Me tregtinë globale në shok, e ndikuar nga lufta tarifore SHBA-Kinë dhe pandemia COVID-19, është e lehtë të shihen pasojat negative edhe në Kosovë kryesisht përmes tkurrjes ekonomike. Mirëpo, ky ndryshim paraqet edhe mundësi të reja për të kthyer vendin në hallkë të zinxhirit furnizues global.
Krijimi i zinxhirit
Dy faktorë në ndërlidhje me njëra tjetrën kanë definuar evoluimin e tregtisë ndërkombëtare të periudhës moderne.
Së pari është sistemi politik ndërkombëtar, i bazuar në liberalizim tregtar që ka hapur marketet ku prodhuesit më kualitativë dhe efikas konkurrojnë më lehtë me prodhimet vendore duke nxitur më tutje specializim edhe më të thellë (p.sh. veturat gjermane, telefonat amerikanë, televizorët koreanë etj.)
Së dyti është inovacioni i transportit që ka ulur koston e prodhimeve e ndarë në dy faza: makina e avullit nga është lehtësuar transporti hekurudhor dhe detar, dhe standardizimi i transportit përmes kontejnerit i cili ka mundësuar që malli i mbushur në një kuti të hekurt, i njëjti bën udhëtimin nëpër kontinente duke ndryshuar modën e transportit me kamion, tren, anije, prapë kamion dhe tren prej origjinës në destinacion. Standardizimi në transport shpesh nuk merr kreditin e duhur për revolucionin e bërë. P. sh. me anije të cilat ngarkojnë rreth 20,000 kontejnerë në një prej 20,000 mund të fusësh 10,000 iPads me kosto transporti rreth .05 cent për iPad prej Shanghai në Hamburg. Gjë që do të ishte shumë më e kushtueshme pa inovacionet e përmendura dhe do të pamundësonte zhvillimin e tanishëm tregtar.
Nëse shikojmë evoluimin e politikave liberalizuese dhe standardizimin e transportit, çfarë shohim është se në një linjë eksponenciale janë rritur edhe eksportet mes shteteve si rezultat i këtyre dy faktorëve.
Bizneset globale padyshim shfrytëzuan ndryshimin në garën për të prodhuar sa më lirë dhe sa më shpejt për të dalë fitues në industritë e veta. Pjesë e rëndësishme e këtij zhvillimi është ndarja e procesit prodhues në hapa të ndryshme. Më shumë se dy të tretat e mallrave të tregtuara sot kalojnë të paktën një kufi gjatë prodhimit (jo si produkt final). P. sh. kur importon një iPhone SHBA-të nga Kina, ato nuk importojnë vetëm një produkt të prodhuar në Kinë, por një ku disa shërbime janë kryer nga Amerika, teknologjia e avancuar ka shkuar nga Koreja në Kinë, puna intensive nga Kina etj.
Është pikërisht kjo ndarja dhe specializimi, e cila ka krijuar mundësi për shumë shtete. Kina fillimisht ka tërhequr investime bazuar në punën intensive manuale duke qenë vetëm pjesë e zinxhirit furnizues por se gradualisht ka përdorur politika të cilat stimuluan zhvillimin e dijes rreth proceseve tjera si teknologjia e lartë e robotika, inxhinieria etj. duke u kthyer në epiqendër prodhuese dhe eksportues kryesor global.
Shkëputja e hallkave
Me luftën tregtare e cila ka tensionet gjeopolitike si bazë, dhe tani ndikuar edhe nga pandemia COVID19, zinxhiri furnizues ka filluar të dobësohet në hallkat kyçe. Në njërën anë, shtylla e transportit është bërë gjithnjë e më efektive. Ndihmuar nga zhvillimet në shkencë dhe teknologji por edhe inovacionet biznesore, bota po shkon drejt digjitizimit, transportit pa karbone ndotëse (me plan që të arrihet deri ne vitin 2050) gjëra që do ta bëjnë tregtinë edhe më tërheqëse. Por, në anën tjetër, zhvillimi tregtar është nën presion nga politikat mbrojtëse dhe lëkundjet globale.
Nga këto politika po shohim hallkat kryesore SHBA – Kinë duke u dobësuar, dhe tensione të ngjashme edhe pse me më pak intensitet mes fuqive tjera si SHBA- BE dhe BE – Kinë. Shtetet sikur Japonia, për tu varur më pak në prodhimet nga Kina kanë deklaruar se do t’i paguajnë kompanitë Japoneze të vendosura në Kinë të cilat lëvizin pjesë të prodhimit jashtë Kinës. Kjo është shenjë e qartë se diversifikimi nga varësia në Kinë nuk është diçka që i përket vetëm politikave të administratës së tanishme në Uashington. Edhe para luftës tarifore, sektorë të caktuar si ato të prodhimit të rrobave, kishin filluar lëvizjen drejt Azisë Juglindore ku puna intensive është krahasimisht më e lirë se në Kinë (ngase me zhvillimin e shpejt te Kinës vinin edhe rritjet e të ardhurave mesatare.)
Fituesi kryesor i kësaj përçarjeje si rajon duket të jetë Azia Juglindore. Edhe pse Kina ende është gjiganti eksportues, vendet sikur Vietnami po shënojnë përqindje të lartë të rritjes së eksporteve, dhe në këtë mënyrë jemi dëshmitar të një ndryshimi ku hallkat e zinxhirit me shtetet tjera janë duke u forcuar si efekt i dobësimit të atyre mes fuqive kyçe ekonomike.
Kosova si hallkë
Si një vend i vogël dhe i mbetur mbrapa shteteve fqinje në nivelin e zhvillimit, po ashtu i përfshirë në kriza politike, Kosova e ka vështirë të paraqitet si konkurrent që të kontribuojë në/dhe të përfitojë nga këto ndryshime. Por, ajo i ka disa mundësi të cilat mund t’i shfrytëzojë më mirë.
U përmend më lart rëndësia e transportit në tregti. Përmes daljes së lehtë në Durrës Kosova ka qasje në të gjitha marketet e botës (shpeshherë anijet e njëjta që thirrin Durrësin udhëtojnë drejt portave tjera adriatike si Rijeka, Split, Koper etj., e që pastaj lidhen me qendra të njohura si hubs siç është Genoa, Selaniku etj., me qasje nga atje në thuajse çdo portë tjetër të botës). Me një shtet me të ardhura mesatare më të ulëta në rajon, dhe një rini të integruar në Perëndim kulturalisht që ka avantazh potencial në komunikim, por edhe pikëpamje të ngjashme rreth inovacionit deri tani të vërtetuar më shumë përmes sportit e arteve ne vetëm se shohim mundësitë e Kosovës, por edhe vullnetin për t’u globalizuar më tutje si shoqëri. Gjithashtu shohim një konkurrencë në përdorimin e teknologjisë dhe kompjuterikes përmes qendrave shërbyese në marketet e Gjermanisë dhe SHBA-ve, gjë që tregon se me politikat dhe investimet e duhura, diçka e tillë mund të maksimalizohet edhe më tutje.
Ja vlenë të përmenden edhe faktorët e tjerë kyçë sikur politikat liberalizuese tregtare: marrëveshja e CEFTA-s (Marrëveshja Për Tregti të Lirë e Shteteve të Evropës Qendrore), avantazhet tarifore me SHBA-të përmes programit GSP (Sistemi i Gjeneralizuar i Preferencave që lejon disa vende në zhvillim e sipër të eksportojnë produkte të caktuara pa tarifa) dhe me Bashkimin Evropian përmes SAA (Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim,) ku të gjitha bashkërisht hapin rrugën për t’u aktivizuar më shumë në eksporte.
Mundësitë nga ndryshimet e mëdha strukturale nuk vijnë përditë. Tani jemi në një periudhë ku kompanitë globale po ballafaqohen me pyetjen: kush do ta zëvendësojë Kinën? Një artikull në New York Times, supozonte se për arsye nuk ka një Kinë tjetër për nga madhësia, do të duhen plot shtete nëpër kontinente të ndryshme që ta zëvendësojnë atë si pikë prodhuese për marketin konsumues Amerikan. Vende të ndryshme siç u përmend janë aktivizuar dhe po përfitojnë nga kjo mundësi.
Kina prapë do të luajë rolin si vend kyç në hallkën zinxhirore, porse diversifikimi nga ajo tanimë është proces i pandalshëm. Detyra e udhëheqësve tanë duhet të jetë që ta kapin këtë momentum global, potencial të rinisë, vendndodhjen gjeografike dhe marrëveshjet tregtare për t’i kthyer bashkërisht në një strategji të qartë tregtare dhe ekonomike, që Kosova të lidhet në zinxhirin furnizues global.
Nga: Ard Morina