Ndërkombëtarët interesohen për turizmin kosovar

Rreth 25 persona nga e gjithë bota, po marrin pjesë në udhëtimin familjarizues për të parë nga afër turizmin rural kosovar.

Rreth 25 persona nga gjithë bota, përfshirë edhe gazetarë dhe operatorë turistikë, do të qëndrojnë në një vizitë njëjarëve në Kosovë, për të parë nga afër bukuritë dhe ofertën turistike të vendit. Ata do të krijojnë kontakte me bizneset turistike vendore dhe ato të huaja që operojnë në Republikën e Kosovës.

Ky turne organizohet për herë të parë në Kosovë në një udhëtim “familjarizues për operatorët turistikë ndërkombëtarë si dhe për disa gazetarë e huaj.

Ky udhëtim organizohet nga AltaVia me mbështetje nga Qeveria Zvicerane përmes projektit PPSE (Projekti Promovimi i punësimit në sektorin privat) të Swisscontactit dhe nga USAID në Kosovë përmes projektit EMPOWER Private Sector.

“Në udhëtimin familjarizues do të marrin pjesë 25 persona nga e gjithë bota, të cilët do të njoftohen me Kosovën për së afërmi. Natën e parë të këtij udhëtimi (e enjte, 5 maj) ata janë të ftuar të darkojnë me zyrtarë të Ministrisë të Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe përfaqësues të organizatave të tjera. Ditën vijuese (e premte, 6 maj), do të vazhdojnë vizitën për në perëndim të Kosovës, më saktë në Bogë, Deçan, Junik e Gjakovë. Të shtunën (7 maj) do ta vizitojnë Prizrenin, Brodin dhe Brezovicën”, thuhet në një njoftim. Të shtunën në mbrëmje thuhet se ata do të jenë në Hotelin Swiss Diamond në Prishtinë në kuadër të mbrëmjes solemne ku do të kenë mundësi të takohen me rreth 100 biznese vendore të fushës së turizmit.

“Organizatorët e këtij udhëtimi familjarizues i kanë vizituar paraprakisht komunat e përfshira në program dhe kanë marrë pëlqimin e tyre për këtë vizitë, si dhe janë zotuar se do t’i mirëpresin mysafirët ashtu siç e do tradita kosovare”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndryshe, Projekti Promovimi i punësimit në sektorin privat (PPSE) në Kosovë i cili financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë (SDC), dhe implementohet nga Swisscontact (si partner udhëheqës), Instituti Riinvest dhe PEM Consult ka për qëllim të ndihmoj ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat operojnë në sektorë ekonomik konkurrues, ku politikat publike më mirë i përgjigjen nevojave të sektorit privat, dhe të siguroj punësim të rritur dhe qëndrueshëm për gratë dhe burrat.

 

Artikulli paraprakTrusti Pensional përfiton 48 milionë euro për 2 vjet
Artikulli tjetërParlamenti i Greqisë miraton reformat