Konkurrenca teknologjike

Rregullat e lojës teknologjike po ndryshojnë. Ka nisur një fazë e re në konkursin global të teknologjisë, shkruan The Economist

 

Ideja se industria e teknologjisë mbizotërohet nga monopolet është kaq e përhapur, sa ka monopolizuar shumë mendime, nga strategjitë e investitorëve, deri te shënimet ligjore të vëzhguesve të antitrustit. Megjithatë, siç do ta shpjegojmë, ideja po bëhet më e vështirë për t’u mbështetur. P

as një periudhe të gjatë vështirësie, industria po hyn në një fazë dinamike. Në Amerikë, tregjet dixhitale po zhvendosen drejt oligopoleve, ku firmat e dyta dhe të treta po konkurrojnë fort kundër kompanive të fuqishme. Kompanitë e mëdha të teknologjisë po garojnë mbi klientët dhe të dhënat: këtë e dëshmon përballja midis Apple dhe Facebook për kontrollin e privatësisë së përdoruesve të iPhone.

Dhe në të gjithë Azinë, konglomeratët dixhitalë po luftojnë gjithashtu. Struktura në zhvillim e industrisë nuk i afrohet aspak kapitalizmit të hapur. Por një oligopol i rivalëve është shumë më i mirë se një monopol.

 

Shkatërrimi krijues

Era e fortë e shkatërrimit krijues po frynte fort më parë në Silicon Valley. Lista e kompanive të falimentuara nga efekti i dominimit të të mëdhave, shtrihet nga Fairchild Semiconductor në Hewlett-Packard. Megjithatë, kohët e fundit, gjigantët janë stepur: Apple dhe Microsoft janë mbi 40-vjeçare dhe Alphabet dhe Amazon mbi 20; edhe Facebook mbushi 17 vjet në shkurt. Çfarë ndodhi? Efektet e rrjetit dhe shkallës nënkuptojnë se madhësia sjell madhësinë, ndërsa të dhënat mund të veprojnë si një pengesë për hyrjen.

Kërkimi, rrjetet sociale, reklamat, tregtia elektronike, transmetimi, shpërndarja dhe pagesat i shfaqin këto veti alkimike në njëfarë mase. Duke arritur epërsinë në zonën e tyre të zgjedhur, shumë kompani teknologjike, veçanërisht ato të mëdhatë, kanë treguar pak dëshirë për të konkurruar direkt me njëra-tjetrën në dekadën e kaluar. Tre kërkimet më të zakonshme në Microsoft Bing janë Facebook, YouTube dhe Google. A i kujtohet ndokujt Fire Phone i Amazon?

 

A ka ndryshuar gjë?!

Në një pamje të parë, duket se asgjë nuk ka ndryshuar. Kompanitë teknologjike arritën fitime të mira në vitin 2020 dhe investitorët parashikojnë se këto fitime do të rriten. Vlera e tregut prej 7.6 trilionë dollarësh për pesë gjigantët e Amerikës, nënkupton se shitjet e tyre do të dyfishohen në dekadën e ardhshme. Megjithatë, nëse shikoni më nga afër, po ndodh një ndryshim.

Kompanitë e mëdha nuk po bëhen më të vogla – pjesa mesatare e ponderuar e tregut është e qëndrueshme, me rreth 35% në secilin prej 11 nënsektorëve amerikanë të teknologjisë. Por pesha e kompanive të dyta dhe të treta është rritur nga 18% në 26% që nga viti 2015. Kjo reflekton dy tendenca më të thella.

Së pari, kompanitë e mëdha teknologjike po diversifikohen, ndërsa produktet e tyre kryesore maturohen, shfaqen mundësi të reja teknologjike dhe kërcënimet rregullatore rriten në Amerikë, Europë dhe Kinë. Kompanitë kanë folur mbi këtë për vite me radhë, por tani po ndodh. Pjesa e të ardhurave të pesë gjigantëve amerikanë që mbivendoset me të tjerët, është rritur nga 22% në 38% që nga viti 2015. Microsoft dhe Alphabet po sfidojnë Amazon në Cloud. Nga ana tjetër, Amazon është forca në rritje në reklamat dixhitale.

Tendenca e dytë, që përbën një të tretën e ndryshimit në pjesën e tregut, është se të huajt kanë marrë vrull. Nga radhët e korporatave, Disney, kompani 98-vjeçare, ka fituar 116 milionë klientë të rinj në 18 muaj, ndërsa Walmart, 58-vjeçare, arriti 38 miliardë dollarë fitime në shitje online vitin e kaluar. Firmat e pavarura të teknologjisë, si Shopify në tregtinë elektronike dhe PayPal, kanë shpërthyer falë rritjes dixhitale të shkaktuar nga pandemia dhe po gjenerojnë mjaftueshëm fitime për të qenë të vetëqëndrueshme.

Ju mund të mendoni se kjo garë është thjesht e përkohshme, por ajo ka një precedent në Azi, ku klientët kanë përqafuar risitë dhe kufijtë midis produkteve janë mjegulluar, duke çuar në zhvendosje të pjesës së tregut, marzhe më të ulëta dhe inovacion. Kina ka Alibaba, Tencent dhe pesë pretendentë të tjerë me vlerë 100 miliardë dollarë ose më shumë. India ka Jio dhe Azia Juglindore ka Grab, Gojek dhe Sea. Të gjitha këto kompani synojnë klientë, të cilët mund të binden të blejnë një gamë elastike shërbimesh, në vend që të mbrojnë me çdo kusht një monopol statik. Ata kërkojnë zgjerim nëpërmjet diversifikimit, edhe nëse kjo do të thotë përplasje me rivalët.

 

 

Rreziqet

Një rrezik është se ky rivalitet oligopolist mund të jetë një garë e kufizuar. Ajo ende nuk e ka prishur duopolin Apple-Alphabet mbi sistemet e funksionimit të celularëve, ose dyqanet e aplikacioneve. Edhe pse reklamuesit kanë më tepër zgjedhje, për shembull midis Amazon dhe Facebook, atyre të cilëve u reklamohen nuk kanë asnjë alternativë të vërtetë për produktet e Mark Zuckerberg, drejtuesit të Facebook. Dhe ka shumë lidhje komode midis kompanive. Alphabet i paguan Apple deri në 12 miliardë dollarë në vit për ta bërë Google motorin e parazgjedhur të kërkimit në iPhone. Alibaba dhe Tencent zotërojnë aksione në disa nga kompanitë e reja kineze.

Këtu mund të bëjnë një diferencë zbatuesit e antitrustit. Pagesat e lartpërmendura në lidhje me Google, tani janë subjekt i një procesi gjyqësor të Departamentit të Drejtësisë, ndërsa Apple dhe Google po përballen me ankesa për dyqanet e tyre të aplikacioneve. Europa po planifikon rregulla për të bërë që produktet e kompanive të ndryshme të punojnë së bashku dhe t’i ndihmojnë përdoruesit të lëvizin të dhënat e tyre. Kina ka një listë të re mbi “nëntë gjërat e ndaluara” për kompanitë e tregtisë elektronike, duke përfshirë mosmënjanimin e pretendentëve të rinj.

 

Ambicia

Ambicia nuk mungon aspak. Në përpjekjen për të tërhequr biznese në platformën e saj cloud, Alphabet po humb 6 miliardë dollarë në vit – më shumë sesa ka humbur Amazon gjatë gjithë ekzistencës së saj. Disney planifikon të arrijë 325 milionë abonentë deri në vitin 2024. PayPal synon të ketë 750 milionë përdorues në superaplikacionin e tij financiar deri në vitin 2025. Walmart sapo ka blerë një firmë reklamash. Facebook po hyn në tregtinë elektronike. Microsoft ka marrë në konsideratë blerjen e dy kompanive të rrjeteve sociale, TikTok dhe Pinterest. Huawei në Kinë është i zënë me krijimin e një alternative ndaj duopolit të sistemit operativ IOS-Android.

Konkurrenca oligopol mund të jetë përfituese për konsumatorët në disa mënyra. Ajo mund të rrisë mundësitë e zgjedhjeve, ndërsa më shumë kompani konkurrojnë për të ofruar një gamë të gjerë shërbimesh: 11 kompani amerikane kanë mbi 100 milionë abonentë dixhitalë.

Ajo gjithashtu mund të rrisë standardet, ndërsa platformat kërkojnë besimin e konsumatorëve. Kjo është arsyeja pse Apple së shpejti do të pyesë përdoruesit e iPhone nëse duan të heqin dorë nga gjurmimi i të dhënave në Facebook. Dhe ajo gjithashtu mund të nxisë inovacionin ndërsa firmat kërkojnë mjete të reja, si realiteti virtual, për të kontrolluar aksesin ndaj klientit.

Në vitin 2000, disa parashikuan se teknologjia ishte e destinuar për monopol dhe kjo ide u pranua gjerësisht. Sot askush nuk e di nëse modeli i ri i rivalitetit oligopolist do të zgjasë apo do të jetë përfitues për konsumatorët. Kushtet janë më premtuese sesa kanë qenë për vite me radhë.

Rregullatorët po përpiqen të hapin tregjet e mbyllura, një bum financiar do të thotë se kapitali është i mjaftueshëm dhe një rritje globale e aktivitetit online ka rritur kërkesën. Një ekonomi dixhitale më konkurruese do të kishte rezultate – për tregjet, konsumatorët dhe bizneset. Kjo duket se ka gjasa të ndodhë. /monitor/

Artikulli paraprakSi të ndërtoni një agjensi të suksesshme marketingu nga fillimi
Artikulli tjetërNjoftim për tatimpagues – Zgjatet afati për deklarimin dhe pagesën e tatimeve, si dhe deklarimin e Pasqyrave Financiare