Qeveria prezanton pagat bruto për secilin sektor – rritje nga 30% deri 90% për disa kategori

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar nivelin e ri të pagave që do t’i marrin punëtorët që paguhen nga shteti.

Sipas të dhënave të publikuara, del se paga për disa kategori është rritur për nga 30 për qind deri në 90 për qind.

“Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Aty thuhet se paga e një mjeku specialist deri më tani ka qenë 659 euro bruto derisa me koeficientin e ri ai do të paguhet 1,260 euro, pra një rritje prej 601 euro apo 91 për qind.

Po ashtu, paga e një mësimdhënësi në Shkollë të Mesme të Lartë deri më tani ka qenë 459 euro, kurse tani ajo do të jetë 609 euro bruto apo 150 euro rritje, përkatësisht 33 për qind më shumë.

Për sa i përket pagave të sektorit të sigurisë, një policë i lartë tashmë do të paguhet 619 euro bruto nga 392 euro që ka qenë më herët, përkatësisht një rritje prej 227 euro apo 58 për qind më tepër.

Një ushtarë me Ligjin e ri të Pagave do të paguhet 588 euro, pra një rritje prej 33 për qind apo 145 euro më shumë.

Vlera e koeficientit për vitin 2023 do të jetë 105 euro, ndërsa për vitin 2024 pritet të jetë 110 euro.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji për Paga ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.

Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, derisa më i ulëti është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues.

Artikulli paraprakA është 2023-ta një kohë e mirë për të investuar në pasuri të paluajtshme?
Artikulli tjetërMbledhja dhe ndarja e Zekatit