Marrëveshja e katërt-QIRAJA
Marrëveshja për qiranë i ka dy kushte: shuma e qirasë dhe fitimi.
Sa i përket marrëveshjes mes palëve dhe përmbajtjes së marrëveshjes, vlenë ajo që kemi përmendur te shitblerja. Shuma e qirasë trajtohet si paraja në shitblerje.
Nëse bëhet fjalë për para në dorë, është e domosdoshme që shuma të bëhet e njohur dhe e definuar siç e përmendëm te shitblerja, e nëse është veresie, është e domosdoshme të dihet shuma e qirasë dhe të specifikohen kushtet.
Kushti i parë është largimi nga disa gjëra që janë bërë si traditë mes njerëzve në marrëveshje për qira.
– Marrëveshja për marrje me qira të shtëpisë në shkëmbim për meremetimin e saj, nuk është e pranueshme, sepse nuk dihet se sa para do të shpenzohen për meremetim. Edhe po të caktohej shuma, nuk është e pranueshme të kushtëzohet kjo shumë në investimet e duhura për meremetim,sepse çmimi i punës mbetet i panjohur.
– Nuk lejohet as që të kushtëzohet punëtori qiraxhi që rrjepë kafshë, se do të paguhet me lëkurë të kafshës, e as punëtori qiraxhi që bartë cofëtinat e kafshëve, të kushtëzohet se do të paguhet me lëkurat e atyre kafshëve. Njëjtë me qiranë e mullixhiut të paguar me krunde ose miell, që nuk konsiderohet e lejuar. Të gjitha këto janë produkte prej punës së punëtorit. Me këto nuk mund të merret punëtor me qira dhe pagesa duhet të përcaktohet më herët.
– Si kushtëzim i papranueshëm llogaritet edhe përcaktimi i qirasë për përdorimin e shtëpisë, dyqanit, hanit e hamamit, dhe ndërtesat me pagesë mujore, pa përcaktimin e kohëzgjatjes së përdorimit.
Për shembull, qiradhënësi e cakton se qiraja mujore do të jetë kaq e kaq, por nuk e cakton afatin e dhënies së hapësirës me qira. E meqenëse afati nuk është i njohur, as marrëveshja nuk është e lejuar.
Kushti i dytë është fitimi nga qiraja (e punëtorit).
Pra, të sigurojë fitim nga personi që do ta paguaj për të kryer një punë. Këtu fitim është vetëm puna. Kjo duhet të jetë punë e lejuar dhe e njohur. Natyrisht, personi që do të punojë duhet të lodhet në këtë punë. Nëse mund të gjej zëvendës për një punë të lodhshme, pagesa për një angazhim të tillë është e lejuar.
Të gjitha rregullat për këtë temë mund të përmbledhen me kaq, e as ne nuk do ta zgjasim, sepse për këtë kemi folur në pjesët e fikhut.
Të tregojmë vetëm disa çështje të përgjithshme e të domosdoshme, në të cilat ai që merr punëtor qiraxhi duhet mirë të ketë kujdes.
E këto janë pesë:
1. Puna duhet të jetë e vlefshme; pra – punëtori duhet të lodhet në atë punë.
Nëse merr me qira ndonjë artikull ushqimor për të zbukuruar vitrinën e dyqanit, ose dru zbukurues për të varrë rrobat, e të ngjashme, këto nuk lejohen, sepse në to nuk ka ndonjë vlerë. Kjo është sikur një farë gruri, e ajo sasi as nuk lejohet të tregtohet. Sikur kur shikohesh në pasqyrën e tjetrit, pi ujë në bunar të huaj, pushon nën hijen e murit të huaj, merr prush nga zjarr i huaj.
Prandaj nuk i jepen para tellallit që me fjalë të bukura t’a shesë mallin e huaj. Më në fund, ai do të flasë dy-tri fjalë. Pagesën që e merr në shkëmbim për fjalët e tij që lavdërojnë mallin (e huaj), e ka haram, sepse në të folurit e tij nuk ka lodhje. Ju lejohet pagesë nëse lodhen duke hyrë e dalë nga dyqani, ose duke folur shumë gjatë kryerjes së punëve, e kanë të drejtë në pagesë vetëm aq sa paguhen edhe të tjerët për punë të njëjtë, kurse pagesa sipas qejfit, nuk është e lejuar.
2. Me qira nuk mund të merret vetëm një pjesë prej një tërësie, dhe ajo pjesë të përdoret për fitim.
Për shembull nuk mund të lejohet marrja me qira vetëm e rrushit, pa vreshtë, ose të marrë me qira vetëm leshin, e jo edhe delen, ose vetëm qumështin, pa lopë, ose vetëm frutat, pa pemishte.
Këto janë gjëra ende të panjohura, që të mund jepen me qira, dhe për këtë arsye nuk lejohet. Megjithatë, lejohet të merret me qira gjidhënësja për fëmijën, sepse është e pamundur të ndahet qumështi prej saj. Njëjtë mund të trajtohet edhe ngjyra e shkrimit në letër ose fija e rrobaqepësit – për këto ka tolerancë.
3. Punëtori duhet të jetë i fuqishëm fizikisht dhe sipas sheriatit, që t’i ofrohet puna me pagesë.
Nuk është e drejtë të merret me qira personi fizikisht i dobët për të kryer punë që nuk do të mund t’i kryejë, ose memeci për të dhënë mësim, e të ngjashme.
Njëjtë është edhe me gjërat e ndaluara me sheriat. Sheriati nuk lejon kryerjen e punëve si: nxjerrjen e dhëmbit të shëndoshë, amputimin e organit që sheriati nuk e lejon, të merret punëtore qiraxhi gruaja me të përmuajshme për të pastruar xhaminë, ose marrja me qira e mësuesit për të mësuar sehire, magji ose ndonjë zanat të shthurur, ose të merret me qira gruaja e dikujt për gjidhënie fëmijës pa lejen e burrit të saj, ose të paguhet piktori për të pikturuar kafshë, ose argjendari për të bërë enë nga ari e argjendi. Të gjitha këto janë të padrejta.
4. Puna që kërkohet me marrëveshje të jetë punë ku personi nuk mund të përfaqësojë tjetrin.
Kështu, nuk lejohet me pagesë të përfaqësohet tjetri në luftë (xhihad), sepse lufta është farz për vet personin, e nuk mund ta përfaqësojë dikush tjetër e as për ndonjë ibadet, sepse edhe ibadetet trupore janë farze për vet personin, e nuk mund të ketë përfaqësim, e as që me pagesë të dikujt do të mund të largohej obligimi.
Por, lejohet të merret përfaqësues dhe pagesa është hallall për haxh (bedel)32, për të larë xhenazen, për hapje të varrit, varrimin e të vdekurit dhe bartjen e xhenazes. Njëjtë vlenë për udhëheqjen e xhematit në namazin e taravisë, për këndim të ezanit, ose për mësim. Rreth pagesës për mësimin e Kur’anit ka mospajtim mes dijetarëve, por lejohet pagesa me qëllim që personit të caktuar t’i mësohet ndonjë çështje e caktuar lidhur me Kur’anin, ose një sure e caktuar. Sipas Hanefisë, për haxh bedeli nuk paguhet por vetëm i mbulohen shpenzimet.
5. Puna dhe fitimi duhet të jenë plotësisht të njohura.
Nëse bëhet fjalë për rrobaqepësin, duhet të dijë çfarë rroba dhe sa do të qepë.
Nëse bëhet fjalë për mësuesin, ai duhet ta dijë se cilën sure do t’ua mësojë dhe sa e gjatë është sureja.
Nëse bëhet fjalë për kafshën e cila duhet të bartë ndonjë ngarkesë, atëherë duhet të dihet sasia e ngarkesës dhe distanca e bartjes.
Pra, nuk lejohet të anashkalohet çkado qoftë që mund të shkaktojë debat e keqkuptime.
Të flitet për të gjitha, do të zgjatej shumë. Ne i përmendëm vetëm disa, që të njihen rregullat bazike.
Shpjegimi i plotë i tyre është i gjatë, e këto që i përmendëm qëllim kanë njohjen vetëm e rregullave themelore dhe të çështjeve problematike, si dhe kërkimin e zgjidhjes.
Njohja e të gjitha detajeve në këto qështje është detyrë e myftiut, e jo obligim për njerëzit e zakonshëm.
Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu