Kapitalizmi aventurier nga “The Economist”

Industria e kapitalit sipërmarrës është duke u rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo është një gjë e mirë, shkruan The Economist.

Në pesë dekadat e fundit, industria e kapitalit sipërmarrës ka financuar ide sipërmarrëse që kanë vazhduar të transformojnë biznesin global dhe ekonominë botërore. Shtatë nga dhjetë firmat më të mëdha në botë u mbështetën nga kapitali sipërmarrës. Paratë e kapitalit sipërmarrës kanë financuar kompanitë që qëndrojnë pas motorëve online të kërkimit, celularëve iPhone, makinave elektrike dhe vaksinave mARN.

Tani, vetë makineria e kapitalizmit po zhvillohet dhe po transformohet, pasi një shumë prej 450 miliardë dollarësh ka vërshuar drejt kapitalit sipërmarrës. Ky vrull i jashtëzakonshëm i botës së sipërmarrjes ka rreziqe të konsiderueshme, nga themelues egomaniakë që shpërdorojnë para më kot, deri tek rezervat e pensioneve që shpërdorohen për të investuar në kompani startup të mbivlerësuara.

Por në planin afatgjatë, kjo lëvizje premton ta bëjë industrinë më globale, të kanalizojë kapitalin me rrezik, në një gamë më të gjerë industrish dhe ta bëjë kapitalin sipërmarrës më të aksesueshëm për investitorët e zakonshëm. Një grup më i madh kapitali që ndjek një grup më të gjerë idesh, do të nxisë konkurrencën dhe ka të ngjarë të nxisë edhe inovacionin, duke çuar në një formë më dinamike të kapitalizmit.

Kapitali sipërmarrës

Kapitali sipërmarrës i ka rrënjët që në vitet 1960 dhe asokohe nuk përputhej mirë me botën financiare. Ndryshe nga kostumet e shtrenjta dhe sofistikimi i Wall Street, ky lloj sistemi favorizon punën e vetmuar individuale dhe veçanërisht kapacitetin intelektual.

Teksa sistemi tradicional financiar është bërë më i gjerë, më sasior dhe më i përqendruar në flukset monetare dhe asetet e maturuara, kapitali sipërmarrës ka shkuar në drejtimin e kundërt të rrymës, duke kërkuar të gjejë dhe të financojë sipërmarrës që janë tepër të papërvojë apo unikë, për t’u ulur në një dhomë me bankierë të përmbajtur dhe zotërojnë ide të cilat janë tepër të reja dhe inovative për modelet tradicionale financiare.

Rezultatet kanë qenë befasuese. Pavarësisht investimit të shumave relativisht modeste gjatë dekadave, fondet e Amerikës për kapitalin sipërmarrës kanë krijuar firma që sot vlejnë të paktën 18 trilionë dollarë. Ky rekord pasqyron rritjen e platformave të mëdha të teknologjisë, si Google.

Kohët e fundit, firmat “unicorn” të mbështetura nga kapitali sipërmarrës (kompani private startup me vlerë mbi 1 miliard dollarë), kanë kapur majat e një sërë listimesh të kompanive më fitimprurëse, siç janë Rivian dhe Slack. Gjatë dekadës së artë të kaluar, indeksi i fondeve amerikane nga kapitali sipërmarrës, ka shënuar rritje prej 17%.

Suksesi tani po përhapet në industrinë më të gjerë financiare. Fitimi i madh që rezulton po rishpërndahet në fonde të reja. Për më tepër, ndërkohë që normat e interesit janë ende të ulëta, skemat e pensioneve, kompanitë dhe fondet e pasurisë sovrane kanë drejtuar sytë drejt kapitalit sipërmarrës dhe po kërkojnë të ndajnë më shumë para për fondet e posaçme, ose të krijojnë degët e tyre të kapitalit sipërmarrës. Deri tani këtë vit, pothuajse 600 miliardë dollarë janë shpërndarë në marrëveshje të ndryshme – dhjetë herë më shumë se niveli i një dekade më parë.

Kapitali sipërmarrës

Ndërsa paratë po vërshojnë, kapitali sipërmarrës po depërton më thellë dhe më gjerësisht në ekonomi. Ajo që dikur ishte një çështje amerikane, tani është një çështje globale, dhe 51% e marrëveshjeve në vitin 2021, u lidhën jashtë Amerikës.

Hapësira e kapitalit sipërmarrës në Kinë është zvogëluar kohët e fundit për shkak se presidenti i vendit, Xi Jinping, ka vendosur të tregohet më i rreptë ndaj kompanive të teknologjisë konsumatore. Megjithatë, industria po lulëzon në pjesën tjetër të Azisë dhe pas disa dekadash gjumi, risia duket se po zgjohet edhe në Europë, ku në 65 qytete janë themeluar firma “unicorn”.

Lulëzimi i kapitalit sipërmarrës deri tani është përqendruar në një grup të ngushtë firmash në fushën e teknologjisë konsumatore, si Airbnb dhe Deliveroo. Këtë vit, investimet në energjinë e pastër, hapësirën dhe bioteknologjinë, ishin sa dyfishi i atyre të vitit 2019.

Dhe industria po bëhet gjithnjë e më e hapur. Dikur një elitë komode fondesh zotëronte një fuqi të pazakontë, ndërsa tani janë përfshirë më shumë firma financiare dhe ka mjete që i lejojnë investitorët e zakonshëm të fitojnë akses me një çmim të ulët. Konkurrenca po i detyron kapitalet sipërmarrëse të të gjitha llojeve, të eksperimentojnë me strategji të reja, duke përfshirë gjurmimin e karrierës së krijuesve individualë.

Rreziqet

Natyrisht, kjo gjë ka rreziqet e veta. I pari është se paratë korruptojnë. Rritja e vlerësimeve dhe kapitali i mjaftueshëm mund t’i bëjnë firmat dhe mbështetësit e tyre të vetëkënaqur. Nga 100 firmat kryesore të listuara në vitin 2021, 54 janë në zonën e kuqe, me 71 miliardë dollarë humbje kumulative. Edhe qeverisja mund të jetë katastrofike.

Fondi i Vizionit prej 100 miliardë dollarësh nga SoftBank, i cili ofronte çeqe të mëdha për krijimin e firmave startup dhe për t’i nxitur ato të rriten më shpejt, është përfshirë nga konfliktet e interesit. Themeluesit gjithashtu mund të dehen nga suksesi. Adam Neumann, themeluesi i firmës WeWork, ndërtoi një kult individi për veten, në sajë të pëlqimit të tepruar për birrën.

Një rrezik tjetër është se, si me çdo klasë asetesh, kthimet zvogëlohen me fluksin e parave. Investitorët mund të shkurajohen nga fakti se, përveç se duhet të përballen me fazat e rritjes dhe rënies së papritur që karakterizojnë kapitalin sipërmarrës, kthimet afatgjata mund të jenë më të ulëta se sa shpresonin.

Megjithatë, ajo që është disi e sikletshme për investitorët, mund të jetë e mirë për ekonominë. Është më mirë që një dollar margjinal të shkojë për kompanitë e reja, sesa në tregun e fryrë të banesave apo në tregun e bonove tejet të mbingarkuar.

Një rënie e papritur e kapitalit sipërmarrës, e shkaktuar nga rritja e normave të interesit, nuk do të destabilizonte sistemin financiar, sepse firmat startup në përgjithësi kanë borxhe të ulëta. Edhe nëse firmat e mbështetura nga kapitali sipërmarrës shpërdorojnë paratë në mënyrë të shfrenuar, pjesa më e madhe e tyre do të përcillet tek konsumatorët: përfytyroni gjithë ato udhëtime me makinë të subvencionuara dhe ushqime të dorëzuara në shtëpi.

Ndërsa një bum i papritur, do të rriste pa dyshim konkurrencën. Investimi në kapitalin sipërmarrës këtë vit do të tejkalojë shpenzimet totale kapitale dhe shpenzimet për kërkim-zhvillim nga pesë kompanitë më të mëdha të teknologjisë, të cilat gjithashtu po shkurajohen nga blerja e konkurrentëve të mundshëm, për shkak të kërcënimit të rregullave më të rrepta antitrust.

Shpërblimi më i madh do të ishte rritja e inovacionit. Është e vërtetë se asnjë sasi parash nuk mund të krijojë përsosmëri. Dhe qeveritë shpesh financojnë kërkimet shkencore më themelore. Megjithatë, oferta globale e sipërmarrësve nuk është stabilizuar ende dhe shumë ide mbeten të nënshfrytëzuara. Bumi i mëparshëm i kapitalit sipërmarrës bëri që investitorët të zgjeronin horizontin e ndërmarrjes së rrezikut në zona më të vështira dhe aventuriere.

Ndërsa investimet sipërmarrëse përhapen në mbarë botën, sipërmarrësit jashtë Amerikës do të kenë një shans më të mirë për t’u bashkuar në këtë nismë. Dhe barrierat për krijimin e bizneseve të reja po bien, falë shërbimeve kompjuterike online dhe punës në distancë. Kapitali sipërmarrës ka për synim të marrë ide të mira dhe t’i bëjë ato më të mëdha dhe më të mira: është e drejtë që të zbatohet kjo logjikë në të gjithë industrinë. /monitor.al/

Përktheu: Lira Muça

Artikulli paraprakSi t’i menaxhoni konvertimet në valuta dhe ta rrisni biznesin tuaj? – Këshilla nga konsulenti financiar
Artikulli tjetërDiplomacia ekonomike e Kinës: Ku përshtaten Tajvani dhe Kosova?