Shitja e produkteve me afat të skaduar apo edhe me cilësi të dyshimtë, vazhdon të jetë pjesë e tregtisë në Kosovë.
Janë mbi 1 milion e 202 mijë produkte ushqimore me prejardhje bimore dhe shtazore të asgjësuara këtë vit në Kosovë.
Kështu thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës.
Nuk janë të pakta rastet kur qytetarët përballen me produkte me afat të skaduar.
G.V nga Prishtina na tregon eksperiencën e saj me këtë dukuri, që së fundmi në Kosovë po ndodh shpesh.
Qytetarja nga Prishtina thotë se disa herë i ka ndodhur që të blejë produkte në markete dhe i kanë dalur me afat të skaduar.
“Në një market të Prishtinës, kam blerë produkte vendore kur e kam shikuar, produkti ishte pa afat’, tregon ajo për arbresh.info.
Kjo nuk është e vetmja herë kur G.V ka hasur në kësi lloj raste, ajo tregon se njëherë i ka ndodhur që mbrapa në produkt shkruante se produkti ka akoma afat, por kur e kishte marr ta përdorte atë produkt ishte i tëri i mykur.
Masat ndëshkimore nga gjykatat
Lumir Thaçi, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës, thotë se ankesat janë të natyrave të ndryshme dhe arsyeve të ndryshme.
Sipas tij, çdo herë kur ka ankesa ose një produkt nuk i plotëson kushtet për konsum, largohet nga tregu e pastaj asgjësohet.
“Sasi totale e produkteve të asgjësuar për ketë vit deri me tani është 1,202,388.00 produkte ushqimore me prejardhje bimore dhe shtazore”, shprehet Thaçi.
Ndërsa për masën ndëshkimore, ai tha se gjithmonë vendosin gjykatat.
“Çdo herë, kur një produkt është vlerësuar se nuk i plotëson kushtet për konsum, është larguar nga tregu fillimisht pastaj edhe janë asgjësuar. Asgjësimi është formë e shkatërrimit qe pamundëson rikthimin e produktit të dyshimtë në treg. Në të njëjtën kohë ndaj të gjithë shkelëseve të ligjit të cilët kanë tentuar të shesin produkte të dyshimta iniciohet fletëparaqitje në gjykatë. Dhe për masën ndëshkimore gjithmonë vendosin gjykatat”, shprehet Thaçi për arbresh.info.
Tutje, Thaçi shton se shkaqet e asgjësimeve kanë qen mall pa origjine, me afat të skaduar dhe duke u ruajtur apo transportuar në kushte jo adekuate
“Kurdo qe një produkt është vlerësuar se nuk i plotëson kushtet ligjore qe garanton siguri, është ndaluar konfiskuar dhe asgjësuar. Shkaqet e asgjësimeve kanë qen mall pa origjine, me afat të skaduar duke u ruajtur apo transportuar në kushte jo adekuate.’, thotë ai.
Sipas tij, ka raste edhe vetë operatorët e biznesit kanë lajmëruar apo kanë paraqitur kërkesë për asgjësim të produkteve që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum.
“Arsyet e asgjësimit kanë qenë të ndryshme duke përfshirë rastet e shumta kur edhe vetë operatorët e biznesit kanë lajmëruar apo kanë paraqitur kërkesë për asgjësim të produkteve që nuk i kanë plotësuar kushtet për konsum kanë skaduar apo nuk janë ruajtur ne kushte adekuate. Ky veprim nënkupton se ne i kemi bindur qe fillimisht ata ta dijen përgjegjësin qe kanë ne vet kontroll”, ka përfunduar ai.
Konsumatorët po dëmtohen shumë
Selatin Kaçaniku, kryetar i Organizatës “Konsumatori”, thotë se konsumatorët po dëmtohen shumë si nga sasia edhe nga skadenca e produkteve.
Ai tregon se edhe qytetarët kanë frikë të shprehin shqetësimet që kanë.
“Qytetari konsumator skajshmërish janë të dëmtuar, ndjehen të diskriminuar, të zhvatur, të pa mbrojtjen e pa kujdes shoqëror të Shtetit. Për fat të keq rastet e dëmtimit të qytetarit konsumator janë në rritje ndërsa numri i ankesave është në ulje, sepse konsumatori e ka humbur besimin. Ankesa në heshtje, në mediumet e informimit publik dhe në portale, rrjete sociale ka shumë. Por, të deklaruara në formë protokolli administrativ, të kallëzimit ose denoncimit, e të adresuara ku dhe si duhet, ka shumë pak. Me qindra e mija herë më pak seç realisht e meriton gjendja reale në treg”, thotë ai
Tutje Kaçaniku shton se këto dëmtime në veçanti vërehen këto ditë në kushtet aktuale, prej pandemisë Covid-19, lufta në Ukrainë, ikja e popullsisë, të gjitha këto sipas tij i kanë vështirësuar kushtet e punës në markete e kudo tjetër.
“Këto dëmtime në veçanti vërehen këto ditë në kushtet aktuale të, sundimit të pandemisë COVID 19, luftës në Ukrainë, ikjes së popullatës, fuqisë së re punëtore në mërgim, të cilat kanë vështirësuar kushtet e punës në markete e kudo tjetër. Shteti, institucionet e saj sikur kanë frikë nga rezultatet mbi gjendjen ose nuk duan statistika të cilat do t i ‘tradhtonin’ rezultatet mbi ”sukseset” e tyre”, pohon ai.
Ndërsa, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar nga të gjitha vendet që të kenë politika gjithëpërfshirëse për sigurinë ushqimore.
Sipas OBSH-së, sëmundjet që vijnë nga ushqimi, ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve.
Në Kosovë, Ligji për ushqimin thuhet se “rregullon parimet e përgjithshme dhe kërkesat që kanë të bëjnë me higjienën e ushqimit dhe ushqimin e sigurt”.
Për mashtrimet e konsumatorëve është raportuar shumë herë ndërsa shumë pak janë parë të jenë marrë masa nga institucionet kompetente.
Comments are closed.