Marrëveshja e tretë
Këtu duhet pasur kujdes për dhjetë kushte:
1. Shuma e vlerës së mallit duhet të jetë saktë e ditur, që në rast të pamundësisë së dorëzimit të mallit, të kthehet shuma e saktë. Nëse me grusht kapen disa dërhemë e me to paguhet një thes miell, një marrëveshje e tillë nuk do të ishte valide;
2. Shuma e vlerës së mallit duhet të dorëzohet në vendin ku është bërë marrëveshja, para se të ndahen. Nëse ndahen para dorëzimit të shumës, marrëveshja anulohet;
3. Duhet të jetë i mundur përshkrimi i cilësisë së mallit që do të blehet, si: fara, kafshë, minerale, pambuk, lesh, mëndafsh, qumësht, mish, parfum, e tjera. Nuk mund të kërkohen përzierje, as ajo që përbëhet nga pjesë të llojeve të ndryshme, si harqet e përpunuara dhe shigjetat e stilizuara, pastaj mestet dhe sandalet e punuara me pjesë nga lëkurat e ndryshme. Lejohet pagesa më herët për bukë, kurse sasia e kripës dhe pjekja më shumë ose më pak nuk është e rëndësishme;
4. Të kërkohet përshkrim më i detajuar i mallit që blehet, e përshkrimi të jetë i tillë që arsyeton vlerën e caktuar për atë mall specifik, që të evitohen mashtrimet e mundshme. Një përshkrim i tillë duhet të jetë sikur të jetë parë malli gjatë shitblerjes;
5. Afati i dorëzimit të mallit të kërkuar të përcaktohet saktë. Dorëzimi i mëvonshëm i mallit nuk duhet të lidhet me të korrat apo me pjekjen e frutave, por të lidhet me muaj e ditë të caktuar, sepse pjekja e drithit ose frutave nganjëherë ndodhë para kohe, e nganjëherë vonohet;
6. Koha e dorëzimit të mallit të kërkuar të caktohet kur edhe është koha e mallit; nuk duhet caktuar afatin e dorëzimit të rrushit në kohën kur rrushi as nuk është pjekur, e njëjtë edhe me pemët tjera. Nëse është koha e atij fruti, por paraqitet pamundësia e dorëzimit, për shkak se personi i caktuar është sëmurë a për ndonjë arsye tjetër, atëherë blerësi mund të zgjatë afatin e dorëzimit, ose të kërkojë t’i kthehet shuma që e ka dhënë;
7. Të precizohet vendi i dorëzimit të mallit, e kjo për të evituar çfarëdo keqkuptimi;
8. Malli i kërkuar të mos ndërlidhet me një lokacion të caktuar, e të thuhet: “dua grurë nga kjo arë”, apo “i dua frutat nga kjo bahçe”. Në atë rast, furnizuesi nuk e ka obligim të respektojë kërkesën. Por nuk ka dëm nëse kërkohet malli nga një qytet ose krahinë e caktuar;
9. Të mos paguhet para kohe për mall të shtrenjtë e që vështirë sigurohet; për shembull, të kërkohet një margaritar detajisht i përshkruar i cili shumë vështirë gjindet, ose kërkohet një robëreshë shumë e bukur, e edhe me fëmijë, dhe kërkesa tjera të ngjashme, për mall i cili vështirë gjindet;
10. Nëse paguhet për ushqim, të paguhet me ushqim, ose dukati të paguhet me dukatë. Këtë e shpjeguam te marrëveshja për kamatë.
Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu