ALTERNATIVAT E KAMATËS NË FINANCIMIN E KAPITALIT TË SIPËRMARRJEVE


Një këndvështrim juridik i organizimit të biznesit në Islam



Fuqia e një shoqërie dhe potencialet e saj varen nga aftësia e vet për të përmbushur nevojat e anëtarëve të saj me të mira dhe shërbime. Prodhimi dhe shpërndarja e këtyre të mirave dhe shërbimeve pa dyshim që kërkon resurse jo vetëm financiare, por edhe menaxheriale. Prandaj ato duhen alokuar në mënyrë që të përmbushen nevojat e shoqërisë. Duke ditur se kreditë me interes dhe obligacionet janë të ndaluara nga Islami, atëherë alokimi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar dhe i ngritur mbi baza drejtësie dhe altruizmi, siç e kërkon feja. Por si mund të ngrihet kjo pa futur në mes kamatën dhe interesat e ndryshme financiare?

Së pari, shtetëzimi apo privatizimi. Qeveria apo shteti duhet të ndërmarrë një rol administrativ efikas duke dhënë me koncesione –pra fitimprurëse– asetet e ndryshme publike, në mënyrë që këto të bëhen rentabël qoftë për biznesin privat, apo qoftë për shtetin nga taksat që vjel. Nëse shteti mund të menaxhojë vetë më mirë disa sektorë të aseteve të tij siç janë minierat, nafta, etj., atëherë do të ishte në të mirën publike që ai ta bënte vetë këtë sipërmarrje, pasi fitimi do të ishte shumë herë më i lartë sesa dhënia me koncesion e më pas vjelja e taksave prej kontraktorëve. Pra, siç e shikojmë, në të dy rastet jemi në marrëdhënien fitim-humbje siç e kërkon Islami e jo në atë të shfrytëzimit siç është në rastin e kamatës.

Së dyti, Financimi kapitalit. Një numër i madh i bizneseve aplikon sistemin e financave islame në financimin e kapitaleve të tyre. Si është kjo formë? Financuesi kontribuon me pjesën e vet të fondit dhe në bazë të peshës specifike të dhënë, ai mbart humbjen ose fitimin. Kështu kemi një shpërndarje të riskut e të fitimit tek të gjithë ortakët. Ndryshe nga ç’ndodh në rastin e kredive me interes (kamata), ku debitori duhet të mbajë të gjithë barrën e borxhit dhe riskun e falimentit. Në këtë mënyrë rritet edhe efiçenca e administrimit të sipërmarrjes, pasi ortakët do mbikëqyrin aktivitetin dhe ecurinë e sipërmarrjes, siç ndodh në Amerikë, dhe nuk do e lënë atë në dorë të dikujt, siç është rasti i bankave ku përgjithësisht ekzagjerohet me shifrat e bilanceve, por edhe nëse ato janë reale, përsëri ecuria e biznesit nuk është e sigurt.



KANALET E FINANCIMIT

Kanalet e investimit janë tre: njëortakëria, shumëortakëria dhe shoqëritë aksionare.

Njëortakëria
Këtu biznesi mbetet vetëm i pronarit fillestar edhe pas financimit të financuesit. Një formë e kësaj mund të jenë edhe blerësit nesieh (me mall). Pra, në rastin kur klienti e blen mallin te distributori me një çmim më të lartë në të ardhmen. Këtu nuk kemi të bëjmë me një kredi me interes, por me një shitblerje për çmimin e së cilës bihet dakord në avancë. Kjo është njëra formë. Forma e dytë ka të bëjë me marrjen hua te distributori të mallrave pa interes e, më pas, pasi të qarkullohet malli, atëherë atij i kthehet principali. Interesi distributorit në këtë rast është shtimi i shitjeve. Duhet thënë se kjo praktikë ndodh rëndom në jetën e përditshme.

Shembulli i mësipërm ishte ai i financimit me mall nga distributori, kurse financimi me likuiditet mund të ndodhë duke kërkuar, fjala bie, që të financohet një kargo apo një furnizim i caktuar dhe për të –jo për gjithë biznesin, financuesi bëhet pronar në atë masë që bihet dakord e, për rrjedhojë, pasi të zhvishet nga gjitha shpenzimet, mund të marrë përqindjen e fitimit që i takon. Kjo në rast se rezultati është pozitiv, në të kundërt, ai duhet të mbajë përsipër riskun e humbjes. (Kjo formë quhet mudarabe). Nëse edhe kjo formë nuk i mjafton një subjekti për të financuar biznesin e tij, atëherë mund të inkorporojë të tjerë financues të cilët bëhen automatikisht ortakë në të (musharakeh).

  • Shumëortakëria (Partnershipi)

Partnershipi në Islam ndahet në dy kategori: Mudarabe dhe Musharekeh

  • Mudarabe është një formë organizimi i njohur nga ligjet e fesë, e cila nënkupton se personi i cili paraqet një projekt të caktuar ngarkohet me menaxhimin e saj, duke ndarë kështu fitimin me investitorët në bazë të ndarjes së rënë dakord. Pra, personi si ekspert i punës investon diturinë dhe energjitë e tij, kurse financuesit kapitalin. Kjo formë njihet edhe sot si fushata ku agjentët e marketingut vlerësohen me përqindje fitimi e jo me pagë fikse. Thënë ndryshe, financuesit marrin në fund përqindjen e fitimit e jo kthimin e borxhit + kamatën, siç është rasti i kredive financiare konvencionale me kamatë. Nëse marrëveshja lidhet me disa mallra të caktuar, apo me disa projekte të caktuara, apo lidhet vetëm për një kohë të caktuar, ato përfundojnë me përfundimin e kushteve të rëna dakord. Nëse janë pa afat, ato mbeten në fuqi. Duhet theksuar se administratori apo personi i ngarkuar për të administruar biznesin, nuk i lejohet të marrë pagë mujore apo vlerësim të caktuar, pasi përndryshe do të hynte nën kategoritë e kamatës. Puna e tij është “investimi” që ai i ka dhënë kompanisë, për rrjedhojë nuk lejohet të marrë si kundraparti të kësaj shpërblim. Shembull i këtij lloj biznesi sot mund të jenë bizneset e vogla artizanale apo bujqit e vetëpunësuar, të cilët njëkohësisht janë edhe ekspertët që e gjallërojnë biznesin.
  • Musharakeh është po ashtu një nga organizimet e njohura fetarisht nga ku dy apo më shumë individë financojnë dhe administrojnë njëkohësisht sipërmarrjen. Rrjedhimisht fitimet ose humbjet i ndajnë në bazë të dakortësisë apo në bazë të kapitalit të investuar.
  • Format e përziera midis ortakut të vetëm, mudarabes dhe musharakes. Bëhet fjalë kur investitorët nuk kanë mundësi të menaxhojnë projektet apo nuk kanë dëshirë të merren me këtë, por thjesht të diversifikojnë portofolin e tyre, duke investuar në sektorë të ndryshëm rentabël. Kështu ata mund të financojnë disa projekte të caktuara duke u bërë ortak në riskun e humbjes apo fitimit të tyre. Këta quhen ortakë të fjetur dhe mund të ngarkojnë dikë tjetër për t’u marrë me investimet e tyre.
  • Shoqëritë aksionare

Shoqëritë aksionare janë institucione financiare dhe konsiderohen si më të përshtatshmet për investim. Ato janë forma më e volitshme për diversifikimin e portofolit sot në botë. Ata janë investitorë që nuk kanë projekte konkrete e as kanë dëshirë të bëhen ortakë në biznes, por thjesht duan të investojnë në shoqëri të ndryshme aksionare dhe në fund të korrin fitimin. Financimi korporatave me aksione e jo me kredi, ndihmon në eliminimin e mundësisë së ngritjes të një superstrukture financiare të fryrë, siç zakonisht ato ngrihen formën e një piramide vice-versa dhe të cilën zakonisht e ushqen sistemi financiar me kredi.

Në një raport mbi Japoninë të publikuar në The Economist më 25 shkurt, 1978, f. 97, thuhej se kompania Eidai – një prodhues i lartë kompesatash në Japoni – kishte borxhe që kapnin shifrën e 1 miliard $, ndërkohë që kapitali i paguar ishte vetëm 32 milion $. Pa dyshim që ky është një rast ekstrem, mirëpo edhe nëse rastet e tjera janë në kushte më të favorshme, sërish induktojmë se spiralja e kredive me kamatë është vorbull e cila, nëse përfshihesh në të, të involvon gjithmonë e më shumë në gropën e borxheve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fondet prej 178.9 bilion $ ishin financuar nga sektori bankar, vetëm 10 miliard $ ose 5.6 për qind ishte nga kapitali i investuar (shih Buletinin e Rezervës Federale, janar 1978, Tabela A44). Siç e shohim, edhe shtetet më të industrializuara nuk ia kanë arritur dot që t’i shpëtojnë efekteve negative të kredive me interes.

Financimi me pjesëmarrje ndihmon në parashtrimin e parimit të përhapjes së ortakërisë së projekteve dhe ndihmon në një masë të madhe në realizimin e objektivit të shpërndarjes së drejtë të të ardhurave dhe pasurive. Megjithëkëtë, vërehet që me përhapjen e pronësisë në një rrafsh të gjerë, shumë nga investitorët e vegjël nuk marrin dot pjesë në procesin e vendimmarrjes. Kjo nga ana e saj çon në përqendrimin e pushtetit tek një dorë e vogël njerëzish për projekte madhore. Por këto efekte janë fare të papërfillshme krahasuar me efektet negative që trashëgojnë kreditë me interes.

Financimi i kapitalit me pjesëmarrje ndihmon në reduktimin e diskriminimit në huadhënie midis qeverisë dhe sektorit privat njëkohësisht. Kjo sepse mendohet që sektori publik ka risk afër zeros në faliment apo në moskthim borxhi. Pra bankat nuk derdhin mund të mjaftueshëm në vlerësimin e qëllimit për të cilin do përdoret huaja, për rrjedhojë mund të shpjerë në një analizë jo objektive nga oficerët e kredisë së riskut të falimentit të biznesit siç ndodh rëndom.

Sot në Shqipëri borxhet e këqija të bankave janë diku te 27%, pra gati 1/3  e borxheve. Kjo butafori vazhdon deri në momentin që banka falimenton dhe zbardhen faktet, siç ishte rasti i kolapsit të Penn Square Bank, apo skandali bankës Ambrosiano në Itali, problemet e Herstatt Bank në West Germany, apo vështirësitë e bankave të ndryshme në vende të tjera të globit.

Një shembull për këtë pjesë do të ishte skenari i borxhit publik të Meksikës që kishte kapur shifrën e 80 miliardë $, 60 miliardë $ prej tyre ishte borxh i marrë hua nga bankat, 49 % të borxhit bankës 60 miliardë $, duhej paguar brenda një viti. Maturimi si dhe shkalla e lartë e borxhit të Meksikës ishte problem. Kriza e likuiditetit të Meksikës, e cila kishte arritur një proporcion më të madh sesa vetë sistemi financiar i saj, do t’i kishte çuar bankat më të mëdha ndërkombëtare në kolaps, nëse nuk do të ishte gjetur zgjidhja në momentin e fundit. Bankat kreditore të Meksikës nuk kishin zgjidhje tjetër vetëm se të binin dakord me kërkesën e vendit për ristrukturimin e borxhit dhe madje edhe për të dhënë edhe më shumë hua. Disa qeveri dhe institucione ndërkombëtare dhanë gjithashtu burime financiare për të mundësuar Meksikën që të vazhdonte pagesat e interesit të cilat përndryshe nuk do të kishte qenë në gjendje t’i likuidonte. Meksika sigurisht nuk është e vetmja viktimë në historinë e huave me interes, Greqia është një tjetër rast që po përballet me fatin e Meksikës aktualisht.

KOOPERIMI

Përveç formave të mësipërmve të organizimeve ligjore sheriatike, ka dhe forma të tjera të cilat janë fitimprurëse. Krahas shpërblimit ato synojnë të japin një kontribut të çmuar në realizimin e objektivave islame. Me nxitjen që Islami i bën vëllazërimit, bashkëpunimi në forma të ndryshme për të zgjidhur problemet e përbashkëta për prodhuesit, tregtarët dhe konsumatorët, atyre që kanë kursime me një anë dhe atyre që kërkojnë fonde për të financuar bizneset e tyre, përcaktohet që të ketë një rëndësi të veçantë në shoqërinë islame. Ndërsa themi se orientimi i projekteve në ekonomiksin islam është i vogël apo i mesëm për nga forma, kooperimi ndihmon në realizimin e prurjeve të mëdha.

Korporatat kanë mundësi që t’u ofrojnë anëtarëve të tyre shumë shërbime të dobishme, si për shembull: të ardhura për të bërë blerje apo shitje në sasi të mëdha, lehtësira në mirëmbajtje dhe shërbime direkte në zgjidhjen e problemeve administrative dhe teknike, si dhe sigurimi të përbashkët.

Bashkëpunimi tolerant (i pa kodifikuar) joformal midis zejtarëve e bujqve nga njëra anë dhe tregtarëve nga ana tjetër, ka qenë tepër i përhapur përgjatë historisë islame dhe ka marrë forma të ndryshme si për shembull: sindikatat, IBDA (dhurimi i gjithë mallit në formën e biznesit social) etj.

Këto forma të ndryshme nuk shprehën vetëm vëllazëri islame e besim reciprok, por zgjidhën shumë probleme të përbashkëta midis biznesmenëve mbi baza reciprociteti dhe suporti.  Jodovitch shkon deri aty sa e konsideron IBDA-në jo vetëm një shërbim tregtar, por “Vepër tregtare sistematike, që e hasim shumë kur kërkojmë për sipërmarrjet, depozitat, garancitë dhe dorëzanitë”.

Këto ishin disa nga format më të përhapura të financimit të kapitalit sipas normave islame, të cilat e ruajnë të shëndoshë biznesin, ndryshe nga praktikat konvencionale të sistemeve financiare.

Enklid PELARI

Artikulli paraprakErdoğan: Kemi rritur numrin e universiteteve në Turqi nga 76 në 208
Artikulli tjetër15 HAPA DREJT NJË PERSONALITETI TË SHËNDOSHË