Kapitulli i shitblerjes -PJESA 2

Allahu e ka bërë të lejuar shitblerjen.

Shitblerja në origjinë, e çdo lloji qoftë ajo, është e lejuar nëse dy palët janë në një dhe të kënaqur me të dhe nëse nuk ka gjë të ndaluar nga sheriati.

Llojet e shitblerjes të cilat i ka ndaluar sheriati.

  1. Bejul garar.

Eshtë çdo shitblerje që përmban njohuri jo të plota (të fshehta që nuk i di njëra palë apo të dyja) ose që përmban rrezikshmëri apo kumar.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë:

“I Dërguari i Allahut ka ndaluar nga shitja me guraleca  (Shitja me guraleca është një lloj tregtie e cila praktikohej në kohën e injorancës dhe kryhej duke hedhur disa guraleca mbi mall dhe malli ku binin guralecat bëhej i detyrueshëm të blihej.) dhe nga shitja e gararit (mosnjohjes së plotë të mallit).“Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud, Ibnu Maxheh, Nesai (sahih).

Imam Neueuiu (Allahu e mëshiroftë!) në komentimin e tij të “Sahihul Muslim”, thotë: “Shitja e gararit është një bazë e madhe prej bazave të kapitullit të shitblerjeve dhe për këtë shkak Muslimi e filloi këtë kapitull me të. Në këtë lloj shitblerje hyjnë shumë çështje të pakufizuara, si: shitja e të arratisurit, shitja e asaj që nuk ekziston, shitja e asaj që nuk e njeh, asaj që nuk ke mundësi ta dorëzosh te blerësi, asaj që nuk e ke akoma në pronësi, shitja e peshkut që është në ujin e detit apo lumit, e qumeshtit në gji, e asaj që ndodhet në barkun e kafshës barsë, e një rrobeje prej rrobeve (e papërcaktuar), një dashi prej deshëve e të tjera si këto, shitblerja e të cilave është batil (e kotë), e papranueshme, e palejuar, sepse është gabim (verbëri) i panevojshëm.

Nëse nevoja kërkon ndonjëherë që të kryhet ndonjë lloj garari (gabimi verbërisht) që është e pamundur të ruhesh prej tij, vetëm se me stërmundime dhe nëse gabimi është i arsyetueshëm, atëherë shitblerja lejohet. Muslimanët janë bashkuar në mendimin se shitblerja e xhybes së mbushur (me pambuk a diçka tjetër) është e lejuar edhe nëse ata nuk e hapin për ta parë çka brenda.

Por nëse shitet vetëm mbushja e saj, atëherë kjo shitblerje nuk lejohet. Dije se shitja e të prekurit (nëse prek mallin atëherë duhet ta blesh atë që preke), shitja e litarit (ato që kap litari që zgjat je i detyruar t’i blesh), shitja e guralecave, e të tjera si këto, janë prej shitblerjeve për të cilat kanë ardhur tekste të veçanta (në ndalimin e tyre). Të gjitha ato hyjnë në ndalimin e shitjes së gararit (verbërisë), por ato janë përmendur të veçuara për shkak se kanë qenë prej shitblerjeve të njohura në kohën e injorancës, para Islamit.

Allahu e di më së miri”.

Shitja me të prekur dhe me të hedhur.

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Jemi ndaluar prej dy shitblerjeve; shitja me të prekur (el mulamese) dhe shitja me të hedhur (el munabedhe). “el mulamese” është prekja e çdonjërit prej dy personave rroben (plaçkën) e tjetrit pa dashje, kurse“el munabedhe” është hedhja e çdonjërit prej atyre dyve rroben e tij tek tjetri pa parë njëri prej tyre rroben e tjetrit.”Muslim (sahih).

Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë:

“Na ka ndaluar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nga dy shitblerje dhe dy veshmbathje: Na ka ndaluar nga shitblerja me të prekur dhe me të hedhur. Të prekurit (el mulamese) është të prekë një person rroben e një tjetri me dorën e tij, natën apo ditën dhe kjo prekje e detyron ta blejë atë, kurse të hedhurit (el munabedhe) është të hedhë një person rroben e tij tek një tjetër dhe ai tjetri të hedhë rroben e tij tek ky i pari, duke qenë kjo shitblerja e tyre pa marrë parasysh pranimin apo pëlqimin.” Mutefekun alejhi.

Shitja e të voglit të të voglit të barsës.

Ibnu Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë:

“Njerëzit në kohën e injorancës kryenin shitblerjen e mishit të të vegjëlve deri në të voglin e të voglit të barsës. I vogli i barsës është që të pjellë deveja dhe pastaj të mbarset i vogli i saj që ajo polli. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i ndaloi ata nga kjo shitblerje.”Mutefekun alejhi.

Shitja me guraleca.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë:

“I Dërguari i Allahut ka ndaluar nga shitja me guraleca dhe nga shitja e gararit (mosnjohjes së plotë të mallit).”Muslim, Tirmidhi, Ebu Daud, Ibnu Maxheh, Nesai (sahih).

Imam Neueuiu (Allahu e mëshiroftë!) në komentimin e “Sahihut të Muslimit” thotë: “Përsa i përket shitjes me guraleca, ka tre mendime:

I pari: Kur shitësi thotë se: Të kam shitur ato rroba mbi të cilat do të bjenë këto gurë që do të hedh ose të kam shitur pjesën e tokës nga këtu e deri atje ku do të shkojë ky gurë.

I dyti: Kur shitësi thotë se: të kam shitur atë që do zgjedhësh deri sa të hedh gurin.

I treti: Kur hedhjen e gurit e quajnë shitje dhe kur thuhet se: nëse e godet këtë rrobë me gurë, atëherë e ke blerë me kaq lek.”

 

  1. Shitja e diçkaje që nuk e posedon në të vërtetë.

Hakim bin Hizam (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I thashë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): Nëse dikush më kërkon t’i shes diçka që nuk më ndodhet, a t’ja shes atij?” Ai tha:

“Mos e shit atë që nuk ndodhet tek ti!”Ibnu Maxheh, Tirmidhi, Ebu Daud (sahih).

  1. Shitja e mallit që ke blerë para se ta marrësh në dorë.

Ibnu Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kush blen një ushqim, mos ta shesë atë para se t’i dorëzohet në dorë!”

Ibnu Abasi thotë: “Dhe çdo gjë tjetër llogaritet si ushqimi.”Mutefekun alejhi.

Transmeton Tausi nga Ibnu Abasi se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kush blen një ushqim, mos ta shesë atë deri sa ta peshojë!”

I thashë Ibnu Abasit: “Përse kështu?” Ai tha: “A nuk i sheh disa që shesin e blejnë me ar (flori) kurse ushqimi vonohet?”Mutefekun alejhi.

  1. Shitja mbi shitjen e vëllait tënd (tregtarit tjetër).

Ibnu Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Askush prej jush mos të shesë mbi shitjen e vëllait të tij! Mutefekun alejhi. (duke i thënë blerësit që është te tregtari tjetër duke bërë pazar, hajde blije tek unë me kaq lek, më pak se sa i tha i pari).

  1. Shitja e Ijnes (me hile).

Kjo është ajo shitje e cila bëhet duke i shitur një mall dikujt dhe lekët i lë me të pritur deri në një afat të caktuar. Pastaj blerësi ia shet të njëjtin mall atij që ia bleu, por me lek në dorë dhe më pak se sa e bleu. Kjo është një lloj kamate me hile, sepse në fakt ai nuk donte mallin por lekët borxh.

Ibnu Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Në kohën kur të blini e shisni me hile (ijneh), të shkoni pas bishtit të lopës (pasurisë së kësaj bote), të pëlqeni të mbjellat dhe të lini xhihadin, atëherë Allahu do hedhë mbi ju përçmim e përulje dhe nuk do ta heqë atë prej jush deri sa t’i ktheheni fesë tuaj.”Ebu Daud (sahih).

  1. Shitja me afat duke rritur çmimim (shitja me këste).

Në këto kohë është përhapur shitja me afatizim dhe me rritje të çmimit origjinal të mallit, e cila njihet me emrin: shitja me këste. Siç është e njohur, kjo shitje bëhet duke shitur mallin me këste dhe duke shtuar në çmimin e tij kundrejt kohës së shtyrë, si p.sh: të jetë çmimi i mallit një mijë $ dhe të shitet me këste një mijë e dyqind $. Kjo lloj shitjeje është e ndaluar.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kush bën dy shitje në një shitje, ose ta prishë njërën, ose ka ngrënë kamatën.”.Ebu Daud (hasen).

Gjërat që nuk lejohen të shitet.

  1. Alkooli.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Kur zbritën disa ajete nga fundi i sures Bekare, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) doli dhe tha: “U ndalua tregtia e alkoolit.”Mutefekun alejhi.

  1. E ngordhura, derri dhe idhujt.

Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah se ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në çlirimin e Mekës të thotë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e ka bërë të ndaluar shitjen e alkoolit, të ngordhurën, derrin dhe idhujt.” I thanë: “O i Dërguari i Allahut! Po dhjamin e të ngordhurës, sepse me të lyhen anijet, fërkohen lëkurat e kofshëve dhe e hanë njerëzit në mëngjes?” Ai tha: “Jo, ai është i ndaluar” I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në atë çast shtoi: “Allahu i vraftë çifutët! Kur Allahu ua ndaloi atyre dhjamin e të ngordhurës, ata e zbukuruan atë e pastaj e shitën dhe hëngrën çmimin e tij!”.Mutefekun alejhi

  1. Qeni.

Transmetohet nga Ibnu Mesud el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë të ndaluar shitjen e qenit, të hollat e imorales dhe të fallxhorit.”Mutefekun alejhi.

  1. Pikturat që përmbajnë gjëra me shpirt.

Seid bin ebi Hasen thotë: “Isha te Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur tek ai erdhi një burrë e i tha: “O Ibën Abas! Unë jam një njeri që e ha bukën me punën e duarve të mia dhe pikturoj këto piktura”.

Ibën Abasi tha: Po të them ty vetëm atë që kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i cili ka thënë:

“Kush pikturon ndonjë pikturë, Allahu do ta dënojë atë deri sa t’i japë asaj shpirt dhe ai nuk do të mund t’i japë kurrë shpirt asaj.”

Burri u mërzitë shumë, derisa iu zverdh fytyra. Atëherë Ibën Abasi i tha: “Nëse do patjetër të pikturosh, atëherë pikturo këto pemë dhe çdo gjë që nuk ka shpirt.“Mutefekun alejhi.

5. Frutat e pemëve para se të dalin kokrrat apo të piqen.

Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e frutave të pemëve para se të piqen, si edhe nga shitja e hurmave (temër/hurmat arabe) para kohe. Dikush i tha: “Kur është koha e tyre?” Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kur të skuqen apo të zverdhen.”Buhariu.

Gjithashtu Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e pemëve para pjekjes. I thanë: “Kur piqen ato?” Tha: “Kur të skuqen”. Pastaj tha: “Çfarë thoni nëse Allahu i ndalon frutat të dalin e të piqen, atëherë çfarë do t’i japë ai që ka marrë lekët e vëllait të tij?”Mutefekun alejhi.

6. Të mbjellat para forcimit të kokrrës.

Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e “temrit” para pjekjes dhe nga agrumet para se të focohet kokrra dhe të sigurohet se nuk është prekur me ndonjë sëmundje. Ka ndaluar edhe shitësin edhe blerësin.”Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu (sahih).

LIBRI : Meshhur-Hasen-Rregullat-e-shitblerjes.

Artikulli paraprakU promovua për Kurban Bajram: zbulohet “Bayraktar Kizilelma”
Artikulli tjetër“Zgjoji aftësitë dhe ndërto të ardhmen tënde” – pikat kyqe të librit nga Dr. Ibrahim el-Fekij