“Ky sukses është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit me tatimpagues dhe akterë relevantë në fushën e ekonomisë dhe financave”, theksoi Murtezaj
Në një konferencë për media ku u shpalosën detaje të të arriturave, projekteve dhe planifikimeve në të ardhmen, drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se rritja gjatë vitit 2023 për periudhën e njëjtë është mbi 19 për qind.
“Gjashtë muajt e parë të këtij viti, ATK ka arritur të inkasojë mbi 423 milionë euro, që do të thotë rritje për 68 milionë euro apo 19 për qind. Ky sukses është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit me tatimpagues dhe akterë relevantë në fushën e ekonomisë dhe financave”, theksoi Murtezaj.
Ai tha se ATK do të vazhdojë me përpjekjet për të luftuar informalitetin ekonomik duke bërë përpjekje për të garantuar konkurrencë të barabartë në treg dhe të ofrojë shërbime të mira për të gjithë tatim-paguesit.
“Nga inspektimet në terren ka rezultuar që të kemi mbi 16 mijë inspektime me ndëshkime/gjoba të aplikuara dhe me tatim shtesë të konstatuar me rreth 9 milionë euro nga këto inspektime, si dhe me 884 kontrolle të zhvilluara me tatime shtesë me mbi 31 milionë euro”, theksoi Murtezaj, duke shtuar se nuk është orientim i tyre mbushja e arkës së shtetit me ndëshkime, por janë masa që parashihen me ligj.
Murtezaj tutje tha se ATK gjatë secilit vit po ashtu ka shënuar progres në inkasimin e borxheve.
/aa/