Gjithë kësaj kohe, ne ishim duke folur për shkaqet, ndërsa tani do të flasim për pjesën shpirtërore, që është “nijeti-qëllimi”. Që do të thotë të bësh nijet-qëllim t’i përdorësh aftësitë e tua, t’i përdorësh të gjitha ndjesitë e tua, të ndihmosh numrin më të madh të njerëzve, dhe se çfarëdo që të ndodhë, ti nuk do t’i braktisësh ëndrrat dhe synimet e tua, dhe të bësh nijet-qëllim në zemër që të mbështetesh tek Zoti i plotfuqishëm…
Ky është nijeti-qëllimi. Siç thotë Zoti: “Dhe kur të vendosësh, atëherë mbështetu tek Zoti, se Zoti i do ata që i mbështeten Atij.” Nëse duam t’i marrim me radhë, njëra pas tjetrës këshillat nga ajeti i ndritur, fjala “dhe kur të vendosësh”, tregon për një kusht.
Ky kusht nënkupton që: Kur të vendosësh… të zgjedhësh dhe ta mbash përgjegjësinë… të vendosësh t’i përdorësh ndjesitë e tua… të marrësh parasysh të gjitha shkaqet dhe të planifikosh në mënyrën e saktë… t’i njohësh qëllimet e tua, t’i vësh në zbatim ato, e t’i vlerësosh dhe t’i modifikosh ato, dhe t’i vendosësh sërish në kornizën e mendjes… të kesh durim dhe fleksibilitet … atëherë mbështetu tek Zoti, sepse Zoti i pëlqen këta lloj njerëzish, të cilët i mbështeten Atij sipas këtyre parametrave.
Pra, duke i ndjekur fillimisht shkaqet me anë të gjymtyrëve, pastaj edhe me mbështetjen në zemër, bota e brendshme bëhet e orientuar drejt Zotit të plotfuqishëm, ndërsa bota e jashtme lëvizën dhe vrapon me të gjitha kapacitetet e saj. Ti si njeri ndihesh i plotësuar në punën tënde, kur e di se “ti nuk je i vetëm, por je i mbështetur tek Zoti i madhërishëm”. Kjo fjali është shumë e rëndesishme, prandaj duhet ta meditosh dhe ta kuptosh mirë atë.
Nëse mashtrohesh nga shkaqet, ato do të të shkatërrojnë. Kjo ndodh me shumë njerëz, të cilët i konsiderojnë shkaqet sikur ato janë gjithçka, pastaj nuk arrijnë të kenë sukses. Kjo sepse ata mendojnë se shkaqet janë ato tek të cilat varet suksesi, dhe harrojnë se Shkaktari është Ai i Cili e sjell suksesin. Kur ti kërkon ndihmën e Shkaktuesit të shkaqeve, Ai të jep ty një nga ato shkaqe, dhe e nënshtron për ty atë shkak, sepse Ai i do ata që i mbështeten Atij në këtë mënyrë. Dhe këtu, ti e gjen veten duke ecur në rrugën e fuqizimit tënd personal.
Tani, ne po zgjojmë aftësitë tona, prandaj eja t’i përsërisim edhe një herë ato që kemi thënë që nga fillimi.
Dr. Ibrahim el-Fekij
“Zgjoji aftësitë dhe ndërto të ardhmen tënde”