“PayPal” nuk ishte lejuar të shtrihej në Kosovë nga “lobimi” i bankave komerciale

“PayPal”, kompania për pagesa dhe transfere ndërkombëtare kishte provuar të shtrihej në Kosovë në të kaluarën, por një gjë e tillë i ishte pamundësuar.

Në vitin 2020, nga kompania PayPal patën deklaruar se janë në pritje të institucioneve dhe bankave në Kosovë, për t’ua dhënë dritën e gjelbër.

“Fatkeqësisht nuk varet tërësisht nga ne të ofrojmë shërbime. Bankat kryesore në Kosovë nuk na e kanë dhënë dritën e gjelbër që t’i shtrijmë shërbimet tona qe një kohë të gjatë. Megjithatë, së fundmi, ekipet tona po punojnë që së shpejti t’i prezantojnë shërbimet tona atje”, thuhej në përgjigjen e “PayPal”, dhënë për mediumin “Koha” në vitin 2020.

Buletini Ekonomik nga burime të sigurta në BQK merr vesh se për ndalimin e PayPal është lobuar fuqishëm nga bankat dhe segmente të caktuara në BQK.

Interesi kryesor për këtë është fakti se PayPal ofron shërbime të pagesave ndërkombëtare mjaft të lira.

“Bankat në Kosovë burimin e dytë të të hyrave e kanë nga tarifat që aplikojnë për transfere ndërkombëtare. Kjo është arsyeja që s’ju konvenon hyrja e PayPal-it”, ka thënë ky burim.

Këto tarifa vlerësohet të jenë më të shtrenjtat në rajon.

Sipas një hulumtimi, tarifat për transfere ndërkombëtare nga bankat në Kosovë variojnë prej 5 eurove deri në 800 euro, varësisht nga shuma e transferit.

Ndryshe, ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte takuar drejtuesit e PayPal, në Davos të Zvicrës, duke kërkuar me këtë rast që PayPal të përfshijë edhe Kosovën në platformë.

“Duke potencuar interesat e përbashkëta, projektet dhe planet drejt bërjes së Kosovës si qendër e ardhshme e teknologjisë së informacionit në Evropën Juglindore, kryeministri ftoi drejtuesit e PayPal që të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi”, thuhet në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit.

PayPal është ndër kompanitë më të mëdha në botë për pagesa dhe transfere ndërkombëtare, përmes internetit.

Qytetarët e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë këtë platformë, pasi Kosova nuk është në listën e shteteve ku operon PayPal. /Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprakKështu mund të ndihmojnë bizneset në luftën kundër ndryshimeve klimatike
Artikulli tjetër“Mungesa e punëtorëve do t’i detyrojë hotelet e restorantet që të mbyllen”