Mbledhja dhe ndarja e Zekatit

Mbledhja dhe ndarja e zekatit dhe sadakave të ndryshme, është një tematikë shumë e rëndësishme, e cila, përveçqë pastron mallin e dhënë, largon njeriun nga koprracia, mbjell dashurinë në mes njerëzve, fut gëzim në zemrat e nevojtarëve, duke i liruar nga brengat e tyre, ajo edhe shkrin dallimet dhe rrënon muret në mes shtresave të shoqërisë.

Në temat paraprake kemi shtjelluar hollësisht pesë llojet e pasurisë, prej të cilave duhet nxjerrë zekati, duke filluar nga zekati i kullotave dhe bagëtive (ku hyjnë devetë, lopët, dhentë e dhitë), zekati për ar, argjend dhe valuta bashkëkohore, zekati për mallra tregtie, zekati për të vjela dhe të korra dhe zekati për pasuritë nëntokësore e thesaret e fshehura. Për këto pesë lloje ka edhe konsensus të dijetarëve, në dallim nga lloji i ri që parashihet nga disa juristë, e që ka të bëjë me zekatin për fabrika, apartamente, ferma dhe të ngjashme, po për të cilat, sipas shumicës, nuk parashihet zekat, meqë nuk ka ndonjë tekst, ndonëse kjo pakicë është gjithnjë në rritje, duke u mbështetur në analogji dhe në risitë që koha moderne dhe bashkëkohore i solli njerëzimit.
Në këtë shkrim dhe në disa vijuese, do të shtjellojmë tematikën e mbledhjes së zekatit dhe të ndarjes së tij.

Mbledhja e zekatit

S’ka kurrfarë dyshimi se, në lidhje me rregullat islame, funksioni i mbledhjes së zekatit, i caktimit dhe përcaktimit të mënyrës së kësaj mbledhjeje, si dhe organizimi i aksionit në tërësi, është ekskluzivisht në kompetencën e organeve islame; organeve të pushtetit ku ai ekziston, ose organeve fetare të Bashkësive Islame, sikurse është rasti ynë. Në këtë drejtim na udhëzon vetë Kur’ani. Duke përcaktuar një pjesë të zekatit për shpërblimin e atyre që janë të angazhuar në aksionin e mbledhjes së zekatit, ai na tregon në mënyrë të qartë se mbledhja e zekatit është një funksion shoqëror dhe se vetëm shoqëria është e autorizuar të bëjë dhe të organizojë në mënyrë përkatëse mbledhjen e zekatit.¹

Nëse kthehemi në retrospektivë dhe analizojmë mënyrën e mbledhjes së zekatit në kohën e të Dërguarit të Allahut dhe halifëve të drejtë, do të konstatojmë se pasuria në kohën e të Dërguarit të Allahut mblidhej në bejtul mal, gjegjësisht në arkën shtetërore; të pasurit detyroheshin që zekatin nga pasuria e tyre ta derdhnin në arkën shtetërore, e pastaj ajo pasuri shpërndahej sipas nevojave dhe kërkesave të shoqërisë. Praktikën e të Dërguarit të Allahut e ndoqi me përpikëri halifi i parë i myslimanëve, Ebu Bekri, i cili mohuesve të zekatit u shpalli luftë të hapur, duke thënë: “Për Allahun, do të luftoj kundër atyre që bëjnë dallim ndërmjet namazit dhe zekatit. S’ka dyshim se zekati është e drejtë që gjendet në pasuri. Nëse e mohojnë dhënien e vetëm një dashi të vogël, do të luftoj kundër tyre, për atë delikt”. (Buhariu 1399). Omeri pastaj kishte thënë: “Për Allahun, kjo nuk ishte asgjë tjetër përveçse udhëzim i Allahut që ia mbushi gjoksin Ebu Bekrit, dhe e dija se kjo ishte e vërtetë”. (Buhariu, 1400)
Rrugën dhe udhëzimin e Ebu Bekrit e ndoqi me përpikëri Omeri, ndërsa Othmani bëri disa ndryshime në mënyrën e mbledhjes së zekatit.
Pasurinë për të cilën jepet zekati, ai e ndau në dy lloje: ajo që mund të kontrollohej (dhahir), siç janë prodhimet bujqësore dhe bagëtia, dhe ajo që nuk mund të kontrollohej (batin), sikundër janë të hollat dhe mallrat tregtare. Për llojin e parë të pasurisë zekatin e mblidhnin organet, kurse për të dytin kjo u ishte lënë pronarëve, që ata ta jepnin dhe ta ndanin sipas normave të Sheriatit.
Sipas botëkuptimit të autorëve më të rinj, ndarja e këtillë tashmë nuk ka kurrfarë arsyetimi. Sot është çdo gjë e regjistruar dhe çdo lloj pasurie mund të kontrollohet, sepse çdo gjë i nënshtrohet tatimit dhe kontributeve të ndryshme. Çdo fitim duhet të paraqitet.² Nga kjo që thamë, na bëhet e qartë se e drejta e mbledhjes së zekatit, e ndarjes së tij dhe e përcaktimit të fondeve të tij, – është e drejtë ekskluzive e organit publik dhe e përfaqësuesve të tij.

Përkujdesi i Kur’anit ndaj kategorive të shfrytëzuesve të zekatit

Çështja e zekatit në Kur’an ka ardhur në formë të përgjithshme, e padetajizuar, mirëpo ka qenë i Dërguari i Allahut ai që e ka detajizuar zekatin në tërësi, sidomos tek llojet e pasurive prej të cilave duhet dhënë zekat. Ndërkaq, kategoritë përfituese të zekatit, gjegjësisht fondacionet e zekatit, kanë ardhur të sqaruara në mënyrë të hollësishme, për të mos u lënë çështja në dorën e gjykatësit a të sunduesit, që ta ndajë ai sipas dëshirës së tij, ose në dorën e lakmitarëve, të cilët synojnë grumbullimin në çfarëdo mënyre qoftë.
Në kohën e të Dërguarit të Allahut disa njerëz lakmitarë të pasurisë patën shkuar tek i Dërguari i Allahut dhe kërkuan prej tij të merrnin nga pasuria e mbledhur prej zekatit, me bindjen se ai do t’ua jepte atyre dhe do t’ua plotësonte dëshirën e tyre. Mirëpo, shpresa e tyre se do të përfitonin pasuri (pa të drejtë), qe shuar atëherë kur i Dërguari i Allahut nuk ua ndau zekatin sipas dëshirës së tyre, por sipas përcaktimit hyjnor, dhe kjo i iritoi ata, prandaj filluan ta ofendonin dhe të bënin vërejtje ndaj veprimit të Dërguarit të Allahut.
Në lidhje me këtë çështje, Allahu i Lartmadhëruar zbriti këto fjalë: “Ka prej atyre që do të bëjnë vërejtje për ndarjen e lëmoshës, nëse u jepet nga ajo, ata mbesin të kënaqur, e nëse nuk u jepet, ata hidhërohen. E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha Allahu dhe i dërguari i Tij, e të thoshin: “Neve na mjafton Allahu, Allahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i dërguari i Tij, dhe se vetëm tek Allahu e mbështesim dëshirën (do të ishte shumë më mirë për ta)”.
Allahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj.) t’u takojë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e mbledhin), atyre të cilëve u duhen përfituar zemrat (të dobëtve në besim), e duhet dhënë edhe për lirimin nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së Vet”. (Et Tevbe, 58-60). Nga ajeti i fundit kuptojmë se zekati u takon këtyre kategorive:

– Të varfërve,
– Të ngratëve,
– Atyre që e mbledhin zekatin,
– Atyre zemrat e të cilëve duhen përfituar,
– Për lirimin e robërve,
– Të ngarkuarit me borxhe,
– Në rrugën e Allahut,
– Për udhëtarin që ka mbetur në rrugë.

Nga Seid el-Hudriu transmetohet të ketë thënë: “Përderisa i Dërguari i Allahut ndante pasurinë, kur ja që u paraqit Dhul Huvejsare et-Temimi-i cili njihet si Harkus ibn Zuhejr, dhe tha: “Bëhu i drejtë (në ndarjen e pasurisë)”! I Dërguari i Allahut tha: “E kush është i drejtë nëse unë nuk jam (në ndarjen e pasurisë)”?
Në këtë çast ndërhyri Omeri duke thënë: “Më lejo mua (o i Dërguar i Allahut) ta godas atë në qafë”. “Jo”-tha i Dërguari i Allahut…” (Buhariu dhe Nesaiu) Ndërsa Muslimi transmeton pjesën e fundit: “Jo, assesi, Allahu na ruajttë, nëse e mbys, atëherë njerëzit do të thonë që unë po i mbytkam shokët e mi, e s’ka dyshim se ky dhe shokët e tij lexojnë Kur’an, por ai nuk depërtuaka në veshët e tyre…”. Të gjitha këto transmetime dëshmojnë se ata që hodhën akuza, ishin nga hipokritët (mynafikët).³

Lakmia e njeriut është e madhe dhe atë nuk mund ta ngopë askush përveç dheut, e hipokritët e tillë, nga lakmia e madhe dëshironin të futnin konfuzion në mesin e besimtarëve, kinse i Dërguari i Allahut nuk e ndakësh pasurinë siç kërkohet, prandaj me zbritjen e ajeteve të lartcituara, u ndërprenë dëshirat dhe pangopësitë e tyre, u sqaruan  kategoritë përfituese të pasurive të ndryshme dhe secilit iu dha e drejta që meriton. Në këtë kontekst është edhe një ndodhi e gjatë, që e transmeton Ebu Davudi nga Zijad ibn el Harith Esadaij, i cili thotë: “Shkova pranë të Dërguarit të Allahut dhe ia dhashë besën (besatimin)… ndërkohë erdhi një njeri dhe i tha të Dërguarit të Allahut: “Më jep sadaka”. I Dërguari i Allahut iu përgjigj: “Allahu i Madhëruar nuk është i kënaqur me vendimin e të Dërguarit të Tij dhe as të dikujt tjetër në çështjen e ndarjes së sadakasë, derisa Ai e bëri vetë, prandaj Ai ka gjykuar duke e ndarë sadakanë në tetë grupe, e nëse ti je në njërin prej këtyre grupeve, do të ta japim të drejtën tënde, që e meriton”.⁴ (Davudi dhe Darekutni).

Fshehtësia e përkujdesjes së Kur’anit ndaj përfituesve të zekatit

Ekonomistët dhe sociologët kanë tërhequr vërejtjen se nuk është me rëndësi vetëm grumbullimi dhe marrja e pasurisë, ngase qeveritë e ndryshme mund ta bëjnë këtë me metoda të ndryshme përmes taksave, direkte a të tërthorta, mirëpo e rëndësishme është si të kategorizohen dhe si të shpërndahen ato pasuri pas marrjes, sepse mund të keqpërdoren nga dikush ose mund të marrë dikush nga ata që nuk e meritojnë, dhe t’ia ndalojë atij që ka nevojë, prandaj nuk është për t’u çuditur përse Kur’ani i kushton kaq vëmendje dhe nuk e ka lënë këtë çështje pa e sqaruar hollësisht, ashtu siç ia ka lënë Synetit shumë çështje të tjera të zekatit për t’i shtjelluar dhe detajizuar.⁵
Përgjatë gjithë historisë kishte taksa të ndryshme dhe të shumta para Islamit. Pasuria merrej nga grupe të ndryshme të popullit, qoftë me dhunë ose dhe me dëshirë, e më pastaj ajo grumbullohej në thesaret e mbretërve dhe sunduesve, për t’u shpenzuar më vonë për personelin, për të afërmit dhe përkrahësit e tyre. Me grumbullimin e pasurisë dhe të mirave të tjera, rritej edhe madhështia dhe sundimi i tyre, kurse për të varfrit dhe nevojtarët, sikur vendosej një mur.E me ardhjen e Islamit, një rëndësi e veçantë iu kushtua shtresave nevojtare, duke caktuar për ta një pjesë të veçantë nga pasuria dhe të ardhurat e shtetit. E s’ka dyshim se këtë parim nuk e njohu historia derisa kishin kaluar disa shekuj.⁶

Nevojtarët përfitues të zekatit

Kur’ani u kushtoi një rëndësi të posaçme shtresave më të shkelura dhe më të përvuajtura përgjatë gjithë historisë njerëzore, duke u dhënë atyre një pjesë të caktuar nga pasuria e të pasurve dhe e shtetit, duke ndikuar kështu që në shoqëri të mos ketë shtresa ekstreme – si nga kamja e tepërt, ashtu dhe nga skamja e skajshme, ashtu siç ka në ditët tona. Allahu caktoi për të varfrit dhe nevojtarët një pjesë nga pasuria e të pasurve, e kjo ndikon që të varfrit të mëkëmben dhe t’u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të tyre jetësore, sikundër që nënkupton edhe përafrimin në mes shtresave të të pasurve dhe të të varfërve. Sot bota është shumë e pasur, por ka edhe shumë të varfër, madje ka një varfëri ekstreme, për se shumë prej njerëzve vdesin çdo ditë. Sipas statistikave, mbi një (1) miliard njerëz janë të varfër, që d.m.th. se çdo i pesti (a i gjashti) banor, pra një miliard e treqind milionë jetojnë me më pak se një dollar në ditë, kurse gjysma e botës (tre miliardë) jetojnë me dy dollarë në ditë.⁷

Sot, bota është shtatë herë më e pasur sesa para pesëdhjetë (50) vjetësh, por ka më shumë të varfër sesa para pesëdhjetë vjetësh, që do të thotë se ka keqmenaxhim të fondeve të pasurisë, ngase ka aq shumë pasuri, saqë, sikur të shpërndahej me drejtësi, nuk do të kishte asnjë njeri të varfër mbi sipërfaqen e tokës.

Dispozitat e fikhut të këtyre ajeteve

Allahu i Madhëruar, në lidhje me ndarjen e sadakasë dhe zekatit, thotë:“Ka prej atyre që do të bëjnë vërejtje për ndarjen e lëmoshës, nëse u jepet nga ajo, ata mbesin të kënaqur, e nëse nuk u jepet, ata hidhërohen. E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha Allahu dhe i dërguari i Tij, e të thoshin: “Neve na mjafton Allahu, Allahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i dërguari i Tij, dhe se vetëm tek Allahu e mbështesim dëshirën (do të ishte shumë më mirë për ta)”. Allahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj.) t’u takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e mbledhin), atyre që u duhen përfituar zemrat (të dobëtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së Vet”. (Et-tevbe, 58-60). Prej këtyre ajeteve, juristët myslimanë kanë nxjerrë këto dispozita:
1-Hipokritët janë një grup njerëzish me moral të ulët, që urrejnë jetesën me besimtarët, që shtiren çfarë nuk janë në të vërtetë.
2-Nga morali i keq i tyre është edhe vërejtja dhe akuza e tyre ndaj të Dërguarit të Allahut lidhur me ndarjen e pasurisë, duke pandehur se i Dërguari po e ndante sipas afërsisë e dëshirës, dhe jo sipas drejtësisë.
3-Ajeti dëshmon se ai që kërkon vetëm dynjanë, e jo edhe Ahiretin, anon nga dyfytyrësia, ndërsa ai që kërkon dynjanë në sasinë që e ka lejuar Allahu, duke qenë qëllimi i dynjasë arritja e të mirave të fesë, kjo konsiderohet rruga e vërtetë, ngase burimi i këtyre çështjeve është kënaqësia me caktimin e Zotit pas marrjes së shkaqeve.
4-“ E sikur të kënaqeshin…” përfshin:
a)kënaqësinë e njeriut me të mirat që Allahu dhe i Dërguari i Tij u kanë dhënë atyre, e gjykimi i Allahut është i drejtë dhe real.
b)që të shfaqen gjurmët e kënaqësisë në gjuhë, e që është Fjala e Allahut: “Neve na mjafton Allahu…”, që nënkupton kënaqësinë me gjykimin e Allahut.
c)që njeriu të thotë: “Allahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i dërguari i Tij…” e furnizimi i Tij përfshin ose këtë botë ose tjetrën (po mund t’i përfshijë të dyja).
ç)që njeriu të thotë: “dhe se vetëm tek Allahu e mbështesim dëshirën (do të ishte shumë më mirë për ta)”, që nënkupton se nuk kërkojmë me besim (iman) fitimin e të mirave të dynjasë nga pasuria apo autoriteti, mirëpo dëshirojmë shpëtim me lumturinë e Ahiretit.⁸
5-Shpërndarja e zekatit është detajizuar aq mirë, saqë janë sqaruar të gjithë sektorët përfitues prej tij, duke filluar nga ajo që është më e rëndësishmja.

Elementet e zbatimit bashkëkohor të sistemit të zekatit

Për sa i përket zbatimit të sistemit të zekatit në kohën aktuale, ky bazohet në tri parime kryesore:
E para: Ekzistenca dhe prania e një shoqërie myslimane në përputhje me urdhrat e Allahut të Plotfuqishëm, duke ditur se zekati është adhurim dhe njëri nga shtyllat e Islamit, madje nuk ka dallim në mes tij e namazit, dhe që s’ka dyshim se qëllimet e objektivat nga zekati kthehen tek ai që e jep, tek i varfri dhe tek shoqëria.
Nëse kthehemi në retrospektivë, vërejmë se i Dërguari i Allahut dhe halifët e drejtë e të udhëzuar i dhanë rëndësi të posaçme ndërtimit të një shoqërie islame.
E dyta: Prania e një qeverie (shteti) islame, e cila zbaton mësimet e Legjislacionit islam. I Dërguari i Allahut caktonte njerëzit për mbledhjen dhe dhënien e zekatit, ndërsa Ebu Bekri –siç e kemi theksuar- i luftoi ata që refuzuan dhënien e zekatit. Kjo dëshmon për rëndësinë e madhe të një qeverie islame për zbatimin e sistemit të zekatit. Sot, në disa vende islame, shteti nxjerr urdhëresa të prera për mbledhjen e zekatit.
E treta: Krijimi i organeve dhe institucioneve përkatëse, që të urdhërojnë mbledhjen dhe shpërndarjen e zekatit, ngase është e pamundur të zbatohet sistemi i zekatit pa një organ a institucion, që urdhëron mbledhjen dhe shpërndarjen e zekatit.⁹

Përfundim

Mbledhja dhe ndarja e zekatit dhe sadakave të ndryshme, është një tematikë shumë e rëndësishme, e cila, përveçqë pastron mallin e dhënë, largon njeriun nga koprracia, mbjell dashurinë në mes njerëzve, fut gëzim në zemrat e nevojtarëve, duke i liruar nga brengat e tyre, ajo edhe shkrin dallimet dhe rrënon muret në mes shtresave të shoqërisë. Është shumë me rëndësi që ndarja të bëhet sipas nevojës dhe kërkesave, e jo sipas tekave dhe dëshirave.
Në këtë shkrim dhamë vetëm informacione të përgjithshme, duke theksuar tetë grupet përfituese të zekatit, por pa hyrë në shpjegimin e tyre. Na mbetet që këto grupe t’i shpjegojmë veç e veç.
_________________________________

Autor: Mr. Ejup Haziri

DITURIA ISLAME

[1] Grup autorësh, Zeqati dhe Sadekatul-fitri, Prishtinë, 1994, f. 11.
[2] Op, cit, f. 11-12.
[3] Zuhejli, Et-Tefsirul Munir fil Akideti vesh-Sheriati vel Menhexh. Dar el-Fikr el-Muasir, Damask-Siri, bot.3, 1418h, vëll.10, f. 254.
[4] Muhtesar el-Mundhirij, vëll. 2. 230.
[5] Kardawi, Fikhu-z Zekat, bot.3 të, 1973, Muessesetu Err-Rrisaletu, vëll.2, f. 543.
[6] Op, cit: vëll.2, f. 543.
[7] Të dhëna të marra nga: World Statistics on the Poor, The National Institute for the Renewal of the Priesthood.
[8] Zuhejli, Et-Tefsirul Munir fil Akideti vesh-Sheriati vel Menhexh. vëll. 10. f. 257-258. [9] Isam Ebu Nasr, Sanadik ve Muessesatu-z Zekah, online: www.shadipal.com.
Artikulli paraprakQeveria prezanton pagat bruto për secilin sektor – rritje nga 30% deri 90% për disa kategori
Artikulli tjetërGjetja e të vërtetës në epokën e lajmeve të rreme: Kompetenca në informacion në dritën e Islamit