Reagimet banale në rrjetet sociale

Autor: Justinian Topulli

Pak më parë pashë dikë që në inbox më kishte sharë me fjalë banale, të cilit mesa duket nuk i kishin pëlqyer reagimet e mia për shaminë, duke më treguar më pas edhe patriotizmin e tij vulgar me një retorikë tipike ksenofobe!

Nuk e kam në edukatë, as timen si individ e besimtar, por as familjare, të përdor një gjuhë të tillë perverse, sepse kurrë nuk kam sharë me “fjalë të pista”, por ama si shqiptar që jam më kërceu edhe mua për një moment ai damari i inatit t’i përgjigjesha ashpër (jo me të njëjtat fjalë) dhe madje ta sfidoja të më dilte përballë, e jo të më bënte trimin nga qindra kilometra larg dhe nga FB. Por, pasi u mendova pak më gjatë, thashë me vete se më duhet të duroj dhe nuk i ktheva fare përgjigje.

Kur shoh njerëz që shajnë me fjalët më të ndyra të rrugës edhe nga myslimanët, në reagimet e tyre nëpër rrjetet sociale, drejtësia e do të mos më bëjnë përshtypje sharjet e jomyslimanëve apo islamofobëve që vjellin pisllëk në adresën tonë. Sigurisht që nuk jam pacifist i tipit që të kthejë faqen tjetër nëse më godasin, apo të heshtë gjithmonë, sepse egërsirave që të sulmojnë i duhen treguar shpeshherë kthetrat, përndryshe i ke hapur rrugën të të shqyejnë. Dhe sigurisht që besimtari i fortë është më i mirë sesa ai i dobët, por forca duhet përdorur me zgjuarsi dhe mençuri.

Ajo që më vjen sinqerisht keq, është pikërisht përdorimi i dhunës verbale vend e pavend dhe sidomos gjuha banale dhe madje nganjëherë edhe e ndyrë, karshi njerëzve që nuk e përdorin atë. Kam postuar para pak kohësh sesi duhet të sillet dhe reagojë një besimtar karshi rasteve konkrete, dhe komunikimi virtual nuk bën dallim nga ai i drejtpërdrejtë, sepse njeriu ngarkohet me përgjegjësi nga Zoti po njëlloj, kudo që të jetë dhe sido që të flas, me shkrim apo me gojë.

Për më tepër ne nuk duhet të harrojmë se ne të gjithë jemi thirrës në rrugën e Allahut, dhe na duhet të bëjmë durim me njerëzit, sepse ata janë të paditur, të keqinformuar dhe indoktrinuar keqas ndaj fesë dhe sidomos ndaj Islamit. Janë populli ynë dhe duhet ta mëshirojmë dhe tolerojmë shpesh herë, pa prishur gjuhën dhe sjelljen me të, por të përballemi përmes argumenteve dhe arsyetimit.

Sigurisht që ka njerëz që nuk hanë pykë, të tjerë që janë vulgarë dhe butësia me ta do t’i bënte ata edhe më arrogantë, kështu që të tillë ose duhen injoruar në heshtje, ose i duhet përgjigjur me gjuhë të fortë, pa kaluar në fyerja banale dhe kërcënime fizike, ose sipas rastit edhe duhen denoncuar në polici.

Mos të harrojmë asnjëherë se ne para se të jemi në kontakt dhe marrëdhënie të drejtpërdrejta me këta njerëz, jemi në marrëdhënie me Zotin, ndaj dhe përmes asaj që Ai do ne duhet të komunikojmë me njerëzit.
E di që është sfidë e vështirë, sidomos për gjaknxehtët, por Allahu na ndihmoftë ta përballojmë me durim këtë sprovë, nga e cila mund të varen shpesh dështimi dhe suksesi jonë në thirrjen për tek Zoti.

Artikulli paraprak​Sa orë lejohet të punohet jashtë orarit të punës në Kosovë?
Artikulli tjetërBashkëpunimi mes sektorëve të ndryshëm në procesin e prodhimit