Në vitin 945, një dorë e panjohur do të braktiste para portës së manastirit të Aurillac në Auvergne, një foshnjë të mbështjellë me pelena. Murgjit e mirë do ta mermin fëmijën e gjorë dhe do ta pagëzonin me emrin Gerbert. Fëmija do të rritej në manastir, ku edhe do të ndiqte studimet, deri një ditë kur markezit Borel nga Barcelona, që kishte ardhur për pelegrinazh në Aurillac, do t’i binte në sy ky djalosh njëzet-vjeçar jashtëzakonisht i talentuar. Pas kësaj, Gerberti do të merrte nga eprorët lejen për të shoqëruar markezin në vendin e tij përtej Pirenejve.
Në këtë provincë kufitare spanjolle kishin mbetur ende pasojat e luftës që sapo kishte përfunduar. Markezi Borel kishte pësuar më shumë se një humbje gjatë betejave që i ishte dashur të bënte ndaj sovranit të Andaluzisë. Sipas shembullit të princave të krishterë të Kastijës, të Leonit dhe Navarrës ai ishte detyruar më në fund të dërgonte me ngut në Kordovë një përfaqësi me detyrën për të biseduar mbi kushtet e paqes.
Eprori i ri i Gerbertit, ipeshkvi Hatto, ende nuk e kishte marrë veten nga poshtërimi që i kishte shkaktuar detyrimi për të pranuar gabimin dhe kërkuar falje para sovranit të të pafeve, el-Hakamit II, të cilit madje i ishte dashur t’i ofronte, në emër të Zotit të tij, të shkatërronte të gjitha fortesat spanjolle përgjatë kufirit andaluzian. E megjithatë, ç’pritje do t’i bëhej! Me çfarë madhështie mbresëlënëse do të përballej në këtë oborr si të Njëmijë e një netëve! I riu Gerbert nuk reshte së përgjëruari mikun e tij atëror që t’i tregonte mbi princin e famshëm musliman, që njihej më shumë si njeri i shkencës sesa i luftës, madje thuhej se ishte historian i madh. Atij i pëlqente të dëgjonte për morinë e eruditëve dhe poetëve që gjallonin përreth el-Hakamit, për të krishterët e shquar që administronin qytetin e madh të Kordovës, për kryepeshkopin dhe gjykatësin e tyre të lartë që shpreheshin e silleshin si arabë dhe dinin të flisnin mbi matematikën dhe shkencat natyrore arabe po aq rrjedhshëm sa profesorët e universiteteve islame!
Nën drejtimin e një njeriu aq të ditur si ipeshkëvi Hatto de Vich, thuhet që Gerberti studioi “me zell e sukses” matematikën dhe astronominë. Ai do të dëgjonte të flitej për gjëra, të cilat në vendin e tij as që ishin dëgjuar ndonjëherë dhe pikërisht atëherë ai do të mësonte të njihte shenjat numerike arabe.
Në vitin 971, ai do të shoqëronte markezin dhe ipeshkëvin në Romë, ku do të ndodhte takimi që do të krijonte mes Gerbertit dhe familjes perandorake gjermane një lidhje, që nuk do të shkëputej më kurrë, si me perandorin Otton i Madh, ashtu edhe me të shoqen, perandoreshën Adelaide, djalin si dhe nipin e tyre Otton III. Më vonë, në vitin 991, në Reims, Gerberti do të bëhej kryepeshkop dhe Ottoni III do ta tërhiqte në Oborrin e tij perandorak këtë erudit të admiruar nga të gjithë dhe më 998 do ta emëronte kryepeshkop të Ravenës para se ta ngrente, në vitin 999, në postin papal me emrin Silvestri II. Brezat pasardhës këtë ngjitje të jashtëzakonshme do ta konsideronin shumë interesante dhe objekt vëmendjeje. Personaliteti i këtij njeriu, erudicioni i të cilit kishte mahnitur bashkëkohësit e tij dhe që kishte patur guximin të përdorte instrumentet djallëzore të saraçenëve për të hulumtuar veprën e Zotit, duhej të ngjante i dyshimtë dhe shqetësues për brezat pasardhës.
Mes të tjerash do të thuhej se ky njeri kishte qenë një magjistar i dhënë pas magjisë së zezë. Përndryshe kush përveç arabëve do të kishte mundur ta përfshinte në veprime të tilla të padenja për një të krishterë? I kapluar papritmas nga dëshira për të studiuar astrologjinë dhe shkenca të tjera – thotë legjenda – ishte përvjedhur natën nga manastiri për të arritur në Spanjë. Dhe pikërisht atje kishte mësuar të thërriste shpirtrat e këqinj të ferrit, që do t’i mësonin gjithçka që kureshtja njerëzore kërkon të zbulojë, pa bërë dallim mes të dëmshmes dhe të dobishmes. Po në atë vend ai kishte arritur të shtinte në dorë me dredhi një traktat magjie sekrete, të ruajtur me kujdesmga një magjistar i vjetër e pastaj do t’i shiste shpirtin djallit për të siguruar mbrojtjen e tij kundër hakmarrjes së magjistarit të mashtruar.
Por ja në çfarë konsistonte pjesërisht arti i magjisë, që ky erudit i madh kishte mësuar tek armiqtë e Krishtërimit:
Gerberti është oksidentali i parë që ka mundur të llogarisë me nëntë shenjat, ekzistencën e të cilave e kishte mësuar gjatë qëndrimit te markezi i Barcelonës. Mbi abakë, tabelë llogaritjeje e përdorur më parë nga grekët dhe romakët për veprime shumë të thjeshta, ai do t’u jepte shifrave arabe një rol të pazakontë.
Disa vija vertikale ndanin abakën në shtylla të posaçme për njëshet, dhjetëshet, qindëshet etj. Në secilën prej shtyllave vendosej një numër pullash guri, qelqi ose metali, që përkonin me numrin e dëshiruar të njësheve, dhjetësheve apo qindësheve. Pra, me anë të këtyrë pullave mundësohej mbledhja e zbritja dhe kushdo që ishte sadopak i shkathët në mbledhje, mund t’i përdorte pullat edhe për të shumëzuar, düke e përsëritur mbledhjen aq herë sa nevojitej. Megjithatë, ai që nuk guxonte të kuturiste në veprime kaq të ndërlikuara mund të përdorte tabela të gatshme mbledhjeje dhe shumëzimi.
Po pse gjithë këta pulla të bezdisshëm që na duhet t’i numërojmë një e nga një, çka përjashton të shikuarit e së tërës? Por po t’i vizatonim nëntë shifrat mbi pulla, falë pullës 5 në kolonën e njësheve dhe pullës 6 në atë të dhjetësheve, me një shikim të thjeshtë do mjaftonte të lexonim pa problem numrin 65.
Kur Gerberti do t’i kërkonte një fabrikanti të bënte një tabelë llogaritjeje prej lëkure, padyshim ai do të përdorte ende, sipas zakonit, shenjat romake I, X dhe C për shkrimet në krye të kolonave të njësheve, dhjetësheve dhe qindësheve, por mbi njëmijë pullat prej briri ai do të shkruante shenja shumë të huaja, që askush nuk i kishte parë ndonjëherë.
Emrat e këtyre shenjave ishin po aq të huaja sa edhe forma e tyre. Dhe nuk na janë transmetuar nga Gerberti. Në një vepër e mëvonshme të Radulph de Laon, shkruar në shekullin XII, ato renditen kështu: 1 quhet igin, 2 andras, 3 ormis, 4 arbas (nga arabishtja arba }a), 5 quimas (nga arabishtja khamas), 6 calctis, 7 zenis (zebis, nga arabishtja zeba), 8 temenias (nga arabishtja thamania), 9 zelentis, emra të përveçëm tek të cilët është e vështirë të shquhen ato të shifrave arabe, më së shumti të cunguara e të shpërfytyruara. Mirëpo Radulph se do ta thellonte më tej misterin që rrethonte këto numra duke u veshur një prejardhje kaldease. Dhe ja kush do t’u hapte telashe eruditëve në të ardhmen, gjer ditën kur do të konstatohej që bashkëkohësve të Radulph u dukej shpesh shumë më e përshtatshme t’i vishnin një prejardhje kaldease asaj që në fakt vinte nga Arabia e largët.
Dhe Radulph do arrinte deri aty sa t’u vishte, sigurisht pa të drejtë, kaldeasve të tij të dashur, zbulimin e abakës. Dhe me këtë rast mund të matet ndikimi i madh që ka patur tek fillestarët oksidentalë shkrimi arab nga e djathta në të majtë. Në sistemimin e tabelës së tij të llogaritjes, Radulph do të përshtaste formulën e të ashtuquajturve shpikës “që shkruanin nga e djathta në të majtë”. “E pikërisht kështu, për arsye të respektit që i detyrohemi shpikësve, gjurma e kësaj tabele nis nga e djathta për të vazhduar në të majtë!”
Një nxënës i Gerbertit, Bernelius, i cili kishte botuar veprën e mësuesit të tij me titull Rregullat e tabelës së llogaritjes, ka shkruar një vepër mbi abakën, e cila na tregon qartë përse shenjat e reja nümerike ende nuk mund të shkëputeshin nga rrethi i dijetarëve për të kaluar tek masat e gjera.
Në fakt këto shenja nuk mund të përdoreshin as për të shkruar e as për të llogaritur.
Pa dyshim, Bernelius përshkruante shifrat arabe të destinuara për të fîguruar mbi pullat e abakës. Por kur do të përpiqej të jepte shembuj llogaritjeje, ai do të detyrohej t’u kthehej shifrave romake. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: Gerberti nuk e njihte zeron.
Për shembull, nëse ishte fjala për të formuar mbi tabelën e llogaritjes numrin 1002 kjo nuk përbënte asnjë vështirësi: mjaftonte të liheshin bosh kolona e dhjetësheve dhe ajo e qindësheve. Mungesa e pullës në këto dy kolona tregonte pa asnjë gabim të mundshëm që numri i formuar ishte 1002. Por, për shkak të mungesës së një shenje, domethënë pa zeron, ky numër nuk ishte e mundur të transkriptohej me ndihmën e shifrave. Është e qartë që duke mos e njohur zeron, Gerberti dhe nxënësit e tij e kishin të pamundur ta kapnin kuptimin e numërimit të shkruar të huaj.
E pikërisht për këtë arsye ata ishin të privuar nga të gjitha mundësitë për të përparuar në këtë sistem numërimi. Debutimi i tyre i shkurtër në skenën e tabelës së llogaritjes “i ngjante hyrjes në skenë të një trupe aktorësh të huaj, të cilëve u imponohen role që ata s’i dinë, duke i penguar të luajnë pjesën etyre.”3
Megjithatë, Gerbert dhe ata që dolën nga shkolla e tij kanë pa dyshim meritën e nxitjes së fuqishme të mendimit matematik. Fakti që kishin përhapur llogaritjen me anë të kolonave në abakën romake u dha atyre emrin “abacistë”. Por shifrat e huaja të vizatuara nga Gerbert nuk përfaqësonin asgjë më tepër se një mozaik të ndërlikuar. Sovraniteti i shifrave romake mbeti i pasfidueshëm. Vetëm një shekull më vonë, kur do të zhvillohej beteja mes abacistëve dhe algoritmicienëve (të cilët e kishin mësuar nga el-Khovarezmi llogaritjen me anë të “dy herë më shumë shenjave”) rreshtat luftarakë aq të ngurtë të shifrave romake nuk do të mund t’u rezistonin për shumë kohë elasticitetit dhe elegancës së llogaritjes numerike.
Por si ka mundësi që shenja e dhjetë numerike – zeroja -t’i ketë shpëtuar Gerbertit gjatë studimeve të tij në Spanjë?
DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDEMIN – Sigrid Hunke
Trashëgimia jonë arabe. Shqipëroi nga frëngjishtja: Ornela Ademovi