Ballina Biznes Ndarja e fitimit bruto

Ndarja e fitimit bruto

Financimi mbi bazën e musharakah-ut sipas procedurës së përshkruar më lart mund të jetë i vështirë në një biznes me shumë asete fikse, veçanërisht në një industri në funksionim, sepse vlerësimi i të gjitha aseteve dhe llogaritja e zhvlerësimit ose vlerësimit të tyre mund të shkaktojë probleme kontabël dhe mosmarrëveshje. Në këto raste, musharakah mund të zbatohet në një mënyrë tjetër.

Vështirësitë kryesore në këto raste lindin nga llogaritja e shpenzimeve indirekte, siç janë zhvlerësimi i makinerive, pagat e stafit etj. Për të zgjidhur këtë problem, palët mund të bien dakord mbi parimin që, në vend të fitimit neto, do të ndahet fitimi bruto mes palëve, që do të thotë se shpenzimet indirekte nuk do të zbriten nga fitimi që do të shpërndahet. Kjo do të thotë që të gjitha shpenzimet indirekte do të përballohen vullnetarisht nga industrialisti, dhe vetëm shpenzimet direkte (si ato të lëndëve të para, punës së drejtpërdrejtë, energjisë elektrike etj.) do të përballohen nga musharakah-u. Por, meqë industrialisti po vë në dispozicion vullnetarisht makineritë, ndërtesën dhe stafin e tij për musharakah-un, përqindja e fitimit të tij mund të rritet për ta kompensuar atë deri në një farë mase.

Kjo marrëveshje mund të justifikohet me arsyetimin se klientët e institucioneve financiare nuk kufizohen vetëm në operacionet për të cilat kërkojnë financim nga këto institucione. Prandaj, makineritë dhe stafi i tyre janë të angazhuar edhe në biznese të tjera që mund të mos jenë subjekt i musharakah-ut, dhe në një rast të tillë, kostoja e plotë e këtyre shpenzimeve nuk mund t’i ngarkohet musharakah-ut.

Të marrim një shembull praktik. Supozojmë se një fabrikë pambuku ka një ndërtesë me vlerë 22 milionë Rs, pajisje dhe makineri me vlerë 2 milionë Rs dhe stafi paguhet me 50,000 Rs në muaj. Fabrika ka kërkuar financim prej 5,000,000 Rs nga një bankë mbi bazën e musharakah-ut për një periudhë prej një viti. Kjo do të thotë se pas një viti musharakah-u do të përfundojë dhe fitimet e realizuara deri në atë pikë do të ndahen mes palëve sipas raportit të rënë dakord. Gjatë përcaktimit të fitimit, të gjitha shpenzimet direkte do të zbriten nga të ardhurat. Shpenzimet direkte mund të përfshijnë:

  1. shumën e shpenzuar për blerjen e lëndës së parë
  2. pagat e punëtorëve të përfshirë drejtpërdrejt në përpunimin e lëndës së parë
  3. shpenzimet për energjinë elektrike të konsumuar gjatë procesit të ndarjes së pambukut
  4. faturat për shërbime të tjera të ofruara drejtpërdrejt për musharakah-un

Sa i përket ndërtesës, makinerive dhe pagës së stafit tjetër, është e qartë që ato nuk janë të dedikuara vetëm për biznesin e musharakah-ut, pasi musharakah-u do të përfundojë brenda një viti, ndërsa ndërtesa dhe makineritë janë blerë për një periudhë shumë më të gjatë gjatë së cilës fabrika e pambukut do t’i përdorë për biznesin e saj që nuk i përket kësaj marrëveshjeje njëvjeçare. Prandaj, kostoja e plotë e ndërtesës dhe makinerive nuk mund të mbulohet nga musharakah afatshkurtër. Gjëja maksimale që mund të bëhet është që zhvlerësimi i ndërtesës dhe makinerive gjatë periudhës së musharakah-ut të përfshihet në shpenzimet e tij. Por në praktikë, do të jetë shumë e vështirë të përcaktohet kostoja e zhvlerësimit dhe kjo mund të shkaktojë edhe mosmarrëveshje. Prandaj, ekzistojnë dy mënyra praktike për të zgjidhur këtë problem:

Së pari, palët mund të bien dakord që portofoli i musharakah-ut do t’i paguajë një qira të rënë dakord klientit për përdorimin e makinerive dhe ndërtesës që i përkasin atij. Kjo qira do t’i paguhet atij nga fondi i musharakah-ut, pavarësisht nga fitimi apo humbja e biznesit.

Opsioni i dytë është që, në vend që t’i paguhet qira klientit, të rritet përqindja e fitimit të tij.

Nga pikëpamja e Sheriatit, kjo mund të justifikohet në analogji me mudarabah-un në shërbime, i cili lejohet sipas mendimit të Imam Ahmed bin Hanbel.

 

Artikulli paraprakZhvillimi i një biznesi shërbimesh
Artikulli tjetërMusharakah zvogëluese në tregti- partneritet që pakësohet me kohën