Inflacioni në ngritje është çështja kryesore për shumë votues që votojnë në zgjedhje partiake. Shumica e votuesëve thonë se republikanët do të bënin një veprim tejet të mirë, nëse do ta trajtonin këtë problem.
Në të vërtetë, kandidatët republikanë po përfitojnë plotësisht nga shqetësimi i votuesve për inflacionin duke goditur demokratët në këtë çështje dhe duke nxitur disa nga idetë e tyre për të luftuar inflacionin, siç janë ulja e shpenzimeve qeveritare dhe taksave.
Si ekspert i financave dhe ekonomisë, kam studiuar inflacionin duke hulumtuar pyetjet se çfarë e shkakton dhe çfarë mund ta ulë atë? Kjo është arsyeja pse unë dyshoj se një Kongres Republikan do të fitonte shumë, nëse do të arrijë të ketë ndikim në inflacion.
Dy nxitës të inflacionit
Inflacioni, ose një rritje e qëndrueshme e çmimeve të konsumit, krijohet në dy mënyra kryesore.
E para është me anë të rritjes së kërkesës për produkte dhe shërbime. Për shembull, në fillim të pandemisë, kërkesa për kamera në internet u rrit, pasi shumë punonjësve iu kërkua të punonin në distancë. Si rezultat, çmimet e kamerave u rritën ndjeshëm.
Ose merrni shembullin e udhëtimeve në kohën e lirë, të cilat janë rritur ndjeshëm pasi infektimet me COVID-19 kanë rënë. Njerëzit po fluturojnë më shumë, gjë që ka çuar në çmime më të larta të biletave.
Kur këto lloje të rritjeve të çmimeve të nxitura nga kërkesa ndodhin në një numër të madh produktesh dhe shërbimesh, rezultati është rritja e inflacionit.
Inflacioni mund të rezultojë gjithashtu nga kostot më të larta të prodhimit.
Për shembull, çmimet e gazit janë në rritje sepse është bërë shumë më e shtrenjtë për ta prodhuar atë. Lufta në Ukrainë bëri që çmimet e naftës të rriteshin në fillim të vitit 2022. Ato kanë rënë, por një shkurtim i fundit i furnizimit nga vendet prodhuese të naftës OPEC+ shkaktoi një tjetër rritje. Ndërsa çmimet e naftës rriten, kostot më të larta kalohen tek rafinerët, gjë që çon në çmime më të larta në pompë.
Një shembull tjetër i këtij lloji të inflacionit është rritja e çmimit të vezëve. Gripi i shpendëve shkaktoi ngordhjen e rreth 10% të pulave të vezëve duke filluar nga janari 2022. Përveç kësaj, fermerët u përballën me kosto më të larta të karburantit dhe plehrave. Këta faktorë kanë bërë që çmimi mesatar i vezëve të rritet në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
FED mund të luftojë vetëm gjysmën e betejës
Banka qendrore e një ekonomie – jo Kongresi apo presidenti – është zakonisht linja e parë e mbrojtjes kur bëhet fjalë për të luftuar inflacionin. Bankat qendrore vendosin politikën monetare dhe mënyra e tyre kryesore për të luftuar inflacionin është rritja e normave të interesit.
Në SHBA, Rezerva Federale fokusohet në të ashtuquajturën normë të fondeve federale, e cila është norma bazë që bankat përdorin për të vendosur normat e tyre të depozitave dhe kredive. Fed e ka rritur këtë pikë referimi pesë herë në 2022, nga rreth 0% në mars në 3% – dhe pritet të rrisë normat me 0.75 pikë përqindje tjetër më 2 nëntor 2022.
Qëllimi kryesor i rritjes së normës është të rrisë kostot e huamarrjes dhe në këtë mënyrë të ulë kërkesën – nxitësi i parë i inflacionit që U përmend më lart. Ideja është që normat më të larta të interesit i bëjnë njerëzit dhe bizneset të marrin më pak hua. Sa më pak njerëz dhe biznese të marrin hua, aq më pak do të shpenzojnë.
Ndikimi i normave më të larta të interesit po ndihet tashmë në tregun e banesave, për shembull. Normat aktuale të hipotekës 30-vjeçare janë mesatarisht mbi 7%, më shumë se dyfishi i normave të një viti më parë dhe më i larti që nga viti 2002. Kjo po rezulton në më pak shitje të shtëpive dhe në rënie të çmimeve.
Problemi është se kjo qasje nuk ka absolutisht asnjë efekt mbi gjeneruesin tjetër kryesor të inflacionit, rritjen e kostove të prodhimit.
Normat më të larta të FED nuk do ta ndalojnë luftën në Ukrainë ose nuk do t’i shtyjnë pulat të bëjnë më shumë vezë. Prandaj, çmimet e energjisë dhe vezëve nuk do të bien si rezultat. Kjo është gjithashtu e vërtetë për të gjitha produktet dhe shërbimet, kostot e prodhimit të të cilave po rriten për shkak të problemeve të zinxhirit të furnizimit.
Këto çështje kanë ndikuar në çmimet e çdo gjëje, nga biçikletat e deri tek peceta e banjës. Normat më të larta të interesit nuk do të ndikojnë në kërkesë dhe në këtë mënyrë çmimet për biçikleta, letër higjienike ose në çdo mall tjetër që bënë pjesë në kuadër të zinxhirit të furnizimit.
Mjetet fiskale të Kongresit janë gjithashtu të kufizuara
Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë kanë disa mjete të cilat mund t’i përdorin në luftën kundër inflacionit. Problemi është se ato nuk janë shumë të njohura në këtë aspekt dhe nuk kanë potencialin e nevojshëm për të sfiduar inflacionin. Një fakt tjetër është se, ngjajshëm sikurse qëllimi i FED-it për rritje të normës së interesit , edhe ato e trajtojnë vetëm një lloj inflacioni.
Gjëja kryesore që mund të bëjë qeveria është të nxjerrë para nga xhepat e konsumatorëve dhe bizneseve, ose duke rritur taksat ose duke shkurtuar shpenzimet – ose të dyja. Një reduktim i parave në ekonomi çon në uljen e kërkesës për mallra dhe shërbime, për shkak se qeveria shpenzon më pak dhe individët dhe bizneset japin më shumë ose marrin më pak nga qeveria.
Por, sikur me normat më të larta, nuk do të bëjë asgjë për të rregulluar problemet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit të ekonomisë globale ose kostot më të ulëta të prodhimit. Ndryshimet në taksa apo shpenzimet e qeverisë nuk do të ulin çmimet e ushqimeve apo koston e ngrohjes së shtëpisë tuaj këtë dimër.
Pra, edhe pse një Kongres Republikan mund të dëshirojë të bëjë më shumë për inflacionin, çfarëdo që të bëjë do të ndikojë vetëm në njërin nga nxitësit e inflacionit.
Kush është më i mirë për inflacionin
Duke analizuar të kaluarën mund të bëjmë këtë pyetje: “a ka secila parti politike një histori të mirë për inflacionin”?
Përgjigja e shkurtër është jo, bazuar në analizën time të të dhënave ekonomike nga viti 1953 deri në vitin 2020. Nga presidentët Dwight D. Eisenhower deri tek Donald Trump, inflacioni ka qenë mesatarisht 3,35% nën administratat demokratike dhe 3,5% nën republikanët.
Megjithatë, një paralajmërim. Kur Shtëpia e bardhë dhe Senati kontrollohen nga republikanët ndërsa presidenti është demokrat, inflacioni ishte mesatarisht 2 pikë përqindje më pak se kur gjithçka ishte në duart e demokratëve. Ka më pak pika të dhënash, kështu që nuk është një gjetje aq e fortë, por sugjeron që qeveria e ndarë ka një avantazh.
Një mënyrë tjetër për ta parë këtë është shqyrtimi i politikave aktuale ose të propozuara të palëve. Demokratët kanë shpallur “Aktin e tyre për Reduktimin e Inflacionit”, një paketë masash për klimën, kujdesin shëndetësor dhe taksat e miratuara në gusht, si provë se ata po trajtojnë problemin. Por pavarësisht emrit, ekonomistët presin që së shpejti të ketë shumë pak ndikim në inflacion, sepse shumica e masave do të duhen vite për të hyrë në fuqi.
Republikanët, ndërkohë, kanë propozuar shkurtimin e shpenzimeve – të tilla si rrjeti i sigurisë sociale të Amerikës – dhe uljen e taksave për individët dhe bizneset më të pasura. Ndërsa shkurtimet e shpenzimeve mund të zvogëlojnë kërkesën – dhe inflacionin – taksat më të ulëta do të funksiononin për qëllime të kryqëzuara dhe do të rrisnin çmimet duke pompuar më shumë para në ekonomi.
Me fjalë të tjera, ju duhet të llogariteni që inflacioni të qëndrojë i lartë pavarësisht se cila parti politike është në shumicën e Shtëpisë së bardhë dhe të Senatit. Dhe më pas, kthehuni tek shpresa – se rritja e normës së FED-it funksionon dhe problemet e zinxhirit të furnizimit që rrisin kostot, do të fillojnë të lehtësohen./theconversation/
Nga: Natalie Sauer
Përktheu: EKONOMIA ISLAME
Comments are closed.