Me 2021, bankat komerciale nxorën jashtë Kosovës 96.6 milionë euro si dividentë

Në bazë të të dhënave nga BQK, në vitin 2021, fitimi neto i 11 bankave komerciale në Kosovë ishte rreth 117.5 milionë euro. Në krahasim me vitin 2020, kjo ishte një rritje prej mbi 47%; ndërsa, në krahasim me vitin 2019, kjo ishtë një rritje prej mbi 36%.

Por, një karakteristikë tjetër e këtij viti është se, pas një ndalese të përkohshme nga BQK, në tremujorin e fundit të 2021 bankat u lejuan të shpërndajnë dividentë tek aksionarët.

“Në bazë të raporteve vjetore të tyre, 5 nga 11 banka shpërndanë dividentë në vlerë prej mbi 96.6 milionë euro. Ndonëse këta miliona janë krijuar në Kosovë, për shkak se shumica e aksionarëve janë të huaj, këta miliona kanë dalur nga Kosova”, ka thënë Edison Jakurti, ekspert i ekonomisë në një analizë që e ka publikuar në facebook.

“Dhe, a e dini se sa tatim u pagua për këto 96.6 milionë euro? Zero. Sepse Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka tatim mbi dividentë pavarësisht rrethanave (gjë që nuk ndodhë as në Estoni e Letoni, si vendet ku në raste të caktuara nuk paguhet tatim mbi dividentë). Me fjalë tjera, nëse ke qenë punëtor në Kosovë dhe ke marrë pagë të tatueshme mbi 80 euro – ke paguar tatim. E ke mbajtur një trafikë të vogël – ke paguar tatim. Por nëse ke qenë aksionar dhe ke pranuar miliona të ardhura nga dividenta – nuk ke paguar asnjë cent tatim. Kjo nuk është e drejtë, prandaj duhet të ndryshojë”, ka shtuar ai./buletiniekonomik/

Artikulli paraprakFMN publikon indeksin e vendeve më të pasura dhe më të varfra: Kosova më e varfra në rajon
Artikulli tjetërRikthimi i nismës për lejimin e bartjes së shamisë në shkolla