Pasoja e robërimit prej pushtetit faraonik

Njerëzimi njohu në shekullin e njëzetë sisteme politike autoritare që e ushtruan pushtetin e tyre në një shkallë të gjerë të pahasur më parë. Diktaturat fashiste, naziste dhe komuniste u shndërruan në regjime totalitare, të cilat u karakterizuan prej mbështetjes në një botëvështrim të vetëm dhe prej kontrollit të çdo sfere, shoqërore dhe individuale. Gjithçka në shtetin totalitar ishte në përputhje me ideologjinë shtetërore, duhet të realizohej brenda koncepteve të saj dhe duhet t’i shërbente asaj.

Totalitarizmi bën pjesë në kategorinë e tiranisë ekstreme, thelbi i së cilës është robërimi i shpirtit njerëzor. Hannah Arendt është një nga studiueset më të shquara të totalitarizmit dhe të pasojave të tij dehumanizuese mbi shoqërinë dhe individin. Ajo ishte e mendimit se sundimi totalitar i dominon qeniet njerëzore nga brenda duke shkatërruar aftësinë individuale për veprim. Të udhëhequr nga ideologjia dhe të nxitur nga terrori, qeniet njerëzore humbasin aftësinë e lindur për spontanitet dhe veprim, si dhe aftësinë e dallueshme humane për të menduar në mënyrë krijuese dhe të pandrydhur.

Hannah Arendt është e mendimit se shoqëritë totalitare i dehumanizojnë individët nëpërmjet një procesi që kalon në tri faza. Faza e parë është shkatërrimi në mënyrë të organizuar i njeriut si person me të drejta juridike, ndërsa e dyta konsiston në krijimin e kushteve që kanë për qëllim të shkatërrojnë aftësinë e individit për të formuar gjykime morale. Dehumanizimi i plotë i viktimave arrihet në fazën e tretë. Shndërrimi i tyre në “kufoma që jetojnë” kërkon jo vetëm individë të zhveshur nga të drejtat dhe ndërgjegja, por edhe shtypjen e individualitetit me të cilin fati, natyra dhe vullneti kanë formësuar individin.

Sipas Hannah Arendt, pushteti totalitar përdor terrorin për të shkatërruar një nga kushtet thelbësore të lirisë që është pikërisht aftësia për të lëvizur, e cila nuk mund të ekzistojë nëse nuk ka hapësirë. Edhe hapësira e kufizuar e marrëdhënieve individuale reduktohet, derisa izolimi të shndërrohet në vetmi dhe njeriu të humbasë besimin te vetja dhe atë siguri elementare te bota që është e nevojshme për të përftuar përvojë. Vetja dhe bota, aftësia për të menduar dhe përftuar përvojë, humbasin në të njëjtën kohë. Totalitarizmi është unik në dimensionin e tij psikologjik, duke qenë se ai e thyen shpirtin e njerëzve që sundon, mbjell mosbesim të ndërsjelltë dhe i bën ata të pazotë për të vepruar. Megjithatë, kjo psikologji nuk është veçori vetëm e totalitarizmit modern, sepse të njëjtat pasoja Aristoteli i ka përmendur si qëllime që synohet të arrihen prej tiranëve.

Arendt e konsideron vrasjen në masë dhe skllavërimin si dy “institucione” të totalitarizmit që kanë origjinë pre-totalitare, të cilat lënë të njëjtat pasoja në shpirtin njerëzor si regjimet totalitare moderne. Të dy këto institucione u përdorën nga Faraoni, pushteti i të cilit ishte pa dyshim një sundim totalitar. Ai u mbështet në skllavërimin dhe vrasjen në masë të një grupi shoqëror si izraelitët, shpirtrat e të cilëve u thyen derisa humbën ndjenjën e përkatësisë në bashkësi dhe aftësinë për të vepruar. Humbja e këtyre cilësive ishte arsyeja që izraelitët, megjithëse dëshmuan hapjen e detit dhe mrekulli të tjera prej Zotit, nuk mundën dot të dilnin mbi vetet e tyre kur Musai u kërkoi të luftonin për të marrë tokën e shenjtë, Jeruzalemin. Ajetet 21–22 dhe 24 të sures Maide përshkruajnë dialogun e zhvilluar mes Musait dhe izraelitëve me këtë rast:

O populli im, hyni në Tokën e Shenjtë që Allahu ka urdhëruar për ju dhe mos u ktheni mbrapsht, sepse do të ktheheni në humbës.” Ata u përgjigjën: “O Musa, ajo është e banuar nga njerëz të paepur dhe ne nuk kemi për të hyrë deri sa të dalin prej saj. Nëse ata dalin prej saj, ne do të hyjmë me siguri. O Musa, ne nuk do të hyjmë kurrë atje për sa kohë ata të jenë atje. Prandaj, shko ti dhe Zoti yt dhe luftoni ju të dy, sepse ne po rrimë ulur këtu ku jemi!

Këto fjalë e dëshpëruan Musain, i cili u lut me këto fjalë:

Zoti im, unë nuk kam pushtet vetëm se mbi veten dhe vëllanë tim, prandaj bëj dallim mes nesh dhe popullit të pacipë! (El-Maideh 5, 25).

Përgjigja e Zotit nuk vonoi të vinte:

Atëherë ajo do të jetë e ndaluar për ta, 40 vjet, kanë për t’u endur të hutuar nëpër tokë. Prandaj, mos u brengos për popullin e pacipë! (El-Maideh 5, 26).

Fakhr ed-Din er-Razi thotë se kur Musai u lut kundër popullit të tij “bëj dallim mes nesh dhe popullit të pacipë!”, nuk kishte për qëllim zbritjen e një dënimi si endja në shkretëtirë, por një më të lehti. Kur Zoti e lajmëroi për dënimin dhe Musai u pikëllua, duke menduar se ishte bërë ai shkaktar me lutjen e tij, Zoti e ngushëlloi duke i thënë të mos brengosej për popullin e pacipë. “Transmetohet se izraelitët udhëtonin me zell natën, por në të gdhirë e gjenin veten në të njëjtin vend nga ishin nisur, e po kështu kur udhëtonin ditën, derisa u shuan të gjithë, përveç atyre që ishin nën 20 vjeç në momentin e fillimit të endjes” (Xhelal ed-Din es-Sujuti).

Ibën Khaldun e shpjegon urtësinë e endjes së izraelitëve në shkretëtirë dhe thotë se ajo qëndron “në shuarjen e brezave që sapo ishin çliruar nga shtrëngimi i nënshtrimit dhe shtypjes, i cili ju kishte shkatërruar ndjenjën e përkatësisë dhe kohezionit. Gjatë endjes do të lindte një brez i ri, i cili nuk do të kishte kontakt as me ndonjë qytetërim dhe as me njerëz të tjerë, që do të rritej krenar, pa e njohur shtypjen dhe poshtërimin. Nga kjo histori del i qartë përfundimi se periudha më e shkurtër për t’u shuar një brez dhe për t’u rritur një brez tjetër është 40 vite”.

Duke marrë shkas nga historia e izraelitëve, Rashid Rida e komenton më tej procesin e dehumanizimit të një populli që jeton nën tirani. Ai shkruan: “Kur popujt gjenden në shtratin e despotizmit, të shtypjes dhe autokracisë, karakteri i tyre degradon dhe shpirti poshtërohet. Nëse koha e kaluar nën dhunë është e gjatë, karakteri i përftuar gjatë saj trashëgohet brez pas brezi derisa të bëhet si një instinkt i pavetëdijshëm, prej të cilit populli nuk shkëputet edhe kur çlirohet prej prangave të robërimit. Shtypja e ushtruar prej Faronit në Egjipt e korruptoi karakterin e izraelitëve, duke lënë në të gjurmën e nënshtrimit dhe të poshtërimit.

Zoti i Lartësuar ju shfaqi shenjat e fuqisë së Tij dhe vërtetësisë së të Dërguarit të Tij, si dhe jua qartësoi se ikja prej Egjiptit kishte për qëllim çlirimin dhe shpëtimin e tyre nga poshtërimi. Megjithatë, shpirtrat e tyre të nënshtruara refuzuan të përballen në betejë për të marrë tokën e shenjtë dhe u dënuan me endje në shkretëtirë, derisa u shua brezi i formuar në idhujtari dhe robërim. Shembulli i kësaj historie shërben për të kuptuar se reformimi i kombeve të deformuara nga shtypja dhe autokracia nuk vjen vetëm se nëpërmjet formimit të një brezi të ri, i cili do të ndërthurë lirinë, pavarësinë dhe krenarinë që dhuron jeta larg njerëzve (lit. “jeta e endjes në shkretëtirë”), me njohjen e ligjit të Zotit, virtyteve dhe zbatimit të tij”.

Pas 40 vitesh endjeje, kombi izraelit u shfaq përsëri në dyert e Jeruzalemit. I udhëhequr nga nxënësi i Musait, Profeti Joshua bin Nun, brezi i ri i izraelitëve arriti të ngadhnjejë mbi Amelikët dhe të marrë nën zotërim tokën e shenjtë. Të çliruar nga pasojat e dhunës totalitare të pushtetit të Faraonit dhe të udhëhequr nga mësimet profetike, izraelitët ndërtuan civilizimin më të begatë dhe të përparuar të kohës, i cili arriti kulmin e lulëzimit nën udhëheqjen e Profetëve Daud dhe Sulejman, sundimi i të cilëve mishëroi për njerëzimin zbatimin e përsosur të udhëzimit profetik në ngritjen e pushtetit të drejtë.

Totalitarizmi, pra, ka vepruar mbi individin dhe komunitetet sipas të njëjtit mekanizëm robërimi dhe shfytyrimi psikologjik e shpirtëror. Pasojat e tij nuk kufizohen vetëm brenda kufinjve kohorë të sundimit të saj, kohë gjatë të cilës ai u shtyp liritë, u konfiskon pasurinë, si dhe u shkel nderin dhe jetën komuniteteve të robëruara, por edhe përtej momentit kur pushon së sunduari zyrtarisht. Shpeshherë njerëzit dhe komunitetet e robëruara prej tij për një kohë të gjatë humbasin përgjithmonë aftësinë për vepruar përtej vetëruajtjes së momentit.

Guximi për të ndërtuar një kohezion dhe për t’u përpjekur në të mirë të një perspektive të denjë dhe të lirë dërrmohet nga arsyetimi egoist i mbijetesës dhe frikës prej një ndëshkimi edhe më brutal. Trajtimi intensiv i kësaj teme në Kuran përmes historisë së popullit hebre dhe Profetit Musa është një shenjë e tejtheksuar se jo vetëm njerëzimi është gjithëherë i kërcënuar nga një fat i ngjashëm, por, për më tepër, totalitarizmi pengon dhe devijon rrugën shpirtërore të një komuniteti, deri në humbjen përfundimtare të besimit.

Përgatiti: Gerdi Demneri

Artikulli paraprakQëndresa ndaj pushtetit faraonik
Artikulli tjetërFyerja e idhujve