Istisna është një kontratë për të cilën dijetarët e Sheriatit kanë dhënë kontribute të rëndësishme përmes ixhtihadit gjatë shekujve, sidomos gjatë periudhës së sundimit Osman. Kodi ligjor osman, i njohur si El-Mexhalla dhe i bazuar në shkollën juridike Hanefite, përfshinte një version të përmirësuar të kontratës Istisna. Dijetarët hanefi bënë një ndryshim të rëndësishëm nga forma tradicionale e saj duke lejuar që pagesa të mos bëhej menjëherë, si në kontratën Salam, por të shtyhej në kohë. Disa dijetarë shkuan edhe më tej duke lejuar që shitësi të blejë mallin nga tregu i lirë dhe të mos jetë domosdoshmërisht vetë prodhuesi. Këto dy zhvillime e kanë bërë Istisna-n një mënyrë gjithnjë e më tërheqëse financimi për bankat islame.
Bankat nuk janë agjentë prodhues. Ato janë ndërmjetësues financiarë. Istisna mund të shndërrohet në një model financiar, ku bankat luajnë rolin e ofruesve të kredisë. Nëpërmjet Istisnasë dhe Istisna paralel, bankat mund të shesin me pagesë të shtyrë mallra të prodhuara, makineri, pasuri të paluajtshme, ura… etj., dhe të blejnë ose të kontraktojnë për ndërtim me pagesë në para. Dallimi midis këtyre dy çmimeve është fitimi që banka realizon si kthim mbi investimin. Kontrata ndërmjet bankës dhe klientit do të përfshijë specifikimet teknike të mallit të prodhuar ose ndërtesës që do të ndërtohet. Të njëjtat specifikime mund të jenë në kontratën ndërmjet bankës dhe prodhuesit ose kontraktorit. Roli i bankës, pra, është ndërmjetësim financiar, mbi bazën e shitjes dhe jo të huadhënies.
Rreziqet
Përveç rrezikut të kreditit nga ana e klientit, në kontratën Istisna, banka mban edhe një rrezik performance. Kjo ndodh sepse klienti i bankës nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktore apo të drejtë ligjore ndaj prodhuesit apo kontraktorit real. Si rrjedhojë, në rast dështimi, përgjegjësia bie gjithmonë mbi bankën. Megjithatë, ky rrezik mund të reduktohet duke marrë një garanci performance nga prodhuesi ose kontraktori. Për më tepër, kontrata për prodhim ose ndërtim bazohet në të njëjtat plane dhe specifikime teknike të ofruara nga vetë klienti. Klienti gjithashtu mund të japë informacion në lidhje me burimet më të mira të furnizimit apo kontraktorët më të besueshëm. Banka nuk ka asnjë arsyje për të zgjedhur një kontraktor apo prodhues tjetër përveç atij të rekomanduar nga klienti. Klienti mund të marrë pjesë në negociata, pa qenë i përfshirë në vendimmarrjen zyrtare të kontratës ndërmjet bankës dhe prodhuesit ose kontraktorit. Për më tepër, shumë dijetarë kanë lejuar që, pasi mallrat të jenë dorëzuar, banka të ketë vetëm rolin e garantuesit të prodhuesit ose kontraktorit. Në këtë mënyrë, klienti mund të lidhet drejtpërdrejt me ta, ndërsa banka mban përgjegjësi vetëm nëse ata nuk e përmbushin detyrimin e tyre ndaj klientit.
Garancitë
Çmimi i mallrave ose aseteve që do të ndërtohen bëhet një detyrim financiar për klientin. Prandaj, banka mund të kërkojë garanci në vlerë të barabartë ose më të madhe se ky detyrim, në një mënyrë të ngjashme me bankat tradicionale. Gjithashtu, banka mund të kërkojë garanci performance (performance bonds) ose letra garancie (L/G) nga kontraktorët, si dhe garanci pas dorëzimit të projektit. Në çdo rast, të dy kontratat – ajo ndërmjet bankës dhe klientit dhe ajo ndërmjet bankës dhe prodhuesit ose kontraktorit duhet të jenë gjithmonë të ndara nga njëra-tjetra.
Procesi i realizimit të një transaksioni Istisna
Zakonisht, marrëveshja nis kur klienti i drejtohet bankës për të financuar, për shembull, ndërtimin e një ndërtese të re. Në vend që të japë një hua, banka mund të përdorë Istisna-n për të organizuar një transaksion pa interes. Klientit do t’i kërkohet të paraqesë pranë bankës planet dhe skicat e gatshme, si dhe lejet e nevojshme nga autoritetet. Ai gjithashtu do të japë sugjerime për kontraktorin e preferuar, për shqyrtim të mundshëm nga banka. Pas përfundimit të vlerësimit të kredisë së klientit, banka do të marrë një ofertë nga kontraktori (preferohet ai i rekomanduar nga klienti), e cila zakonisht është e vlefshme për një ose dy muaj. Gjatë kësaj kohe, banka do të nënshkruajë një kontratë me klientin, ku ky i fundit në fakt blen, me pagesë të shtyrë, ndërtesën që do të ndërtohet nga banka. Banka më pas do të nënshkruajë një kontratë me kontraktorin për të ndërtuar ndërtesën duke përdorur të njëjtat specifikime dhe kushte kontraktore të dakordësuara me klientin. Pagesa nga banka për kontraktorin do të bëhet në para, ndërsa banka do të marrë çmimin e shitjes nga klienti me një shtesë përmes kësteve. Kjo është qartë ndërmjetësim financiar, që është pikërisht ajo me të cilën duhet të merret një bankë. Fitimet e bankës janë në fakt diferenca midis pagesave me para të gatshme që i bëhen kontraktorit dhe pagesës së shtyrë që kryen klienti. Fitimi mund të llogaritet në çdo mënyrë, për sa kohë që klienti e di shumën që do të paguajë në momentin e nënshkrimit të kontratës, kjo shumë nuk ndryshon dhe nuk rritet nëse këstet nuk paguhen në kohë.
Mudarabah
Mudarabah është një mënyrë pjesëmarrëse financimi. Ajo përbëhet nga dy palë: njëra ofron financimin, e quajtur “Rab-ul-mal”, dhe tjetra ofron punën ose menaxhimin, e quajtur “Mudarib”. Ato bashkohen në një projekt për të gjeneruar fitim, i cili ndahet ndërmjet tyre. Mudarabah është një marrëveshje e tipit pronar-agjent. Ekspertët e hershëm në sistemin bankar islam mendonin se Mudarabah duhet të ishte mënyra mbizotëruese e financimit në bankat islame. Kjo për shkak se ata besonin se një sistem bankar i bazuar në Mudarabah do të siguronte një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave dhe pasurisë në shoqëri. Ajo krijon mundësi për sipërmarrës që ndonëse kanë aftësi inovatore dhe menaxheriale për të krijuar pasuri, nuk mund të sigurojnë financim nga bankat për shkak se këto kërkojnë kolateral, të cilin ata nuk e kanë. Kjo është një përparësi e madhe ndaj sistemit bankar konvencional.
Megjithatë, nuk është e vështirë të shihet që sistemi bankar islam është zhvilluar larg Mudarabah-së. Mudarabah, si marrëveshje e tipit pronar-agjent, përballet me një shkallë të lartë rreziku moral dhe përzgjedhjeje të pafavorshme. Përpjekjet e hershme nga bankat islame për të zbatuar Mudarabah në krijimin e aktiveve të bankës dështuan për shkak të sjelljes së keqe nga ana e klientëve të bankës. Ndërsa modeli origjinal i sistemit banakr islam është i bazuar në Mudarabah me dy nivele, banka pranon depozita në llogaritë e investimeve mbi bazën e kësaj kontrate dhe financon në të njëjtën mënyrë. Në të parën, banka është Mudarib (agjent), dhe në të dytën ajo është Rab-ul-mal (ofruesi i kapitalit). Mudarabah është baza e anës së detyrimeve të të gjitha bankave islame. Është e qartë se niveli i rrezikut moral dhe i përzgjedhjes së pafavorshme në kontratat Mudarabah është shumë më i ulët në anën e detyrimeve sesa në atë të aseteve. Arsyeja është se bankat do të përballeshin me humbje të mëdha nëse do të besonin në më pak se nivelin më të lartë të ndershmërisë, pavarësisht mbikëqyrjes nga autoritetet rregullatore dhe banka qendrore.











