Komisioni Europian ndan edhe 50 milionë euro për Kosovën

Komisioni Europian ka ndarë edhe 50 milionë euro për Kosovën si asistencë makrofinanciare.

Një shumë tjetër prej 50 milionë eurosh janë ndarë tashmë për Kosovën, duke çuar totalin në 100 milionë euro.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar se Komisioni Europian ka ndarë 50 milionë euro për Kosovën.

Në një postim në Twitter, Szunyog ka thënë se përmes kësaj tregohet mbështetja e BE-së për adresimin e sfidave të shkaktuara nga pandemia.

Ai tutje ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë me autoritetet kosovare në implementimin e politikave efektive që kanë për qëllim rimëkëmbjen më të shpejtë dhe rritjen e qëndrueshme të ekonomisë.

“Komisioni Evropian ka ndarë sot 50 milionë euro për Kosovën si asistencë makro-financiare. Një shumë tjetër prej 50 milionë eurosh janë ndarë tashmë për Kosovën, duke çuar totalin në 100 milionë euro. Kjo tregon mbështetjen e Bashkimi Europian për të adresuar sfidat socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia”, ka shkruar ai.

Në kuadër të kësaj ndihme Komisioni Europian ka ndarë 300 milionë euro për Tunizinë, 50 milionë për Kosovën, 30 milionë për Malin e Zi dhe 80 milion për Maqedoninë e Veriut, nga fondi prej 3 miliardë euro për ndihmën e vendeve të rajonit të cilat kanë pësuar nga pandemia.

Në tetor Kosova kishte marrë 50 milionë eurot e para.

Ndryshe, Kosova në muajin korrik të vitit të kaluar kishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me BE-në për një kredi prej 100 milionë euro.

Afati i kthimit të kësaj kredie është 15 vite.

Artikulli paraprakÇështjet e lidershipit, nuk jeni sistematikë është një grackë
Artikulli tjetërIndeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit