Regjistrimi i Popullsisë në Kosovë do të bëhet në vitin 2022

Qeveria aprovon Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 50-të të mbajtur më 23 dhjetor 2021 me Vendimin nr. 04/50 ka aprovuar Projektligjin për Regjistrimin Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë

Ky projektligj rregullon mënyrën e organizimit të procesit të Regjistrimit, përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë Regjistrimin, dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative. Ligji, gjithashtu rregullon shtrirjen territoriale të Regjistrimit, afatet kohore, mbajtjen dhe procesin në tërësi, obligimet qytetare për pjesëmarrje në Regjistrim, sanksionet administrative dhe juridiksionin e institucioneve përgjegjëse.

Në mbledhje u bë e ditur se Regjistrimi i Popullsisë së Kosovës do të bëhet në vitin 2022.

Regjistrimi i Popullsisë është projekt i rëndësishëm kombëtar, që realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me mbështetjen e institucioneve qendrore e lokale në vend.

Regjistrimi i Popullsisë do t’u ofrojë institucioneve qendrore dhe lokale, organizatave e bizneseve, një gamë të gjerë të dhënash për politikë-bërje në përgatitjen e planeve strategjike e analizave hulumtuese për fusha, si: arsim, shëndetësi, transport, projekte kapitale etj. Pra, do të krijojë një bazë për mbledhjen, analizimin dhe ofrimin e të dhënave për indikatorët kyç demografikë dhe socio-ekonomikë në vend.

Artikulli paraprakErdogan godet kamatën: Ja padrejtësia e saj e madhe
Artikulli tjetërA po nxisin depresionin tek të rinjtë mediet sociale?