Ligji që zhvillon ‘Trepçën’

Me Ligjin mbi “Trepçën”, të cilin Kuvendi i Kosovës e miratoi më 8 tetor të këtij viti, mendohet se u hap një epokë e re për rimëkëmbjen e gjigandit të dikurshëm ekonomik të Kosovës.

Pas një periudhe relativisht të qetë të pasluftës, kur pati mjaft donacione dhe ndërtime që punësuan një numër të madh qytetarësh, gjatë viteve të fundit Kosova u ballafaqua me probleme të shtuara sociale si pasojë e zhvillimit të pamjaftueshëm ekonomik dhe ndaljes së ndihmave të huaja. Ndër sfidat e ndryshme për sa i përket zhvillimit ekonomik dhe atij shoqëror ishte edhe ndërmarrja “Trepça”, e cila mbahej peng nga politika, por edhe nga mungesa e kapitalit për riaktivizimin e aseteve të saj. Mirëpo, me Ligjin mbi “Trepçën”, të cilin

Kuvendi i Kosovës e miratoi më 8 tetor të këtij viti, mendohet se u hap një epokë e re për rimëkëmbjen e gjigandit të dikurshëm ekonomik të Kosovës. “Trepça” ishte e famshme që në kohën romake, kurse që nga viti 1930 filloi eksploatimi dhe prodhimi industrial në Stan Tërg. Në kulmin e saj, në vitet e ’80-ta të shekullit të kaluar “Trepça” ishte një konglomerat me 40 organizata të profileve të ndryshme të vendosura kryesisht në territorin e Kosovës. Përpos minierave, flotacionit dhe shkritoreve funksiononin edhe kapacitete të shumta për përpunimin e metaleve.

Që nga viti 1930 e deri më 1998 prodhimi total i xehes vlerësohet të ishte 34 milionë e 350 mijë tonë. Minierat edhe sot konsiderohen të kenë rezerva prej 60.5 milionë tonësh xehe minerare me përmbajtje të plumbit, zinkut, argjendit, bizmutit, arit etj. Vlen të përmendet se resursi më me vlerë i kësaj ndërmarrjeje janë minierat e plumb-zinkut. Me potencialin e bazuar në vlerësimet e rezervave minerare, që mundësojnë eksploatimin e saj edhe mbi 50 vjet të ardhshme, “Trepça” zgjon interesin e kapitalit të huaj. Mirëpo, shteti i Kosovës me ligje përkatëse duhet t’i inkurajojë investitorët e huaj, në mënyrë që investimet e tyre të jenë të garantuara dhe të sigurta. Sipas kalkulimeve paraprake, investimi për të aktivizuar tërë kompleksin industrial, konform standardeve bashkëkohore, vlerësohet se mund të arrijë në qindra milionë euro.

Ekspertët ekonomikë vlerësojnë se “Trepça” mbetet aseti më i rëndësishëm ekonomik në vendin tonë dhe se ka potencial për të gjeneruar një qarkullim vjetor prej disa miliardë eurosh. Duhet të bëhet e ditur se në vitin 1960 kombinati kishte 8,000 punëtorë, në vitin 1980 kishte 20,000, kurse në vitin 1988 kishte 22,885 punëtorë. Si pasojë e okupimit serb, pas vitit 1989, numri i punëtorëve të “Trepçës” sot mezi arrin në 1,400 në jug të Mitrovicës dhe 1,100 punëtorë në veri, që paraqet rënie drastike. Të përkujtojmë edhe një herë se në vitin 1988 nga rrogat e fituara aty ushqeheshin familjet e 22,885 punëtorëve.

Numri i të punësuarve dhe i parametrave të tjerë zhvillimor do të ndryshojë dukshëm në qoftë se bëhen investime të qëlluara. Rivitalizimi i “Trepçës” duhet të ketë për qëllim rigjenerimin e mijëra vendeve të reja të punës për të ulur nivelin e papunësisë dhe të varfërisë. Prandaj, fuqizimi ekonomik i të rinjve kosovarë nuk duhet të mbetet vetëm dëshirë, por edhe një obligim shtetëror. Fillimi i aktivitetit ekonomik në “Trepçë” kushtëzon trajnimin adekuat të punëtorëve, në mënyrë që i punësuari të bëjë punën e tij me efikasitet dhe të jetë i aftë për të prodhuar. Pavarësisht nga kostot monetare fillestare që mund të krijohen dhe mendimit se kjo mund të marrë shumë kohë, fitimet afatgjata dhe trajnimi i stafit janë ato që shpaguajnë investimin. Kuadrot e reja, inxhinierë të profileve të ndryshme, ekonomistë, juristë e specialistë të tjerë do të aktivizoheshin në rimëkëmbjen e pasurive minerare të “Trepçës”.

Rritja e numrit të të punësuarve do të ndikojë direkt edhe në rritjen e të hyrave të shtetit nga tatimet në të ardhura personale dhe nga fitimi, si dhe nga taksat tjera. Jo më pak rëndësi ka edhe fakti se me riaktivizimin e kësaj ndërmarrjeje do t’i kontribuojë shumë edhe rritjes së eksportit dhe përmirësimit të madh të bilancit të këmbimit tregtar të Kosovës me botën, si dhe afirmimit të produkteve “Made in Kosova” në botë.

Artikulli paraprakPak ditë deri në hapjen e projektit gjigand
Artikulli tjetërToshiba bashkohet me fushatën e përdorimit të lirës turke