Mikrofinancat rrisin fitimet: Profit prej mbi 10 milionë eurosh deri në Korrik 2022

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë po vazhdojnë të rrisin fitimet e tyre milionëshe muaj pas muaji. Vetëm deri në muajin korrik të këtij viti, të njëjtat kanë arritur të arkëtojnë gjithsej 10.3 milionë euro.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Sistemit Financiar, Informata Mujore, Korrik 2022”, të hyrat totale në këtë sektor nga janari deri në muajin korrik, ishin në vlerë të 32.1 milionë eurove, prej të cilave 28.5 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi.

Nga 8.8 milionë euro sa ishte profiti neto i tyre në muajin qershor të këtij viti, gjatë muajit korrik atyre iu shtuan edhe 1.5 milionë euro të tjera fitim, duke e çuar kështu fitimin e përgjithshëm në 10.3 milionë euro për shtatë muaj.

Vlera e përgjitshme e aseteve në këtë sektor llogaritet të jetë 379 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Ndërkohë, 265.1 milionë euro është vlera e kredive të dhëna nga këto institucione deri në fund të muajit korrik. Prej tyre, 172.7 milionë janë kredi për ekonomitë familjare, kurse 92.4 milionë janë kredi të dhëna për korporatat jofinanciare.

Norma e interesit në kredi në sektorin mikrofinanciar, sipas BQK-së, sillet rreth 18.8 për qind.

Kujtojmë se numri i përgjithshëm i institucioneve mikorfinanciare që operojnë në Kosovë është 30, 13 prej të cilave janë në pronësi të huaj. Ndërsa, numri i të punësuarve në të gjitha degët funksionale brenda Kosovës, është 1 mijë e 338./buletiniekonomik/

Artikulli paraprakKryeministri belg paralajmëron Evropën se rritja e çmimeve të energjisë mund të çojë në “ekonomi lufte”
Artikulli tjetërSipas ekspertëve, ekonomia e Vladimir Putin është e paralizuar nga sanksionet ndaj Rusisë