Luftimi i ekonomisë joformale, 65 për qind e qytetarëve thonë se është përgjegjësi e tyre

Ekonomia joformale ende vazhdon të mbetet një nga problemet me të cilën përballet Kosova.

72 për qind e të anketuarve në hulumtimin e fundit të realizuar nga Pyper mendojnë se institucionet nuk po bëjnë mjaftueshëm për ta luftuar këtë ekonomi.

Për më shumë, përveç që është përgjegjësi e institucioneve ta luftojnë ekonominë joformale, 65 për qind konsiderojnë se kjo përgjegjësi u takon po ashtu edhe qytetarëve.

Të pyetur “Kur blini ndonjë produkt ose shërbim dhe nuk u jepet kuponi fiskal, a e kërkoni atë?”, 62 për qind kanë pohuar se e kërkojnë kuponin fiskal.

Sa i përket mbështetjes/opinioneve të qytetarëve rreth ekonomisë joformale, pothuajse gjysma e të anketuarve janë shprehur se nuk e mbështesin aspak ekonominë joformale. E për dallim prej këtyre, 37 për qind e mbështesin atë deri diku apo 14 për qind plotësisht.

Të pyetur se çka ndikon që të anketuarit të mos e raportojnë ndonjë biznes që operon në kuadër të ekonomisë joformale, përgjigjet më të shpeshta kanë qenë se nuk e konsiderojnë si përgjegjësi personale të merren me këtë çështje, nuk ju pengon mënyra e operimit të biznesit dhe frikësohen të raportojnë biznese të këtij lloji.

Sidoqoftë vlen të ceket se, përkundër të gjithë kësaj, rreth gjysma e të anketuarve vlerësojnë se çështja e ekonomisë joformale mund të zgjidhet pjesërisht gjatë 4 viteve të ardhshme.

Hulumtimi në fjalë u realizua me 1,171 pjesëmarrës anembanë Kosovës përmes një mostre jo të rastësishme.

Artikulli paraprakVisa bashkëpunon me mbi 50 kompani kriptomonedhash për të lejuar klientët të shpenzojnë dhe konvertojnë monedhat dixhitale
Artikulli tjetërËndrra e kriptomonedhave për t’i shpëtuar sistemit financiar global po shkatërrohet