Shembulli i tretë i musharakah zvogëluese (pjesa e pronësisë së njërës palë zvogëlohet gradualisht) siç është dhënë më sipër, është që financuesi kontribuon me 60% të kapitalit për nisjen e një biznesi me rroba të gatshme, për shembull. Kjo marrëveshje përbëhet vetëm nga dy përbërës:
- Së pari, marrëveshja është thjesht një musharakah ku dy partnerë investojnë shuma të ndryshme kapitali në një ndërmarrje të përbashkët. Kjo është padyshim e lejuar në përputhje me kushtet e musharakah të shpjeguara më parë në këtë kapitull.
- Blerja e njësive të ndryshme të pjesës së financuesit nga klienti. Kjo mund të jetë në formën e një premtimi të veçantë dhe të pavarur nga klienti. Kërkesat e Sheriatit lidhur me këtë premtim janë të njëjta siç janë shpjeguar në rastin e financimit të banesave me një ndryshim shumë të rëndësishëm. Këtu çmimi i njësive të financuesit nuk mund të fiksohet në premtimin për blerje, sepse nëse çmimi fiksohet paraprakisht në momentin e hyrjes në musharakah, kjo praktikisht do të thotë që klienti ka siguruar kapitalin e investuar nga financuesi me ose pa fitim, gjë që është rreptësisht e ndaluar në rastin e musharakah. Prandaj, ka dy opsione për financuesin në lidhje me fiksimin e çmimit të njësive të tij që do të blihen nga klienti. Një opsion është që ai pranon të shesë njësitë në bazë të vlerësimit të biznesit në kohën e blerjes së çdo njësie. Nëse vlera e biznesit është rritur, çmimi do të jetë më i lartë dhe nëse është ulur, çmimi do të jetë më i ulët. Ky vlerësim mund të kryhet në përputhje me parimet e njohura nga ekspertët, identiteti i të cilëve mund të bihet dakord mes palëve kur nënshkruhet premtimi. Opsioni i dytë është që financuesi i lejon klientit të shesë këto njësi kujtdo tjetër për çfarëdo çmimi që mundet, por në të njëjtën kohë i ofron një çmim të caktuar klientit, që do të thotë që nëse ai gjen një blerës për atë njësi me një çmim më të lartë, mund ta shesë atij, por nëse dëshiron t’ia shesë financuesit, ky i fundit do të jetë dakord ta blejë atë me çmimin e fiksuar më parë.
Edhe pse të dy këto opsione janë të vlefshme sipas parimeve të Sheriatit, opsioni i dytë nuk duket të jetë i zbatueshëm për financuesin, sepse do të çonte në përfshirjen e partnerëve të rinj në musharakah, gjë që do të prishte të gjithë marrëveshjen dhe do të dështonte qëllimin e musharakah-it zvogëlues në të cilin financuesi dëshiron të marrë paratë e tij mbrapsht brenda një periudhe të caktuar. Prandaj, për të zbatuar qëllimin e musharakah zvogëlues, vetëm opsioni i parë është praktik.











