Përmes Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Programit të Pagesave Direkte për vitin 2015, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të mbështes shumë sektorë të bujqësisë. Në programin e këtij viti, me një buxhet prej 43 milionësh, krahas rritjes së përkrahjes përmes granteve dhe pagesave direkte, përmes të cilave synohet rritja e prodhimtarisë bujqësore, rritja e cilësisë së prodhimeve bujqësore, përmirësimi i strukturës së fermave dhe rritja e të ardhurave për fermerët, janë përfshirë edhe kritere të reja lehtësuese për fermerët.
Kështu është shprehur ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, gjatë prezantimit të këtyre programeve para fermerëve, shoqatave të fermerëve, drejtorëve të drejtorive bujqësore në komuna dhe partnerë tjerë në sektorin e bujqësisë.
Ai tha se programet janë konkrete e bashkë dhe i adresojnë edhe nevojat e sektorit, duke ndikuar kështu në zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit në mbarë vendin.
“Besoj jeni informuar tashmë se programet kanë disa risi dhe me të rëndësishme janë përfshirja e kritereve të reja lehtësuese e garantuese për sukses, shtimi i mbështetjes për kategori të reja dhe mbi të gjitha rritja e buxhetit dyfish më shumë se vitin e kaluar në të gjitha kategoritë. Në pjesën e granteve kemi planifikuar 20 milionë euro ndërkaq tek Pagesat direkte sivjet është 23 milionë euro. Kjo ka ndikuar që dukshëm të rritet përkrahja për secilën kulturë dhe të rritet për ato ekzistuese”, ka thënë ministri Krasniqi.
Në këto program, ai tha se kanë përfshirë shumë kritere lehtësuese për fermerët, në mesin e të cilave tregoi se i kanë dhënë rëndësi kriterit të punësimit, pra ata që deklarojnë dhe realizojnë punësim do të kenë pikë më shumë, kritereve për fermerët e rinj në moshë, fermerët si dhe për gratë fermere, si dhe kritere të tjera.
“Gjatë këtij mandati, bazuar edhe në Programin qeveritar ne do të kemi orientime të reja, duke u foksuar në subvencionimin e kamatave për fermerët, do të investojmë në sigurinë ushqimore duke e reformuar edhe më shumë sistemin e kontrollit, do të hartojmë programe mbështetëse për mbrojtje të produkteve nga ndryshimet e papritura klimatike, do t’i kushtojmë një rendësi të veçantë shërbimeve këshillimore pasi vërtetë fermerët tanë kanë nevojë për këshilla profesionale e të vazhdueshme, dhe në harmoni me praktikat moderne”, ka thënë ministri Krasniqi, duke shtuar se mbesin ende sfida në këtë sektor.
Në prezantimin e këtij programi kanë marrë pjesë; fermerë, shoqata të fermerëve, përfaqësues të drejtorive bujqësore komunale, me ç’rast ata kanë pasur rastin të bashkëbisedojnë me ministrin edhe për problemet me të cilat ballafaqohen ata. Ministri iu shprehi atyre përkushtimin e tij për të pasur gjithnjë prioritet kryesor transparencën dhe efikasitetin në punë. Ai tha se ky parim duhet të vlejë për të gjithë dhe vetëm në këtë mënyrë arrihen rezultate.
Ndryshe, në programin e sivjetshëm për bujqësinë dhe zhvillimin rural, përmes granteve investive në vlerë prej 11 milionë euro do të përkrahet Masa 101 ku hyjnë investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore. Pastaj masa 103, ku hyjnë investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore që do të përkrahet me 5 milionë euro, ndërkaq diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve në zona rurale do të përkrahet përmes granteve në vlerë prej 1.5 milionë euro. Edhe sivjet do të mbështeten në vlerë prej 300 mijë euro përgatitja dhe zbatimi i strategjive për zhvillimin lokal, Leader, si dhe ujitja e tokave bujqësore më një vlerë prej 2 milionë euro.
Thirrjet për aplikim për grante në këto fusha dhe te një pjesë e pagesa direkte janë shpallur dhe afati i aplikimit është deri më 10 prill. Të gjitha dokumentet përcjellëse, programi, udhëzuesit dhe dokumente të tjera janë publike në uebfaqen e MBPZHR-së. kohaislame