Kërkimi i punonjësve është kthyer sërish në një biznes fitimprurës

Një vit më parë, punëdhënësit po paguanin pagat e punonjësve që kishin marrë leje, për shkak të pandemisë Covid-19. Tani, shumë prej tyre po kërkojnë dëshpërimisht më shumë punonjës, shkruan The Economist.

 

Rimëkëmbja e shpejtë e disa sektorëve të tregut të punës, pavarësisht nga rreziku i një vale të re pandemie, ka qenë një lajm i mirë për punonjësit që kërkojnë rritje të pagës. Kjo ka shkaktuar gjithashtu një bum në tregun e agjencive të personelit, të cilat kërkojnë punonjës për kompani të ndryshme.

Firmat në mbarë botën shpenzojnë mbi 400 miliardë dollarë në shërbimet e burimeve njerëzore, sipas Royal Bank of Canada. Këtu, vëmendja përqendrohet kryesisht te kërkimi për drejtuesit më të mirë ekzekutivë, bankierët ose avokatët më të mirë. Por në fakt, pjesa më e madhe e biznesit konsiston në gjetjen e vendeve të punës për punonjësit e zyrave, shpesh me kontrata të përkohshme. Industria është shumë e fragmentuar, por janë shfaqur disa lojtarë globalë, si Adecco në Zvicër, Manpower në Amerikë dhe Randstad në Holandë.

Covid-19 dëmtoi të ardhurat e agjencive të rekrutimit, ndërsa punëdhënësit ngadalësuan punësimin, për shkak të recesionit dhe punonjësit hezitonin të shkonin në punë. Tani një bum post-pandemik po fiton vrull. Në shumicën e vendeve të pasura, janë krijuar mjaft vende të lira pune, pasi kompanitë po kërkojnë staf dhe shqetësimet e punonjësve për infeksionin po zbehen. Kjo ka ndikuar në rritjen e kërkesës për paga më të larta, sidomos për ata punonjës që kanë mundësi të gjejnë punë gjetiu.

Agjencitë rekrutuese të punonjësve ndjekin me kujdes treguesit e besimit ekonomik. Ringjallja e besimit ka qenë veçanërisht e shpejtë këtë herë. Pas krizës financiare të periudhës 2007-‘09, kompanive Adecco dhe Randstad, iu deshën 7-8 vjet që të ardhurat e tyre të ktheheshin në nivelin e mëparshëm, thotë Kean Marden nga Banka e Investimeve Jefferies. Këtë herë, atyre iu deshën vetëm 6-9 muaj. Vlera e kombinuar e tregut e të dy kompanive, me 25 miliardë dollarë, tani tejkalon nivelin para-pandemik.

Deri tani, rritja është nxitur kryesisht nga aktivitetet që lulëzojnë të parat me rimëkëmbjen e ekonomive. Në fazat e hershme, kërkesa për punë manuale zakonisht është më e fortë sesa për punët e zyrave. Dhe punëdhënësit fillimisht ngurrojnë më tepër për punësimin e një stafi të përkohshëm, i cili kushton më tepër, por numri i të cilit mund të shkurtohet nëse rimëkëmbja ka ngecur. Agjencitë gjithashtu shpresojnë të fitojnë për një kohë të gjatë nga ndryshimet e stilit të punës, të shkaktuara nga Covid-19.

Disa punonjësve mund t’i ketë pëlqyer puna në distancë dhe mund të preferojnë punëdhënës që u lejojnë atyre të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia. Kompanitë tani mund të marrin në konsideratë për punë edhe kandidatë të largët, që dikur nuk do të ishin kualifikuar si punonjës potencialë. Firmat rekrutuese, të cilat ruajnë në dispozicion baza të gjera të të dhënave të punonjësve potencialë, mund të ndihmojnë në zgjerimin e horizontit të tyre.

Bota post-pandemike mund t’i japë jetë të re një modeli biznesi që ishte në mes të turbullirave nga ofertat online. Disa platforma janë blerë nga kompanitë kryesore të punësimit: për shembull, platforma Monster është blerë nga Randstad, dhe Hired nga Adecco.

Ekonomistët nuk pajtohen mbi çështjen nëse periudha e fundit e inflacionit të pagave është një humbje afatshkurtër apo një tipar i qëndrueshëm i tregut të punës. Papunësia mbetet e lartë në disa vende. Sido që të jetë, shumë njerëz kanë mendime të ndryshme në lidhje me çeqet e pagave dhe marrëdhëniet me punën, në krahasim me një vit më parë. Kjo duhet t’i mbajë të zënë njerëzit, puna e të cilëve është t’u gjejnë punë të tjerëve.

Artikulli paraprakShfletuesi i uebit Firefox humbi pothuajse 50 milionë përdorues në një kohë të shkurtër
Artikulli tjetërOKB paralajmërime të forta për klimën, ‘kod i kuq për njerëzimin”