METODOLOGJIA E SPASTRIMIT TE FITIMIT HARAM

Parimisht besimtari duhet të kujdeset që të zhvillojë biznesin e tij në hallall të pastër. Kur ndodh që muslimani është aksionar (partner) në një kompani e cila zhvillon parimisht aktivitet (tregti, industri, shërbime) HALLALLI, por pa dëshirën e tij menagjmenti mund ta njollosë me ndonjë aktivitet HARAMI, si kredimarrja apo depozitimi me interes, apo përmban ndonjë produkt haram si alkooli. Disa dijetarë bashkëkohorë dhe disa akademi fetare, thonë që lejohet pjesmarrja në këtë kompani por me disa kushte:

që pjesa e haramit të mos jetë më shumë se 30% e kompanisë;

që fitimi haram të mos jetë më shumë se 5% i fitimit total të kompanisë, dhe e rëndësishmja

që këtë fitim të haramit ta largojë nga dividentet e tij.

Do ti sqarojmë këto situata në tri raste:

1. RASTI KUR KOMPANIA MERR KREDI

Nëse kompania për kredinë që merr del me fitim nga shuma e kredisë psh. nëse ka marr kredi 10,000€ për t’i kthyer me interes 10% (total: 11,000€) ndërsa ka fituar 12% (11,200€) nga ai investim atëhere këtë 2% (200€) të mbetur duhet ta spastrojë. Nëse fitimi që rrjedh nga kredia e marrë është i barabartë me interesin që duhet ta paguajë ose me pak, në këtë rast nuk ka nevojë për spastrim. Vini re, 2%shi i mbetur (diferenca në mes kredimarrjes dhe fitimit të saj) nuk është përqindja e spastrimit nga kompania por ky 2% që është 200€, duhet të përpjestohet me fitimin neto të kompanisë po e zëmë 5000€ atëherë spastrimi është 4% nga fitimi neto i kompanisë. E nëse personi posedon psh. 10% të aksioneve të kompanisë ai duhet t’i spastrojë dividentet e tij (500€) për 4% (20€), shumë të cilën duhet ta largojë nga pasuria e tij e të mos e ushqejë me të familjen e tij.

Me rëndësi:

Disa dijetarë eminent konsiderojnë që në rast të kredimarrjes nuk ka nevojë spastrimi edhe nëse kompania gjeneron fitim mbi interesin e kthyer, ngase në këtë rast interesin e ka dhënë e nuk e ka marrë pra në kompani nuk ka mbetur pasuri haram pavarsisht mëkatit të madh të kredimarrjes, gjersa disa të tjerë konsiderojnë që në këtë rast zgjidhja më e mirë është që të ndahet ky fitim përgjysmë dhe gjysma të mbahet e gjysma e tij të spastrohet duke bërë analogji me një precedent nga një gjykim i Omerit -Allahu qoftë razi me të-, ngaqë në këtë rast fitimi është rezultat i pasurisë haram (kredimarrjes) dhe angazhimit me punë hallall, atëherë fitimi ndahet përgjysmë.

2. RASTI KUR KOMPANIA DEPOZITON PARA NË BANKË ME INTERES

Në këtë rast çdo aksionar duhet të hulumtojë në pasqyrat financiare të kompanisë dhe të shikojë se sa para ka depozituar kompania dhe cila është përqindja e interesit, pastaj ta largojë atë përqindje nga vlera e aksioneve të tij, pavarsisht kompania gjeneron fitim apo humbje ngase interesi bankar është i garantuar për kompaninë edhe nëse kompania pëson humbje nga aktiviteti i saj. p.sh. Kur kompania depoziton një shumë prej 100,000 € me interes 3% apo blen bono thesari po aq, atëherë 3% (3,000 €) interes, detyrimisht hyjnë në pronësi të kompanisë të cilën aksionari duhet ta heq nga hisja e vet sipas përqindjes së aksioneve të tij në kompani.

3. RASTI KUR KOMPANIA USHTRON PJESËRISHT AKTIVITET TË HARAMIT NË SHËRBIME APO PRODUKTE SI SHITBLERJA E ALKOOLIT etj.

Në këtë rast aksionari shikon sa janë të ardhurat nga shtija e alkoolit dhe e krahason atë shumë në raport me të ardhurat e kompanisë pastaj e heq sasinë përkatëse nga aksionet e tij në kompani. Pasuria apo shuma e spastruar ku dhe si mund të përdoret, ju spjegojmë në ndonjë rast tjetër inshaAllah!

Hoxhë Llokman Hoxha

Artikulli paraprakStatistikat e Tregtisë së Jashtme të Mallrave, shkurt 2021
Artikulli tjetër6 mënyra për të bindur një klient të bëjë atë që ju dëshironi