Ballina Blog Faqe 515

Ligji i gradualitetit në reforma

Gradualiteti është një ligj hyjnor dhe një rregull në univers, i cili nuk ndryshon dhe nuk transformohet. Ai është ligji i krijimit hyjnor, me të cilin është krijuar universi dhe bota mbarë me qiejt dhe tokën e saj. “Është Zoti juaj Allahu, Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën në gjashtë ditë..” (Araf: 54).

E gjithë kjo që Zoti ka krijuar në gjashtë ditë, është tregues i gradualitetit, megjithëse Ai është i Plotfuqishmi dhe nëse do të dëshironte, do t`i krijonte në një çast, duke thënë: “Bëhu”! dhe çdo gjë do të bëhej.

Gradualiteti është ligji i Zotit në krijimin e njeriut në pesë fazat e tij (dheu nga i cili u krijua Ademi (a.s), më pas uji, balta e tharë, balta e zezë dhe në fund baltë me aromë…) dhënia e shpirtit ishte një fazë tjetër, e cila mundësoi që kjo krijesë të quhet njeri.

Ademi (a.s) ishte njeriu i parë, për të cilin Zoti thotë: “Shembulli i Isait tek Zoti është si shembulli i Ademit, të cilin (Allahu) e krijoi nga dheu..” (Ali Imran: 59), si dhe: “Dhe përkujto kur Zoti yt iu tha engjëjve: Unë po krijoj njeriun nga balta e thatë, e zezë me aromë, e kur ta përsos atë (në formën e njeriut) dhe t’i jap atij shpirtin, që është krijesë e Imja, ju bini atij në sexhde.” (Hixhr: 28-29).

Zoti ka krijuar çdo pasardhës të Ademit (a.s) sipas ligjit të gradualitetit. Ai thotë: “Ne e krijuam njeriun nga një lëng (ajkë) prej balte e më pas atë e bëmë një pikë uji në një vend të sigurtë. Më pas atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e gjakun e ngurtë e bëmë copë mishi, e copën e mishit e bëmë eshtra dhe eshtrat i veshëm me mish e më pas atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt), i lartë është Allahu, Ai është Krijuesi më i mirë”. (Muminun: 12-14).

Ligji i gradualitetit është një ligj i pandryshueshëm i Zotit në krijimin e universit, botës, njeriut të parë dhe mbarë njerëzimit. Zoti ka dashur gjithashtu, që ligji i gradualitetit dhe i evoluimit të jetë një ligj i pandryshueshëm për të gjitha shpalljet hyjnore, si një “bujari” e Zotit mbi njerëzit. Mejithëse Zoti ka zbritur një fe (në aspektin e besimit), Ai ka zbritur shumë të drejta, që iu përgjigjën aktualitetit dhe zhvillimit intelektual të atyre popujve.

Periudha profetike dhe ligji i gradualitetit

Në të drejtën islame, ligji i gradualitetit është gjithashtu një ligj i pandryshueshëm i cili është marrë në konsideratë. Islami, si një fe universale dhe e përjetshme, në periudhën e Mekës – që zgjati 13 vite -, filloi të trajtonte çështjet e formimit të njeriut, shoqërisë besimtare dhe brezit unik në përputhje me vlerat dhe parimet e tij. Islami filloi ndryshimin e madh, rrënjesor, të thellë dhe gjithëpërfshirës nga e brendshmja e njeriut, në mënyrë që më pas ky njeri të jetë i aftë të rregullojë aktualitetin e tij në përputhje me sistemin e vlerave të besimit “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten e tyre”. (Rrad: 11).

Ligji i gradualitetit ishte prezent edhe në periudhën e Medines – që zgjati 10 vite. Shoqëria muslimane, megjithëse tashmë kishte ngritur civilizim dhe posedonte të gjithë mekanizmat dhe elementët e tij identifikues, nuk lejoi që rastësia të zërë vendin e gradualitetit dhe as revolucioni të zërë vendin e reformave në plotësimin e dispozitave dhe zbatimin e të drejtës islame. Krahas gradualitetit të shpalljes hyjnore, ishte dhe gradualiteti në zbatimin e të drejtës, në përputhje me gradualitetin e ndryshimit të njeriut, i cili do të mund ta zbatonte të plotë atë, ashtu siç ishte edhe gradualiteti në ndryshimin e aktualitetit, ku do të zbatohej e drejta islame.

Marrim si shembull sistemin e trashëgimisë, që është zbatuar në vitin e tretë Hixhri, rreth 16 vite pas fillimit të Shpalljes. Sistemi i së drejtës civile islame në lidhje me familjen, martesën, divorcin, kontributin dhe përkujdesjen monetare në familje, si dhe dispozitat e tjera që kanë të bëjnë me këtë fushë, në aspektin e zbritjes dhe zbatueshmërisë janë plotësuar në vitin e shtatë Hixhri, pra rreth 20 vite pas fillimit të shpalljes. E drejta penale – si në aspektin e dispozitave, ashtu edhe në zbatueshmërinë e saj – është plotësuar gradualisht në vitin e tetë Hixhri, rreth 21 vite pas fillimit të Shpalljes.

Gradualitet pati edhe në dispozitat e ndalimit të alkolit, ku në fillim u kritikua, pastaj u paralajmërua dhe më pas – në vitin e tetë hixhri, rreth 21 vite pas fillimit të Shpalljes – alkoli u ndalua përfundimisht.

Ndalimi i kamatës u bë në vitin e nëntë Hixhri, pasi në shoqërinë islame u krijua alternativa e sistemit ekonomik islam, i cili tashmë zuri vendin e sistemit ekonomik paraislam të vjetër. Tashmë,ishte e mundur, që të zbatohej një filozofi e re në sistemin ekonomik pa kamatë dhe në të gjithë transaksionet dhe veprimet e tjera të tij.

Ligji i gradualitetit ishte i pandryshueshëm, madje edhe në ritet dhe adhurimet islame. Namazi me formën e tij të plotë është bërë obligim natën e Israsë dhe Miraxhit, dy vite para Hixhretit, pra në vitin e njëmbëdhjetë të Shpalljes. Kështu ndodhi edhe me agjërimin, Zekatin dhe Haxhin, që u bënë obligim në periudhën e Medinës. Shoqëria njerëzore është gjithmonë në lëvizje, ajo ka ciklet e saj, në të cilat drejtësia dhe padrejtësia i lënë vendin njëra-tjetrës. Ky është ligji i ndryshimit në të gjithë historinë njerëzore.

Transmetohet se profeti Muhamed (a.s) ka përmendur një hadith, ku shpjegon shumë qartë të gjithë llojet e reformave dhe shenjat e tyre në shoqërinë njerëzore: “Shumë pak do të ketë drejtësi pas meje dhe më pas do të ketë shumë padrejtësi. Sa herë që shtohet padrejtësia, largohet drejtësia, derisa do të mendohet se nuk ka pasur drejtësi asnjëherë. Më pas Zoti do të sjellë drejtësi dhe sa herë që drejtësia do të shtohet, aq herë padrejtësia do të largohet dhe do të mendohet, se nuk ka pasur asnjëherë padrejtësi”. (Imam Ahmedi).

Përplasja e cikleve të drejtësisë dhe padrejtësisë, e rregullimit dhe shkatërrimit, është ligji që shoqëron njerëzimin dhe ndryshimi në këto përplasje vjen si pasojë e ligjit të gradualitetit. Aq sa do të jetë masa e të keqes dhe padrejtësisë në njërin krah, po aq do të jetë edhe masa e të mirës dhe drejtësisë që largohet në krahun tjetër. Ne jemi përballë gradualitetit edhe në fenomenin e lindjes dhe perëndimit të diellit, megjithëse dikujt mund t`i duket “rastësi” apo “spontanitet”. Asgjë nuk ndodh rastësisht, pasi gjithçka kalon nga rruga e ligjit të gradualitetit në ndryshim.

Dr. Muhamed Imara

Fazat e përmbushjes së qëllimit, 12 parimet kryesore

Fazat e përmbushjes së qëllimit

Vjen një kohë kur ti fillon e ndjen se jeta jote po rrjedh në një drejtim tjetër, krejt të ndryshëm nga ai që dëshiron. Hedh sytë nga vitet e shkuara të jetës tënde dhe të duket sikur nuk i ke realizuar ato që aspiroje.

Hedh sytë nga e ardhmja dhe lutesh e përgjërohesh që Zoti të të pajisë me energji dhe forcë, që të arrish atë që nuk ke arritur ta përmbushësh deri tani. Prandaj dhe unë të them që të përpiqesh gjithmonë që të kultivosh tek vetja qëllime dhe objektiva madhore, objektiva që shkëlqejnë. Bëj çmos dhe derdh mund e djersë në përmbushjen e tyre, por bëj kujdes, që këto objektiva dhe qëllime të mos mbeten thjesht dëshira, të cilat janë produkti më i madh i fukarenjve. Janë të shumtë ata që jetojnë brenda kuadrit të dëshirave, por që realiteti dhe aktualiteti i tyre është një zero me bisht.

12 parimet për caktimin e objektivave:

I pari: Caktoje mirë dhe qartë çfarë dëshiron.

Fokusoji të gjitha dritat tek qëllimi yt, bëje atë të qartë, me konture të plota, me reliev të qartë. Në librin e tij “Kënaqësia e punës” Denis Uatli na tërheq vëmendjen tek ky koncept:”Që të arrish tek një destinacion, fillimisht duhet të dish nga duhet të drejtohesh.”

I dyti: Objektivi yt duhet të jetë i qartë dhe që meriton të përmbushet.

Nuk mund të imagjinohet një njeri i ulur pranë një sobe, duke i thënë asaj:”Më ngroh, të të jap drutë!” Është krejt e palogjikshme… aspak reale. Kjo, edhe pse personi i ulur pranë sobës, e ka shumë të qartë se çfarë dëshiron prej saj, ai dëshiron ngrohtësi. Veçse, hapat e ndërmarrë prej tij për ta përfituar atë që dëshiron, nuk janë aktual. Prandaj, kur të vendosësh një qëllim dhe objektiv, le të jetë logjik, real dhe i mundshëm për tu realizuar.

I treti: Dëshirë e flaktë.

E çfarë vlere ka një objekti dhe qëllim, i cili nuk stimulohet nga vullneti i çeliktë dhe dëshira e flaktë? Vullneti i çeliktë është i nevojshëm si oksigjeni për ne. Objektivave u duhet vullnet që të marrin jetë në aktualitet.

Objektivat pa dëshirë dhe pa vullnet të fortë, janë objektiva të plogështa dhe të vdekura, janë pa shpirt.

Prandaj, të lipset vullnet për realizimin e ëndrrës tënde, duhet vullnet shpërthyes të cilin askush nuk mundet ta ndalë dhe bllokojë, vullnet të cilin as ti vetë nuk mund ta ndalësh dhe bësh zap.

I katërti: Përjetoje objektivin dhe qëllimin tënd!

Kur e cakton qëllimin dhe objektivin tënd, përpiqu ta shohësh me të gjitha detajet, imagjinoje sikur është përmbushur, sikur ti je një pjesë e tij.

Imagjinata është hallka lidhëse mes arsyes dhe pavetëdijes.

Prandaj i dashur lexues, të këshilloj që të përpiqesh gjithmonë që ta bësh sa më prezent objektivin tënd, ta përjetosh deri në detajet më të imta. Kjo ndihmon që objektivi të instalohet dhe të bëhet pjesë e pavetëdijes tënde, gjë e cila do të japë më shumë forcë, zell dhe motiv për ta realizuar.

Metafizika pohon se mendja është si puna e një magneti, kur sheh se njeriu i përmbush objektivat e tij qoftë dhe me imagjinatë, ia tërheq edhe personat edhe mekanizmat edhe rrethanat ndihmuese për përmbushjen e këtij qëllimi.

I pesti: Merr vendimin!

Duke iu kthyer pikave të mësipërme, do të kuptojmë se e kemi përcaktuar qëllimin, kemi përcaktuar sa aktual është dhe mundësinë e përmbushjes. Pasi e shohim të qartë dhe të mundshëm për tu realizuar, tani vijmë tek pika tjetër e cila është boshti, vendimi për realizimin e qëllimit.

Vendimi i vetëdijshëm, të cilin do e marrësh me vullnet të flaktë, ka nevojë për nënshkrimin tënd, që të shndërrohet në realitet, që edhe ti por edhe të tjerët, ta përjetojnë. Tashmë, është koha që qëllimin ta zbresësh në aktualitet. Tregoju njerëzve që i do dhe beson se të duan, lidhur me vendimin që ke marrë. Kështu, ata do të munden të të ofrojnë mbështetje dhe ndihmë. Ky hap, është rruga jote për ta përjetuar ëndrrën dhe për ta shndërruar në një aktualitet të prekshëm.

I gjashti: Shkruaje ëndrrën tënde!

Unë nuk e njoh dhe nuk i pranoj objektivat e pa shkruar. Një objektiv dhe qëllim i pa hedhur në letër, do të thotë vetëm një dëshirë e bukur, asgjë më shumë. Sakaq, objektivat dhe qëllimet e hedhura në letër, janë aktualë dhe prezentë. Brajan Tresy, në librin e tij “Filozofia e përmbushjes së objektivave” thotë se:”Me penë dhe letër fillon gjithçka.” Kur ta përqafosh penën me gishtat e tu, ke vënë në efiçensë dy faktorë të fuqisë dhe energjive të tua si njeri; I pari, është faktori fizik, pasi ke kapur penën dhe ke filluar të lëvizësh dorën, kurse i dyti është racional, pasi arsyeja jote është e angazhuar me këtë objektiv të cilin e shkruan dhe e lexon. Njëkohësisht, zëri i brendshëm që buron nga pavetëdija, fillon dhe e përsërit gjithmonë e më shumë objektivin e shkruar.

I shtati: Caktimi i një kuadri kohor.

Imagjinoni bashkë me mua një ndeshje futbolli, e cila është pa asnjë limit kohor, kurdo mund të përfundojë. Është shumë e vështirë për ta imagjinuar, e aq më pak besuar. E njëjta gjë vlen dhe për objektivin dhe qëllimin e papërcaktuar në kohë, si për fillimin ashtu dhe për përfundimin e tij. Përcaktimi i kohës së fillimit dhe mbarimit për çdo qëllim, të mbush me energji si përkushtimi, zelli, fuqia etj…

Por, përcaktimi i kuadrit kohor, duhet të bazohet në baza aktuale, sipas aftësive dhe kapaciteteve të tua.

I teti: Njihu me kapacitetet e tua!

Sistemoje arsenalin e kapaciteteve dhe dhuntive të tua, njihu me aftësitë që posedon! Çdo qëllim kërkon mekanizmat e tij, prandaj njihu se cilat nga mekanizmat e përmbushjes së qëllimit tënd i ke dhe çfarë tjetër të duhet, njihe mirë veten tënde dhe bëj çmos që ti mbushësh të metat që zbulon në arsenalin e dhuntive.

I nënti: Studioji vështirësitë dhe ji i gatshëm!

Përderisa ke zgjedhur të ndjekësh rrugën e ambicieve, padyshim që do të përballesh edhe me vështirësi dhe pengesa. Suksesi nuk vjen krejt kollaj, përndryshe të gjithë do të ishin të suksesshëm. Vetëm ata që kanë aftësinë për të rezistuar dhe për qëndrueshmëri, vetëm ata që shohin larg në të ardhmen, duke i parashikuar dhe vështirësitë e pengesat, vetëm ata që u përgatiten surprizave, gëzojnë aftësinë e sfidimit dhe përmbushjes së ëndrrave të tyre.

I dhjeti: Hidh hapin e parë!

Zbriti objektivat e tu në tokë, në aktualitet. Gjithmonë, hapi i parë është i vështirë. Njeriut i duhet shumë forcë dhe motivim në fillimin e çdo gjëje apo qëllimi. Fillo tani me përmbushjen e ëndrrës dhe objektivave të tu, duke i zbritur ato në aktualitet. Ndërmerre hapin e parë pa hezitim dhe pa i zvarritur gjërat! Ky është treguesi dhe argumenti i fuqisë së qëllimit!

I njëmbëdhjeti: Vlerësoji planet e tua!

Një person, ishte nisur një ditë për në një destincacion të caktuar. Pasi ishte bërë gati dhe kishte marrë gjithçka që i duhej për udhëtim, u nis për rrugë. Edhe pse moti ishte i nxehtë, rruga e gjatë dhe me vështirësi, ai mbërriti në destinacion. Atje, gjeti një njeri të ulur, krejt i qetë dhe i patrazuar, i cili e shihte me keqardhje. Disi i revoltuar nga ai vështrim, personazhi ynë i tha:”Përse më shikon ashtu more zotëri?! A e di çfarë kam hequr për të mbërritur gjer këtu?! A e di se mezi më mbajnë këmbët?! Në vend që të më vlerësosh dhe të më kurajosh, ti më sheh me keqardhje e mëshirë!”

Burri i ulur, ia ktheu:”Ah i mjeri ti i mjeri! Po të kishe pyetur ndokënd, do të të kishte treguar se nuk ke fare nevojë që gjithë këtë rrugë ta përshkosh në këmbë. Është një tren që vjen e shkon çdo ditë për këtu. Do i kurseje vetes gjithë këtë kohë dhe mund.”

Prandaj, para se të hedhësh hapat dhe t’ia nisësh rrugës për përmbushjen e objektivit, sigurohu se ke pyetur, je këshilluar dhe je furnizuar me informacionin dhe përvojat e mjaftueshme, të cilat do të ndihmojnë gjatë rrugëtimit tënd. Vetëm kështu do i kursesh vetes mund, lodhje dhe kohë në gjëra të padobishme.

I dymbëdhjeti: Përkushtimi.

Më së shumti, njerëzit dështojnë jo për shkak se u mungojnë kapacitetet, por për shkak se u mungon përkushtimi. Tomas Edison, thoshte:”Shumë dështime të jetës, u përkasin atyre njerëzve të cilët nuk e kuptonin se janë shumë afër suksesit dhe mu për këtë, u dorëzuan dhe hoqën dorë.”

Kurrë nuk do të kishte mundur Edison që të na shërbejë më llambën elektrike, pa qenë i përkushtuar dhe i vendosur që tu shkojë gjërave gjer në fund, me gjithë dështimet e njëpasnjëshme. Kurrë nuk do të kishte mundur Disney të na ofronte qytetet e ëndrrave për fëmijët, nëse nuk do ti ishte përkushtuar totalisht projektit të tij.

Këta dhe shumë të tjerë, kanë dështuar me qindra herë, madje me mijëra herë, megjithatë, përkushtimi i plotë për përmbushjen e ëndrrës, është ai që i shtyu dhe motivoi për të mbërritur në bregun e suksesit, vendit të njerëzve të suksesshëm në këtë jetë.

Përktheu: Elmaz Fida

Dr. Ibrahim Fekij

Mrekullia sociale në nivel umeti

Ne të gjithë e dimë që islami i ka kushtuar vëmendje individit dhe ka ofruar zgjidhje të shumta për botën mbarë dhe për umetin tonë, me qëllim që t’a mësojë njeriun si të jetojë në shtëpinë dhe vendin e tij i lumtur dhe i gëzuar.

Islami ka ngritur një sistem të shëndoshë shoqëror për lidhjet mes njeriut dhe komshiut të tij, njeriut dhe prindërve, njeriut dhe familjes, madje edhe mes njeriut dhe sistemit politik, ekonomik dhe ambjentit.

Në shumë biseda që kam zhvilluar me perëndimorë, ata kanë mbetur të mahnitur nga rendi shoqëror islam. Ata vuajnë nga individualizmi i ngritur në perëndim. Shumë sëmundje individuale, edukative dhe morale, kanë lindur në Perëndim për shkak të varfërisë sociale.

Nga ana sociale, ne muslimanët jemi shumë të pasur dhe kjo i dedikohet Kuranit famëlartë dhe sunetit të Profetit a.s.

Kohët e fundit kam lexuar një studim mbi suksesin që ka korrur faqja elektronike www.youtube.com. Kjo faqe përmban video të shkurtra, të cilat shihen nga të rinjtë dhe të rejat. Çdo ditë, kjo faqe vizitohet nga tre milionë vizitorë. Nuk ka njeri që e hap internetin dhe të mos ketë hyrë në këtë faqe, qoftë dhe një herë. Studimi që lexova, fliste mbi sekretin e suksesit që ka korrur kjo faqe. Ndoshta edhe ju mund të habiteni ashtu siç u habita edhe kur lexova sekretin e suksesit.

Sekreti i këtij suksesi qëndron se kjo faqe trajton një problem social shumë të theksuar në perëndim. Sistemi perëndimor, i edukon njerëzit me individualizëm dhe vetëmbyllje. Sipas tyre njeriu duhet të jetë i lirë.

Çfarë risie solli www.youtube.com?

Të rinjtë dhe të rejat që kërkojnë shokë dhe miq, hyjnë në forumet e ndryshme të kësaj faqeje – arti, sporti, politika, ekonomia etj… – dhe japin opinionet e tyre mbi videot që shohin. Kështu, mund të themi se suksesi i kësaj faqeje qëndron në reagimet e vizitorëve rreth videove që shohin dhe në lidhjet që krijohen nga reagimet e vizitorëve.

Ashtu siç kemi mrekulli në nivel social, në islam kemi mrekulli edhe në nivel familjar, në nivelin shoqëror dhe në nivel të umetit.

Po ku qëndron mrekullia sociale në nivelin e umetit, në reformat që ndërmori i dashuri ynë, profeti Muhamed?”

Dr. Zaglul Nexhar:”Kur u dërgua profeti Muhamed a.s, njerëzimi e kishte humbur çdo lidhje me qiellin dhe udhëzimin hyjnor. Ata jetonin me bestytni dhe në një errësirë e cila kishte mbuluar tokën. Padrejtësitë dhe zullumet kishin kapluar çdo skutë dhe aspekt të jetës, ashtu siç i shohim sot në ditët tona.

Profeti Muhamed a.s filloi t’i ftojë njerëzit drejt moraleve të larta. Ai i ftonte që të njohin thelbin e jetës së njeriut mbi tokë. Ai i ftonte t’a kuptojnë që janë robër të Zotit, të krijuar për të përmbushur një mesazh dhe mision të caktuar. Ky mision dhe mesazh ishte adhurimi i një Zoti të vetëm, bindja ndaj urdhërave të Tij dhe zbatimi i ligjeve të Zotit në tokë.

Profeti a.s erdhi t’i ftojë njerëzit në fenë të cilën ia mësoi Zoti i madhëruar profetit dhe njeriut të parë mbi tokë Ademit a.s. Kjo fe është islami, fe edhe e të gjithë profetëve të tjerë të dërguar nga Zoti. Kjo fe u përsos dhe u plotësua përfundimisht me ardhjen dhe dërgimin e profetit të fundit, Muhamedit a.s.

Feja islame, i ka kushtuar një rëndësi të madhe rendit shoqëror dhe ndërtimit të një familjeje të shëndoshë islame, marrëdhënieve me të afërmit dhe bashkatdhetarëve me njëri-tjetrin. Ai i ka kushtuar rëndësi edhe vlerësimit dhe fisnikërimit të njeriut, duke e ngritur në shkallët më të larta të njohura prej Zotit të madhëruar.

Njeriu nuk mund të arrijë në shkallët më të larta të nderit, veçse duke kuptuar kush është ai në të vërtetë, kush është krijuesi i tij, kush e ka dërguar në këtë botë, cili është misioni i tij, si mund t’a përmbushë këtë mision në formën më të mirë dhe cili do të jetë përfundimi i tij pas kësaj jete.

Transformimi që bëri Profeti a.s, ishte i një lloji të rrallë. Ai i ktheu njeriut vlerësimin, moralet dhe fisnikërinë që i takon. Thotë Profeti a.s në një hadith:”Jam dërguar për të përsosur moralet e larta.”

Një nga këto morale është edhe përkujdesi për familjen, për jetën, mendjen, pasurinë, ruajtjen e marrëdhënieve mes njerëzve, si dhe për ngritjen e një shoqërie njerëzore e cila synon përsosjen shpirtërore.

Dr. Xhasim El-mutava:”Atëherë, Profeti ynë i nderuar – paqja e Zotit qoftë mbi të – ndërmori reforma sociale të thella. Ai arriti t’a nxjerrë shoqërinë arabe nga një shoqëri pasive në aktive, nga imituese në lidershipe. Diçka e tillë padyshim që është një mrekulli. Sot popujt dhe shtetet luftojnë për t’a arritur këtë. Si ka qenë Kina më parë dhe si është ajo sot. Si ka qenë Korea dhe si është sot. Si ka qenë Japonia dhe si është ajo sot. Si ka qenë Malajzia dhe si është ajo sot.

Të gjithë civilizimet dhe shtetet luftojnë me qëllim që të dalin nga imitimi dhe pasiviteti në aktivitet dhe udhëheqje. Padyshim që kjo është diçka thelbësore në zhvillimin e kombeve.

Profeti Muhamed a.s i nxorri arabët nga prapambetja dhe injoranca, në civilizim dhe shkencë. Ai pushtoi zemrat e njerëzve, para se të pushtojë tokat dhe vendet e tyre.

Kush e imagjinon dot që Profeti Muhamed a.s, i dërguari i Zotit tek njerëzit dhe udhëheqësi i shtetit musliman, e kishte lënë mburojën e tij peng tek një çifut? Ai e kishte lënë mburojën peng tek ky çifut, derisa t’i paguajë të hollat për elbin e blerë. E kush mund t’a besojë sot se presidenti i një vendi, ka lënë armët e tij peng tek një nënshtetas i tij?

Kjo është tregues se Profeti a.s para se të depërtojë në tokat e njerëzve, kishte depërtuar në zemrat e tyre. Kjo është një mrekulli e re sociale, pasi përbën një trasformim shoqëror.

Rasti i mësipërm është tregues se çifuti besonte në fjalën dhe premtin e Profetit a.s. Ai është tregues se pakicat fetare gëzonin të gjithë të drejtat dhe nuk diskriminoheshin.”

Dr. Zaglul Nexhar:”Më kujtohet që jam takuar me një profesor historie nga Amerika, i cili kishte përqafuar islamin. Kur e pyeta mbi historinë e islamit të tij, më tha:”Vendosa të konvertohem në musliman, pasi dëgjova përshkrimin që i bënte profetit Muhamed a.s, e shoqja, Hadixheja. Kur Profetit a.s iu shfaq Xhibrili për herë të parë në shpellën Hira, ai u kthye i frikësuar dhe i shqetësuar në shtëpi. Pasi e dëgjoi çfarë i kishte ndodhur të shoqit, Hadixheja i tha:”Jo për Zotin! Nuk të lë në baltë ty Zoti. Ti i ruan lidhjet farefisnore, respekton mikun dhe ndihmon hallexhinjtë në hallet e tyre.”

Ajo ishte një grua që jetoi me të shoqin për njëzet vite rrjesht. Njeriu mund të pispilloset dhe të sillet mirë jashtë shtëpie, por brenda shtëpie e ka të pamundur t’i fshehë të metat e tij. E shoqja din gjithçka rreth burrit të saj, të mirat dhe të këqijat, negativet dhe pozitivet. Padyshim që një grua që e përshkruan të shoqin me fjalët e mësipërme, ka pasur një bashkëshort të përsosur dhe shumë të moralshëm. Nuk ka asnjë dyshim që ai ka qenë një njeri me virtyte të lartë, i pazakontë dhe i veçantë. Kjo më shtyri të lexoj rreth biografisë së profetit Muhamed a.s dhe më pas pranova islamin.”

Unë dua të theksoj se të gjithë depërtimet islame në zonat përreth dhe më larg, bëheshin për t’i kthyer njeriut fisnikërinë që i takonte. Nëse njëriu lihet larg lidhjeve me Zotin, kthehet në një krijesë të pavlerë, madje bie më poshtë se kafsha. Çdo ndërhyrje ushtarake që ka bërë Profeti a.s në territoret e tjera, bëhej për t’i kthyer njeriut dinjitetin dhe fisnikërinë me të cilën e ka nderuar Zoti. Këto ndërhyrje nuk bëheshin për përfitime ekonomike, as thjesht për të zgjeruar territoret dhe as për të zhvatur pasuritë e tyre. Jo. Ai synonte të ndërtojë njeriun e ri.

Islami nuk është përhapur me tehun e shpatës siç pretendojnë armiqtë e islamit. Nëse do të ishte përhapur me tehun e shpatës nuk do të kishte mbetur në këmbë asnjë hebre apo i krishter. Të gjithë ithtarët e feve, kanë jetuar në paqe mes muslimanëve, duke gëzuar të drejtat e tyre të plota si bashkëkombas të muslimanëve. Muslimanët u mësuan njerëzve të tjerë se kush ishin, kush ishte Zoti i tyre i vërtetë që i kishte dërguar në këtë botë, cili ishte mesazhi që duhet të përmbushnin para se të ndahen nga jeta, si duhej t’a përmbushnin në formën më të mirë dhe çfarë i priste pas vdekjes.

Pa këto vlera, njeriu bie në nivelin e kafshëve, madje më poshtë, pasi kafshët e njohin krijuesin e tyre në mënyrë të natyrshme.

Prof. Xhasim El-mutava:”Kush do e imagjinonte se një profesor historie amerikan, do të pranonte islamin nga gruaja e Profetit a.s, Hadixheja?! Nuk ka dyshim se fjalët me të cilat ajo e qetësoi Profetin a.s, ishin prekëse dhe ngushëlluese. Unë dua t’i përsëris edhe një herë këto fjalë:”Jo për Zotin! Nuk të lë në baltë ty Zoti. Ti i ruan lidhjet farefisnore, respekton mikun dhe ndihmon hallexhinjtë në hallet e tyre.”

Unë i kam studiuar këto fjalë dhe pashë që të gjithë kishin lidhje me aspektin social. Le t’i analizojmë shkurtimisht!

Ajo i tha Profetit a.s se Zoti nuk do e linte në baltë. Por përse vallë? Sepse ai shkonte mirë dhe i ruante lidhjet farefisnore dhe të gjakut. Lidhjet farefisnore dhe të gjakut kanë një rëndësi shumë të madhe për një shoqëri të konsoliduar. Po kështu, është edhe ndihma që i ofrohet një hallexhiu, lëmosha që i jepet një të varfëri dhe respektimi i mikut.

Të gjithë këto shërbime sociale të Muhamedit a.s para se të bëhej profet, ishin pjesë e natyrës së tij. Të gjithë këto morale dhe virtyte, ishin garanci për të gëzuar mbrojtjen dhe përkrahjen e Zotit të madhëruar.

Kur dëgjoi fjalët e të shoqit, Hadixhes – Zoti qoftë i kënaqur me të – sikur i kaloi para sysh i gjithë shiriti i jetës.

Ajo kishte pranuar të martohej me Muhamedin a.s me t’ia kërkuar ai diçka të tillë. Asokohe ai ishte njëzet e pesë vjeç, ndërsa tani ishte dyzet. Pesëmbëdhjetë vite martesë kishin kaluar sa hapa e mbyll sytë.

Në ato çaste, ajo iu referua jetës mes tyre përgjatë pesëmbëdhjetë vitesh. Ajo ishte një jetë e mbushur me kontribut social, ku u jepte të varfërve, ndihmonte hallexhinjtë, respektonte miqtë etj… Duke pasur parasysh këto morale dhe vlera, ajo e siguroi se Zoti nuk do e zhgënjente dhe nuk do e linte në baltë.

Kjo është një arsye mëse e mjaftueshme që një profesor amerikan të pranojë islamin.”

Dr. Zaglul Nexhar:”Me morale dhe virtyte të tilla, profeti Muhamed a.s arriti t’i transformojë arabët nga ashpërsia e shkretëtirës drejt butësisë dhe krenarisë, nga egoizmi drejt cilësive më të mira. Ashtu siç i promovoi dhe zhvilloi ato vlera që ekzistonin mes arabëve, si bujaria, mipritja, trimëria etj…

Në marrëveshjen e Hudejbijes, muslimanët nuk u lejuan të kryejnë tavafin në Qabe, për të cilin kishin ardhur. Profeti a.s dërgoi Uthman ibnu Affanin me qëllim që të bisedojë dhe të bie në ujdi me kurejshët. Gjatë kohës që Uthmani ndodhej në Meke për të biseduar, kurejshët e lejuan që të vizitojë Qabenë dhe të bëjë tavafin. Por Uthmani ua ktheu:”Për Zotin unë nuk bëj tavaf pa e parë Muhamedin të bëjë tavaf më parë.”

Kjo ishte një nga format me të cilat shprehet dashuria që shokët dhe muslimanët kishin për Profetin a.s.

Më pas, kurejshët dërguan një delegacion që të bisedojë me Profetin a.s. Kur delegacioni u kthye, kryetari i delegacionit u tha kurejshëve:”O kurejshë! Siç e dini, unë kam vizituar dhe perandorinë Perse dhe vetë perandorin Kisra. Ashtu siç kam vizituar dhe çezarin e Romës dhe Nexhashiun e Abisinisë. Për Zotin nuk kam parë njerëz që e duan dhe respektojnë të parin e tyre, ashtu siç bëjnë muslimanët me Muhamedin.”

Një dashuri dhe respekti i tillë i kishte rrënjët tek mënyra me të cilën i kishte edukuar Profeti a.s muslimanët. Ai kishte arritur të përcjellë tek ta vlerat dhe moralet më të larta. Sahabët garonin për t’a nderuar dhe respektuar Profetin a.s. Ata garonin edhe se kush t’a mbrojë atë në rast rreziku.

Profeti Muhamed a.s u dërgua për të përsosur moralet më të larta. Madje, ai e përkufizonte fenë si përsosje të moraleve të larta. Ai thoshte:”Feja është morali i mirë.” “Nuk ka fe kush nuk mban amanetin.” “Nuk ka fe kush nuk ka moral të mirë.”

Adhurimet dhe ritet fetare, nuk janë gjë tjetër veçse metoda për përsosjen e moraleve dhe pastrimin e shpirtit. Një musliman, sado të falet, të agjërojë dhe të lutet, nëse këto nuk reflektojnë në moralin e mirë, nuk e ka besimin e plotë.

Prandaj, ajo që profeti Muhamed a.s i ofroi njerëzimit është se i ktheu dinjitetin dhe fisnikërinë, me të cilën e ka nderuar vetë Zoti. Dinjiteti nuk kufizohet vetëm tek vlerat morale dhe edukative. Tek dinjiteti hyn edhe të kuptuarit e misionit të njeriut mbi tokë dhe se ai është rob i Zotit dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e jetës mbi këtë planet dhe zbatimin e ligjeve dhe drejtësisë së Zotit.

Prof. Xhasim El-mutava:”Një herë, isha nisur me avion për të mbajtur një ligjëratë. Pranë meje ndodhej një i huaj dhe unë u prezantova me të. Gjatë rrugës, filluam të diskutojmë rreth islamit. Ai filloi të bëjë shumë pyetje dhe në një moment më tha:”Kam vënë re se numri i atyre që pranojnë islamin është shtuar ndjeshëm.”

Unë e pyeta:”A e din çfarë më bën mua përshtypje?”

Ai u përgjigj:”Jo.”

Unë i thashë:”Pasioni i mediave për të deformuar imazhin e islamit. Megjithë ekzistencën e këtyre mediave, megjithë ekzistencën e ftuesve muslimanë të cilët më shumë e dëmtojnë islamin se i sjelli dobi, islami përhapet më shumë se çdofe tjetër. Vallë si do të ishte situata nëse mediat do të flisnin në favor të islamit dhe ftuesit muslimanë të ishin më të aftë, duke ofruar një islam të mesëm, pa ekstremizma, ashtu siç është islami në të vërtetë?

Vetëm në Amerikë, numri i atyre që pranojnë islamin është njëzet mijë në vit. Ndërkohë që në Itali hapen çdo vit njëqind faltore dhe xhami të reja.

Ne sot kemi nevojë t’i prezantojmë njerëzit me forcën e Kuranit dhe mrekullitë e tij shkencore, historike, mjekësore dhe sociale.

Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!

Xhasim El-mutava

NDËRTUESIT E LAVDISË

Ndërtuesit e lavdisë janë ata njerëz që lanë gjurmët e tyre në këtë botë. Që gdhendën emrat e tyre në regjistrin e lavdisë. Nëpërmjet mirësisë dhe dobisë ata përfaqësuan popujt e tyre dhe lanë mbrapa vetes trashëgimi të bekuar e të lavdishme tek brezat që erdhën pas.
Kushdo qoftë njeriu i suksesshëm dhe në çfarëdo lëmie të jetës qoftë suksesi i tij, ai radhitet te ndërtuesit e lavdisë. Ndërsa nga shpjegimi islam, të lavdishmit duhet të kenë disa cilësi siç janë: Të jetë Allahu i kënaqur me këtë njeri. Veprimtaria e tij të jetë e dobishme dhe ata që e rrethojnë të jenë të kënaqur prej tij.

I suksesshmi në jetën e tij është ai që ka besuar dhe pranuar Allahun si Krijues të gjithçkaje. Sepse i shkatërruari sipas islamit nuk konsiderohet i suksesshëm. Nuk konsiderohet sukses i lavdëruar, ai i njeriut që lufton emrin e Zotit dhe fjalën e Tij. Apo devijon mësimet e Tij dhe shtrembëron faktet e Tij. Nuk konsiderohet sukses i vërtetë ai i tiranit, të prishurit dhe kriminelit, i cili i dëmton njerëzit dhe bëhet shkak për vuajtjet e tyre pavarësisht arritjeve dhe ofertave të tij.

I suksesshmi i vërtetë përveç siguri për veten e tij, ai po ashtu ofron siguri dhe paqe për njerëzit që jetojnë rreth tij.

Ndaj për këtë Allahu i Madhërishëm në Kuranin Fisnik ka përmendur të suksesshmit e lavdëruar dhe të shpëtuarit, duke shpallur: “Ata të cilët kanë besuar dhe nuk e kanë pështjelluar besimin e tyre me padreitësi. Ata do të fitojnë sigurinë dhe ata janë të udhëzuarit” (Enamë: 82)

Po u’a përcjell disa shembuj të njerëzve të suksesshëm në jetë:

Sundimtari i drejtë i cili e shpërndan të mirën dhe i mëshiron njerëzit, punon me drejtësi dhe mban qetësi, ky është i suksesshëm dhe nderohet në dunja dhe ahiret.

Dijetari monoteist i cili kërkon dhe gjurmon për hir të Zotit, i cili studion dhe punon me diturinë që ka. U’a mëson njerëzve yjet në qiellin e virtyteve, mirësinë dhe ndryshimin për të mirë.

Mjeku i mprehtë i cili e këshillon dhe udhëzon të sëmurin, e kontrollon me kujdes dhe përpiqet për shërimin e tij. Ky është i respektuar dhe i nderuar.

Inxhinieri i cili kontribuon me idetë dhe përpjekjen e tij në ndërtime dhe strukturime. Njeri eminent që zë vend në regjistrin e fisnikëve.

Shkrimtari i talentuar, i cili me pendën e tiji vizaton shkronjat e vetëdijes dhe rilindjes, reformës dhe lufton të ligën. Ai është qiell që shkëlqen dhe që regjistrohet në listën e të shkëlqyerve duke marshuar drejt ngjitjes, kontributit dhe suksesit.

Shto këtu edhe pjesëmarrësit e tjerë të cilët shquhen në ndërtimin e jetës në tokë, të ndershëm e të lavdëruar duke nisur nga bujku, ushtari, ndërtimtari, gazetari dhe të tjerë.

Ndërtuesit e lavdisë nuk kanë nevojë për reklama dhe publicitet duke marrë me qera lapsat e shkruesve dhe blerë ndërgjegjen e fisnikëve. Por përpjekja e tyre e bekuar dhe veprimtaria e tyre e falenderuar, gjurmët e tyre të bukura, kanë shkruar emrat e tyre në kujtesën e popullit, në tryezën e vatanit dhe në divanin e pionerëve.

Kush është ai i cili mundet ta fshijë një emër që është simbol i historisë? Mbasi ka përfaqësuar popullin e tij me punë të ndershme, ai ka lënë gjurmë të përjetshme nëpërmjet të cilave u bë i famshëm tek të mençurit. Kush është ai, i cili mundet ta ngrejë një dështak, një përtac, një të mpakur, një gjysmak dhe ta bëjë atë të qëndrojë në rreshtin e parë së bashku me udhëheqësit e shkencës, mendimit e zhvillimit?
Dielli në mes të ditës nuk ka nevojë për poezitë e shurdhmemecëve që ta lavdërojnë atë, sepse ai i’a ka imponuar lavdërimin dhe dashurinë gjithë universit.
Po ashtu as hënës së plotë nuk i’a shtojnë ndriçimin lavdërimet dhe lajkat. Në lidhje me këtë miku ynë ebü Tajib el-Mutenebbiu thotë:
“Kush vendin e ka mbi diellin përcëllues,
Nuk ka gjë që e ngre e as që e përul.
Në disa libra është përmendur një nomad arab të une ka zënë nata në një luginë. Aty kishte shumë errësirë aq sa udhëtari mbetet në vend i hutuar. Por befas shfaqet hëna dhe ai kthen fytyrën drejt saj i gëzuar dhe i thur këto lëvdime:
“O hënë! Nëse do të thoja: “Të lartësoftë Allahu, Ai tashmë të ka lartësuar, Nëse do të të them të zbukuroftë Allahu, Ai tashmë të ka zbukuruar. Atëherë më mirë po të them të shpërbleftë Allahu”.

Në kohën e tabiinëve një ordiner e shau prijësin e myslimanëve Ali ibn ebi Tâlib dhe njëri prej njerëzve të dijes i tha: “O njeri! Aliu ka arritur famën dhe ngritjen tek Zoti. Po ashtu edhe tek njerëzit. Aq sa nuk i sjell dobi lavderimi e as sharja. Dije se Aliu ka fituar kënaqësinë e Allahut dhe Ai e ka futur në Parajsë. Nuk ka gjë që e dëmton atë?” Ai që shante heshti sikur të gjuhej me gurë.

Qëllimi ishte për të thënë se të suksesshmit u mbështetën në Zotin e Vetëm e më pas në potencialet e tyre individuale. Dhanë shumë mund dhe përpjekje e ushtrime, pastaj botës i prezentuan sukseset, djersët dhe bekimet e tyre. Si dhe lavditë dhe gjurmët e mëdha që lanë pas.
Profeti Ibrahim a.s. ka thënë: “Më bëj mua të përmendem tek të tjerët”. Në shenjë mirënjohje, lëvdate, mirësie dhe përkujtimi të bukur.

Çelësi i Suksesit nga Aid El Karni | Përktheu Agron Islami

KUSH ËSHTË I GJYMTUARI I VËRTETË?

Shumica e njerëzve besojnë se i gjymtuari i vërtetë është ai që ka humbur mundësitë elementare për një jetë normale. Kjo kategori njerëzish që jeta i ka sprovuar me aftësi të kufizuara janë të shpërblyer në fenë Islame. Ata kanë statusin e tyre të kujdesit, respektit dhe mbështetjes. Ndërsa i gjymtuari i vërtetë është ai që ka defekt të qëllimshëm në mendje. I ka të ngurtësuara shqisat dhe i ka të vdekura ndjenjat. Jeton si njeri i pavlerë dhe i paaftë.
Kush nuk mendon me mendjen e tij, kush nuk beson me zemrën e tij, kush nuk ec në rrugën e lavdisë dhe të njerëzillëkut, është pa dyshim i gjymtuari i vërtetë.
Ndërsa sa u përket atyre që janë sprovuar me aftësi të kufizuara trupore, ka ngjarë që të ishin motiv për epërsi.
Kam lexuar për njerëzit e mëdhenj të botës dhe arrita të zbuloj se shumica nga ata kanë qenë me aftësi të kufizuara fizike. P.sh, Ibn Abasi, dijetari universal i bashkësisë islame u verbua nga fundi i jetës së tij. Katadeja po ashtu ishte i verbër. Ata ibn ebi Rebah- xhevahiri i diturisë, ishte jo i pashëm. Zamahsheriu ishte çalaman. Roosevelti
po ashtu kishte probleme në ecje. Bethoveni i shurdhët. E sa shumë të tjerë patën jetuar në gjendje jo të favorshme ekonomike, familjare, shëndetësore e sociale. Megjithatë, ata e ndriçuan botën me lavdi, suksese dhe lanë gjurmë të bukura kudo.

Ndërsa tek ne sheh mijëra të rinj të fortë, të plotë të shëndoshë, të trashë, të mbushur e të plotësuar, aq sa mund të dalin në dyluftim me demin, ta kthejnë gomarin në shpinë. Mirëpo ata janë vërtet dështakë në të githa fushat e jetës. Qoftë në shkencë e zanate, ashtu edhe në arsim, në besim, në edukatë dhe në moral. Sikur nuk janë piesë e jetës ku frymon gjallëria!
Allahu i ka qortuar dhe zhvlerësuar hipokritët, ndonëse kishin trupa të fuqishëm dhe flisnin në mënyrë elokuente. Sepse në të vërtetë ata kanë karaktere të rënda dhe biografi që s’merret shembull.

Botës i duhen mendje inteligjente, mendime të ekuilibruara, moral dhe ambicie e mprehtë. Ndërsa kur është fjala tek skeletet dhe trupat e pa shpirt, pa ndjenja dhe pa dritë, ato nuk janë më shumë se një barrë e rëndë dhe një kob për njerëzinë.
Kemi takuar njerëz nga ata me nevoja të veçanta, të cilët qenë bërë histori më vete. Ata u bënë pjesë e bisedave dhe ndryshimeve të mëdha, shembuj spektakolarë në virtuozitet e stoicizëm. Njëri nga ata kishte fituar -pavarësisht paralizës të tij- titullin doktor shkence.

Tjetri kishte shkruar një raft me libra duke ndenjur ulur në karrocë.
Kanali Ikra ka bërë një emision special kushtuar njerëzve me nevoja të veçanta. Aty dëgjuam histori të mahnitshme të mjeshtërisë që hapnin portat e shpresës. Nga histori të tilla të freskohet gjoksi dhe demoralizimi kthehet në fuqi e optimizëm.

Përgëzime për të sfiliturit fizikë, por të shëndoshë në shpirt dhe të përndritur në mendje. Urime për ata që nga limoni bënë pije të ëmbël. Paqe mbi ata që humbjet i shndërruan në fitore, që nuk i gjunjëzoi fati dhe nuk i përuli sfida.
I gjymtë është ai që i shkeli me këmbë dhe i shtyu tutje dhuntitë e Allahut dhe jetoi i pavlerë dhe vdiq po ashtu.
O ju vëllezër dhe motra që e konsideroni veten si njerëz me nevoja të veçanta. Ju nuk keni asnjë gjymtim. I gjymtuari i vërtetë është dështaku, përtaci, i cili jetoi pa asnjë mesazh. Ai që frymon pa asnjë synim madje është edhe llafazan dhe jo premtues në librin e jetës.

Çelësi i Suksesit nga Aid El Karni | Përktheu Agron Islami

SUKSESI DHE ANIJA E JETËS

Suksesi është udhëtim. Është sikur të hipësh në një anije dhe të lundrosh me të duke synuar cakun. Gjatë këtij udhëtimi do të ketë vështirësi, valë, dallgë, përplasje, lëkundje dhe erëra të forta, gjë që na kujton se edhe vetë jeta është kështu, me të tilla kthesa, tatëpjeta e rrëshqitje.

Jeta është flijim, luftë, përpjekje, orvatje dhe mund, jeta është dhënie dhe marre, fitim dhe humbje, lumturi dhe mërzi, jeta është e tillë sikur je duke udhëtuar qetë me anije në det, befasisht vijnë valët dhe përplasen fuqishëm tek ti, të lëkundin, të trembin, të frikësojnë, të fusin tmerrin, por ai që vërtet do suksesin dhe ndeshet me këtë gjendje, ai sakrifikon, vazhdon, ec, e çan udhën, ngase siç thonë kinezët “i uluri mbi tokë nuk rrëzohet”. Ai që nuk do suksesin, nuk përpiqet, ai madje as që gjen veten në këtë rrugëtim. Ai që synon të jetë i suksesshëm, gjithnjë shoqërohet me besim të thellë në Zotin Një, ka ambicie dhe entuziazëm të flaktë.

Zoti shpalli në Kuran:”O Jahja! Merre librin me të gjithë forcën që ke !”. (Merjem: 12)
Pra, merre librin me vendosmëri, me seriozitet, me ngulmim! Cilin libër? Librin e besimit, librin e fitores, librin e suksesit, merre me forcë atë dhe asnjëherë mos ndalo!
Kurse përtacët, gjumashët, ata madje as që jetojnë, sepse ata akoma nuk kanë hipur në anijen e jetës, nuk kanë hipur akoma e as që mund ta drejtojnë timonin e saj. E si pra, ata të kenë sukses?!

Suksesi ka nevojë që fillimisht të hipësh në anijen jetës, të thuash “bismilah” dhe të brohorasësh, se s’ka për mua hamendje, por ka vetëm rrugëtim dhe kjo duke e shfrytëzuar si karburant besimin në Zotin Një.

Çdokush që e lakmon suksesin, dëshiron të përshendetet nga dielli dhe nga yjet, medoemos atij i duhet që të hipë në anijen e jetës, të shohë, të vëzhgojë dhe të kuptojë. Se nëse nuk lëviz këmbët, anija ndalet, arritja për tek ëndrra vonohet, ndërsa nëse i lëvizë ato, ajo vazhdon,edhe nëse përmbysesh dhe rrotullohesh, përsëri kthehu, merr frymë dhe hip prapë, sepse kështu është jeta.
Çdo i suksesshëm bie dhe ngrihet, bie dhe ngrihet;
Derisa kështu një ditë te yjet të ngjitet!

I suksesshmi e vlerëson kohen, e çmon atë, e shfrytëzon atë duke mësuar, vepruar, shkruar, punuar, planifikuar, memorizuar, lexuar, kurse dështaku, vrasësi i saj mbetet gjithnjë në rreshtin e fundit. Koha është toka ku hidhet fara e suksesit dhe e punës.
Një njeri që brenda një minute nuk mund të bëj diçka të bukur dhe të dobishme, realisht ai është njeri që nuk di ta vlerësojë kohën. Ndaj edhe e le atë të kalojë bosh!

Çelësi i Suksesit nga Aid El Karni | Përktheu Agron Islami

Psikologjia e burrit

A ekzistojnë tipare të cilat i dallojnë qeniet humane që i përkasin seksit mashkull? A ekzistojnë tipare të cilat i dallojnë qeniet humane të seksit femër? A është çdo burrë një rast më vete, me cilësi dhe karakter specifik? A ekzistojnë kode që e ndihmojnë femrën ta kuptojë më mirë burrin, përderisa është e detyruar të ndërveprojë me të?

A është burri një qenie humane, ashtu siç është dhe gruaja dhe mes tyre nuk ekzistojnë dallime bazuar në lloj, por vetëm në natyrën e secilit dhe mjedisin ku janë rritur?

Bazuar në studimet, hulumtimet dhe historinë e burrit ndër shekuj, gjejmë disa tipare dhe kode të caktuara që e bëjnë unik seksin mashkull dhe e lehtësojnë kuptimin e mënyrës si mendon dhe si sillet. Mesa duket, këto tipare të përbashkëta kanë rrënjë biologjike dhe rrënjë që i përkasin rolit të tij në shoqëritë e ndryshme. Ajo për të cilën nuk ka dyshim, është se përbërja fizike, muskulore, hormonet mashkullore, rolet që ka luajtur gjatë historisë si puna e rëndë, mbrojtja e familjes, lufta, administrimi dhe kujdesi për familjen etj… e bëjnë burrit të dallueshëm nga gratë. Por kjo nuk i hedh poshtë dallimet individuale brenda seksit mashkull, ashtu siç i gjejmë edhe tek seksi femër.

Tani, do të pasqyrojmë tiparet e përgjithshme dhe më kryesoret, të cilat na ndihmojmë të dëshifrojmë personalitetin e burrit:

1 – Tipari mashkullor. Në fillimet e historisë njerëzore, perënditë që krijoheshin nga njerëzit, u jepej forma femërore. Një shenjtërim kaq i madh për femrën, bazohej tek aftësia e saj e lindur dhe për të zgjatur jetën me brezat e rinj.

Por me kalimin e kohës, burri zbuloi se gruaja e kishte të pamundur lindjen pa ndihmën e tij. Madje, e vetme ajo nuk mund të mbrohej nga egërsirat, e aq më pak të mbronte familjen. Sakaq, burri gëzonte fuqinë fizike dhe psikologjike për tu përballur me armiqtë dhe rreziqet. Që atëherë filloi transformimi në mënyrë të përshkallëzuar. Kështu, në disa periudha historike, gjejmë që busti dhe statuja e burrit, është ekuivalente me atë të gruas. Situata evoluoi derisa statuja e burrit triumfoi mbi statujën e femrës, si pasojë e zbulimit të aftësive burrërore për dominancë, kontroll, ndryshimin e ngjarjeve etj… sakaq gruaja filloi të merrej me çështjet e shtëpisë dhe edukimin e fëmijëve. Që këtu, filloi të marrë jetë ideja e dallimeve mes dy sekseve. Kështu, burrat  ndiheshin të lumtur, ashtu siç ndiheshin dhe vetë gratë, të  cilat ishin të ndërgjegjshme se zotëronin karakteristika të një lloji tjetër, të përshtatshme për formimin dhe rolin e saj.

Ajo që ndodhi është se në disa epoka të ndryshme historike, sidomos në ato epoka të civilizimit të pazhvilluar, burrat e ekzagjeruan me specifikat e tyre mashkullore, saqë çështja arriti në një gjendje euforike dhe superioriteti maskilist. Nga ana tjetër, burri u orvat ta varrosë gruan, si nw aspektin psikologjik dhe herw tw tjera fizik. Ai ia uli vlerat dhe e konsideroi një krijesë të dorës së dytë, e cila shërbente për punë dhe për të kënaqur burrin.

Ky imazh diskriminues që bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe moraleve, si dhe me mësimet hyjnore të fesë së drejtë, e nxiti gruan të brofë në këmbë në mbrojtje të drejtave të saj. Që këtu lindën lëvizjet emancipuese, të cilat synonin ti kthejnë gruas dinjitetin dhe të drejtat e mohuara nga burrat despotë. Ajo që ndodhi është se disa nga këto lëvizje, e tepruan me kërkesat e tyre dhe me apo pa qëllim, u orvatën ta shndërrojnë gruan në burrë, me pretekstin e barazisë. Ky orientim e privoi gruan nga specifikat e saj femërore, të cilat janë sekreti i ekzistencës së saj. Tashmë çështja u shndërrua në një luftë për ekzistencë dhe rivalitet mes burrit dhe gruas, ku të dy palët ishin humbës, si burri dhe gruaja. Ata humbën specifikat e tyre me të cilat i ka pajisur Zoti, të përshtatshme për rolin e secilit. Meqë si burri dhe gruaja janë krijesa të Zotit, është e paimagjinueshme që Ai të mbajë anën e njërit prej tyre në kurriz të tjetrit. Secili prej tyre ka role, misione dhe detyrime të cilat përkojnë me mesazhin e njeriut në tokë. Burri i ndjen brenda vetes specifikat e tij mashkullore, të cilat e shtyjnë të marrë në dorë udhëheqjen e familjes, përkujdesjen për gruan dhe familjen. Në bazë të kësaj, ai adapton konceptin e autoritetit, koncept ky i thellë në psikologjinë e burrit. Këtë parim e kanë konfirmuar të gjithë fetë qiellore, si diçka të natyrshme dhe të domosdoshme për mbarëvajtjen e jetës. Çdo organizatë dhe projekt ka nevojë për një udhëheqje të shëndoshë, të pjekur dhe eksperte. Përderisa institucioni i familjes është institucioni më i rëndësishëm social gjatë gjithë historisë njerëzore, vlen ti kushtohet rëndësi autoritetit kryesor të saj. Është vërtetuar shkencërisht që burri – në shumicën e rasteve – është më i përshtatshëm për këtë rol, për vetë tiparet fizike dhe aftësisë për punë të rëndë, fitim pasurie, përkujdes për familjen dhe maturi në marrjen e vendimeve.

2 – Autoriteti. Ai konsiderohet si shpirti i burrërisë. Nëse gruaja rreket që t’ia rrëmbejë, duke e rivalizuar burrin në këtë pikë, në fakt, ajo po i rrëmben burrërinë. Pas kësaj, ajo nuk do të gjejë tek i shoqi çfarë e tërheq. Ai shndërrohet në njeri të dobët, i zbrazët dhe të pa meritueshëm për titullin princ i ëndrrave të saj. Një grua normale nuk e ka aspak problem autoritetin e të shoqit po normal, cilësitë burrërore të cilit ia bëjnë më të lehtë kryerjen e kësaj detyre. Autoriteti që ceket në Kuran, është i kushtëzuar me këtë specifikë. Thotë Zoti i lartësuar:” Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” (Nisa, 30)

Prandaj, me qëllim që burrit ti besohet autoriteti i lartpërmendur, duhet të ketë cilësi dhe aftësi fitimprurëse, me qëllim që të plotësojë nevojat e familjes për konsum. Në të kundërt, kur personaliteti i tij ka pësuar ndonjë çrregullim, nuk i ka cilësitë e duhura, me aftësi të kufizuara, është barrë për gruan dhe familjarët, atëherë ky autoritet mund ti besohet gruas që është më e fuqishme për tu përballur me sfidat dhe ligjet e jetës.

Vlen të themi se autoriteti këtu nuk duhet të kuptohet si superioritet, as diktaturë, imponim apo injorim të gruas, ashtu siç e kanë kuptuar disa burra. Në fakt, autoriteti është përkujdesje, përgjegjësi, udhëheqje logjike dhe e drejtë, respekt i vullnetit të gruas dhe dinjitetit të saj si bashkëshorte e jetës dhe bashkudhëtare e rrugës. Një grua normale ndihet mirë me autoritetin e pjekur dhe të drejtë të burrit, autoritet i cili përkthehet si aftësi e burrit të saj për tu përkujdesur për të, për ta trajtuar mirë, mbrojtur dhe plotësuar nevojat. E gjitha kjo, me qëllim që ajo ti përkushtohet nevojave dhe përkujdesit për fëmijët. Një grua që synon autoritetin e të shoqit, do të vuajë rëndë, nëse është normale dhe jo perverse. Kur ajo të ndjejë se i shoqi ka humbur burrërinë e tij, do të shohë se edhe ajo vetë ka humbur feminizmin e saj karakteristik.

3 – Poligamia e burrit, kundrejt monogamisë së gruas. Poligamia e burrit është e lidhur me tiparet e tij fiziologjike, psikike dhe sociale. Burri ka prirje për tu lidhur emocionalisht dhe ndoshta edhe seksualisht me më shumë se një grua. Por kjo nuk do të thotë se ai u përgjigjet këtyre ndjenjave. Një burrë i pjekur dhe i ekuilibruar, merr shumë gjëra në konsideratë para se të hedhë hapin në përmbushjen e nevojave të tij biologjike dhe psikologjike. Ndoshta pas kësaj natyre poligamike të burrit, mund të fshihet dhe aftësia më e madhe emocionale dhe seksuale e burrit, në krahasim me gruan. Burri nuk kalon periudhë menopauze, hormonet seksuale vazhdojnë prodhimin dhe aftësia seksuale nuk ndërpritet. Kjo, edhe pse këto aftësi mund të dobësohen në mënyrë të përshkallëzuar me shtyrjen në moshë, por kurrë nuk shuhen. E kundërta ndodh me gruan, pasi funksioni i dashurisë dhe seksit lidhen me shtatzëninë, lindjen dhe integrimin e plotë në edukimin e fëmijëve. Kjo pasohet nga ndërprerja e menstruacioneve, rënia e prodhimit të hormoneve femërore, e shoqëruar me ndryshime biologjike. Kjo e bën gruan më të prirur drejt monogamisë, me qëllim që të garantojë stabilitetin e lipsur për edukimin e fëmijëve. Kësaj shtoji ndryshimet e jetës biologjike të saj, për të cilat i nevojitet një kujdestar i qëndrueshëm dhe stabil, i cili e shoqëron në periudha të ndryshme të jetës dhe e duron kur humbet disa nga funksionet e saj. Dikush mund të pyesë: Atëherë si e komentoni ju fenomenin e prostitucionit tek gratë? A nuk është ai një sjellje poligame? Kësaj shtoji dhe tradhtitë e grave.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, duhet të mos harrojmë se ne po flasim për gratë normale. Sakaq, prostitutat dhe gratë që shkelin kurorën martesore, mund të themi se hyjnë tek regjistri i përjashtimeve.

Ndoshta, këto fjalë nuk u pëlqejnë atyre grave me cilësi lideri. Por, unë sërish e përsëris që këtu ne po flasim në mënyrë shkencore dhe objektive, të bazuar në studime dhe hulumtime, larg lajkave politike apo sociale.

4 – Burri është një fëmijë i madh. Më parë, mendoja se një koncept i tillë janë thjesht fjalë të përdora pa vetëdije gjatë shakave mes njerëzve. Por gjatë studimeve dhe sondazheve të zhvilluara me burra dhe gra, zbulova se ekziston një unanimitet rreth kësaj cilësie të burrit. Me gjithë epërsinë e tij mashkullore, meritën e autoritetit (në përgjithësi dhe jo gjithmonë) dhe dëshirën e fshehtë për tu shoqëruar me më shumë se një grua, burri mbart në botën e tij të brendshme zemrën e një fëmije, i cili jepet në maksimum pas asaj që e përkëdhel dhe ledhaton. Kjo, me kushtin e vetëm që ajo të mos ia deklarojë haptazi se ai është një fëmijë, gjë e cila nëse ndodh, është ekuivalente me zbulimin e pjesëve të turpshme. Bazuar në këtë, një grua e shquar thotë:”Kushdo që ka  qenë e suksesshme në komunikimin me fëmijët, në përgjithësi do të jetë e suksesshme në komunikimin me të shoqin.”

Një grua inteligjente dhe e mençur, është gjithmonë e aftë të kryejë disa role gjatë jetës bashkëshortore. Ndonjëherë, ajo shndërrohet në nënë, duke u përkujdesur për botën fëminore të fshehtë të bashkëshortit. Herë të tjera ajo shndërrohet në një shoqe të ngushtë, me të cilën ai ndan idetë, shqetësimet dhe ambiciet. Ndonjëherë ajo shndërrohet në një bijë tek e cila i ngjall ndjenjat dhe emocionet atërore, e kështu me radhë.

Sa më shumë ti ndryshojë rolet dhe fleksibilitetin gruaja, aq më shumë do i falë lumturi dhe kënaqësi të shoqit, ashtu siç ndodh me fëmijën i cili me tu mërzitur me një lodër, kërkon një tjetër. Në të kundërt, nëse ajo i përmbahet një roli të vetëm dhe statik, kjo është një shenjë alarmi se i shoqi mund ta adresojë interesin e tij drejt diçkaje të re dhe interesante (siç bëjnë zakonisht fëmijët).

Lakmia mashkullore: Kjo është një ndër karakteristikat dhe cilësitë e burrit, i cili gjatë gjithë kohës kërkon më shumë dhe nuk “ngopet” me atë që posedon, sidomos kur kjo ka të bëjë me gruan dhe kontributin e saj. Ai kërkon tek e shoqja bukurinë, zgjuarsinë, dhembshurinë, përkujdesin për veten dhe për fëmijët e tyre, dëshiron dashurinë dhe gjithçka tjetër prej saj. Megjithatë, ndonjëherë, madje mund të themi shpesh herë, ai i hedh sytë tek dikush tjetër ose disa të tjera. Kjo tendencë për më shumë, mund të ketë lidhje me cilësinë dhe tiparin poligamik tek burri, për të cilin kemi folur më lart.

Këto dy cilësi dhe tipare, tendenca poligamike dhe lakmia mashkullore, i shërbejnë natyrën njerëzore dhe vazhdueshmërisë së jetës mbi tokë. Si pasojë e ekspozimit të burrit ndaj rreziqeve, luftërave, udhëtimeve, punës dhe emigracionit, çdo shoqëri përballet me numrin në rritje të femrave në krahasim me atë të meshkujve. Shpesh herë, kjo shtron nevojën që burri të martohet me më shumë se një grua, ose të krijojë lidhje jashtëmartesore në bazë të vlerave, traditës, fesë dhe shoqërisë. Kjo bëhet për të mbuluar suficitin e krijuar tek gratë. Një grua e zgjuar dhe inteligjente është ajo që arrin ti përmbushë nevojat e të shoqit, të përmbledhura në kënaqësinë e pesë shqisave. Një gjë e tillë kërkohet dhe nga burri. Një poligami e tillë në kënaqësi, influencon në mënyrë të drejtpërdrejtë në stabilitetin e njëanshëm të marrëdhënieve bashkëshortore, të një burri i cili ka prirje dhe tendenca poligamike, si dhe ka zemrën e një fëmijë i cili jepet pas gjithçkaje që i duket interesante dhe tërheqëse.

6 – Në përgjithësi,  burri dashuron me sy, ndërkohë që gruaja, në përgjithësi dashuron me veshë dhe me zemër. Kjo nuk do të thotë se shqisat e tjera nuk i funksionojnë, por do të thotë se shqisa më aktive tek burrat është syri. Prandaj, gruaja duhet ti kushtojë vëmendje më shumë aspektit pamor. Po ashtu, burri duhet të tregojë kujdes për fjalët që dëgjon e shoqja dhe ndjenjat e zemrës së saj. Pasioni i femrës për tu zbukuruar, shihet si tregues i ndikimit që ka ajo që i shohin sytë burrit, në zemrën dhe psikologjinë e tij. Shqisa e të shikuarit, plotësohet mandej me shqisat e tjera, si dëgjimi, nuhatja, shija dhe prekja për ta plotësuar në maksimum perceptimin te burri. Por gjithmonë shkëndija e parë merr jetë nga syri. Për këtë, Zoti i lartësuar e ka pajisur femrën me tipare fizike të një niveli të lartë bukurie, në harmoni me njëra-tjetrën dhe që e joshin syrin.

Burrin e verbon bukuria e gruas dhe pamja e saj e jashtme, gjë e cila për një farë kohe, e bën të injorojë shpirtin, thelbin dhe moralet e saj. Kjo verbi dhe dhënie pas pamjes së jashtme, jo pak herë i ka shkaktuar atij probleme dhe telashe. Rendja pas pamjes së jashtme dhe bukurisë fizike, nuk kufizohet vetëm tek burrat e thjeshtë dhe mediokër, por shtrihet tek shumica e burrave, sado të kulturuar dhe të ekuilibruar qofshin.

 

7 – Burri ka vullnet ekzekutues, kurse gruaja ka vullnet motivues. Shpesh herë vërejmë se gruaja luan rol themeltar në planifikimin, orientimin dhe inkurajimin e burrit. Mandej, burri merr përsipër transformimin dhe ekzekutimin e kësaj energjie në diçka të prekshme, duke besuar se gjithçka që ka arritur e ka bërë krejt i vetëm, me djersën dhe mundin e tij. Sidomos kur gruaja është shumë e zgjuar dhe mjaftohet me motivimin dhe inkurajimin, duke mos e përmendur dhe duke mos u mburrur me këtë.

Në raportin mes gruas dhe burrit, në rastet më të shumta gjejmë se gruaja zgjedh burrin që dashuron, mandej i jep sinjalin, i hap rrugën dhe i lehtëson kalimin, duke e bërë të ndihet se është pikërisht ai që e zgjodhi dhe vendosi martesën me të. Kjo, ndërkohë që në të vërtetë, vendimi ishte marrë prej saj.

Edhe në shoqëritë tradicionale, shohim se gruaja edhe pse nuk del shpesh nga shtëpia, në përgjithësi është ajo që planifikon, propozon dhe jep direktivat, për t’ia lënë kandidatit që ajo ka zgjedhur të dalë para njerëzve, të fërkojë mustaqet dhe të deklarojë vendimin e tij për martesë me filanen, madje, edhe duke u mburrur para krerëve të familjes dhe të fisit.

 

8 – Mes burrërisë dhe mashkullisë. Jo çdo mashkull është burrë, pasi burrëria nuk është thjesht një përbërje anatomike apo një funksion fiziologjik i caktuar. Burrëria është një sërë tiparesh dhe cilësish të pranuara unanimisht si: Fuqia, drejtësia, dhembshuria, dinjiteti, zemërgjerësia, fisnikëria, trimëria, sakrifica, të folurit drejt, toleranca, falja, përkujdesi, maturia, lidershipi, mbrojtja dhe përgjegjësia.

Këto tipare mund të mos i gjejmë tek dikush që njihet për mashkull dhe një pjesë të mirë të tyre mund ti gjejmë tek një grua, e cila ka përvetësuar cilësi burrërore pozitive. Kjo nuk do të thotë se ajo është tranvestite, ku gruaja adapton tiparet e jashtme të burrit, por jo thelbin dhe esencën e burrërisë.

9 – Burri u kushton rëndësi çështjeve të përgjithshme në familja, sakaq gruaja u kushton rëndësi detajeve dhe imtësive. Shohim që burri nuk i di shumë detaje nga nevojat e fëmijëve dhe problemet e tyre, duke u mjaftuar me gjendjen e tyre të përgjithshme. Sakaq, nëna di çdo detaj nga jeta e fëmijëve, rrobat, mësimet dhe problemet e tyre. Kjo situatë përmbyset në jetën publike dhe komunitare të burrit, i cili është tepër i interesuar për detajet e punës dhe profesionit. Pra, kemi një interes selektiv, gjë e cila mund të ketë lidhje me kujtesën selektive e cila e orienton gruan në çështjet familjare, sakaq orienton burrin në çështjet që kanë të bëjnë me aktivitetin e tij publik.

10 – Puna dhe suksesi për burrin, është ekuivalente me mëmësinë e femrës. Prandaj, gruaja nuk ka përse të habitet që burri i saj, i kushton aq shumë kohë punës, angazhimeve, ambicieve dhe suksesit, pasi këto e bëjnë të ndihet burrë i vërtetë. Ai kërkon të diferencohet nga moshatarët e tij, ai dëshiron të jetë i dalluar, i suksesshëm dhe flamurtar, për të cilën lipset shumë mund dhe energji.

11 – Xhelozia e arsyeshme, është një cilësi origjinale e një burri normal. Ajo shtohet dhe rritet deri në dyshime dhe akuza, në rastin e personalitetit paranojak dhe homoseksualitetit të fshehtë.

12 – Burri është shumë i dobët para dy gjërave:

–      Para atij që e lëvdon dhe vlerëson suksesin e tij.

–      Para një femre të vërtetë, e cila e bën të ndihet burrë.

13 – Marrëdhëniet e burrit me nënën, përcaktojnë në një nivel të lartë edhe marrëdhëniet e tij me gruan në përgjithësi. Ajo përbën provën e parë në marrëdhëniet mes burrit dhe një gruaje dhe që damkosen thellë në botën e tij të brendshme, negative apo pozitive qofshin.

Në bazë të formës dhe përmbajtjes së këtyre marrëdhënieve, shohim se disa burra kërkojnë imazhin e nënës tek çdo femër me të cilën takohen. Ashtu siç ka të tjerë të cilët kërkojnë imazhin e kundërt të nënës. Secili prej tyre ka dinamikën e tij, e cila ka nevojë për më shumë shtjellim dhe interpretim.

 

Muhamed Mehdij | Perktheu: Elmaz Fida

Sekreti i fuqisë së grave

Kush është ai që thotë se nuk i do gratë? Askush. Tek secili prej nesh gjendet një grua, ndoshta më shumë, e cila jo vetëm që pasqyron dashurinë e kulluar, por është boshti i vetë jetës. Të mjafton që gruaja është nënë. Sa herë që frikësohemi dhe na mbërthen paniku nga diçka e frikshme, edhe pse burra të rritur tashmë, thërrasim me zë e me zemër “Oj nënë!”

Sigurisht, gruaja nuk është e fortë për shkak të muskujve. Ajo është më e fortë se burri për shkak të forcës së durimit. Ajo është trajtuar si një pakicë e ligsht, jo se burri është më i mirë, por sepse vetëpëlqimi i tij është më i madh.

Fuqia e grave e fshehtë, qëndron në atë se posedojnë një mendje të hollë, të cilën nuk e pikasin dot burrat.

Xhorxh Sand, është një shkrimtare franceze, e cila huazoi një emër burri me qëllim që shkrimet e saj të publikoheshin dhe të lexoheshin nga shoqëria franceze, e cila asokohe i refuzonte veprat e grave. Një ditë, dikush i tha që:”Gruaja është krijuar idiote!”

Ajo iu përgjigj shumë shpejt nëpërmjet mendjes së saj të hollë me fjalët:”E vërtetë, dhe kjo, që të përkojë me mendjen e burrave.”

Historia na flet edhe për gra monstra dhe të pamëshirshme, por kjo është një devijim nga baza dhe origjina. Të çudit fakti që disa gra ua kanë kaluar edhe burrave në gjakderdhje, dhunë dhe krime. Mbretëresha angleze Maria, pati bërë masakra kundër protestantëve, me dëshirën që ta shohë Britaninë katolike. Prandaj dhe njihet me nofkën Bloody Mary (Maria gjakderdhëse). Izabela, gruaja e Ferdinandit të dytë, hyri në histori për gjykatat e inkuizicionit ndaj myslimanëve dhe hebrenjve.

Kriminelja më e madhe në histori, ajo që njihej si amerikania ujk, dy metra e gjatë dhe 100 kg, as Holaku i mongolëve nuk i afrohet për nga aktet kriminale. Ajo vrau të gjithë miqtë e saj, këdo që fejohej apo martohej me të, madje vrau dhe dy vajzat e saj. Thuhet se të paktën ka vrarë me duart e saj njëqind persona, për shkakun e thjeshtë: Donte të përvetësojë shumat e sigurimit të jetës së tyre dhe të shtjerë në dorë pronat që kishin.

Emri më i frikshëm në Tunizi, nuk ishte emri i presidentit diktator Ben Ali, por emri i të shoqes Lejla. Në ambientet politike, emri i autoritetit të saj të pakrahasueshëm dhe pushtetit, përmendej si emri i një fantazme që shkakton vetëm panik. Ndoshta, Bin Ali do i kishte thirrur logjikës, por ishte e shoqja ajo që doli kundër njerëzve, sigurisë dhe besimeve të tyre, duke përvetësuar dhe zhvatur gjithçka. Thuhet se ajo ia mbathi në mënyrë dinake me një avion privat drejt Dubait, pasi kishte marrë me vete dyzet milionë pllaka ari. Banka qendrore e Tunizisë e hedh poshtë këtë lajm, edhe pse e ka akuzuar zonjën Lejla se ka zhvatur një ton e gjysmë ar. Ajo radhitet tek ato pak gra jonormale, të cilat kanë hyrë në histori nëpërmjet derës së saj më të errët.

Klubi i besimit, është një libër që ka autor tre femra. Ideja e librit, erdhi si përgjigje e një vajze me origjinë palestineze, drejtuar nënës së saj, Rania Delibij. Pas 11 shtatorit, vajza e vogël pyeti nënën:”Përse përplasen fetë?”

E ëma u gjet ngushtë dhe menjëherë mori në telefon dy gra eksperte në fetë e tyre, njëra e krishterë dhe tjetra hebraike. Ato filluan të takohen sistematikisht në shtëpitë e tyre dhe diskutonin rreth thelbit dhe mesazhit real të feve. Si përfundim, këto diskutime u grumbulluan në një libër të përbashkët, me autor Rania Delibij, Suzan Oliver dhe Priscila warner. Në fund të librit, ata nuk kanë harruar të rrëfejnë si u themelua klubi i besimit. Mos ka ardhur radha e grave që ti tregojnë kufirin përplasjeve fetare? Kush e di?

Në fund, po sjell një poezi të shkurtër për gruan:

Kur linda, ishte një grua që më solli në jetë, nëna ime.

Gjatë fëmijërisë time, ishte një grua me të cilën luaja, qeshja dhe kënaqesha, motra ime.

Kur erdhi koha të shkoj në shkollë, sërish një grua më mori për dore dhe më mësoi gjërat e para të jetës, mësuesja ime.

Kur më nevojitej dashuri u gjet një grua tjetër për të ma plotësuar këtë nevojë, ime shoqe.

Kur fillova të ngurtësohem dhe ti humbas ndjenjat e bukura për shkak të përvojave të ashpra në jetë, ishte një grua ajo që ma zbuste natyrën time të egër, një grua tepër e brishtë dhe lozonjare, ime bijë.

Kur të vdes dhe të ndahem përjetësisht nga kjo botë, do të jem në përqafimin e ngrohtë të një gruaje, tokës mëmë.

Dr Nexhib Zamil

Ndryshimi vjen nga ti

Është e çuditshme me njerëzit se çdo herë tentojnë të ndryshojnë atë që është e pandryshueshme. Njeriu niset drejt perceptimeve sa reale aq edhe ireale. Ndryshimi në thelb, është forca më e madhe që njeriu mund të reagoj në çastin dhe në kohën e duhur. Ndryshimi si një element i rëndësishëm është si rezultat i një veprimi. Veprimet tona janë fabrikimi i ndjesive apo dëshirave tona që kemi për ti realizuar në realitet. Perceptimi jonë për botën është reale. Dëshirat tona janë ato që ne duan ti shikojmë më ndryshe siç janë, ose më ndryshe siç duan të jenë.  Ndryshimi çdo herë ka konotacion pozitiv në mendësinë e njerëzve që ia duan të mirën vetes. Çdo ndryshim vjen si rezultat i egoizmit të njeriut. Po qe se nuk ka “egoizëm” nuk ka dhe ndryshim. Njeriu do të ndryshojë të tjerët sepse e shikon të arsyeshme të ndryshoj veten sepse ai si pjese e kësaj shoqëria është element i pandarë prej saj.

 

Të ndryshosh është një proces që kërkon kohë. Njerëzit ndryshojnë si rezultat për të arritur diçka apo dikë. Ndryshimi i vërtetë është kur merret forca për të ndryshuar qëndrimet personale dhe objektivat në jetë. Ndryshim do të thotë që të largohesh nga një gjendje në një gjendje tjetër, e cila, është më e mirë se gjendja e mëparshme. Koha dhe jeta me dinamizmin e vet ndikojnë në ndryshimin e situatave dhe në pjekurinë e çdo njeriu për ti parë më ndryshe gjërat, e tek disa janë siç kanë qenë, pa ndonjë përsiatje të zakonshme.

 

Qëllimi për të ndryshuar 

Ndryshimi është një element që e gjejmë në dallim nga krijesat tjera vetëm tek njerëzit. Sepse njerëzit janë ato që nëpërmjet ndryshimit gjejnë lumturinë duke u shmangur nga dhimbja, terrori, persekutimi, monotonia e  jetës së përditshmërisë  etj. etj. Duhet theksuar se ndryshimi tek njerëzit vjen si rezultat i të pasur një qëllim se pse duan të ndryshojnë. Ndryshimi pa një qëllim është një jetë pa ideale, një jetë konform rregullave pa ligjvënës, drejtësi pa kushtetutë. çdo ndryshim është si rezultat i qëllimit dhe sa më i qartë të jetë qëllimi aq më e balancuar është dhe veprimi kundrejt realitetit të jashtëm dhe nisjes drejt rrugës së ndryshimit. Për të përcaktuar qëllimin në vete, kërkon shume kohë. Aq kohë kërkon, sa është e nevojshme të punohet  në periudhën për realizimin e këtij qëllimi. Në varësi të vendosjes së qëllimit, lind dhe nevoja e kohës për të realizuar atë.

 

Çfarë synohet me ndryshim?

Të synosh diçka do të thotë se ke ideale për të cilat punon, për të cilat harxhon energji. Njeriu është i humbur teksa në jetën e tij nuk figuron asnjë përjetim për të arritur diçka. Ambicia është tipar kryesor që njeriun e bën të arrije atje ku shikon veten e tij. Ambicia ka lindur si rezultat i pangopësisë së syrit të njeriut sepse, po qe se syri do kënaqej me atë që shikonte apo që ka, atëherë mundësia për të ndryshuar do ishte shumë e ulët dhe dëshira për  të marrë një veprim tjetër është një proces jo energjik. Ajo që synohet është e lidhur ngushtësisht me qëllimin që kemi në jetë. Po qe se qëllimi do ishte në dobi të shoqërisë, ajo duhej patjetër që pikënisja të ishte nga vetja personale sepse nuk ka ndryshim në botën materiale, po qe se nuk ka ndryshim në botën shpirtërore apo vlerave personale. Si përfundim, ndryshimi është një vlerë, simbiozë midis qenies së besimit njerëzor për të ndryshuar, me dëshirën për të arritur vlerat më të larta njerëzore drejt përmirësimit të moralit shoqëror.

 

Ma. Erduan Kllobucishta

ATK vepron fuqishëm ndaj bizneseve që nuk paguajnë saktë detyrimet e tyre tatimore

Administrata Tatimore e Kosovës-përkatësisht Departamenti i Operativës ka ndërmarr veprime të fuqishme operacionale ndaj gjithë tatimpaguesve mos-përmbushës, të cilët pavarësisht zhvillimit të aktiviteteve të tyre, nuk kanë paguar detyrimet tatimore.

Identifikimi i këtyre bizneseve është bërë nga analiza e riskut, bazuar në Planin e Trajtimit të Rreziqeve. Aktualisht janë duke u trajtuar 200 raste, të cilat nuk kanë paguar tatimet në raport me qarkullimin e deklaruar.

Këta tatimpagues dhe gjithë të tjerët, të cilët nuk paguajnë saktë tatimet do të jenë në monitorim të vazhdueshëm dhe nëse qasja e tyre nuk ndryshon-vazhdojnë me mos përmbushje, ATK do të bëjë vlerësim të gjendjes për të konstatuar shmangien tatimore dhe njëkohësisht do të bëjë edhe ngritje të kallëzimit penal, varësisht nga të gjeturat dhe shkeljet e konstatuara.

Këto aktivitete janë duke u ndërmarr në vazhdën e shumë aktiviteteve të tjera, me qëllim të zvogëlimit të shmangies tatimore, si dhe krijimin e një tregu konkurrent, për gjithë tatimpaguesit.

Prioritet i ATK-së vazhdon të mbetet trajtimi i barabartë i të gjithë tatimpaguesve, si dhe rritja e llogaridhënjes nga stafi i ATK-së, në drejtim të rritjes së kualitetit të punës.

ATK, inkurajon tatimpaguesit që t’i kryejnë detyrimet tatimore, në të kundërtën, do të ndërmerren masat ndëshkuese të përcaktuara me legjislacionin tatimor!.ATK

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
few clouds
24.5 ° C
24.5 °
24.5 °
36 %
6.2kmh
20 %
Sat
23 °
Sun
22 °
Mon
23 °
Tue
20 °
Wed
22 °