Qytetarët e Kosovës përpos që duhet të përballen me çmime gjithnjë në rritje të produkteve, ata shpesh bien pre e mashtrimeve. Çmime të dyfishuara, zbritje fiktive, reklama mashtruese e produkte me afat te skaduar janë ndër shqetësimet,, ankesat ndaj të cilave mund të adresohen edhe pranë institucioneve të vendit. Njohësit kërkojnë më shumë angazhim qeveritar në mbrojtje të konsumatorëve ndërsa edhe qytetarët shprehen të mllefosur.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se për tremujorin e parë të këtij viti kanë pranuar 202 ankesa për mashtrim të konsumatorëve.
“Gjatë vitit 2021 kemi pranuar 1,007 ankesa të konsumatorëve, kurse gjatë tremujorit të parë të këtij viti kemi pranuar 202 ankesa. Ankesat janë me natyra të ndryshme mospërfillje të garancionit, shërbime jocilësore, mashtrime te konsumatorit, reklama mashtruese, produkte me afat te skaduar, për mospërputhje të çmimit rafte-arkë, mungesa e deklaracionit në gjuhën shqipe, mos kthimi i monedhave të imta etj”, thuhet në përgjigjen e MINT.
MINT thotë se inspektorët e tregut kanë të drejtë të shqiptojnë gjoba deri në 1000 euro por vet numri i inspektorëve është i ulët.
“Inspektorët e tregut kanë të drejtë të shqiptojnë gjobë deri në 1,000 euro për personat juridikë, kurse për shkeljet mbi këtë vlerë ka për obligim të inicioj procedurë kundërvajtëse në gjykatat kompetente dhe gjobat arrijnë deri në 20.000 euro. Kemi nevojë për rritjen e numrit të inspektorëve, janë parashtruar kërkesat te organet kompetente dhe presim aprovimin e tyre”, vijoi MINT.
Aktivisti i organizatës kosovare për mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe dinjitetit të konsumatorit “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka deklaruar se manipulimi me çmime në disa markete është shqetësues. Ai akuzon autoritetet që nuk po ndërmarrin asgjë në adresimin e këtyre shqetësimeve.
“Për fat të keq manipulimi i çmimeve për disa biznese, në veçanti për disa markete, është bërë biznesi kryesor, si duket aty e kanë përfitimin më të madh. Ne kemi shumë ankesa si qytetar dhe familje konsumatorë se çmimet dallojnë nga rafti deri në arkë , por edhe dallojnë si çmime nominale në krahasim me çmimet reale, krahasim me peshën, me vëllimin, përbërësit, cilësinë, afatin e skadencës dhe mënyrën e ruajtës së tyre. 0.56 Ne aq shpesh kemi reaguar sa që është e çuditshme që Qeveria, Ministria Industrisë dhe Tregtisë, mekanizmat, agjencionet, akoma nuk po e bëjnë gjënë e duhur, ndërsa me faktin që nuk po e bëjnë gjënë e duhur atëherë para nesh janë te dyshimtë se janë bashkëpunëtorë të këtyre veprimeve”, theksoi Kaçaniku.
Ai ka shtuar që manipulimet me çmime ndodhin kudo në markete, por sipas tij teksa shteti nuk po bënë asgjë, bën që qytetarët të paguajnë një “taksë” tjetër e që është ai i abuzimeve.
“E vërteta është se kudo ka mashtrime, manipulime, ndërsa shteti me institucionet e veta, me kompetencat dhe ligjin që ka në dore, akoma nuk po ndërmerr asgjë dhe ne po dalim të zhvatur. Ne po paguajmë si konsumatorë, taksapagues për buxhetin, por po e paguajmë edhe një taks tjetër, atë për abuzime”, tha ai.
Qytetari Jakup Bekteshi ka thënë që mashtrimet me çmime janë të mëdha, ndërsa ka shtuar që inspektorët duhet të shpeshtojnë kontrollet e tyre në markete.
“Shumë shpesh ndodhë kjo, e shikon në raft apo edhe kur të vjen pagesa, (çmimi) del shumë më i lartë, është shumë keq. Duhet inspektorat sa më shumë me dalë për t’i kontrolluar marketet”, tha ai.
Januz Dautaj, qytetar, kritikoi autoritetet se nuk e po kryejnë punën e tyre si duhet.
“Shteti e ka funksionin e mbikëqyrjes, kur nuk e kryen punën shteti krijohet anarki, dhe bëjmë çfarë të duam”, tha ai.
Një tjetër qytetar, Faruk Abdurrahmani ka thënë që duhet behën hetime dhe të ndjekin procedura ligjore.
“Duhet me bo hetime, çka është rregull me ligj, ndërsa ajo që nuk është me ligj duhet të dënohen… Duhet të ketë kontrollim, të argumentojë pse e ka ngrit çmimin, a është me vend apo duhet dënuar”, tha ai.
Muajve të fundit janë shtuar ankesat se, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë dhe krizës globale, disa biznese e kanë shfrytëzuar rastin për të rritur artificialisht çmimet dhe për të shtuar fitimin. /KP/