Paturpësia ose ndoti që shkakton mospërdorimi i mendjeve

nga Rudian Zekthi

Në një shënim shoqërues të një vepre të Zhan Bodrijarit në shqip (botuar para disa ditësh në faqet e kësaj gazete), kemi treguar se përcaktimet e këtij autori për hiperrealitetin si praktikë dominuese kulturore dhe politike e postmodernes, mbështeten te dukuria e shkrirjes së veprimit me modelin e vet, thënë ndryshe përmes mundësisë që veprimi të jetë njëherazi edhe model i vetes (duke e bërë të panevojshme, të tepërt, mendjen si përftuese të modeleve).

Për ta kuptuar më mirë këtë, tregojmë këtu sesi mund të ndodhë kjo dukuri e shndërrimit të veprimit në model të vetes. Janë të paktën tri teknika bazë: 1. veprimit i jepet natyra e aksidentit, pra, ngjeshet duke u ekzekutuar pa paralajmërim, me intensitet maksimal dhe pa llogaritur pasojat, duke synuar një efekt të përgjithshëm traumatik- mpirës; 2. veprimi nyjëtohet, pra, paraqitet si i përbërë nga segmente që duhen shqyrtuar secili më vete për ta zotëruar të tërin (p.sh. reality show); 3. veprimi përsëritet me qëllim që ta fitojë këtë të drejtë (për t’u përsëritur) (përsëritet me implikimin se çdo ripërsëritje mund të shërbejë si model për përsëritjen) (p.sh. mbjellja çdo ditë e një peme para kamerave, nga kryetari aktual i kryeqytetit). I sollëm këto teknika këtu jo për të ndalur te to (që me siguri do të ishte shumë e frytshme) dhe as për të pretenduar ndonjë kanon (me siguri ka edhe teknika të tjera, përveç këtyre), por që të bëhet e qartë se pohimi se veprimi bart mundësinë të jetë model i vetes, nuk është thjesht një mënyrë e përafërt të thëni, po përfaqëson saktësisht një numër gjithmonë e në rritje të llojit të veprimeve që qarkullojnë në kohën tonë).

Përveç këtyre tri teknikave, po menjëherë paraqesim edhe tri kategori të veprimeve kryer pa modele: veprimet akute, hiperrealiteti, paturpësia.

Veprimet akute. Kjo praktikë e procedimit të veprimeve pa modele paraprake është shoqëruese e përhershme e qenieve njerëzore, e vjetër dhe e përhershme, sepse njerëzit nuk rrojnë në laborator, por në botë, që do të thotë se përballen vazhdimisht me situata të reja, të panjohura më parë dhe që, pra, për të cilat nuk ka modele të stabilizuara paraprakisht. Por, në këtë rast, pra, kur veprohet pa modele, jo sepse i refuzon ato, por se nuk i disponon ende, nuk kemi të bëjmë me ushtrimin e paturpësisë, por me përçikjen spontane, të pakërkuar, të gjendjes së hiperrealitetit. Kur këto veprime pa model paraprak bëhen në kushte emergjence, shoqëruar gjithë kohës me ngushticë dhe brengë, orientuar edhe nga nevoja për të ndërtuar një model të tyrin gjatë kësaj, këto veprime, për nevojat e këtij shqyrtimi, po i emërtojmë veprime akute, për t’i dalluar nga veprimet e paturpësisë dhe veprimet e hiperrealitetit.

Veprimi akut është në alarm deri sa të stabilizojë një model të caktuar si standardizues të kushteve të veta. Dhe, pasi ky model i ri përftohet, ai zë vend në mendje brenda, kurse vetë veprimi mbetet aty ku e ka vendin – jashtë, në realitetin e modeluar nga mendja.

Hiperrealiteti. Është praktika sociale dhe kulturore bazë e postmodernes: duhet theksuar që në dallim, qoftë prej veprimeve akute, qoftë prej paturpësisë, është një praktikë kolektive. Por, po ashtu duhet pasur parasysh që origjinën e ka pikërisht te një veprim individual: ose te një veprim i paturpshëm, i cili masivizohet nën barrën e shmangies së presionit dhe inferioritetit, ose nga një veprim akut të cilit nuk iu gjet dot shpejt modeli, që po ashtu masivizohet për të shmangur presionin dhe inferioritetin. Thuhet se një shoqëri është e pllakosur nga hiperrealiteti vetëm atëherë kur një masë kritike e repertorit të veprimeve që qarkullojnë në këtë shoqëri, janë veprime pa modele.

Paturpësia. Është kryerja e veprimeve duke i refuzuar me qëllim modelet mendore (ndryshe nga veprimet akute ku modelet thjesht mungojnë) dhe duke synuar medoemos një publik dëshmitar të këtij refuzimi (ndryshe nga hiperrealiteti që si praktikë kolektive e përjashton një publik tjetër përveç vetes). Duke qenë refuzim i qëllimshëm i modeleve, është po ashtu praktikë e qëllimshme e nxjerrjes së mendjes jashtë funksionit.

Kush nuk i ka të qarta këto, i mjafton për të mos pasur të qartë asgjë tjetër: i paturpshëm është cilido që kryen veprime pa modele paraprake dhe ngul këmbë se modelet janë të tepërta e të panevojshme, se modelet e dëmtojnë veprimin duke i caktuar limite dhe e falsifikojnë duke i imponuar protokoll. Pra, supozohet se veprimi është i pagjykueshëm dot me fondin e koncepteve dhe modeleve që kemi në mendje dhe në thelb paturpësia synon shkëputjen e veprimeve nga varësia prej mendjes. Duhet të jetë shumë e qartë: procedimi i veprimeve pa modele nuk çon asnjëherë në qëndrimin se modelet duhen shkatërruar, por sjell një pasojë tjetër, transferimin e tyre, zhvendosjen e tyre nga brenda jashtë. Qoftë paturpësia dhe aq më tepër hiperrealiteti, nuk ia dalin dot t’i zhdukin modelet, por ia dalin ta paraqesin materien e veprimit sikur është njëherazi edhe modeli, pra ballafaqohet jo me një skemë mendore, por me veten (gjë që sjell teknikat që përmendëm që në fillim dendësimin, apo nyjëtimin, apo përsëritjen mbitheksuese).

Por, në fakt, transferimi nga brenda jashtë, është e vetmja mundësi që modelet të dalin jashtë loje (duke qenë se ato nuk mund të zhduken, ngase në thelb mendja njerëzore e implikon apriori ekzistencën e modeleve). Dhe, për pasojë, shndërrimi i veprimit në model të vetes, është teknika bazë e hiperrealitetit dhe paturpësisë: gjesti i tillë, në thelb, nuk shpie në zhdukjen e modeleve, por në transferimin e tyre nga brenda–jashtë, pra, modelet nuk asgjësohen, por mbijetojnë duke u njësuar me veprimin që ekzekutohet në kohë reale para syve të të gjithëve. Posaqë ndodh kjo, mendja ekziston në zbrazëti, kemi iluzionin se e kemi mendjen, kemi iluzionin se mendja po punon dhe po na udhëzon, pikërisht kur ajo është si tymi që ngrenë veprimet tona kur kryhen..

II. Përralla e H. K. Andersenit, ”Rrobat e mbretit”, mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë. Kur dy rrobaqepësit sharlatanë i thonë mbretit se rrobat e qepura prej tyre mund të shiheshin vetëm nga njerëzit me gjak të pastër, duket se me këtë pretendim ata përcaktojnë një model paraprak të ri për këtë veprim, por, në fakt, ajo që ndodh është që ato po njësojnë veprimin me modelin, duke qenë se marrëdhënia me modelin njësoj si me veprimin, realizohet tërësisht jashtë, vetëm me anë të vështrimit. Pra, modeli ekziston sepse shihet dhe jo sepse mendohet. Mbreti dhe oborrtarët janë, në fakt, përballë një veprimi akut, pra, janë në ngushticë ngaqë po bëjnë diçka pa një model të stabilizuar paraprakisht, por për të shpëtuar nga ky siklet kalojnë në një regjistër tjetër, në hiperrealitet, pra, nga një veprim singular e i përkohshëm, e shndërrojnë njësimin e modelit me veprimin në një ligjësi që implikon gjithë bashkësinë. Ndërhyrja e një fëmije që tregon me gisht lakuriqësinë e mbretit, është një akt reflektimi dhe përmirësimi: një veprim akut duhet të përballet si i tillë, me gjithë ngarkesën tensionuese që mbart, sepse transferimi i tij në hiperrealitet rrezikon që njehsimi i modelit me veprimin, nga një anomali, të shndërrohet në një ligjësi.

Ky shembull na sugjeron të jemi syçelë ndaj konfondimeve, sepse veprimet akute, hiperrealiteti dhe paturpësia kanë një potencial të lartë ndërmaskimi mes vetes, gjë që rrit shanset e paturpësisë dhe të të paturpshmëve në dëm të personave të kërleshur në veprime akute apo dhe sidomos, ndaj bashkësive të kapluara nga hiperrealiteti.

Kur rreth 15 vjet më parë politikanit shqiptar, që momentalisht zotëron kuotën e kontrollit të të gjithë sistemit politik, në mes të një fushate elektorale iu publikua nga kundërshtarët fotot ku kishte dalë vetë i dytë, krejtësisht i zhveshur në publik, ai u mbrojt duke e paraqitur këtë veprim të paturpshëm si hiperrealitet (në një vend të huaj, në një plazh nudistësh, pra, mes njerëzish që e refuzonin haptazi modelin e të veshurit). Sigurisht që mundej edhe të kërkonte ndjesë (në mos pendesë) dhe të tërhiqej së paku nga ai kandidim, por ai zgjodhi të mbante këtë qëndrim, i cili i lejoi të vazhdonte fushatën dhe të rizgjidhej kryetar i bashkisë së kryeqytetit. Kështu, ato zgjedhje, nga zgjedhje midis dy administratorëve, u shndërruan në zgjedhje mes hiperrealiteti dhe paturpësisë (pra, përkrahësit e tij që në fund rezultuan të ishin shumicë, u ftuan të zgjidhnin mënyrën e refuzimit të modeleve, përmes konsensusit -si hiperrealitet, apo përmes arbitraritetit- si paturpësi. Të vihet re: ata nuk patën mundësi të zgjidhnin pohimin e modeleve). Dhe ky është një gabim kolosal, sepse këto çështje nuk vendosen me votim. Në fakt, ata që votuan pro e konsideruan hiperrealitet, duke i hapur rrugën hiperrealitetit në shoqërinë shqiptare pa e kuptuar se po e bënin këtë.

Dhe siç duket se beson “që ajo që s’të vret, të bën më të fortë” (siç qëllon ta citojë Fridrih Niçen ndonjëherë), pas atij momenti të parë ku e maskoi paturpësinë si hiperrealitet, në vazhdim sa herë që është dhënë rasti, ka referuar me krenari tek ai veprim, gati duke thënë se do ta bënte prapë, duke dëshmuar kështu që dalja në foto nuk kishte qenë hiperrealitet, por paturpësi. Sepse ky është mekanizmi, politikanët ndërveprojnë me masat me ndërmjetësimin e hiperrealitetit: nëse është politikan normal e indukton hiperrealitetin te masat përmes kodifikimit të veprimeve të tij akute; nëse është politikan i paturpshëm, e përçon hiperrealitetin te masat përmes paturpësisë. Politikani i llojit të parë në fund humbet sepse kultivimi i hiperrealitetit i çon masat të veprojnë pa modele, gjë që ai nuk e pati qëllim. Kurse politikani i paturpshëm del i fituar se ky është qëllimi i tij, t’i hiperealizojë masat, sepse hiperrealiteti i masave është humusi për paturpësinë e tij.

Dhe jo vetëm kaq, por kandidati i atëhershëm për bashkinë e kryeqytetit e ndoqi këtë rrugë në tërë karrierën e vet politike në vazhdim, duke kryer në mënyrë seriale veprime të paturpshme paraqitur si hiperrealitet, pra, duke e shndërruar në normë refuzimin e modeleve dhe shndërrimin e mendjeve në hedhurina. Teknika bazë e përdorur prej tij është ajo e dendësimit, pra, kryerja e veprimit të paturpshëm përmes një inskenimi ku procedimi llogaritet të realizohet në pikën më intensive të përqendrimit të vëmendjes dhe vëzhgimit. Në këtë skenë të shndërruar në zgarë, nga njëra anë asociimi mes sofistikimit të mizanskenës dhe vrazhdësisë së aktit, bën që publiku të përfshihet nga përshtypja se po vëzhgon diçka të panjohur më parë, ndjen pra që i mungon modeli për të; kurse vëzhgimi kaustik i qëllimshëm i çdo detaji, i jep sugjerimin që ja modelin e ka para syve, veprimi është edhe modeli. Ajo që ndodhi me Teatrin Kombëtar, është rasti më pastër i kësaj paturpësie. Por në fakt, edhe refuzimi i modelit të zgjedhjeve për kryetar në partinë e vet qe një inskenim dendësues paturpësie, edhe peripecitë e kultivimit online të hashashit, edhe romanca online me episode të pambarimta i kandidatëve me skedë kriminale, edhe dekonspirimi i skemës partiake të survejimit përmes patronazhistëve, edhe përqeshjet e krupshme prej klouni, online pikërisht kur vëzhgimi ka arritur pikun, të gjitha dhe më, janë veprime që japin efektin e aksidenteve: nuk kuptohen, por shihen. Sepse, në thelb, paturpësia është një aksident i programuar.

Kemi kështu një ushtrim publik të paturpësisë për rreth 20 vjet, pa rrezikuar ta humbasë mbështetjen, sepse te masat që e mbështetin këto gjeste paturpësie sublimohen si hiperrealitet. (Duke bërë që për këto 20 vjet, hiperrealiteti të jetë ulur këmbëkryq në hapësirën publike shqiptare). Po mirë, ndoshta këtu s’paska gjë të keqe, pasi te publiku këto gjeste paturpësie janë sublimuar si hiperrealitet, pra, masat nuk janë katandisur të bëhen të paturpshme. Pikërisht e kundërta, në fakt: paturpësia është praktikë individuale (edhe për faktin se dëshira e të paturpshmit për të qenë i pacipë, siç thamë, realizohet vetëm nëse ai shijon sesi akti i tij i përturbon të tjerët), kurse për mbarë një shoqëri paturpësia është e pamundshme dhe e vetmja mundësi është të shfaqet përmes konsensusit si hiperrealitet.

Në librin e sapobotuar “Në brendësi të Kuranit” të autorit shqiptar Gerdi Demneri, një libër me analiza inspiruese të shpjegimit të realitetit shqiptar përmes mësimeve kuranore, në faqen 271 thuhet.

“Zoti thotë në ajetin 54 të sures Zukhruf se për të nënshtruar dhe tërhequr pas vetes egjiptianët, faraoni i përçmoi dhe ua uli vetëvlerësimin. Termi kuranor që përshkruan këtë taktikë, është folja istekhaffa, e cila rrjedh nga rrënja khaffa, që ka kuptimin e “të qenit i lehtë dhe i papeshë, në trup, në vepra apo në mendim”. (Ibën Mendhur). Të tillë e konsideroi faraoni popullin e tij, dhe kështu e bëri të ndihej atë me propagandën e tij. Shtimi i parashtesës ist i shton dimensione të reja kuptimore foljes khaffa. Një prej tyre është “përbuzja, mospërfillja, ulja e vlerës dhe nënçmimi” (Ibën Mendhur). Gjithashtu, istekhaffa nënkupton se “frika e bën të papeshë dikë duke ia humbur qëndrueshmërinë dhe vetëpërmbajtjen” (Ibën Mendhur). Një kuptim tjetër i kësaj foljeje është “trajtimi si i cekët dhe injorant i dikujt, aq sa të ndjekë marrëzinë e personit që ushtron këtë veprim mbi të” (Ibën Mendhur).

Në fund të ajetit të mësipërm, Zoti jep edhe arsyen përse faraoni ia arriti synimit që popullin e tij ta bëjë të ndihet i papeshë, i dobët dhe i nënçmuar, aq sa t’i bindet dhe ta ndjekë në përçartjen e tij: “Ai e bëri të ndjihej i papeshë popullin e tij, prandaj populli iu bind atij. Ai ishte vërtet një popull i pacipë”. Termi kuranor për këtë karakteristikë të popullit të Faraonit është fasik, i cili rrjedh nga folja fasaka, e cila ka si “kuptim parësor daljen e diçkaje prej një tjetre në një formë të prishur ose të korruptuar” (W. Lane). Arabët e përdornin këtë folje për të përshkruar “kokrrën e hurmës, fryti i së cilës ka dalë jashtë cipës së saj. Për këtë arsye, një person cilësohet fasik kur del jashtë së vërtetës”. (Ibën Mendhur)

Në fakt, ja dhe sesi e konfirmon që herët Kurani atë që thotë Bodrijari më vonë: paturpësia sipas Kuranit është dalja e frytit (përmbajtjes) së hurmës jashtë, gjë që Bodrijari vetëm se e rithotë dhe përforcon kur quan paturpësi daljen e modeleve jashtë mendjes.

III. Në fakt, kontributorë në mbretërimin e hiperrealitetit në hapësirën publike shqiptare janë edhe të tjerë: edhe pararendësi i tij në krye të qeverisë ka rekordet e veta, me dallimin se e induktoi hiperrealitetin në shoqëri përmes veprimeve akute, pra, i kushtëzuar nga nevoja për të bërë të pranueshme veprimet akute. Dhe jo më kot ky i fundit e paraqet pasardhësin e vet në krye të sistemit politik shqiptar si të poseduar prej shembullit të tij: duket sikur vërtet është i obseduar nga nevoja për ta tejkaluar pararendësin në shkaktimin e hiperrealitetit. Dhe e ka tejkaluar vërtet, për aq sa paturpësia është më e fortë se veprimet akute në procesin e pezullimit të modeleve.

Por, më e rëndësishmja mbetet për t’u thënë tani: politikanët janë më të prirurit drejt veprimeve pa modele, edhe sepse detyrohen të marrin veprime publike të paparashikueshme, por edhe sepse sidomos pushteti e rrit fuqinë deri në atë pikë sa fuqia thjesht nuk duron dot më të mos shfaqet, të mos ekzekutohet. Për politikanët, ky konsiderohet dëm kolateral, prandaj ekziston po ashtu një ligjësi e përhershme: midis politikanëve dhe masave qëndrojnë elitat. Në këtë kuptim, ja një përkufizim bazik për elitat: ato janë mbrojtëset publike të modeleve si përcaktuese të procedurës dhe vlerës së veprimeve, thënë pra ndryshe, janë mbrojtëse të mendjes apo mendjeve. Sepse, në fakt, masat nuk kanë ndonjë kompetencë as për t’i përftuar modelet dhe as për t’i ruajtur ato në mendje, por përkundrazi janë të prira që marrëdhënien me modelet ta ndërtojnë në kohë reale, duke zhbërë distancën mes veprimit dhe modelit. Në të kundërt, elitat janë kultivueset e kësaj distance profilaktike mes veprimeve dhe modeleve përkatëse, pra, midis veprimeve në territor – jashtë dhe modeleve në mendje. Që do të thotë se nëse nuk e bëjnë këtë (që në këtë rast do të thotë se mbështetin dhe legjitimojnë politikanët në veprimtarinë e tyre të lehtësimit të prirjes së masave për hiperrealitetin), ata nuk janë më elitë. Jo se pushojnë së luajturi rolin e elitës, sepse ky rol është i paabrogueshëm dhe dikush duhet ta luajë, por, në fakt, e kanë humbur legjitimitetin dhe ajo shoqëri potencialisht duhet supozuar se është në pritje të një elite të re. Për fat të keq, ky nuk është një pohim hipotetik, por një konstatim i pikëllimtë; pjesëtarët e elitave të kësaj shoqërie, kanë rënë në banalitetin e hiperrealitetit, duke pohuar me ligjërimin e tyre, me argumentet e tyre, me qëndrimet e tyre, me mënyrën e tyre të të menduarit (e ndoshta dhe me atë të të qenit) legjitimitetin e politikanëve për të proceduar pa modele.

Testi i këtij konstatimfakti: kur shkruajnë apo flasin, kulminacioni i tyre është përshkrimi i veprimit sikur ai është ende duke ndodhur e për pasojë ende pa model, dhe e vetmja e vërtetë e tij është procedura e tij; ose e krahasojnë me një veprim tjetër- edhe ai pa modelin përkatës- a thua se ky veprim i dytë vetiu u bëka model për të parin; ose bëjnë analogji të pakuptimta me raste nga jashtë realitetit shqiptar (në këtë rast, duke e marrë të mirëqenë bindjen naive se duke qenë se vjen nga përtej, nuk është thjesht një veprim, por një model).

Dhe, nëse siç thamë për politikanët kryerja e veprimeve pa modele shpesh është e pashmangshme, për elitat përfshirja në këtë praktikë gjigante të ndërkëmbimit të paturpësisë individuale të politikanëve me hiperrealitetin kolektiv të masave, mjafton për të vulosur dështimin dhe degradimin e tyre.

Ja, pra, pse duheshin thënë gjithë çfarë thamë më lart (pra, jo sepse personi më i fortë brenda sistemit është i rëndësishëm, ai është produkt i postmodernes, ku te masat është rizgjuar në një nivel të panjohur më parë nevoja për hiperrealitetin dhe potenciali i tij personal i paturpësisë thjesht u gjend në kushte optimale për t’u shfaqur): kualifikimi i elitës sot në këtë ditë, në këtë moment, kalon përmes testimit të kapacitetit të saj për ta ruajtur mendjen nga mospërdorimi, pra, për të mos lejuar që veprimet të ofrohen si modele të vetvetes; për të mos e pranuar paturpësinë si sjellje individuale dhe hiperrealitetin si sjellje kolektive; për të mos lejuar që njerëzit shqiptarë dhe shoqëria shqiptare të vihen përfund nga ndoti që shkakton mospërdorimi i mendjeve.

Artikulli paraprakNga urtësitë e ekzistencës të së keqes – Justinian Topulli
Artikulli tjetërIslami dhe fanatizmi