PBB i fuqive ekonomike u tkurr me 9.8 për qind në tremujorin e dytë

Britania e Madhe, Franca, Italia, Kanadaja dhe Gjermania shënuan tkurrjen më të madhe si pasojë e COVID-19

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) u tkurr në mënyrë të paparë me 9.8 për qind në zonën e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në tremujorin e dytë të vitit 2020 për shkak të kufizimeve dhe masave bllokuese të koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kjo është rënia më e madhe e regjistruar ndonjëherë për zonën e OECD, dukshëm më e madhe se minus 2.3 për qind e regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2009 në kulmin e krizës financiare”, tha sot blloku ekonomik 37 anëtarësh.

Midis 7 ekonomive kryesore të OECD-së, rënie më të madhe të PBB-së regjistruan Britania e Madhe (20.4 për qind) e ndjekur nga Franca (13.8 për qind), Italia (12.4 për qind), Kanadaja (12 për qind) dhe Gjermania (9.7 për qind).

PBB-ja e SHBA-së u tkurr me 9.5 për qind ndërsa Japonia regjistroi tkurrje prej 7.8 për qind të PBB-së së saj në tremujorin e dytë të vitit 2020.

Po ashtu edhe PBB e Eurozonës dhe BE-së shënoi rënie me 12.1 për qind, përkatësisht 11.7 për qind, krahasuar me rënien e minus 3.6 për qind dhe minus 3.2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti.

Ndërkohë, PBB-ja u tkurr me 10.9 për qind në zonën e OECD me bazë vjetore në tremujorin e dytë të vitit 2020.

“Ndër 7 ekonomitë kryesore, SHBA regjistroi rënie vjetore prej minus 9.5 për qind ndërsa Britania e Madhe regjistroi rënien më të mprehtë vjetore (minus 21.7 për qind)”, tha OECD.

Ekonomia turke shënoi rritje me 4.5 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020 mbi baza vjetore. Shifrat zyrtare për tremujorin e dytë do të publikohen javën e ardhshme.

Pas shfaqes në Kinë dhjetorin e kaluar, koronavirusi i ri është përhapur në të gjithë botën, duke shkaktuar miliona infeksione dhe qindra mijëra vdekje.

Përpjekjet për frenimin e përhapjes së virusit, duke u përqendruar në karantinimin e njerëzve në shtëpi, për të shmangur kontaktet ndërmjet njerëzve kanë shkaktuar goditje të rëndë për ekonomitë. /AA/

Artikulli paraprakShqiptarët shpenzojnë 385 milionë euro në vit në kafene, restorante e hotele
Artikulli tjetërVolkswageni këtë vit ka humbur nga 415 euro për çdo automjet të shitur, Porsche ka fituar nga 10,000