“Ne duhet të bëjmë punën tonë”, zyrtari i lartë i BQE mbron rritjen e normave të interesit për të luftuar inflacionin

Banka Qendrore Europiane është gjendur përballë kritikave nga Emmanuel Macron dhe të tjerë lidhur me ritmin e rritjes së normave të interesit.

Banka Qendrore Europiane do të vazhdojë të rrisë normat e interesit për të luftuar inflacionin, sipas zëvendëspresidentit Luis de Guindos, i cili hodhi poshtë paralajmërimet nga liderët e vendeve të BE-së se shtrëngimi agresiv i politikës monetare mund të dëmtojë perspektivat e rritjes ekonomike të eurozonës.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim normat e interesit deri në atë nivel që do ta bëjë inflacionin të jetë në përputhje me përkufizimin tonë për stabilitetin e çmimeve,” tha de Guindos për POLITICO në një intervistë. “Ne duhet të bëjmë punën tonë.”

Këto deklarata sfiduese nga de Guindos, i cili perceptohet gjerësisht si një centrist në Këshillin Drejtues të BQE-së, vijnë pasi banka është përballur me kritika nga liderë të tillë si presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, të cilët kanë shprehur shqetësime për shpejtësinë e madhe me të cilën BQE po rrit normat, si dhe për implikimet që mund të kenë këto lëvizje në rritjen ekonomike.

De Guindos gjithashtu la të hapur mundësinë për një tjetër rritje të normës së interesit me 75 pikë bazë në takimin e ardhshëm të komitetit të politikave monetare të bankës në dhjetor. BQE i rriti normat e interesit me këto përmasa për herën e dytë radhazi në muajin tetor, duke vazhduar kështu ritmin më të shpejtë të ciklit shtrëngues në historinë e bankës qendrore, ndërkohë që inflacioni u rrit mbi 10 për qind për herë të parë.

I pyetur në lidhje me argumentin se ndërmarrja e rritjeve më të vogla tani do të ishte një veprim më i kujdesshëm në kushtet e pasigurisë së lartë, de Guindos tha: “Ne bazohemi kryesisht tek inflacioni dhe, nëse shikoni trendin në tetor, mund të vini re se rritja e tij po përshpejtohet.”

Ai theksoi se indikatori i ashtuquajtur inflacioni bazë – i cili nuk merr parasysh produktet me çmime të paqëndrueshme, të tilla si energjia, dhe përdoret si matës për tendencat e ardhshme të inflacionit – u rrit në 5 për qind. Kjo shifër është më shumë sesa dyfishi i objektivit të inflacionit afatmesëm të BQE-së prej 2 për qind.

Megjithëse de Guindos nuk u shpreh nëse ai pret një rishikim tjetër të parashikimit aktual të BQE-së prej 5.5 përqind për inflacionin e vitit 2023 në takimin e ardhshëm të dhjetorit, ai tha se “ne e kemi nënvlerësuar inflacionin për një kohë të gjatë”.

“Mendimi im është se inflacioni do të qëndrojë rreth nivelit aktual prej 10.7 për qind gjatë muajve të ardhshëm. Ai do të fillojë të bjerë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, por mesatarisht, inflacioni total dhe ai bazë do të mbeten në nivele shumë të larta”, tha ai. “Ka të bëjë më shumë me trendin, sesa me shifrat pas presjes dhjetore.”

Në të njëjtën kohë, zëvendëspresidenti spanjoll i BQE-së tha se pret që rritja ekonomike do të jetë dukshëm më e keqe sesa ishte parashikuar në muajin shtator, kur stafi i BQE-së supozoi se nuk do të kishte recesion dhe rritja mesatare për vitin e ardhshëm do të ishte 0.9 për qind.

“Ekziston një probabilitet i lartë që rritja ekonomike në tremujorin e katërt të këtij viti të jetë negative. Rritja negative nga njëri tremujor në tjetrin ka të ngjarë të vazhdojë edhe në tremujorin e parë të vitit 2023, që do të thotë se ne do të përballemi me një recesion teknik”, tha ai.

Megjithëse de Guindos tha se nuk mendon që recesioni do të jetë shumë i thellë dhe pret që rritja ekonomike të rifillojë më vonë gjatë vitit 2023, ai paralajmëroi se, duke pasur parasysh nivelin aktual të pasigurisë, ishte “jashtëzakonisht e vështirë” të bëheshin parashikime të besueshme përtej gjashtë muajve.

Artikulli paraprakATK: Gastronomia e Hoteleria, dy sektorët më problematikë sa i përket detyrimeve tatimore
Artikulli tjetërUtrechti i Holandës qyteti më ‘miqësor’ për biçikletat në botë

Comments are closed.