Kontestohet nga bizneset vendimi i Byrosë së Sigurimeve për sistemin Bonus-Malus

Vendimi më i ri i Byrosë së Sigurimeve në Kosovë në lidhje me sistemin Bonus-Malus të autopërgjegjësisë për vetura ka hasur në pakënaqësi të mëdha tek qytetarët dhe te bizneset.

Në bazë të këtij vendimi, pagesa e regjistrimit të veturës shkon deri në 100 për qind të vlerës fillestare, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas Udhëzimit të ri, bizneset obligohen që të paguajnë 10 ditë para skadimit të sigurimit të regjistrimit të automjetit të vitit paraprak për vitin e ardhshëm në mënyrë që të fitojnë një shkallë bonus në rastet kur nuk ka aksident ose dëm të deklaruar.

Kurse në rastet kur automjeti nuk regjistrohet nga 1 deri në 15 ditë nga dita e skadimit të regjistrimit atëherë nuk do të ketë bonuse.

Kështu që shkalla bonus-malus do të mbetet e njëjtë edhe pse për atë automjet nuk ka dëme të deklaruara apo i njëjti nuk ka pasur aksidente. Ndërsa në rast të vonesës në vazhdim të sigurimit në afat prej 15 ditë, automjetet të cilat janë të regjistruara në emër të bizneseve direkt zhvendosen në shkallën bazë.

Edhe Oda e Afarizmit të Kosovës ka reaguar në lidhje me këtë vendim nga ana e Bankës Qendrore, duke shprehur shqetësimin e tyre se ky udhëzim do t’i dëmtojë edhe qytetarët që çdo ditë e më shumë po përballen me varfëri ekstreme.

Nga kjo Odë thonë se udhëzimi në fjalë ka hyrë në fuqi pikërisht në kohën kur situata financiare e qytetarëve dhe vetë bizneseve është shumë e vështirë si pasojë e pandemisë COVID19, ku qindra biznese kanë falimentuar apo janë në prag të falimentimit dhe dhjetëra mijëra vende pune tjera janë të humbura.

Ata thonë se OAK-u është duke pranuar në vazhdimësi ankesa nga bizneset lidhur me Udhëzimin e ri mbi implementimin e sistemit bonus- malus për persona juridik dhe persona fizik të miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës e cila ka hyrë në fuqi me 01 nëntor 2020.

Udhëzimi përcakton edhe faktin se nëse sigurimi është ndërprerë pas kalimit të periudhës së vëzhgimit në të cilën nuk është deklaruar dëm, automjetet e bizneseve kanë pasur të drejtë për një shkallë premie më të ulët në rast se ndërprerja nuk ka zgjatur më tepër se 3 vite.

OAK-u ankohet tutje se Udhëzimi i miratuar nga BQK-ja ka ardhur pa asnjë konsultim paraprak me palët e interesit ku me këtë rast palët e afektuara drejtpërsëdrejti nga ky vendim nuk kanë qenë të njoftuara dhe janë dëmtuar si pasojë e mungesës së informacionit. /Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprakVaksina dhe komuniteti mysliman
Artikulli tjetërBKS-JA ME NJË NJOFTIM TË RËNDËSISHĒM PËR BASHKATDHETARË