Paratë e imëta nuk po pranohen nga shumica e bizneseve

Qytetarët në Kosovë akoma vazhdojnë të kenë problem tek pagesat me para te imëta në disa prej bizneseve në Kosovë.

Sipas hulumtimit në tërren që ka bërë Buletini Ekonomik, ky problem është i shprehur sidomos nëpër barnatore dhe tek furrat e bukës, ku monedhat 1 dhe 2 cent nuk pranohen.

Kjo paraqet shkelje të ligjit nga ana e bizneseve. Ligji Nr. 06/L-034 për Mbrojten e Konsumatorit, pika 2, thotë se gjatë shitjes së mallrave dhe shërbimeve, shitësi është i obliguar që të pranoj edhe monedhat e imëta nga konsumatori.

Buletini Ekonomik ka vizituar disa barnatore dhe furra të bukës në kryeqytet të cilat në kushte anonimiteti kanë treguar se sidomos shumat prej 1 dhe 2 cent nuk pranohen.

“Ne nuk i marrim paratë si 1 dhe 2 cent pasi që të gjitha çmimet janë fikse, psh një produkt në barnatore mund të jetë 95 cent ose 1 euro, e jo 1.07 cent”, tha pronari i njërës nga barnatorët në kryeqytet.

Të njëjtin problem qytetarët po e hasin edhe tek furrat e bukës. Edhe pronarët e furrave në Prishtinë janë arsyetuar me çmimet fikse që aplikojnë.

“Cmimet në të gjitha furrat janë fikse, buka kushton 40 cent, byreku 80 cent e kështu më radhë, pra nuk kemi hapËsirë as t’i marrim e as ti kthejmë centët”, tha një punonjës në një prej furrave në Prishtinë.

Përkundër furrave dhe barnatorëve, disa prej marketeve në kryeqytet pohuan për Buletinin Ekonomik se i marrin këto para të imëta.

Mirëpo edhe pse e praktikojnë kthimin e centave, ata thonë se ndonjëherë mbesin edhe pa këta centa dhe nuk kanë mundësi ta kthejnë gjithmonë kusurin.

“Po ne si markete i marrim këto shuma 1 dhe 2 cent, mirëpo nganjëherë nuk mund t’i kthejmë të njejtat tek qytetarët pasiqë nga mesi i ditës ose mbrëmja mund të mbesim edhe pa to për shkak se aq sa kemi ne vazhdojmë t’i kthejmë edhe pse ndonjëhere ndodhë që ndonjë myshteri nuk i merr”.

Ndërkaq edhe pse nuk e kanë praktikuar më herët, Trafiku Urban vazhdon t’i merrë parat e imëta. Muaj më parë Buletini Ekonomik ka raportuar për të njëjtin problem, ku Trafiku Urban nuk i pranonte paratë e imëta, mirëpo tani thonë se i marrin.

Ndryshe, në hulumtimin e fundit të Organizatës së Konsumatorëve pati dalë se bizneset fitojnë brenda një viti rreth 50 milionë euro në vit nga moskthimi i centëve.

/Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprakCilësimet super të dobishme të fshehura në Gmail
Artikulli tjetërStatistikat e Lindjeve, Vdekjeve, Kurorëzimeve dhe Shurorëzimeve, Mars 2021