NIVELET E LIDERSHIPIT – Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

Njerëzit dallojnë mes vete sipas dijes, pasurisë, mendimit, pozitës, profesionit, fuqisë fizike, etj. Sekreti i këtij dallimi fshihet në këtë urtësi: të qenit i të gjithëve në shërbim i të të gjithëve. Pra, askush nuk është i panevojshëm për tjetrin. Sa bukur e ka shprehur këtë Ebu el-Ala Mearriu[1] në një prej vargjeve të tij poetike:

Njerëzit për njerëzit, nga fshat e qytet, janë shërbëtor të njëri-tjetrit, me të vërtet, edhe po nuk e morën vesh këtë realitet[2]

Këtë fakt Kur’ani e ka konfirmuar në disa ajete, prej të cilave do të veçojmë:

Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën e Zotit tënd? Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur në shkallë disa më lart mbi të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve. Mëshira e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata.” [Kur’ani: Zuhruf: 32]

Disa prej jush Allahu i ka pajisur më mirë. Por, ata të cilëve u ka dhënë më shumë, nuk u japin furnizim atyre që i kanë nën vete, edhe pse janë të barabartë në nevoja. Si po i mohoni dhuntitë e Allahut?” [Kur’ani: Nahl: 71]

Shiko, si Ne i parapëlqejmë-(dallojmë) disa ndaj të tjerëve. Kurse bota tjetër, në të vërtetë, do të ketë shkallëzime më të mëdha dhe parapëlqime (dallime) më të theksuara.” [Kur’ani: Isra: 21]

Thuaju: “Pa dyshim, Zoti im ia shton riskun ose ia pakëson kujt të dojë, por shumica e njerëzve nuk e dinë këtë.”” [Kur’ani: Sebe’: 36]

Kështu qëndron puna edhe me lidershipin, pavarësisht se për çfarë fushe lidershipi bëhet fjalë.

Nivelet e lidershipit mund të klasifikohen në nivele mbretërish, halifësh, princërish, kryetarësh, ministrash, deputetësh, drejtorësh shkollash e kompanish, rektorësh e dekanësh. Prej tyre ka që janë të zotë në punët që kryejnë dhe të aftë për të vënë strategji, për të bërë rekomandime, për të ekzekutuar e drejtuar, e ka edhe të tjerë që nuk ia kanë haberin fare[3].

Siç mund të shohim, dallimi ndërmjet liderëve është evident dhe pikërisht ky dallim ka përcaktuar nevojën e organit të shura-së apo kuvendit, konsultimit. Që një lider të jetë i suksesshëm dhe të mos gabojë, duhet të ketë rreth vetes njerëz të mençur e me përvojë, të diskutojë me ta e të merr mendimin e tyre, për të marrë më pas vendimet përkatëse.

Nëpërmjet grafikut në vazhdim mund t’i klasifikojmë nivelet e lidershipit kësisoj:

Udhëheqje profesionale

  • Udhëheqje e planifikuar
  • Udhëheqja e grupeve të ngarkuara me përcaktimin e rregulloreve të përgjithshme të organizatave
  • Udhëheqje ekzekutive
  • Udhëheqja e grupeve të cilat merren me ekzekutimin e strategjive
  • Udhëheqje drejtuese
  • Merr përsipër mentorimin, udhëzimin dhe mbikëqyrjen e liderëve

Udhëheqje vullnetare

  • Udhëheqës të angazhuar vullnetarisht në administrimin dhe mentorimin e shoqatave me karakter human dhe social

Udhëheqje natyrale

  • Tek kjo udhëheqje arrihet nëpërmjet zbulimit të liderëve të rinj të cilët kanë aftësi dhe shkathtësi administruese

Këtu mund të konkludojmë se lideret nuk janë të një rangu apo të një lloji, nivelet dhe llojet e tyre janë të ndryshme, fushat e tyre janë të ndryshme, mirpo mos harroni se këto parime dhe principe janë stabile dhe nuk ndryshojnë, dhe Allahu e di më mirë.

 

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Abu al-Ala al- Mear-riu, 973-1057, Poet, Shkrimtar, Gramaticient dhe Mendimtar i shquar në kohën e periudhës Abasite.

[2]  Mustafa Emijn & Ali el Xharim, El- belagatu el- Vadihatu, botoi Darul El Mearif, 1999, fq:227

[3]Shih: Utejbi, El-enmat el-kijadije…, vep.cit., f. 21; Nehhal, El-kijadetu ve el-xhundijjetu…, vep.cit., f. 64-94; Astal, El-kijadetu fi dav’i el-ajat el-kur’anijeh, f. 34-44.

 

Artikulli paraprakÇka është administrata e falimentimit ?
Artikulli tjetërIslami, Xhamia dhe Menaxhimi