Pastrimi i parave dhe qëndrimi i Islamit ndaj tij

Pastrimi i parave dhe qëndrimi i Islamit ndaj saj

Allahu e ka krijuar njeriun me një natyrë që e pëlqen pasurinë dhe këtë të fundit Allahu e ka bërë zbukurim për jetën e dynjasë. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që pasuria të ruhet dhe e ka renditur atë në një nga pesë domosdoshmëritë e jetës, ka ndaluar që ajo të shpërdorohet apo që të cënohet përmes vjedhjes, marrjes me dhunë apo mashtrimit. Për të arritur këtë qëllim Islami ka vendosur ndëshkime nga më të ndryshmet. Allahu i Lartësuar ia ka bërë të lehtë njeriut rrugët e fitimit të pasurisë dhe e ka nxitur atë të punojë, e ka ndaluar që ta fitojë atë nga rrugë të ndaluara dhe e ka kërcënuar, se do ta përballë atë me ndëshkime në këtë botë dhe në tjetrën. Një pasuri të tillë Allahu e ka konsideruar të kotë dhe në këtë përkufizmin përfshihen të gjitha ato pasuri që burojnë nga harami, siç është kamata, vjedhja, rrëmbimi, rebelimi etj. Një kërcënim i fortë në Kuranin Famëlartë bëhet edhe për ngrënien e pasurisë së jetimit padrejtësisht apo dhe për vepra të tjera të ngjashme me të. Para me një fjalë, në pasurinë e kotë përfshihet çdo pasuri që vjen nga ngrënia e pasurisë së njerëzve padrejtësisht dhe nga tejkalimi i kufijve që ka vendosur Allahu në veprimet pasurore.

Etapat e pastrimit të parave

Pastrimi i parave të pista kalon në disa etapa, ku së pari është vendosja e tyre në një numër llogarie në të cilën vendosen shuma parash në formën e llogarive nëpër banka, në institucione financiare ose blerja e aksioneve në pasuri të patundshme. Ky veprim kryhet në kohë të ndryshme dhe nga persona të ndryshëm. Etapa e dytë është ajo e mashtrimit dhe e krijimit të tymnajës, ku krijohen disa veprime të ndërlikuara financiare me qëllim humbjen e gjurmëve dhe pamundësinë e ndjekjes së burimit të parave. Etapa e tretë është ajo e përzierjes, në të cilën kryhet rikthimi i parave të pista në treg nëpërmet kanaleve ekonomike apo transfertave të mbuluara nga investime dhe projekte financiare, që i japin pamjen normale dhe të pastër këtyre parave.

Pastrimi i pasurisë në sipas legjislacionit islam

Pasi njohëm disa nga burimet e pasurisë së ndaluar, le të njohim shkurtimisht mënyrat dhe format e pastrimit të pasurisë në Islam:

Pasuritë e fituara hallall dhe në mënyrë të lejuar pastrohen duke nxjerrë ato të drejta pasurore të detyrueshme, masën e të cilave e ka përcaktuar Islami, ashtu siç i ka bërë të detyrueshme Allahu a.xh. dhe siç i ka sqaruar i Dërguari i Tij, profeti Muhamed a.s.

a- Nxjerrja e zekatit sipas llojit të pasurisë, nisabit (kufiri minimal i masës për zekat) dhe përqindjes së detyrueshme që duhet nxjerrë.

b- Zekati i Fitrit.

c- Detyrime të tjera pasurore që i detyron i pari vendit mbi të pasurit përveç zekatit.

d- Shpagimet e detyrueshme, siç janë ato të betimit, vrasjes gabimisht apo me dashje, prishjes së agjërimit në Ramazan etj.

e- Zotimet që muslimani ia ngarkon vetvetes.

f- Sadekaja, vakëfet, dhurata, amanetet pas vdekjes, të drejtat e fqinjësisë dhe të mikut etj.

g- Shpenzimet e detyrueshme, siç janë shpenzimet për familjen, prindërit, pagat e punëtorëve etj.

Qëndrimi i Islamit ndaj larjes së parave të pista dhe mënyra e shpagimit të tyre

Pak më lart bëmë të qartë faktin, se Islami e ndalon dhe e penalizon çdo përpjeke apo proces, që kryhet për pastrimin e parave, duke u përpjekur që këto pasuri haram të “pastrohen” përmes disa veprimeve bankare apo investimeve me qëllimin e vetëm për t’iu shmangur legjislacionit në fuqi dhe për të fshehur burimet e tyre të vërteta para syve të njerëzve. Përveç faktit që Islami e ndalon gënjeshtrën, mashtrimin dhe falsifikimin, pastrimi i parave e çon më tej këtë krim, duke i shtuar edhe krime të tjera. Ky lloj “pastrimi” nuk bën gjë tjetër veçse i bën këto para edhe më të pista seç ishin. Për këtë arsye pjesa më e madhe e legjislacioneve vendore dhe ndërkombëtare përkojnë me legjislacionin islam përsa i përket penalizimit dhe konsiderimit të kësaj vepre si një krim. Bazuar mbi këtë të vërtetë, nuk lejohet që muslimani të jetë pjesë e këtij krimi dhe as të bashkëpunojë me të. Përsa i përket pastrimit legjitim të parave të pista, ky proces mund të realizohet në disa forma, ndër to mund të përmendim kthimin e pasurisë së marrë në mënyrë të ndaluar tek i zoti, nëse njihet ose duke i korigjuar marrëveshjet e parregullta. Nëse prejardhja e tyre vjen nga rrëmbimi apo mashtrimi, atëherë ato pasuri duhet t’i kthehen të zotit, e nëse shitja është e parregullt, atëherë marrëveshja e shitblerjes duhet të korigjohet, e nëse vjen nga kamata, atëherë pasuria duhet pastruar duke ia nxjerrë shtesën e kamatës për të varfërit apo në shërbime publike për muslimanet, e nëse vjen nga mashtrimi dhe vjedhja, atëherë le t’ia kthejë të zotit, e nëse nuk mundet, le të pendohet dhe t’i japë fjalën Allahut se nuk do të kthehet përsëri.

Efektet negative të pastrimit të parave mbi shoqërinë

1- Përhapja e kriminalitetit përmes veprimtarive kriminale, siç është droga, korrupsioni ekonomik dhe politik.

2- Deformimi i aktivitetit ekonomik përsa i përket fitimit dhe konkurencës, si dhe rrënimit të sipërmarrjeve të ndershme.

3- Përhapja e organizatave kriminale dhe përfshirja e tyre në aktivitetet ekonomike dhe jetike të vendit.

4- Shkaktimi i dëmeve të pallogaritshme për sistemin bankar përmes depozitimit dhe tërheqjes së parave, në mënyrë të papritur dhe të shpejtë.

5- Nxjerrja e biznesmenëve dhe tregtarëve të ndershëm nga tregu përmes shkatërrimit të biznesit të tyre dhe falimentimit nga konkurenca e pandershme.

6- Cenimi i imazhit të institucioneve shtetërore duke inkurajuar krijimin e institucioneve dhe sipërmarrjeve kukulla pas të cilave fshihen aktivitete jolegjitime.

7- Ngritja e njerëzve me të ardhura jo të ligjshme në majën e piramidës sociale dhe ulja e pozitës sociale të sipërmarrësve të ndershëm, duke krijuar një anomali në vlerën e punës, studimit dhe fitimit të përvojës dhe krijimi i shembujve negativë në fitimin e pasurisë.

Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë

Artikulli paraprakIslami inkurajon për punë dhe zhvillim
Artikulli tjetërNevoja e tregut të punës për vlera fetare