Industria globale e linjave ajrore pritet të humbasë rreth 12 miliardë dollarë vitin e ardhshëm, duke ulur humbjet nga ky vit me 78%, ndërkohë që linjat ajrore po dalin nga kriza Covid-19, tha Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror.
IATA, e cila raporton gati 300 linja ajrore që operojnë më shumë se 80% të trafikut ajror në botë, tha se humbjet e industrisë në vitin 2021 do të jenë më të larta se ç’mendohej fillimisht, duke arritur në total 51.8 miliardë dollarë.
Humbjet neto në vitin 2020 ishin 137.7 miliardë dollarë, më shumë se 126.4 miliardë dollarë që IATA parashikoi në fillim të këtij viti dhe duke i çuar humbjet totale neto të industrisë nga pandemia, në më shumë se 200 miliardë dollarë.
“Ne kemi kaluar pikën më thellë të krizës”, tha drejtori i përgjithshëm i IATA, Willie Walsh, gjatë takimit vjetor të grupit, i cili u mbajt në Boston. Ky ishte takimi i parë personal vjetor, që nga qershori 2019. “Megjithëse mbeten ende çështje serioze për t’u zgjidhur, rruga drejt rimëkëmbjes po shfaqet”.
IATA parashikoi se industria do t’i rikthehej fitimeve në vitin 2023 dhe se numri i përgjithshëm i udhëtarëve do të rritej në 3.4 milion njerëz vitin e ardhshëm, nga 2.3 miliardë këtë vit.
Walsh tha se heqja e kufizimeve të udhëtimit ndërkombëtar do të rriste numrin e rezervimeve për fluturime, por kritikoi vendet në lidhje me protokollet e tyre, si testimet Covid-19, përjashtimet në varësi të moshës dhe metodat për të vërtetuar vaksinimet.
Administrata Biden tha muajin e kaluar se në nëntor do të hiqte masat ndaluese për vizitorët ndërkombëtarë, por zyrtarët ende nuk kanë zbuluar një datë./CNBC