Në një kohë kur jeta personale është ndërthurur me atë profesionale, është më e rëndësishme se kurrë që të dimë se kur përpjekjet tona rrisin interesin dhe aftësitë tona natyrore dhe kur ato thjesht janë më të përshtatshme për dikë tjetër
Mendoja se zhvillimi profesional nënkuptonte përmirësimin e dobësive të mia. Në fakt, një herë nisa një punë shitjesh në një kompani, vetëm për këtë qëllim. Por pas disa muajsh bisedash monotone rreth veçorive të pajisjeve dhe cila paketë ishte më e përshtatshme, risia u zhduk dhe unë nisa të planifikoj lëvizjen time të radhës. Ajo punë nuk nxiste pikat e mia të forta. Mua më pëlqen të jem krijues, të lidh njohuritë së bashku, të identifikoj dhe të krijoj mundësi që ende nuk ekzistojnë.
Puna si agjent shitjesh ndryshoi qasjen time ndaj zhvillimit profesional. Tashmë nuk përqendrohem më tek të metat, por tek ato që di të bëj më mirë dhe e rrethoj veten me njerëz që shkëlqejnë në fusha ku mua më mungon pasioni dhe aftësia.
Hulumtimet nga Gallup tregojnë se njerëzit që përdorin pikat e forta çdo ditë në punë kanë gjashtë herë më shumë gjasa të angazhohen në punën e tyre, janë 8% më produktivë dhe kanë 15% më pak të ngjarë të largohen nga puna.
Shpesh na thuhet të dalim jashtë zonës së konfortit, po nëse arsyeja pse ngurrojmë të ndjekim një detyrë, sfidë ose një fushë të caktuar biznesi është sepse aftësitë dhe interesat tona thjesht nuk përputhen me të?
Zhvillimi i tepërt i pikave të dobëta pengon performancën
Fiksimi mbi zhvillimin e tepërt të dobësive tuaja mund të pengojë performancën dhe potencialin tuaj.
Gjithmonë do të ketë pjesë të punës që nuk ju pëlqejnë. Por duke kuptuar më qartë pikat e forta, ju mund t’i zhvilloni ato dhe të përfitoni prej tyre. Çelësi është t’u tregoni të tjerëve se për çfarë jeni i aftë dhe të merreni me projekte ku mund të jepni kontribut më të madh.
Realiteti është se shumica e drejtuesve nuk përqendrohen që t’i ndihmojnë punonjësit të përdorin pikat e tyre të forta. Por kur punonjësit marrin nismën – duke vendosur qëllime dhe pritshmëri javore bazuar në pikat e tyre të forta, duke bërë diskutime me shefat e tyre për të zhvilluar pikat e forta dhe duke identifikuar pikat e forta të kolegëve – përvoja në vendin e punës mund të përmirësohet shumë.
COVID-19 ka ndryshuar aftësitë që ne vlerësojmë në punë
Kjo nuk do të thotë se zhvillimi profesional duhet të përqendrohet vetëm në pikat e forta. Ka aftësi thelbësore që të gjithë duhet t’i përmirësojnë, edhe nëse ato nuk vijnë natyrshëm. Ky është një mësim që u kristalizua nga pandemia.
Në vitin 2017, Instituti Global McKinsey vlerësoi se deri në 375 milionë punëtorë – ose 14% e fuqisë punëtore globale – duhej të ndërronte profesion, ose të fitonte aftësi të reja deri në vitin 2030 për shkak të automatizimit dhe inteligjencës artificiale. Pandemia vetëm sa përshpejtoi nevojën për përshtatje në vendin e punës dhe nxori në pah rëndësinë e aftësive të tjera si fokusi, vetërregullimi dhe menaxhimi i kohës. Këto janë aftësi që do të bëhen edhe më të rëndësishme në periudhën afatgjatë.
Ndërmarrja e rreziqeve duhet të shoqërohet me shpërblim të lartë
Është e rëndësishme që shefat të krijojnë një mjedis ku njerëzit janë të angazhuar, por kolektivisht ne po bëjmë një punë të dobët në këtë drejtim. Në vitin 2019, një raport nga Gallup tregoi se vetëm 35% e punonjësve janë të angazhuar në punë. Një pjesë e kësaj arsyeje është se nuk po e shpërndajmë punën në një mënyrë që njeh dhe ndërton pikat e forta dhe interesat e njerëzve.
Për shembull, në zyrë ne kemi dy profesionistë të talentuar, një në fushën e marketingut dhe një në komunikim. I pari është i shkëlqyer në strategji dhe dizajn, por nuk ka interes për të qenë zëdhënës i kompanisë. E dyta ka dëshirë të lidhet me aktorë të jashtëm dhe të ndërtojë lidhje.
Nëse do të lindte nevoja për të folur publikisht, unë do të nxisja personin e dytë që ta merrte përsipër këtë detyrë, sepse kjo përputhet me aftësinë e saj natyrore. Nëse për këtë punë do të caktohej strategu, kjo do të ulte vetëbesimin dhe kënaqësinë në punë.
Ne të gjithë kemi dëshirë për të mposhtur frikën dhe për të arritur sukses. Në një kohë kur jeta personale është ndërthurur me atë profesionale, është më e rëndësishme se kurrë që të dimë se kur përpjekjet tona rrisin interesin dhe aftësitë tona natyrore dhe kur ato thjesht janë më të përshtatshme për dikë tjetër. / *Mitchell Demeter, Worth