të mirë për Allahun, nuk i frikohet pakësimit, sepse e di se Allahu ia zëvendëson atij ashtu edhe siç tha në Librin e Tij: “Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë.” (Sebe’e: 39).”

Artikulli paraprakYerliara.com, motori i ri kërkues në internet i Turqisë me rëndësi për bizneset
Artikulli tjetërSADAKAJA E PASTRON SHPIRTIN NGA VESET E KËQIJA DHE E ZBUKURON ATË ME VIRTYTE DHE VLERA