Ballina Blog Faqe 42

SI TË MARRËSH VENDIMET I PAVARUR?

Shkaku pse njerëzit ndonjëherë marrin rrugë të gabuara është mbështetja në të tjerët dhe vlerësimet e tyre. Ndonjëherë, për veshjen, banesën, punën, veturën, peshojë janë të tjerët. Ti sikur nuk i beson vetes, apo shijes sate, kështu që blen gjëra të shtrenjta, shfaq pasion për veturë që ka ngjyrë të rrallë, sikur që ti mbështetesh në njerëz për të treguar se çfarë ka vlerë, në vend se ti të mbështetesh në vetvete dhe të marrësh, rrjedhimisht, edhe vendimin. Problemi është se preferon gjëra që në të vërtetë nuk janë kërkesë e jotja, por janë shije e të tjerëve. Sikur ua beson shijen tënde të tjerëve.
Kështu, që për të mos i lejuar vetes një gjë të tillë, në vijim do të japim disa këshilla që vendimet tash e tutje t’i marrësh vet:

1) Para se të bësh ndonjë gjë, pyete veten: sikur kjo punë/gjësend/veturë të ishte falas dhe në dispozicion për të gjithë, a do të vazhdoja ta dëshiroja? Nëse përgjigja është “po”, atëherë mund të vazhdosh, por gjithsesi më parë duhet të bindesh nëse vërtetë e dëshiron atë gjë me gjithë zemër dhe jo se mbështetësh në të vetëm pse është i shtrenjtë dhe me vlerë.

2) Vlerësoje çdo gjë që e blen, çdo lidhje që e zhvillon, çdo aktivitet që e bën, vlerëso çdo gjë se a është në vijë me objektivat dhe qëllimet e jetës sate, apo është një dëshirë dhe epsh momenti që mudn të të shkaktojë largimin nga rruga e duhur.

3) Nëse gjërat e mëparshme nuk kanë patur sukses, atëherë, para se të vendosësh, prit një ose dy ditë, në mënyrë që të të jepet koha në dispozicion për të menduar më gjatë dhe më mirë si dhe për të dalë nga ajo gjendja emocionale. Pastaj vendos se a duhet ta bësh apo jo, duhet ta bësh apo jo, duhet të hysh në shoqëri apo jo..Mendo për pasojat e vendimit tënd për pjesën e mbetur të jetës sate, për të sotmen dhe të ardhmen!

Përshtati në shqip: Sedat ISLAMI
Burimi: sedatislami.wordpress.com

20 MOTIVE PËR PUNË TË MIRA DHE GARË NË TO

Vëlla thirrës!

Këtu janë përmbledhur njëzet gjëra që shtyjnë thirrësin musliman të jetë më aktiv në:

  • Vepra të mira
  • Nxitim në vepra të mira, dhe
  • Udhëzim për tek veprat e mira.

 

Motivet personale

 

  1. Mësoji ‘dyert’ e të mirave për të cilat Allahu të urdhëroi.
  2. Kohë pas kohe sill ndërmend tiparet e mirësisë në mënyrë që të mos i harrosh.
  3. Përkujto shpërblimin për veprat e mira.
  4. Bëhu kureshtar për takime vëllazërore dhe ambiente imaneske.
  5. Nxitimi për të mira dije se është kërkesë fetare dhe urdhër hyjnor.
  6. Vizito shoqatat bamirëse dhe humanitare.
  7. Ndje se garimi në të mira është cilësi e besimtarëve të sinqertë dhe moral i melaikeve të afërt tek Allahu.
  8. Përpiqu të perceptosh të qarit dhe dëshpërimin e selefit kur iu kalonte ndonjë e mirë pa e bërë.
  9. Ndje se jeta është e shkurtër dhe se frymëmarrjet janë të llogaritura.
  10. Lexo libra për devotshmërinë, asketizmin dhe veprat e mira.
  11. Dije se udhëzuesi për veprën e mirë ka shpërblimin sikur bërësi i saj dhe se ai që paraprin në vepra të mira ka shpërblimin e veprave dhe të pasuesve – bërësve të tyre.
  12. Vizito burrat e mirë dhe shoqëroji ata. Po kështu kërko të të vizitojnë dhe të luten për ty.
  13. Mëso për kureshtjen e madhe të selefit për të garuar në vepra të mira.
  14. Lute Allahu që ta lehtësojë rrugën deri tek vepra e mirë dhe udhëzimi për të.
  15. Ndjeje vendosmërinë për të bërë mirë dhe mbushe zemrën tënde me të.
  16. Dije se Pejgamberi, alejhi’s selam e luste Allahun për të bërë vepra të mira.
  17. Sill para syve Xhennetin dhe mirësitë që Allahu ka bërë gati në të për të sinqertit.
  18. Dije se bërja e veprave të mira në dunja bënë që njerëzit të të lëvdojnë ndërsa pas vdekjes të të duan.
  19. Ndje se mundësia që ti të bësh mirë dhe të jetosh gjatë eshte dëshmi e të qenit njeri i mirë tek Allahu.
  20. Dije se vazhdimi yt në punë të mbara qoftë edhe nëse janë pak është diç e dashur dhe e pëlqyer tek Allahu.

 

Vëlla!

 

Dije se veprimi i punëve të mira të bën të ndjesh botëkuptimin e punimit për Ahiret dhe vlerën e tij.

Dobi praktike të veprimit të punëve të mira

 

  1. Thirrësi duhet të zgjedhë veprën me shpërblimin më të madh të mundshëm. P.sh. lëmosha për një të varfër të rëndomtë është vetëm lëmoshë ndërsa për të varfrin që e ke të afërm është edhe lidhje edhe lëmoshe.
  2. Puno vepra të mira ose të paktën bëhu shkak për vepra të mira që të kesh shpërblimin e tyre.
  3. Mos nëvleftëso asnjë vepër të mirë, sado e thjeshtë që të jetë ajo.
  4. Ndje keqardhje për shanset e veprave të mira që të kanë kaluar.
  5. Ajo që bën prej punëve të mira gjithashtu do të logaritet lëmoshë ngase “Çdo e mirë është lëmoshë” –ka thënë i Dërguari i Allahut, Muhammedi, alejhi’s selam.
  6. ‘Gjuaj’ për shanse të mira dhe hulumto për to ngase ndodhë që shanset të mos vijnë dy herë.
  7. Mos braktis traditën tënde për adhurim apo vepra të mira e të jesh prej atyre të provuarve që zemrat nuk i kanë të lidhura për Allahut. “O Abdullah! Mos u bë si filani që falte namaz nate ndërsa tani e ka lënë!” i pati thënë i Dërguari i Allahut, Muhammedi, alejhi’s selam Abdullah Ibn Amr el-Asit.

Mos harro që të kesh nijjet të mirë për çdo vepër!

Zubejr Ibn Harithi ka thënë: Më bëhet qejfi që të kam nijjet të mirë në çdo gjë që bëj, madje edhe në ushqim dhe gjumë.

Paqja, mëshira dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi zotërinë tonë, Muhammedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!

 

Halid Ibn AbduRrahman ed-Dervish
Përktheu: Sedat Islami

NUK ARRIHET DITURIA ME REHATINË E TRUPIT

Kur Imam Muslim ibn Haxhaxh e përpilonte librin e tij, es-Sahih (االصحيح), i cili njëherit është krenari e këtij Ummeti, arriti tek hadithet e namazit, gjegjësisht tek hadithet e kohëve të namazit, erdhi tek hadithi i njohur i Abdullah ibn Amr në përcaktimin e kohëve të namazit. Ky hadith transmetohet nëpër shumë degë transmetimesh, andaj ai i rënditi bukur këto transmetime duke i përmbledhur rrugët të cilat duken si të kundërta, nga Katade, nga ebu Ejubi, nga Abdullah ibn Amr dhe pasiqë e pa këtë punim dëshiroi që lexuesit të librit të tij t’i kumton një mesazh, se ky rezultat në këtë punim të hadithit të Abdullah ibn Amr nuk ka ardhur vetëmse me lodhje të madhe, për këtë shkak pas këtij hadithi shënoi një ether nga Jahja ibn ebi Kethir, duke thënë:

“Na ka treguar Jahja ibn Jahja et-Temimi, tha: Na ka treguar Abdullah ibn Jahja ibn ebi Kethir, tha: E kam dëgjuar të atin tim (Jahja ibn ebi Kethir) duke thënë:

Nuk arrihet dituria me rehatinë e trupit.”[1]

Është për tu habitur se si ka mundësi që Imam Muslimi, i cili në librin e tij nuk shënon vetëmse hadithe që i referohen Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) dhe ky është kriter i librit të tij në përgjithësi, si ka mundësi të transmeton këtë thënie të këtij Imami i cili është prej tabi’inëve të vegjël, ku flet për lodhjen në dituri dhe e vëndos në mes të haditheve të namazit?!

Thotë el-Kadi Ijad në librin e tij Ikmalu el-mu’lim: “Shumë njerëz pyesin për këtë transmetim dhe vëndosjen e tij në këtë vend, që nuk është vend për të, madje as që është prej haditheve të Pejgamberit (sala Allahu alejhi ue sel-lem) dhe as që e plotëson kriterin e librit…

Na kanë treguar disa prej dijetarëve tonë: Muslimi është mahnitur me atë që është përmendur në këtë kapitull dhe e dinte sasinë e lodhjes në përmbledhjen dhe arritjen deri tek këto të dhëna, andaj e futi në mes të haditheve këtë transmetim, si aludim për lodhjen e tij dhe se ajo që është përmendur nuk është arritur vetëmse me mund dhe lodhje të madhe gjatë kërkimit… Dhe kjo është e qartë, Allahu e din më se miri.”[2]

Ibrahim es-Sekran
Përktheu: Ali Ashani

[1] Muslimi (612)
[2] Ikmal el-mu’lim (2/577)

Betimi i rremë për të përfituar padrejtësisht

I Dërguari i Allahut -alejhi salatu ue selam- ka thënë: “Ai që përfiton padrejtësisht një të drejtë që i takon një muslimani me anë të betimit, Allahu ia ka obliguar Zjarrin (Xhehenemin) dhe ia ka ndaluar Xhenetin.” Një burrë e pyeti: Edhe sikur të jetë diçka e vogël o i Dërguari i Allahut? Profeti -alejhi salatu ue selam- iu përgjigj: “Edhe sikur të jetë një degë e vogël misuaku” (Muslimi).

Çfarë përfitojmë nga hadithi?

1- Të përfitosh padrejtësisht një të drejtë të muslimanit është haram, pa marrë parasysh nëse kjo e drejtë është diçka e vogël apo e madhe. Nëse kjo gjë arrihet duke u betuar rrejshëm, atëherë ndalesa është akoma më e rëndë.

2- Atij që përvetëson padrejtësisht të drejtat e të tjerëve, i bëhet obligativ zjarri i Xhehenemit. Ai privohet prej Xhenetit në qoftë se e quan hallall (të ligjshme) këtë gjë. Ose i tilli e meriton këtë ndëshkim, por mbetet nën Vullnetin e Allahut të Madhëruar, i Cili nëse do e ndëshkon e nëse do e falë atë.

3- Gjykimi për atë që përvetëson padrejtësisht të drejtat që i takojnë një jomuslimani është i njëjti me atë që përvetëson padrejtësisht të drejtat që i takojnë një muslimani.

4- Vendimi i (gabuar) i gjykatësit nuk e legjitimon marrjen prej tjetrit të asaj që nuk të përket.

(Përzgjedhje e haditheve të normave dhe të moraleve: 170-171)

Dhuratat – El-Umra & El-Rukba

  1. Xhabir ibn Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kushdo që i dhurohet një pasuri me dhuratë jetëgjatë (el-Umra),[1] ajo i përket atij dhe pasardhësve të tij, sepse i është dhënë si dhuratë dhe nuk i kthehet më atij që e ka dhuruar. Kjo bëhet pasuri e atij që e ka marrë dhe mbi të vlejnë rregullat e trashëgimisë.”
  2. Xhabir ibn Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me ta) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kushdo që i dhuron dikujt një pasuri me dhuratë jetëgjatë, ajo bëhet pronë e tij dhe e pasardhësve të tij, sepse ai (dhuruesi) e ka hequr dorë nga e drejta e tij me këtë deklaratë. Kjo pasuri tani i përket atij që i është bërë dhurata dhe pasardhësve të tij.” Jahja, në fillim të transmetimit të tij, ka thënë: “Kushdo që i dhurohet një pasuri jetëgjatë, ajo i përket atij dhe pasardhësve të tij.”
  3. Xhabir ibn Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Mbajeni pasurinë tuaj për vete dhe mos e shpërdoroni, sepse kushdo që i dhuron një pasuri dikujt me dhuratë jetëgjatë, ajo do t’i përkasë atij që i është dhuruar, qoftë i gjallë apo i vdekur, dhe (do të kalojë) te pasardhësit e tij si trashëgimi.”
  4. Ibn Omeri ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “As ‘Umra as Rukba nuk janë të dëshirueshme. Ai që dhuron një pasuri (tokë) për një jetë të gjatë, ajo i përket atij që i është dhënë, qoftë i gjallë apo i vdekur.” [2]
  5. Ibn Omeri ka transmetuar se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “As ‘Umra as Rukba nuk janë të dëshirueshme. Kushdo që i dhuron diçka dikujt për një jetë të gjatë, ajo do t’i përkasë atij qoftë i gjallë apo i vdekur.” ‘Ata ka thënë: “Kjo gjë i përket këtij të fundit.”

______________________________________________________________________

[1] El-Umra është një formë dhurate që bazohet në fjalën arabe ‘umr (jetë). Deklarata e kësaj dhurate bëhet kështu: “Të dhuroj këtë shtëpi dhe je i autorizuar ta përdorësh për aq kohë sa jeton.” Sipas juristëve islamikë, Al-Umra ka disa forma:

  1. a) Dhuruesi thotë: “Të dhuroj këtë shtëpi për përdorim sa të jetosh, dhe kur të vdesësh, ajo do t’u kalojë trashëgimtarëve të tu.” Në këtë rast, ajo konsiderohet si dhuratë (Hiba), dhe trashëgimtarët e marrësit kanë të drejtë mbi të, dhe nuk i kthehet më dhuruesit.
  2. b) Dhuruesi thotë: “Të dhuroj këtë shtëpi për përdorim sa të jetosh ose ta përdorësh.” Në këtë rast, dhurata automatikisht kthehet te dhuruesi ose trashëgimtarët e tij pas vdekjes së marrësit ose kur ai heq dorë nga përdorimi i saj.

Imam Sheukani thotë: “Shumica dërrmuese e juristëve mendojnë se kur bëhet deklarata e Al-Umra, ajo i përket marrësit dhe nuk i kthehet dhuruesit, përveçse kur vendoset një kusht i qartë lidhur me të.” (Nail ul-Autar, vëll. VI, f. 16). Sipas shkollës juridike Hanefi, ky kusht nuk është i vlefshëm siç përmendet në Hidaje.

[2] Ky hadith thjesht i referohet papëlqyeshmërisë së dhuratave jetëgjata, pasi dikush mund ta bëjë këtë me nxitim dhe më pas të pendohet. Prandaj, Profeti (paqja qoftë mbi të) ka këshilluar që të jemi të kujdesshëm në këto raste. Megjithatë, hadithi nuk e ndalon dhuratën jetëgjatë.

El-Lukata (Pasuria e Gjetur)

1. Zeid b. Halid el-Xhuhani ka transmetuar: Një burrë shkoi te i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe e pyeti për mbledhjen e sendeve të humbura. Ai tha: “Identifikoje mirë qesen dhe rripin (me të cilin është lidhur), pastaj shpalle atë për një vit. Nëse pronari i saj vjen (brenda këtij afati, ktheja atij), përndryshe ajo është e jotja.” Ai (sërish) pyeti: “(Po për) dhinë e humbur?” Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) tha: “Ajo është e jotja, e vëllait tënd, ose e ujkut.” Ai tha: “(Po për) devenë e humbur?” Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) tha: “Nuk ke asgjë të bësh mer të; ajo ka një qese lëkure me vete dhe këpucët e saj gjithashtu. Ajo shkon në vendet e ujit, ha (gjethet e) pemëve derisa pronari i saj ta gjejë.”

2. Zeid b. Halid el-Xhuhani ka transmetuar se një person e pyeti të Dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) për mbledhjen e sendeve të humbura, dhe ai tha: “Shpalle atë për një vit dhe identifiko mirë rripin dhe qesen (që e përmban atë); pastaj shpenzoje atë; dhe nëse pronari i saj vjen, ktheja atij.” Ai (pyetësi) tha: “ O i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), po për dhinë e humbur?” Ai tha: “Merre atë, sepse ajo është e jotja, e vëllait tënd, ose e ujkut.” Ai (sërish) tha: “(Po për) devenë e humbur?” I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) u zemërua deri sa faqet e tij u skuqën (ose fytyra e tij u bë e kuqe) dhe pastaj tha: “Nuk ke asgjë të bësh me të; ajo ka këmbët dhe një qese lëkure (për të shuar etjen) derisa pronari i saj ta gjejë.”

3. Ky hadith është transmetuar nga Rabi’a b. ebu Abd el-Rahman me të njëjtën zinxhir transmetimi, por me këtë shtesë: “Një person erdhi te i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ndërsa unë isha me të, dhe ai e pyeti atë për mbledhjen e një sendi të humbur, dhe ai tha: Kur askush nuk vjen ta kërkojë atë, atëherë shpenzoje atë.”

4. Zeid b. Halid el-Xhuhani transmeton: Erdhi një person te i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), pjesa tjetër e hadithit është e njëjtë, por me ndryshimin e këtyre fjalëve: Fytyra e tij u bë e kuqe, balli gjithashtu, dhe ai u zemërua; dhe bëri një shtesë pas fjalëve: “Ai duhet ta shpallë atë për një vit, dhe nëse pronari i saj nuk paraqitet, atëherë ajo është një amanet me ty.”

5. Salama b. Kuhail ka transmetuar: Kam dëgjuar Suwaid b. Gafala të thotë: Dola jashtë, së bashku me Zeid b. Suhan dhe Salaman b. Rabi’a për xhihad, dhe gjeta një kamxhik dhe e mora. Ata më thanë: “Lëre atë.” Unë thashë: “Jo, por do ta shpall dhe nëse pronari i saj vjen (do t’ia kthej), përndryshe do ta përdor,” dhe nuk i dëgjova ata. Kur u kthyem nga xhihadi, me një fat të mirë për mua, bëra haxhin, shkova në Medinë dhe takova Ubajj b. Ka‘b, dhe i raportova atij për çështjen e kamxhikut dhe mendimin e tyre (mendimin e Zeid b. Suhan dhe Salaman b. Rabi’a) për të (që duhet ta hidhja). Ai tha: Gjeta një qese me para gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), që përmbante njëqind dinarë. Shkova tek ai me atë, dhe ai tha: “Shpalle atë për një vit;” kështu që e shpalla atë, por nuk gjeta askënd që mund ta kërkonte duke e njohur atë. Përsëri shkova tek ai dhe ai tha: “Shpalle atë për një vit.” Kështu që e shpalla atë, por nuk gjeta askënd që mund ta njihte. Shkova tek ai dhe ai tha: “Shpalle atë për një vit.” E shpalla atë, por nuk gjeta askënd që mund ta njihte, ku ai tha: “Ruaje numrin e saj, qesen dhe rripin e saj, dhe nëse pronari i saj paraqitet (atëherë ktheja atij), përndryshe përdore atë.” Kështu që e përdora atë. Unë (Shu‘ba) e takova atë (Salaman b. Kuhail) pas kësaj në Mekë, dhe ai tha: “Nuk e di nëse ai tha tre vjet apo një vit.” [1]

[1] Termi Luqata përfaqëson një pronë që një person e gjen të shtrirë në tokë dhe e merr për ta ruajtur si amanet. Në rrethana të zakonshme, është e lavdërueshme që ta mbash atë nën kujdesin tënd nëse e gjen. Sipas disa juristëve islamë, bëhet e detyrueshme për një person që të marrë në ngarkim një send të humbur nëse ekziston rreziku që ai të dëmtohet ose të humbasë nëse nuk ruhet. Sa i përket periudhës së ruajtjes së tij, zakonisht është një vit, por mund të zgjatet deri në tre vite, në varësi të natyrës së sendit. Nëse sendi është i vlefshëm dhe i lehtë për t’u ruajtur, periudha është më e gjatë; në raste të tjera, më e shkurtër. Gjatë kësaj kohe, ruajtësi i amanetit duhet të bëjë njoftime të rregullta për faktin se ka gjetur një send të humbur dhe se pronari i tij duhet ta kërkojë. Në fund të periudhës, nëse pronari nuk gjendet, ai mund ta përdorë atë në rast se ka nevojë ekonomike, ose ta japë për bamirësi nëse është në gjendje të mirë financiare. Nëse gjetësi i sendit të humbur e zbulon pronarin pas dhënies së tij për bamirësi, pronari ka dy opsione: ai mund ta miratojë dhe ta konfirmojë bamirësinë, ose të kërkojë sendin nga gjetësi, por vetëm nëse ky i fundit është në gjendje ta rimbursojë. Është e lavdërueshme të kujdesesh dhe të sigurosh ruajtjen e dhive dhe deleve të humbura, por jo të kafshëve si demat, kuajt dhe devetë. Argumenti i Imam Malik dhe Imam Shafi’i është se, në parim, nuk lejohet të marrësh pronën e tjetrit përveç kur ekziston rreziku i dëmtimit të saj. Në rastin e këtyre kafshëve, nuk ka një rrezik të tillë pasi ato janë në gjendje të mbrohen nga grabitqarët. Megjithatë, kjo nuk qëndron për dhitë dhe delet, të cilat duhet të merren në kujdes kur humbasin.

(Për më shumë detaje, shih Hidaya. A. H. Siddiqi, Sahih Muslim, Lahore: Sh. M. Ashraf, 1972, f. 806, shën. 2202).

Vasijeti – Testamenti

1. Ebu Umama al-Bahili transmeton: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) të thotë gjatë hutbes së tij në vitin e Haxhit të Lamtumirës: “Vërtet, Allahu i ka caktuar secilit që ka të drejtë atë që i takon. Prandaj, asnjë testament nuk është i ligjshëm në favor të një trashëgimtari. Fëmija i përket (bashkëshortit të ligjshëm) dhe për shkelësin e kurorës është gurëzimi. Llogaria e tyre është tek Allahu. Ai që pretendon se dikush është babai i tij, por që nuk është babai i tij, ose që i atribuon vetes një zotëri që nuk është zotëria i tij, mbi të rëndon mallkimi i Allahut deri në Ditën e Kiametit. Një grua nuk duhet të shpenzojë asgjë nga pasuria e burrit të saj pa lejen e tij.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, edhe për ushqimin?” Ai tha: “Kjo është më e mira nga pasuria jonë.” Ai më tej tha: “Gjëra të marra hua duhet të kthehen; një dhi e marrë hua për qumësht duhet të kthehet; një borxh duhet të shlyhet, dhe ai që garanton është përgjegjës.”

2. Amir b. Sa‘d transmeton nga babai i tij (Sa‘d b. Abi Wakkas): I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) më vizitoi gjatë sëmundjes time që më afroi me vdekjen në vitin e Haxhxhet-ul-Wada’ (Haxhit të Lamtumirës). I thashë: “O i Dërguar i Allahut (Paqja qoftë mbi të), e sheh qartë dhimbjen me të cilën jam përballur dhe unë jam një njeri që posedoj pasuri, dhe nuk ka kush të më trashëgojë përveç një vajze. A duhet ta jap dy të tretat e pasurisë sime si sadaka?” Ai tha: “Jo.” I thashë: “A duhet të jap gjysmën (e pasurisë) si sadaka?” Ai tha: “Jo.” Ai (më tej) tha: “Jep një të tretën (në bamirësi) dhe kjo është mjaft. Të lësh pasardhësit e tu të pasur është më mirë sesa t’i lësh ata të varfër duke kërkuar nga njerëzit; dhe çdo shpenzim që bën për të fituar kënaqësinë e Allahut, do të shpërblehet, edhe për një kafshatë ushqimi që i vendos në gojën e gruas tënde.” I thashë: “O i Dërguar i Allahut (Paqja qoftë mbi të), a do të mbijetoj unë shokët e mi?” Ai (I Dërguari) tha: “Nëse i mbijeton atyre, atëherë bëj një vepër me të cilën kërkon kënaqësinë e Allahut, dhe statusi yt (në fe) dhe prestigji do të rritet; ti mund të mbijetosh që njerëzit të përfitojnë prej teje dhe të tjerë të dëmtohen nga ti.” [I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të)] më tej tha: “O Allah, plotësoje për shokët e mi migrimin e tyre dhe mos i bëj ata të kthehen prapa.” Sa‘d b. Khaula, megjithatë, është fatkeq. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ndjeu hidhërim për të, pasi kishte vdekur në Mekë.

3. Humaid b. Abd el-Rahman el-Himjari transmeton nga tre djemtë e Sa‘dit, të cilët të gjithë transmetuan nga babai i tyre se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) e vizitoi Sa‘din gjatë sëmundjes së tij në Mekë. Ai (Sa‘di) qante. Ai (I Dërguari) tha: “Çfarë të bën të qash?” Ai tha: “Kam frikë se mund të vdes në vendin nga i cili kam migruar, ashtu siç vdiq Sa‘d b. Khaula.” Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “O Allah, jepi shëndet Sa‘dit. O Allah, jepi shëndet Sa‘dit.” Ai e përsëriti këtë tri herë. Ai (Sa‘di) tha: “O i Dërguar i Allahut (Paqja qoftë mbi të), posedoj pasuri të madhe dhe kam vetëm një vajzë si trashëgimtare. A nuk duhet ta jap të gjithë pasurinë time?” Ai (I Dërguari) tha: “Jo.” Ai tha: “(A nuk duhet të jap) dy të tretat e pasurisë?” Ai (I Dërguari) tha: “Jo.” Ai (Sa‘di përsëri) tha: “(A nuk duhet të jap) gjysmën (e pasurisë)?” Ai tha: “Jo.” Ai (Sa‘di) tha: “Atëherë një të tretën?” Atëherë ai (I Dërguari) tha: “(Po), një e tretë, dhe një e tretë është mjaft e madhe. Dhe ajo që shpenzon si bamirësi nga pasuria jote është sadaka, dhe shpenzimi yt për familjen është gjithashtu sadaka, dhe ajo që ha gruaja jote nga pasuria jote është gjithashtu sadaka, dhe të lësh trashëgimtarët e tu të pasur (ose tha: të begatë) është më mirë sesa t’i lësh ata (të varfër dhe) të kërkojnë nga njerëzit.” Ai (I Dërguari, paqja qoftë mbi të) e tregoi këtë me duart e tij.

Vakëfi

1) Ibn Omeri transmetoi: Omeri bleu një tokë në Hajber. Ai shkoi te i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) dhe kërkoi këshillën e tij në lidhje me të. Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, kam blerë një tokë në Hajber. Nuk kam blerë ndonjëherë pronë më të vlefshme për mua se kjo, prandaj çfarë më këshillon të bëj me të?” Atëherë ai (I Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të) tha: “Nëse dëshiron, mund ta mbash pasurinë si të pandryshueshme dhe të japësh prodhimin e saj si sadaka.” Kështu Omeri e dha si sadaka, duke deklaruar se prona nuk duhet të shitet, të trashëgohet ose të jepet si dhuratë. Dhe Omeri e la atë për të varfrit, për të afërmit, për çlirimin e skllevërve, në rrugën e Allahut dhe për mysafirët. Nuk ka mëkat për atë që e administron nëse ai ha diçka prej saj në një mënyrë të arsyeshme, ose nëse ushqen miqtë e tij dhe nuk grumbullon të mira (për vete). Ai (transmetuesi) tha: E transmetova këtë hadith te Muhammedi, por kur arrita te (fjalët) “pa grumbulluar prej saj për t’u pasuruar,” ai (Muhammedi) tha: “Pa e ruajtur pasurinë me qëllim për t’u bërë i pasur.” – Ibn Aun tha: “Ai që lexoi këtë libër që ka të bëjë me vakëfet, më informoi se në të (fjalët janë): ‘Pa e ruajtur pasurinë me qëllim për t’u bërë i pasur.’”

2) Omer b. Hattab (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetoi: Unë dhurova një kalë të racës së mirë në rrugën e Allahut. Pronari i tij e la të dobësohej. Mendova se ai do ta shiste me një çmim të ulët. E pyeta të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të) për këtë, dhe ai tha: “Mos e bli dhe mos e rimerr sadakanë tënde, sepse ai që rimerr sadakanë është si një qen që gëlltit të vjellat e tij.” Ky hadith është transmetuar nga Malik b. Enes me të njëjtën zinxhir transmetimi, por me këtë shtesë: “Mos e bli atë edhe sikur ai ta ofrojë për një dirhem.”

Trashëgimia

  1. Usama b. Zejd transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Një mysliman nuk ka të drejtë të trashëgojë nga një jobesimtar, dhe një jobesimtar nuk ka të drejtë të trashëgojë nga një mysliman.”
  2. Ibn ‘Abbas (Allahu qoftë i kënaqur me ta) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Jepuni pjesët atyre që kanë të drejtë për to, dhe çfarë mbetet i takon trashëgimtarit më të afërt mashkull.”
  3. Jabir b. ‘Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me ta) transmeton: “U sëmura dhe erdhën për të pyetur për shëndetin tim i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) dhe Ebu Bekri. Kisha humbur ndjenjat. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) bëri abdes dhe pastaj më spërkati me ujin e abdesit të tij. Ndjeva një lehtësim dhe i thashë: ‘I Dërguari i Allahut, si duhet të veproj me pronën time?’ Ai nuk më tha asgjë deri sa u shpall ky ajet mbi ligjin e trashëgimisë: ‘Të pyesin për një vendim; thuaj: Allahu ju jep një vendim për atë që nuk ka prindër dhe as fëmijë’ (4:177).”

Burimi: Economic Teachings of Prophet Muhammad (peace be upon him): A Select Anthology of Hadith Literature on Economics, Muhammad Akram Khan.

Transferimi i Pasurisë

Ekzistojnë dy mënyra për të fituar pasuri: ajo mund të fitohet përmes toke, pune, kapitali ose mund të përfitohet përmes transferimeve të institucionalizuara nga shoqëria. Mësimet e të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) mbi mënyrën e parë janë trajtuar diku tjetër në këtë libër. Fitimi i pasurisë përmes mënyrave të ndryshme të transferimit, sikurse trashëgimia, vasijjet (testamenti), vakëfi, hiba (dhurata), ndarja e tepricës me të tjerët në mënyrë vullnetare, lukata (marrja e sendeve të humbura), ‘umra dhe rukba (donacionet e përjetshme të pasurisë së paluajtshme), janë klasifikuar në këtë kapitull. Ligjet e trashëgimisë dhe të vasijjet-it janë diskutuar gjithashtu në Kur’an (Shih Kur’an, 4:11, 177; 2:18; 5:106).

Burimi: Economic Teachings of Prophet Muhammad (peace be upon him): A Select Anthology of Hadith Literature on Economics, Muhammad Akram Khan.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
22.5 ° C
22.5 °
22.5 °
43 %
2.1kmh
0 %
Thu
22 °
Fri
25 °
Sat
25 °
Sun
19 °
Mon
21 °