Ballina Lajme Bota Popullsia dhe mirëqenia

Popullsia dhe mirëqenia

“Nëse rritja e jashtëzakonshme e popullsisë vazhdon, gjeneratat e ardhshme të fëmijëve nuk do të kenë ushqim të mjaftueshëm, strehim, kujdes mjekësor, arsim, burime natyrore dhe mundësi punësimi,” citon S.L. Richman nga deklarata për stabilizimin e popullsisë e vitit 1985, e nënshkruar nga më shumë se 40 udhëheqës botërorë.

Autorë të tjerë me mendime të ngjashme pesimiste, që kanë bërë thirrje për “ndryshime të mëdha shoqërore” dhe për masa të detyruara të kontrollit të popullsisë, shprehen edhe më ashpër. Ata sugjerojnë që, për të përmbysur “etjen e çmendur për konsum dhe shpërdorimin e pamend të shekullit XX”, duhet vepruar urgjentisht. Nëse jo, sipas tyre, stërnipërit e të rinjve të sotëm do të ndajnë planetin me një grup të rralluar speciesh të mbijetuara, të dominuara nga minjtë, buburrecat, barishtet e egra dhe mikrobet. Bota ku ata do të jetojnë do të jetë e mbushur me shkretëtira, male të gërryera, shkëmbinj koralorë të vdekur dhe oqeane të zbrazura, të trazuara nga ekstreme klimatike.

Biseda e sotme rreth mungesës së burimeve duket se mbështetet shumë në librin popullor Limits to Growth (Kufijtë e Rritjes), i cili bazohet në “aksiomën” e mungesës së rritjes teknologjike. Konferenca Botërore për Popullsinë në vitin 1974 (Bukuresht), e cilësuar nga Paul Gallagher si një nga “mashtrimet më të mëdha të promovuara ndonjëherë”, nuk pati përgjigje ndaj argumenteve të Helga Zepp (tani bashkëshortja e politikanit amerikan Lyndon LaRouche), kur ajo theksoi, si shembull vendimtar, se zbulimet në fushën e energjisë me fuziune mund të ndryshojnë tërësisht konceptin për burimet ekonomike duke siguruar energji elektrike të pakufishme nga bërthama.

Duke anashkaluar logjikën e shëndoshë, “ekspertët” kundër popullsisë u mblodhën sërish në Konferencën e vitit 1994 në Kajro, me një qëllim aspak të fshehur: vendosjen e objektivave të reduktimit të detyruar të popullsisë si kusht për ndihma dhe kredi për vendet në zhvillim. Nga ana tjetër, shumë vende përfituese pranojnë lehtësisht programet e kontrollit të lindjeve – si shpërndarja e mjeteve mbrojtëse dhe mjeteve të tjera të ngjashme – të mbështetura me fonde të konsiderueshme nga ndihmat ndërkombëtare.”

Por le ta lëmë mënjanë për një moment aspektin politik dhe moral të kësaj çështjeje, dhe ta shikojmë problemin demografik nga një këndvështrim ekonomik e shoqëror.

Qëllimi nuk është të ofrojmë të dhëna statistikore që tregojnë se përmirësimi ekonomik ul rritjen e popullsisë. Më shumë synojmë të shqyrtojmë disa tregues të zgjedhur në një perspektivë globale për të treguar se mirëqenia shoqërore dhe përparimi kombëtar nuk ndodhin në kushte të tkurrjes apo stagnimit të popullsisë.

Shumë njerëz që lexojnë ndonjë artikull në gazetë ndoshta kuptojnë pjesërisht disa zhvillime, por në përditshmërinë e tyre të ngarkuar nuk vënë re apo nuk vlerësojnë ndryshimet që ndodhin përreth tyre. Ndërsa i shohin shifrat e rritjes së popullsisë, shpesh nuk vërejnë shpikjet e reja në prodhim, të cilat tërheqin investime, krijojnë vende pune, pasuri, përmirësojnë infrastrukturën dhe cilësinë e jetës.

Të ashtuquajturit “optimistë të verbër” duhen dëgjuar, kur ofrojnë argumente të arsyeshme për të treguar se rritja e popullsisë mund të ketë ndikim pozitiv në cilësinë e jetës në dekadat dhe shekujt që vijnë. Sipas tyre, “çdo njeri i ri që vjen në botë, jo vetëm që konsumon pjesën e tij të burimeve, por sjell me vete mendje dhe forcë për të shpikur teknologji të reja, për të rritur prodhimin e ushqimit dhe për të zgjidhur problemet që prekin njerëzimin.”

Argumentet që vijojnë tregojnë se në planin universal, një kujdes hyjnor është gjithnjë i pranishëm dhe kjo nuk është një “ide e rrezikshme apo një iluzion vetëmashtues, siç mendojnë disa kritikë liberalë.”.

Artikulli paraprakNjoftim për tatimpagues – Deklaroni dhe paguani tatimet për të ardhurat e realizuara nga furnizimet elektronike
Artikulli tjetërPopullsia dhe rritja ekonomike