Çfarë lloj lidershipi duam të shohim sot në botë?
Dhe pse kaq shumë liderë nuk i përmbushin pritshmëritë tona?
Ndërsa vuajmë pasojat e lidershipit të dobët në mbarë botën, gjithnjë e më shumë pyetjet po bëhen për ata që janë në pushtet. Abraham Linkolni tha në shprehjen e famshme: “Pothuajse të gjithë njerëzit mund t’i përballojnë fatkeqësitë, por nëse doni të testoni karakterin e një burri, jepini atij fuqi/pushtet”.
Ka diçka në lidhje me fuqinë/pushtetin që ndikon në gjendjen njerëzore ndryshe nga çdo gjë tjetër. Ka një aftësi të çuditshme për të ndryshuar njerëzit, sjelljen dhe veprimet e tyre, gjë që tregon diçka për karakterin e tyre.
Fuqia/pushteti i vendosur mbi një karakter të dobët korrupton absolutisht.
Dhe duket se nuk mungojnë personalitetet e dobëta që kërkojnë dhe marrin lidership dhe pushtet.
Pushteti mund të marrë shumë forma dhe mund të arrihet me shumë mjete. Pushteti nuk është vetëm politik apo organizativ, por mund të jetë edhe ekonomik, financiar, social dhe madje edhe fetar. Secili mund të testojë karakterin tonë (nëse mendoni se fuqia fetare nuk e teston karakterin e dikujt, gaboheni!)
Një person dikur e përshkroi një lider si një njeri të ndershëm, ndërsa shoku i tij e pyeti, ‘i ndershëm deri në sa?’ Prandaj njeriu mbetet të pyesë nëse karakteri i secilit ka një çmim.
Ne jetojmë qartazi në një kohë kur bota kërkon një lidership më të mirë, pavarësisht nëse shikon në “Lindje” apo “Perëndim”. Pakënaqësia e përhapur me lidershipin e korruptuar dhe të padrejtë dhe humbja e besimit në shumë liderë dhe institucione është qartë e dukshme përmes mediave dhe shoqërisë në përgjithësi.
Një nga masat më të referuara në botë në këtë drejtim është Transparency International me bazë në Gjermani dhe ‘Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit’ (CPI). Në fund të çdo viti, rreth 180 vende renditen sipas nivelit të ulët dhe të lartë të korrupsionit. Kjo ka rëndësi, jo vetëm për shkak të këshillave të shumta islame për ndershmërinë e përgjithshme dhe financiare, respektimin e kontratave e kështu me radhë. Në të vërtetë, vargu më i gjatë në Kur’an (Bekare 2:282) ka të bëjë me këtë temë.
O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiu juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar All-llahu. Le të shkruajë, e atij le t’i diktojë ai që pranon borxhin, le t’i frikësohet All-llahut, Zotit të tij e të mos lëre mangut asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mentalisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë tek All-llahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras) që e praktikoni midis jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mosrespekt juaji (ndaj dispozitave të All-llahut). Kini frikë All-llahun se All-llahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), All-llahu është i gjithëdijshëm për çdo send.
Bekare 2:282
Ka rëndësi sepse, korrupsioni është i lidhur me padrejtësinë, shtypjen, shpërndarjen e dobët të pasurisë, humbjen e jetës mes tragjedive të tjera. Në të vërtetë, të gjitha gjërat thelbësore të ‘Mekasidit esh-sheria’ (objektivat më të larta të ligjit islam) të cilat duhet të ruhen (nga ruajtja e jetës dhe intelektit, deri te ruajtja e lirisë, dinjitetit dhe drejtësisë) janë komprometuar në një mjedis të korruptuar.
Një vështrim i rezultateve në botën myslimane, tregon se disa vende po bëjnë përparim, por tabloja e përgjithshme është tepër shqetësuese dhe dëshpëruese. Si mund të ndryshohet kjo? Përgjigja është një udhëheqje e mirë.
Nevoja për udhëheqje të mirë nuk është unike vetëm për muslimanët, por është një problem global. Fjalët e Martin Luther King Jr tingëllojnë të vërteta, kur ai u ankua në mënyrën e tij të famshme për mënyrën sesi përparimet tona shkencore (dhe teknologjike) e kanë tejkaluar përparimin tonë njerëzor dhe shpirtëror, prandaj “kemi raketa të drejtuara dhe njerëz të devijuar”.
Megjithatë, kjo anatemë me të cilën përballen njerëzit në mbarë botën, nuk është për shkak të mosekzistencës së njohurive se çfarë e bën një lider të mirë. Kur profesori i parë i lidershipit në botë-John Adair pyeti ish-kryeministrin britanik Jim Callaghan nëse ai kishte studiuar lidership, përgjigja ishte “Nuk kam studiuar, dhe ndoshta nëse do të kisha pasur, mund të kisha qenë një udhëheqës më i mirë”.
Prandaj, ekziston një nevojë urgjente për edukimin, kultivimin dhe trajnimin e liderëve aktualë dhe atyre në zhvillim në të gjitha nivelet, nga liderët socio-politikë deri te ata organizativ, se si të jemi një udhëheqës i mirë, nëse duam të ndërtojmë organizata, shoqëri dhe një botë më të mirë. Dhe nga shumë cilësi të lidershipit mbi të cilat dikush mund të edukohet, rëndësia kryesore është integriteti, i cili përfshin futjen e etikës në karakterin e dikujt.
Citimi ynë në hapje zbuloi se si udhëheqës të shquar si Linkolni e kuptuan rëndësinë e karakterit dhe integritetit kur dikush hyn në arenën e udhëheqjes. Ka shumë pak liderë sot që kanë arritur ta mishërojnë këtë. Por në mesin e atyre që u shënuan nga madhështia për shkak të integritetit të tyre në historinë e fundit përfshijnë Mandelën, Gandhin, Luter King Jr dhe Malkolm X.
Por kur merret në konsideratë lideri më i madh i të gjitha kohërave, emri i Profetit Muhamed ﷺ duhet të dalë në pah, jo vetëm në sytë e muslimanëve në mbarë botën, por edhe tek studiuesit dhe historianët e shquar jomuslimanë si Michael Hart, i cili e quajti Profetin Muhamed ﷺ si numër një në përmbledhjen e tij të njëqind udhëheqësve më të mëdhenj në histori.
Ne e dimë se ideja e udhëheqjes ishte e rëndësishme për Profetin ﷺ. Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe secili është përgjegjës për tufën e tij” – Buhariu dhe Muslimi
Profetët e mëdhenj dihej se kanë qenë barinj në një fazë të jetës së tyre. Nga ky fakt është nxjerrë një shëmbëlltyrë, ku bariu ishte një proces trajnimi për t’u mundësuar profetëve të udhëheqin njerëzit. Ky hadith na mëson se përtej profetëve të mëdhenj, ne jemi të gjithë barinj, në një mënyrë apo në tjetrën. Në një tjetër transmetim i njohur i hadithit në lidhje me udhëheqjen, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur tre janë në udhëtim, ata duhet të caktojnë një për udhëheqës” – Ebu Davudi
Kjo është magjepsëse pasi tregon se edhe në një grup të vogël, ku dikush mund të ketë menduar ndryshe se lidershipi nuk kërkohet, këshilla profetike dhe si rrjedhim islame është që të caktohet një person udhëheqës.
Megjithatë, çfarë lloj lideri duhet të kërkojë të jetë dikush?
Cilat janë cilësitë e lidershipit që u ilustruan nga Profeti ﷺ?
11 cilësitë profetike të lidershipit
Duke u mbështetur në analizën tonë të Siras dhe duke integruar punën e studiuesve të shumtë në mbarë botën, veçanërisht atë të John Adair-profesorit të parë në botë të udhëheqjes, i cili shkroi mbi Udhëheqjen e Muhamedit në vitin 2011, ne identifikuam një listë gjithëpërfshirëse me mbi 50 profetë.
Më pas ne i rishikuam në mënyrë kritike këto për të kërkuar 10 më të mirat. Pas filtrimit, shkrirjes dhe ekzaminimit të gjerë të listës kundrejt provave të bazuara në Sira, arritëm në 11 cilësi dhe arritëm në përfundimin se secila nga këto 11 ishin jetike dhe kështu do të formonin listën tonë përfundimtare.
Kjo listë është si më poshtë:
Integriteti dhe besimi – profeti ndërtoj një reputacion për ndershmëri dhe vërtetësi;
Vizioni – një mendje strategjike që ofron vizion dhe drejtim përmes frymëzimit
Guximi – tregoi trimëri dhe besim të jashtëzakonshëm përballë vështirësive
Kompetenca – ishte efektivë, i besueshëm dhe pati ndikim
Drejtësia – ishte i drejtë dhe meritokratik në marrëdhëniet me të tjerët, duke përfshirë edhe marrdhëniet me jomuslimanët
Vendosmëria – nuk do të ulej në gardh, por do të shqyrtonte opsionet dhe më pas do të merrte një vendim të qartë
Udhëheqja shërbyese- udhëheqte me shembull; u përball me vështirësi nga njerëzit; vepronte e nuk mbështetej vetëm tek fjalët
Mençuria – ishte nëgjendje të bënte një gjykim të konsideruar duke u mbështetur në njohuritë dhe pikëpamjet afatgjatë
Durimi – tregoi qëndrueshmëri të thellë, ofronte falje dhe kishte aftësi për tu shkuar gjërave deri në fund
Dhembshuria dhe ngrohtësia – rrezatuante ngrohtësi zemre, dashuri, vlerësim dhe butësi
Inteligjenca emocionale dhe shpirtërore – gjithmonë ishte në gjendje të frymëzojë shpresë; tu jepte njerëzve qëllim dhe kuptime
Nuk është e vështirë të gjesh një bollëk shembujsh të cilësive të mësipërme në jetën e Profetit ﷺ.
Integriteti i tij u vendos që në moshë të re, duke pasur parasysh shfaqjen e tij të vazhdueshme të ndershmërisë dhe të vërtetës në marrëdhëniet e tij me të gjithë. Gjatë mosmarrëveshjes së gurit të zi, kur hyri i riu Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, udhëheqësit mekas deklaruan se ‘El-Emini ka ardhur’ dhe e pranuan atë si ofruesin e tyre të zgjidhjes.
Vizioni i tij strategjik ishte i dukshëm gjatë traktatit të Hudejbijes, kur ai hartoi një marrëveshje me mekasit, me të cilën pasuesit e tij u ndjenë të zhgënjyer në afat të shkurtër, por që e pa Mekën të çliruar në afat të gjatë.
Guximi i tij ishte i dukshëm gjatë çdo beteje dhe çdo periudhe sfiduese me të cilën përballej populli i tij. Një herë gjatë natës në Medinë, sahabët u zgjuan nga një zhurmë e madhe dhe e frikshme. Ndërsa dolën me kujdes nga shtëpitë e tyre për të parë se çfarë po ndodhte, ata panë se ishte një kalë i vështirë i dalë jashtë kontrollit, por për fat të mirë dikush që ishte trim kishte dalë me shpejtësi dhe e kishte vënë kalin nën kontroll. Ai nuk ishte tjetër veçse Pejgamberi i guximshëm ﷺ.
Kompetenca. Ai mishëroi kornizën kur’anore të Al-Kawi Wal Amin. Prandaj ishte i fortë, kompetent dhe i aftë, ndërkohë që ishte i besueshëm. Sot zbulojmë se ndonjëherë njerëzit e mirë nuk janë më kompetentët, ndërsa më kompetentët nuk janë gjithmonë të mirët. Roli i Profetit ﷺ modeloi nevojën për të qenë të dyja. Ai njihej si një komunikues i aftë, i cili kishte dhuntinë e ‘xhevam’ul kalim’—një mënyrë poetike me fjalë që i mundësonte të thoshte shumë gjëra me vetëm pak fjalë. Ai ishte një shpatar ekspert, me aftësi të shkëlqyera në kalërim, por gjithashtu kishte aftësi praktike të përditshme prej ndërtimit deri në qepje.
Ai ishte skrupulozisht i drejtë dhe i arsyeshëm, i tillë ishte edhe gjatë një mosmarrëveshjeje midis një besimtari dhe një personi hebre, ai dha një vendim në favor të personit hebre në dritën e provave që kishte përpara. Ai në mënyrë të ngjashme nuk pranoi t’u jepte role udhëheqëse shokëve të cilët ai mendonte se nuk do të ishin mjaftueshëm të drejtë në udhëheqjen e tyre.
Ai ishte një vendimmarrës i përqendruar, i cili shkoi në veprim menjëherë pasi u konsideruan mendimet dhe u morr vendimi. Ai ishte një avokat i konsultimit (shurasë) dhe u mbështet në ekspertizën e atyre përreth tij. Pastaj do të vendoste dhe do të vepronte.
Sapo ai po bënte përgatitjet e mbrojtjes dhe po vishte parzmorën për një ekspeditë ushtarake, një shok erdhi të vinte në dyshim planet në lidhje me lëvizjen ushtarake. Profeti ﷺ e dinte se kur ishte koha për diskutim dhe kur ishte koha për veprim. Ai i tha shokut, kur një Profet vendos parzmoren e tij, nuk ka kthim prapa.
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë një herë: “Lideri i një populli është shërbëtori i tyre”. Ai e tregoi këtë gjatë gjithë jetës së tij, nga ndërtimi personal i xhamisë së tij deri te pjesëmarrja në gërmime gjatë betejës së Hendekut. Ai nuk ishte një udhëheqës që i shërbente vetes, por në shërbim të një kauze më të lartë. Kjo u shoqërua me përulësi dhe një jetë të thjeshtë. Ai u ul në mesin e popullit të tij si njëri prej tyre, aq sa kur vinin vizitorë të huaj, ata nuk mund të dallonin menjëherë nga një tubim se kush ishte Profeti a.s.
Ai ishte i mençur, por praktik në të njëjtën kohë. Një herë një beduin erdhi në xhaminë e Profetit a.s. dhe kur erdhi thirrja e ezanit, ai filloi të urinonte brenda xhamisë dhe zonës së faljes. Natyrisht, kjo i zemëroi adhuruesit dhe shokët e tjerë të Profetit ﷺ, të cilët filluan të marshonin drejt tij të zemëruar. Profeti ﷺ ndërhyri, jo vetëm duke e ndalur mundësinë e rrahjes së beduinit, por në fakt u tha adhuruesve që ta linin beduinin të përfundonte urinimin!
Kjo ishte jo vetëm shumë e vëmendshme prej tij, por edhe më e mençur. Ai e kuptoi se ky nuk ishte një akt agresioni, por beduini i thjeshtë nuk dinte për etikën e sjelljes në xhami dhe duhej të mësohej. Kjo ishte urtësia e mësuesit të madh – Profetit ﷺ, i cili vazhdoi të këshillonte beduinët budallenj.
Një nga cilësitë më të dukshme të Profetit ishte durimi i tij i jashtëzakonshëm. Për 13 vjet ai duroi abuzimin dhe persekutimin nga duart e bashkëkombësve të tij mekas, duke përfshirë edhe rastet kur shokët e tij u rrahën, torturuan dhe në disa raste u vranë. Edhe Profetit ﷺ nuk iu kursye që t’i hidhnin zorrë kafshësh teksa lutej. Një nga momentet e tij më të rrezikshme ishte në Ta’if, kur njerëzit dhe fëmijët e tyre e gjuajtën me gurë Profetin e dashur (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) derisa ai kishte gjakderdhje të madhe.
Megjithatë, atij iu desh të qëndronte i durueshëm dhe fleksibil gjatë vuajtjeve, ndërkohë që shihte me dhimbje ndjekësit e tij të dashur të keqtrajtuar rëndë. Forca e tij e brendshme dhe durimi, u dha pasuesve të tij forcë dhe durim derisa Zoti u dha atyre lehtësi.
Dhembshuria dhe dashuria ishin me bollëk në Profetin ﷺ i cili u përpoq të pasqyronte dhembshurinë e hyjnores. Një herë, një fqinje e moshuar, e cila rregullisht hidhte mbeturina në rrugën e Profetit ﷺ, u sëmur. Duke parë këtë, Profeti a.s nuk e festoi këtë situatë, por tregoi kujdes dhe dhembshuri duke shkuar për të vizituar gruan e vjetër dhe duke përgatitur ushqim për të.
Inteligjenca emocionale ka të bëjë me rregullimin e emocioneve të dikujt dhe të të tjerëve, për t’i përdorur ato në qëllim të kultivimit të marrëdhënieve të mira. Profeti ﷺ mësoi se edhe ‘buzëqeshja ishte sadaka’. Prandaj ai mësoi të projektonte emocione pozitive duke e mbajtur veten të lumtur dhe duke i bërë të tjerët të lumtur gjithashtu. Inteligjenca shpirtërore është niveli tjetër nga sfera emocionale. Kjo ka të bëjë me drejtimin e vetvetes dhe frymëzimin e të tjerëve drejt një qëllimi të lartë e fisnik. Bëhet fjalë për shfrytëzimin e fuqisë së vlerave për të krijuar kuptim dhe për të kërkuar një ndryshim.
Pejgamberi ﷺ gjithmonë ka paralajmëruar që të mos jetojmë jetën në mënyrë të pakuptimtë dhe ka bërë thirrje që pasuesit të jenë njerëz të mëdhenj. Një herë, kur një prijës arab i quajtur Thumama Ibn Uthal u kap dhe u vendos për ekzekutim për shkak të vrasjes së muslimanëve, Profeti ﷺ e befasoi atë me mikpritje dhe butësi.
Gjatë këtij procesi, ai e pyeti vazhdimisht zemrën e Thumames, duke i kërkuar që të hapej dhe të thoshte diçka. Thumame e ndjeu fuqinë e pranisë dhe zemrës së Profetit ﷺ. Ai mund të ndjente praninë e njeriut të madh ﷺ dhe zemrën e tij. Pastaj Profeti (a.s) e liroi Thumamen pa kushte, por Thumame e pa veten duke u ngrohur drejt qëllimit hyjnor dhe menjëherë bëri deklaratën e tij të besimit pa u thënë shumë mes tyre. Profeti (a.s) ishte më pak i shqetësuar për fitimin e argumenteve dhe më shumë i shqetësuar për fitimin e zemrave. Kjo është ajo që ka të bëjë me inteligjencën shpirtërore.
11 cilësitë e udhëheqjes profetike janë autentike, të përjetshme dhe universale. Ato kishin rëndësi në të kaluarën, janë të nevojshme sot dhe do të vazhdojnë të kenë rëndësi në të ardhmen.
Këto cilësi lidhen me nocionin më të gjerë islam të zhvillimit të karakterit dhe zhvillimit shpirtëror, diçka me rëndësi kritike për udhëheqësit dhe çelësi për të zbutur korrupsionin dhe grackat e tjera të pushtetit. Nuk është çudi, Pejgamberi ﷺ tha: “Më të mirët prej jush janë ata që kanë karakter më të mirë”.
Al Ghazali – një mjeshtër i zhvillimit të karakterit, i cili e kuptonte thellësisht udhëheqjen profetike, e kuptoi nevojën për të dhënë një shembull si udhëheqës. Ai tha në këshillën e tij të famshme drejtuar sundimtarëve: “Nëse një mbret është i drejtë… zyrtarët e tij do të jenë të drejtë, por nëse ai është i pandershëm, neglizhues dhe ngushëllues… zyrtarët që zbatojnë politikat e tij së shpejti do të bëhen përtacë dhe të korruptuar”.
Beteja e Hunejnit: Udhëheqja autentike në veprim
Një nga ngjarjet më të shquara në Sira gjendet në betejën e famshme të Hunejnit. Është një ngjarje që Adair e vëren si një shembull mbresëlënës i menaxhimit me integritet të kërkesave të shumë palëve të interesuara. Hunejni ishte një rast i vështirë dhe sfidues në të cilin Profeti ﷺ tregoi gjykim të madh, udhëheqje të zgjuar dhe ndoshta të gjitha 11 cilësitë e udhëheqjes në një ngjarje. Siç thotë shprehja, “udhëheqja është si një qese çaji, nuk e di sa e mirë është derisa të jetë në ujë të nxehtë”. Dhe në ujin e nxehtë të Hunejnit, Profeti ﷺ tregoi pse ai ishte më i madhi i udhëheqësve.
Pas çlirimit paqësor të Mekës, disa fise fqinje u tërbuan me rritjen dhe suksesin e bashkësisë myslimane në zhvillim. Beni Hawazin në veçanti u nisën në rrugën e luftës në një përpjekje për të shkatërruar muslimanët. Fusha e betejës ishte lugina e Hunejnit, afër Ta’ifit ku rreth 12,000 muslimanë do të takoheshin me rreth 4,000 armiq. Duke e tejkaluar numrin e armikut për herë të parë (në ndryshim nga Bedri ku muslimanët ishin më të paktë në numër se armiku, por megjithatë fituan) shumë nga radhët e muslimanëve ndiheshin të sigurt, të vetëkënaqur dhe duke menduar se do të ishte një betejë e lehtë.
Megjithatë, ndërsa muslimanët ngritën kampin, ata u përballën me një pritë të befasishme, pasi armiku u nis më herët se sa pritej, duke bërë që shumë prej ushtarëve muslimanë të iknin, duke e lënë Profetin e guximshëm ﷺ në rrezik ndërsa ai vazhdoi të qëndronte në këmbë përpara sulmit përballë tij.
Ndërsa Profeti ﷺ dhe shokët e tij të palëkundur, i thërrisnin muslimanët e arratisur që të ktheheshin dhe të qëndronin me Profetin ﷺ, muslimanët përfundimisht rifituan kontrollin dhe mposhtën Beni Hawazinët. Mësimi që duhet të mësohet për ata që ikën u shpall në suren Teube 25-27 duke na kujtuar nevojën që të përgatitemi dhe të mbështetemi te Zoti; dhe jo të supozojmë fitoren duke u bazuar vetëm në dunjawi (në aspektet fizike botërore) dhe nëkonsideratat numerike, por të kërkojnë ndihmën e Zotit pasi vetëm Ai mund të japë sukses.
-Nuk ka dyshim se All-llahu ju ka ndihmuar në shumë beteja, e edhe në ditën e Hunejnit, kur juve ju mahniti numri i madh, i cili nuk ju vlejti asgjë, dhe me gjerësinë e saj që e kishte toka u ngushtua për ju, pastaj ju u zbrapsët (ikët).-Pastaj All-llahu zbriti qetësinë e vet në të dërguarin e Tij dhe në besimtarë, zbriti një ushtri që ju nuk e patë, i dënoi ata që mohuan, e ai ishte ndëshkim ndaj mosbesimtarëve.-All-llahu pastaj ia falë atij që do. All-llahu falë shumë dhe mëshiron shumë.Teube 25-27
Udhëheqja e madhe e Profetit ﷺ bëhet edhe më e dukshme kur vëzhgon mënyrën se si ai menaxhoi palët e ndryshme të interesit dhe emocionet, pavarësisht se ishte në mjedisin e vështirë të fushëbetejës. Për shembull, doli se një nga robërit ishte Shayma bint Halima – motra birësuese e humbur prej kohësh e Profetit ﷺ, e cila u kap në betejë. Pretendimi i saj për lidhje nuk u besua fillimisht, por ajo kërkoi të shihte Profetin ﷺ dhe ai u pajtua, por kur ajo doli ai nuk e njohu atë derisa ajo i tregoi atij një shenjë kafshimi që ai ﷺ la në krahun e saj kur ishte fëmijë. Profeti ﷺ më pas e priti ngrohtësisht dhe e shtriu mantelin e tij që të dy të mund të uleshin dhe përtej kësaj të ofronin një shembull apo ngrohtësi të mrekullueshme, durim dhe inteligjencë emocionale në mes të ashpërsisë së luftës.
Një moment tjetër përcaktues ishte kur Beni Hawazinët e mundur dhe të kapur iu lutën për mëshirë Profetit ﷺ. Kjo ishte e vështirë për Profetin ﷺ për t’u dhënë, pasi ushtarët e tij kishin një të drejtë të përcaktuar për plaçkën e luftës që përfshinte plaçkën dhe robërit. Megjithatë, siç vëren Adair, ai gjeti në mënyrë kreative dhe një qasje të favorshme (koncepti Covey) duke i thirrur njerëzit e tij dhe duke kërkuar që kush do të dilte vullnetarë në publik dhe të hiqnin dorë nga e drejta e tyre (koncepti Ihsan). Mundësia për të shkëmbyer plaçkën me nder duke ua njohur këtë nder Profeti ﷺ para bashkëmoshatarëve të tyre ishte një ofertë shumë e mirë, shumë prej besimtarëve e çmuan këtë nder më shumë se plaçkën dhe kjo i lejoj kështu Profetit ﷺ t’u jepte mëshirë atyre që luteshin. Të tjerëve ai ﷺ u ofroi deve dhe dhi në këmbim të robërve, duke i lënë të gjitha palët e interesuara të kënaqur – një shembull i shkëlqyer i urtësisë, integritetit dhe drejtësisë.
Megjithatë, mbeti një grup – disa nga shokët e tij më të afërt nga ensarët që mendonin se kishin humbur plotësisht – duke fituar pak nga nderi apo plaçka. Kjo pakënaqësi e lehtë e arriti Profetin ﷺ dhe në vend që t’i shpërfillte ndjenjat e popullit të tij, siç bëjnë disa udhëheqës, ai shkoi t’i gjente ata dhe t’i pyeste se si ndiheshin dhe pse. Shokët hezitues përfundimisht shprehën se si mendonin se kishin humbur, ndërsa të tjerët fituan shumë, edhe pse këta kishin sakrifikuar më së shumti. Këtu u tregua vërtet inteligjenca shpirtërore dhe vizioni i Profetit ﷺ, pasi ai u kujtoi atyre se ndërsa të tjerët shkonin në shtëpi me dhi dhe deve, ata ensarët janë të favorizuarit që mund ta marrin Allahun dhe të Dërguarin e Tij në shtëpi! Shokët qanë në këtë kuptim të madh dhe u ndjenë të turpëruar nga ndjenja e tyre e mëparshme e pakënaqësisë.
Kështu, Profeti (a.s) zbatoi pothuajse të gjitha 11 cilësitë në këtë ngjarje të vetme dhe zgjidhi sfida të mëdha me integritet të jashtëzakonshëm.
Lidership i mirë dhe pluralizëm i respektueshëm në botën e sotme përbëjnë 11 cilësitë profetike të lidershipit të listuara më sipër. Padyshim përbrendësimi i këtyre cilësive tek një njeri e bëjnë atë një udhëheqës tepër të mirë dhe të denjë. Në të vërtetë, mishërimi i gjysmës së tyre do ta bënte njeriun të dallohej në vakumin e sotëm të lidershipit. Por kultivimi i këtyre cilësive nuk është i lehtë, prandaj lidershipi i vërtetë përfundimisht fitohet me vështirësi.
Prandaj, ne i kthehemi çështjes së karakterit, siç përshkruhet në citimin tonë të Linkolnit në fillim, dhe vërejmë se ky është kufiri më i madh i njeriut. Madhështia ose grotesku i njeriut varet thellësisht nga karakteri dhe cilësitë e tyre.
Ndërsa cilësitë e lartpërmendura të lidershipit kanë referenca të forta në traditën islame, ato janë gjithashtu universale në natyrë, duke i bërë ato globalisht të zbatueshme dhe të dobishme për çdo udhëheqës mysliman ose jomusliman.
Në mjedisin e sotëm pluarlist, multikulturor dhe me shumë besime, universaliteti është pluhur ari. Dhe ka një nevojë të dëshpëruar që njerëzit të jenë në gjendje të ofrojnë udhëheqje përtej besimeve dhe kufijve. Myslimanët duhet të jenë në gjendje të veprojnë si fener etikë në shoqëri, duke u mbështetur në vlerat profetike (dhe universale). Ata duhet të jenë gjithëpërfshirës dhe të aftë për t’i shërbyer kauzave që përfitojnë shoqërinë e gjerë, jo vetëm myslimanët.
Shpesh është pyetur ‘ku është Mandela mysliman?’ është me të vërtetë një pyetje me vend. Tek Mandela ne shohim dikë që mishëronte shumë nga cilësitë profetike të lidershipit, megjithatë ne përpiqemi të gjejmë sot liderë myslimanë që kanë edhe disa nga këto cilësi. Sigurisht, ky nuk është vetëm një problem mysliman pasi bota në përgjithësi nuk e ka zëvendësuar Mandelën me një të barabartë.
Myslimanët besojnë se nuk do të ketë më kurrë një udhëheqës si Profeti Muhamed ﷺ, por nuk ka asnjë arsye për të thënë se nuk mund të ketë një udhëheqës tjetër të madh si Ebu Bekri, Umeri, Uthmani apo Aliu. Prandaj, sigurisht që nuk ka asnjë arsye pse nuk mund të ketë një Mandela tjetër, nëse ne në veten tonë gjejmë të jemi ose të kemi njerëz të mëdhenj.
Le të mishërojmë shembullin e udhëheqjes së Profetit ﷺ dhe le të zbulojmë e mësojmë këto 11 cilësi si pjesë e talentit dhe karakterit tonë.
Bota po ju pret.
Autor : Nabeel Al-Azami
Përktheu : Ekonomia Islame